Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Ja përse Gjin Marku nuk e la Gjolikun të pushkatonte 37 burra"

    Për herë të parë pas 59 vjetësh nga masakra e partizanëve të Jaho Gjolikut e Haki Toskës, dëshmojnë familjet e viktimave që u vranë në shenjë hakmarrje për Çelo Sinanin

    Dashnor Kaloçi

    Dëshmia e 69-vjeçarit Dedë Marashi: "Më kujtohet si tani kur erdhi haberi dhe e sollën me vig trupin e pajetë të kushuririt tim, Tom Martinit. Babai i tij, Martin Gjoni, kur e ka pa syrin e djalit të varun poshtë fytyrës nga goditjet e bajonetës, u tha atyre që e prunë: pse ma keni sjellë kështu, dhe e shkuli synin e të birit dhe e hodhi në përrua".


    Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, nëpërmjet dëshmisë së 84-vjeçarit Prek Sokoli me origjinë nga fshati Xhan i Komunës së Pultit të Dukagjinit, u njohëm me një nga historitë tragjike të ndodhura në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, në ditën e fundit të Luftës, kur në malësinë e Dukagjinit, forcat partizane të një batalioni të Brigadës së gjashtë sulmuese, ekzekutuan dhjetë malësorë të pafajshëm, në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së korrierit partizan të asj brigade, 15-vjeçarit, Çelo Sinani nga Picari i Gjirokastrës. Sipas dëshmisë së Prek Sokolit, vëllai i Pëllumb Sokolit, njërit prej dhjetë burrave të pushkatuar, një grup malësorësh që ishin duke udhëtuar nga Shkodra për në fshatrat e tyre, natën e 27 nëntorit 1944 u ndeshën në një pritë partizane prej tre vetësh e cila iu bëri thirrje që të ndaleshin. Pas kësaj njëri nga partizanët qëlloi në drejtim të tyre me breshëri automatiku dhe plumbave të tij iu përgjigj po me plumba njëri nga malësorët, nga të cilat mbeti i vrarë Çelo Sinani. Pas kësaj, dy shokët e Çelos zbritën në fshat ku dhanë lajmin e vrasjes së tij dhe partizanët e batalionit që ishin lënë në atë zonë për spastrime, i arrestuan të gjithë grupin e malësorëve që ishte strehuar për të kaluar natën po në atë fshat dhe të lidhur ata i dërguan në Qafë-Thanë ku ishte Shtabi i Brigadës. Në shenjë hakmarrje ndaj vrasjes së Çelos, u vendos pushkatimi i dhjetë burrave, gjë të cilën e mori përsipër një partizane për të cilën atëhere u tha se ishte e motra e Çelo Sinanit.
    (vijon nga numri i kaluar)

    Arrestimi i 37 malësorëve
    Por pushkatimi i dhjetë malësorëve dukagjinas në afërsi të fshatit Bruçaj, duket sikur nuk i kënaqi kuadrot drejtuese të Shtabit Brigadës së gjashtë që komandoheshin nga Jaho Gjoliku dhe Haki Toska, pasi forcat e shumta të asaj brigade u rikthyen përsëri në fshatin Xhan e Bruçaj, ku kryen arrestimin e 37 fshatarëve të tjerë. Lidhur me këtë ngjarje, 84-vjeçari Prek Sokoli me origjinë nga Dukagjini dhe me banim në Rranxat e Bushatit të Shkodrës, dëshmon: "Pas pushkatimit të atyre dhjetë burrave nga një partizane për të cilën u tha se ishte e motra e Çelo Sinanit, forcat partizane, të udhëhequara nga Jaho Gjoliku, u kthyen përsëri në fshatin Xhan dhe aty arrestuan edhe 37 fshatarë të tjerë, të cilët ashtu të lidhur i rreshtuan në një bregore për t'i pushkatuar të gjithë. Në atë çast që pritej pushkatimi i tyne sipas urdhërit që kishte dhënë Jaho Gjoliku, vendimi u anallua dhe të 37 burrat e lidhur mundën që të shpëtonin nga vdekja e sigurtë. E gjithë ajo mrekulli, pra falja e tyre ndodhi pas ndërhyrjes së Komandantit të Divizionit partizan, Gjeneral Gjin Markut, që kishte nën vartësi Brigadën e gjashtë, i cili e ndaloi Jaho Gjolikun që ta kryente atë masakër. Sipas atyre burrave që kanë qenë prezent në atë vënd, Gjin Marku i tha kështu Jaho Gjolikut: "Nesër kemi festën e Çlirimit të Shqipërisë dhe nuk bën që atë ditë të shumëpritur ta festojmë me gjak". Pas atyre fjalëve të Gjin Markut, ata 37 burra të pafajshëm u lanë të lirë për të shkuar në shtëpitë e tyre", e përfundon dëshminë e tij, 84-vjeçari Prek Sokoli, vëllai i njëri prej dhjetë burrave të pushkatuar në fshatin Xhan, i cili shton se që nga ajo ditë e deri në vitin 1990, familja e tij u quajt reaksionare dhe vazhdimisht u përmëndej vëllai i vrarë. "Prej asaj ne s'kena mujt me lyp kurgja" shprehet Prek Sokoli, familjen e të cilit në vitin 1971 e hoqën nga fshati Xhan dhe e dërguan aty në Rranxat e Bushatit, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Por edhe pse ata u shpërngulën nga fshati i tyre, nuk e kanë harruar ende atë histori tragjike ku 59 vjet më parë nga plumbat e partizanëve mbeti i vrarë i biri i tyre, 25-vjeçari Pëllum Sokoli.

    Dëshmia e tre familjeve të viktimave
    Për atë histori tragjike të ndodhur në 28 nëntorin e largët të vitit 1944, Prek Sokoli, nuk është i vetmi dëshmitar që hedh dritë mbi çka ndodhi aty. Ajo histori është ruajtur e freskët në kujtesën e shumë malësorëve të asaj ane dhe sidomos në familjet e viktimave, ku njeri prej tyre, 67-vjeçari, Dedë Marashi dëshmon: "Më kujtohet si tani kur në fshatin tonë erdhi haberi për vrasjen e kushëririt tim, Tom Martinit, të cilin e sollën mbi një vig. Sapo trupi i tij mbërriti para shtëpisë, sipas zakonit i pari doli babai i Tomës, Martin Gjoni, i cili kur e pa syrin e të birit që varej poshtë fytyrës prej goditjeve të bajonetës, iu drejtua atyre burrave që e prunë trupin e tij duke u thënë: "Pse ma keni sjellë kështu" dhe e shkuli syrin e të birit e e flaku tutje në përrua", kujton Deda lidhur me atë histori rrënqethëse, kur trupat e pajetë të malësorëve të vrarë u përcollën nëpër shtëpitë e tyre. Një tjetër dëshmitare e asaj ngjarje, është dhe 85-vjeçarja Drane Vata, e motra e Kol Vatës që u pushkatua nga partizania e brigadës së gjashtë, e cila dëshmon: "Lajmi për vrasjen e dhjetë burrave, na erdhi në atë kohë që unë isha e martuar në fshatin Gjuraj. Nga Gjuraj për në Xhan, mban rreth dy orë dhe rrugës për aty unë po mundohesha që të nxirrja të vërtetën se kush ishte vra. Sepse për vëllanë tim Kolën, nuk më treguan që ishte vra, pasi e kisha vëlla të vetëm dhe mua më treguan vetëm për vrasjen e kushërinjëve tanë dhe të tjerëve. Por unë shumë shpejt e mora vesh për vrasjen e vëllait tim, Kol Vatës, nga një fshatar i cili thirri: "Kujdes mos i dëftoni asaj për atë njeriun që kan vra". Nga ai e mora vesh se bëhej fjalë për mue dhe vëllanë tim Kolën, i cili kishte marrë dy plumba në vetull dhe dy në sy, të cilët i kishin dalë sipër kokës. Shtëpia jonë ku kisha lindur unë kishte tre të vrarë dhe bashke me probatinin (vëlla gjaku prej gishti) bëheshin gjithsej katër që po qaheshin së bashku. Që nga ajo natë dhe për gjithë jetën e jetës unë mbeta qyqe pa vëlla dhe po kështu prej asaj dite e deri sot që jam në moshën 85-vjeçare, unë nuk kam vesh gja tjetër në trup përveçse ngjyrës së zezë", kujton Drane Vata lidhur me vrasjen e vëllait të saj. Po kështu, Lezja, motra e Mëhill Vocërrit, njërit prej dhjetë viktimave që u pushkatuan atje, dëshmon: "Në atë kohë që ka ndodh ngjarja, unë isha e martueme në fshatin Pog të Komunës së Pultit. Natën e 28 nantorit, aty erdhën dy fshatarë tek kojshiu jonë dhe kërkaun burrin tim, Kol Zefin. Meqënëse shtëpia e kojshisë sonë nuk ishte ma larg se 30 m. nga kurioziteti unë u afrova fshehurazi dhe dëgjova të gjithë bisedën që bënë dy fshatërt me burrin tim, të cilit në mes të tjerash i thanë: "Kan plagosë partizanët në Xhan vëllanë e Lezes dhe e kanë nisë për në Shosh". Në ato momente kur dëgjova ato fjalë për vëllanë tim të vetëm, një tmerr i madh më pushtoi trupin. Burri im me dy fshatërt nuk më treguan të vërtetën dhe unë u nisa menjëherë për në Shosh, që mbante rreth katër orë larg ditën, e natën akoma më shumë. Gjatë gjithë rrugës unë mendojsha se përse vallë vëllanë tim të plagosur e kishin sjellë në vëndlindjen e tij në Shosh, në një kohë që atë fare mirë atë mund ta dërgonin për në Shkodër, që ishte fare pak më larg nga Xhani dhe atje kishte spital. Me këtë shpresë të pashpresë unë arrita deri në Shosh, ku shumë shpejt mora vesh gjamën e zisë së përjetëshme që na pllakosi. Që nga ajo ditë, e 29 nantorit të vjetit 1944 e deri më sot, ne dy motrat e Mëhillit mbetëm me rroba të zeza dhe me dhëmbje në shpirt", kujton Leze Vocrri, e motra e Mëhillit 17-vjeçar, të cilin para se ta pushkatonte, partizania e brigadës së gjashtë i tha: "Lëreni këtë se qenka moshatar me Çelon tim".

    Reagimi i fshatarëve ndaj partizanëve
    Masakra e kryer nga forcat partizane të Brigadës së gjashtë mbi ata dhjetë burra të pafajshëm, nuk kaloi lehtë nga malësorët e atyre anëve të cilët reaguan menjëherë. Lidhur me këtë, 63-vjeçari nga Shkodra. Zef Zeka, i cili prej kohësh merret me hulumtime për terrorin dhe genocidin komunist të ushtruar mbi ato treva të veriut të vëndit, ndërmjet të tjerash dëshmon: "Vrasja e dhjetë burrave të pafajshëm i indinjoi pa masë malësorët e atyre fshatrave të cilët u ngritën menjëherë me armë në dorë dhe dhanë besën për hakmarrje. Kështu pas disa ditësh, më pesë dhjetor 1944, një grup i madh fshatarësh nga Xhani dhe Kiri, filluan pushkën kundër forcave spastruese të Brigadës së gjashtë partizane. Nga ajo përplasje me armë, mbeti i vrarë një partizan, ndërsa nga fshatarët u vranë katër vetë, tre nga shtëpia e Gjon Palit dhe një probatin i tyre. Pas kësaj në shenjë hakmarrje, forcat spastruese partizane dogjën shtatë shtëpi të atyre fshatrave dhe u larguan për në drejtim të Malit të Zi", shprehet Zef Zeka lidhur me vazhdimin e konfliktit në mes partizanëve të Brigadës së gjashtë dhe fshatarëve dukagjinas, konflikt i cili në forma të tjera ndoshta dhe më të egra vazhdoi edhe për gati një gjysëm shekulli me rradhë.


    Versioni zyrtar i vrasjes së Heroit të Popullit Çelo Sinanit

    Nga ajo ditë pioneri Çelo Sinani u bë partizan. Në çetën e Kurveleshit e në batalionin "Asim Zeneli", në grupin e parë të Kurveleshit e në brigadën e 6 sulmuese Çelua u dallua ndër shokët. Pushka e tij u rreshtua përkrah pushkëve të partizanëve të tjerë. Më vonë pushkën e zëvendësoi me automatik, me mitraloz. Me mitraloz në krah zbriti dhe ngjiti qafën e Dhëmbelit, kapërceu Vjosën, Osumin, Shkumbinin, Drinin. Me opinga të shqyera, me një mushama, që e përdorte herë-herë si batanie, me bukë e pa bukë, në shi, në breshër e në dëborë luftonte dhe këndonte këngën aq të dashur: Mbi çdo vend të Shqipërisë / Brigad' e gjashtë kur kalon,/ Drithet fron' i tiranisë / Mali e fusha ushëton… Dy vjet luftë e kalitën Çelon. A u rrit nga shtati, mësoi shumë gjëra. Në një përpjekje që bëri me armikun grupi i parë i Kurveleshit, Çelua papritur mbeti i rrethuar. -Të zura, more rjepacak, s'ke ku më shkon,- i tha një ballist dhe iu vu prapa Çelos. Pioneri, sadoqë ndjeu frikë nuk e dha veten. E priti të afrohej dhe e qëlloi. Ballisti klithi dhe ra shul në tokë. Nuk e humbi besimin në vetvete dhe vendosi të çante rrethimin. U shtri barkas dhe rrëshqiti pa u vënë re nëpër gërxhe e shkrepa gjersa doli jashtë çdo rreziku e u bashkua përsëri me shokët. … Nëntor 1944. Çelua, partizani i Brigadës së gjashtë, bashkë me një shokun e tij bënte roje në Theth, në fshatin piktoresk në zemër të Alpeve. Kur partizanët e tjerë bisedonin përzemërsisht me malsorët, dy rojet që nga bregorja vërenin me kujdes çdo lëvizje. Nga deriçka e kishës doli nëj "prift", i cili, si hodhi sytë rreth e përqark u largua me të shpejtë në drejtim të bregut të lumit. Çelua dyshoi: "Pse ecën i trembur"?! Zuri vend mbi rrugë dhe i thirri të ndalej. "Prifti" shtangu në vend. Nisi të bënte kryq dhe në çast nxori "valterin" nga gjoksi dhe shtiu tri herë. Ciflat e gurit mbi të cilin ranë plumbat e gjakosën në njërën dorë pionerin, por ai nuk u tërhoq. Iu kundërpërgjigj menjëherë me një breshëri automatiku. "Prifti" vrapoi duke shtënë në të rrallë, ndërsa pioneri i gjakosur iu qep pas duke shtënë. "Prifti" hyri në ujë për të dalë në bregun tjetër. Në përpjekje për t'u mbrojtur nga plumbat e Çelos përdrodhi këmbën, ra në ujë u ngrit, po revolveri i ra nga dora. Në ndihmë të Çelos shkoi Alemi, shokët e tjerë dhe "prifti" u kap. Gjatë kontrollit Alemi i tha Çelos:"- Shih dreqi, na qenka toger gjerman! Akte trimërie të vogëlushit i gjen të shkrira në gjurmët e brigadës së tij. Kudo Çelua i vogël luftoi si trim. Episode nga më të ndryshme tregojnë shokët e tij për Çelon. Ai në kujtesën e tyre mbeti fëmijë i gëzueshëm, luftëtar trim që, si thotë populli, të merrte "gjak në vetull". Po afronte dita e çlirimit të plotë të Atdheut. Brigada e gjashtë ndodhej në afërsi të Qafë Thanës, në malësinë e Dukagjinit. Natën, duke u gdhrë 26 nëndor 1944 partizanët të lodhur e të pangrënë ishin grumbulluar në një vend, ku mund të mbroheshin sadopak nga shiu e furtuna. Papritmas hidhen dy bomba nga mercenarët. Çelua i ndezur nga urrjetja për armiqtë vrapon bashkë me partizanët e tjerë për t'u hakmarrë. Ndodhet përballë me tre mercenarë. Qëllon me automatik, vret një mercenar dhe plagos nji tjetër. Mercenari i tretë qëllon nga dukej flaka e automatikut dhe plumbi armik godet trimin pioner, që puthi për herë të fundit tokën e shtrenjtë të Atdheut. Nga fytyra i rrodhën currila gjaku. Malësorët i kënduan trimërisë së heroit të vogël: "Kush lufton në atë breg / Çelo Sinani vetë i tret, / Çelo Sinani kuq si molla / Qit dhe njëherë, të lumtë dora, / Jo me një po qit me dy,/ T'lumshin krahët e ay sy". Ndërsa në gazetën lokale të vendlindjes së Çelos, për të u shkruan këto vargje:"… Kush tha se s'di Çelua / Në male të luftojë?!/ Kush tha se s'di Çelua / Me pushkë të qëllojë?!/ Përballë me armikun, / Në krah me shok'lufton,/ Dhe kurrë ai s'trembet…/ Me pushkë ai qëllon. … Po plumbi seç e gjeti,/ Bariun tonë të ri; / Ia ngatërroi flokët era,/ Me kapënë mbi sy…".
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609
    Nju Jork (SHBA), 15 korrik 2003 / Nga Tomë MRIJAJ

    E kam të lehte por edhe te vështirë që të shkruaj për jetën dhe veprën e klerikut shumë të madh dr. imzot Zef Oroshin, që bëri aq shumë për komunitetit shqiptar në ShBA. Ai ishte një baba shpirtëror i rrahur nga fortunat e jetës së vështirë në emigracion. Kush e njeh këtu në Amerikë dhe nuk ruan kujtime të mira për një antikomunist të vendosur. I donte dhe respektonte shumë figurat e ndritura te Klerit Katolik me të cilët mburrej dhe i kujtonte mësuesit që i mësuan shqip dhe gjuhë të huaja për të njohur nga afër zhvillimin e përparimin kulturor të Evropës Perëndimore.

    Marsi për shqiptarët është i veçantë, sepse gjatë këtij muaji janë bërë kryengritje dhe luftra të mëdha për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ky muaj është i njohur edhe si muaj i vdekjes së figurave të shquara të kombit. Vdekja e tyre është fizike, mbasi shembulli dhe kujtimi i tyre pozitiv mbetet një meteor qe shndrit me veprën e tyre ne dobi të kombit edhe pse larg vendlindjes në ShBA. Në gjysëm e dytë të shekullit të kaluar gjatë javës së dytë të këtij muaji, ndërruan jetë figura të shquara të diasporës imzot Fan Stilian Noli (1882-1982), Dr. monsinjor Zef Oroshi (1912-1989) dhe profesor Martin Camaj (1925-1992).

    Më 15 mars të vitit 1989 ndërroi jetë në spitalin Albert Einstein të New York-ut, Monsinjor Zef Oroshi, themelues dhe udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (“Zoja e Shkodrës”). Një ditë pas vdekjes, më 16 mars gazeta “The New York Times” botoi një shkrim për vdekjen e këtij meshtari shqiptar, duke vënë në dukje veprimtarinë e tij fetare dhe kombëtare.

    Emri i tij i pagëzimit ishte Zef Çoku. U lind në vitin 1912 në një prej familjeve më fisnike të Oroshit, fqinjë me Derën e Gjomarkut, ku ruhej dhe interpretohej më mirë se kudo tjetër “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Ndrecë Çoku, i zoti i familjes Çoku, përmendet edhe sot e kësaj dite për një akt jashtëzakonisht human, pasi që kishte shpëtuar vrasësit e djalit të vet. Njeriu që i kishte vrarë djalin ndiqej nga trimat e familjes Çoku. Vrasësi, duke parë rrezikun për vdekje, i ra në Derë Ndrecë Çokut. Ky e pranoi në shtëpinë e tij dhe e mbrojti sikur të ishte miku më i madh. Ata që e kanë ditur këtë ngjarje të mrekullueshme, tregojnë, se Ndreca e kishte ulur në çosh të oxhakut dhe pinte duhan dhe kafe me vrasësin, ndërsa djali i tij ishte shtrirë i vdekur aty pranë oxhakut. Ndrecë Çoku e mbajti gjakësorin në shtëpi 24 orë dhe pastaj e përcolli, pasi mori nga djemtë e familjes 30 ditë besë...

    Mësimet fillestare Zef Oroshi i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme në Seminarin e njohur të Jezuitve në Shkodër. I etur për dije të thella dhe kulturë të pasur civilizuese dhe fetare Perëndimore, ai vijon studimet e larta në degën adhuruese të teolgjisë dhe filozofisë në Romë të Italisë.

    Meshtari i përvujtur Mons. Oroshi, gjithnjë me nostalgji, mall dhe gëzim të veçantë, kur binte në mendime të thella për vitet e shkuara të rinisë në Shqipëri, me respekt dhe mirënjohje të thellë kujtonte të gjithë profesorët që i dhanë dije te qendrueshme dhe kulturë atdhetare e fetare. Një ndër mesuesit më të dashur që e deshti dhe e mbajti afër gjithnjë ishte poeti i njohur dom Ndre Mjeda. Dr. Mons. Zef Oroshi, fliste për talentin e mësuesit, që si poeti dhe atdhetar i flaktë ka ndikuar shumë në jetën e tij rinore, për të qenë një bari i ardhshëm i dashur dhe i përvujtur pranë grigjes së vet. Me sa duket poeti-meshtar Mjeda, ka ndikuar edhe në nxitjen e përkrahjen e talentit të mons.Oroshit në fushën e letrave shqipe. Tematika e shkrimeve të tyre kanë qenë Krishti, Zoja, Familja e Shenjtë dhe temat shoqërore të komunitetit shqiptar. Jo pak shkrime me argumenta historike e fakte, ai i ka kushtuar persekutimit të Klerit Katolik në Shqipëri, që po kalonte kalvarin më të përgjakshëm në të gjithë historinë e Evropës plakë.

    Dom Ndre Mjeda, ishte mësuesi i tij më i dashur dhe më i nderuar, për të cilin tërë jetën ruajti kujtime të mira, bile edhe librin “Shkrimi i Shenjtë”, ia kushtoi dom Ndre Mjedës.

    Pushtimin fashist të Shqipërisë si shumë patriotë të kohës Dr. Mons. Zef Oroshi e priti me idinjatë dhe dhimbje të madhe në shpirt. I brumosur thellë qysh në bankat e shkollës me ndjenja të forta atdhetare, më 8 prill u kishte bërë thirrje studentëve shqiptarë për një protestë kundër pushtimit të Atdheut të tij. Gjithmonë tregonte, se kishte ngritur flamurin shqiptar në ballkonin e konviktit ku jetonte.

    Pasi mbaroi studimet teologjike, dom Zef Oroshi u kthye në Mirditë dhe prej andej shkoi në Korthpulë. Meshën e parë ia kishte kushtuar Zotit, sikurse vepronin të gjithë meshtarët që sapo kishin vënë kuletën e bardhë dhe rrobën e bariut shpirtëror.

    Erë e fortunë e keqe do të frynte në Shqipëri askohe komunistët ateistë do të vinin me dhunë në pushtet. Por klerikët katolikë gjithnjë e kishin nuhatur renë e zezë që vinte nga stepat e Siberisë bolshevike, ku të gjithë klerikët katolikë dhe ortodoksë kishin filluar të përsekutohen pa mëshirë në litar, pushkatim me gjyqe falllco. Këtë veprim e ndërmori edhe diktatori ateist Enver Hoxha.

    Në fillim të viteve 1950, komunistët shqiptarë me të gjitha format dhe mënyrat e tyre të rafinuar kërkonin shkak për arrestimin e tij, por dom Zef Oroshi, duke e nuhatur këtë dhelpëri të ateistëve komunistë u largua dhe u bashkua me luftëtarët antikomunistë në malet e Shqipërisë. Në vitin 1952 vendoset në Kosovë dhe prej andej kalon në Itali, ku fillon veprimtarinë e tij kombëtare, në kushte tepër të vështira.

    Në kishën San Basilio të Romës çonte meshë për mergimtarët shqiptarë, ku shpesh përmendete edhe përsekutimin që regjimi i kuq i Tiranës i bënte vëllezërve në Krishtin në Shqipëri, për kontributin që gjatë historisë kombëtare kishte dhënë kleri katolik shqiptar. Vlera atdhetare e fetare e meshtarëve shqiptarë ishte dhe mbeti gjithnjë ndera e kombit shqiptar gjatë shekujve plot tallaze të historisë sonë. Pranë Universitetit katolik Angelicus, mbaroi studimet e larta, ku mbrojti me nota maksimale edhe tezën e doktoraturës.

    Monsinjor Zef Oroshi përktheu në gjuhën shqipe “Shkrimin e Shenjtë” (“KatërUngjijtë dhe Punët e Apostujve”).

    Kushtet e vështira të jetesës në Itali e detyruan të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa vjet jetoi në Boston, ku takohej vazhdimisht me imzot Fan Stilian Noli. Takimet midis tyre kanë qenë gjithnjë miqesore dhe të përzermerta. Shpesh bisedonim me orë të tëra, duke evokuar shumë kujtime gjatë takimeve me Kryepeshkopin shqiptar të Boston-it. Dr. Monsinjor Zef Oroshi pohonte me mburrje, se imzot Fan Noli ishte një patriot i vërtetë shqiptarë. Gjatë takimeve të shpeshta ekumenike dy prelatët shqiptar kishin shfaqur idenë e afrimit të Kishës Shqiptare Ortodokse dhe Kishës Katolike Shqiptare. Bile Kardinali i Boston-it, Cushing e kishte pritur mirë këtë ide dhe kishte marrë përsipër ndërmjetësimin për bashkimin e kishave tona, por me vdekjen e Peshkop Nolit më 13 mars të vitit 1965 bashkimi i kishave mbeti vetëm si ide.

    Në fillim të viteve ‘60-të, dom Zef Oroshi vendoset në Nju Jork (New York) dhe më 16 qershor të vitit 1962, së bashku me patër Andrea Nargaj, themelojnë “Lidhjen Katolike Shqiptar-Amerikane” dhe gazetën me të njëjtin emër, e cila pas një ndërprerje filloi të botohet me emrin “Jeta Ktolike”.Ajo përsëri vitet e fundit doli nën drejtimin e udhëheqësit shpirtëror të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, dom Pjetër Popaj.

    Deri në vitin 1969, Dr. mons. Zef Oroshi ka dhënë meshë nëpër kisha amerikane. Po këtë vit, bashkësia katolike shqiptare bleu qendrën e vet në Park Avenue në Bronx, dhe në vitin 1973 kjo qendër filloi veprimtarinë e vërtetë fetare, duke kryer të gjitha shërbimet fetare.

    Monsinjor Zef Oroshi ishte një burrë i urtë, i zellshëm, i shoqërueshëm dhe me karakter të fortë, por ishte jo i butë me kundështarët. Ai i respektonte të gjithë shqiptarët pa dallim feje apo krahine. Merrte pjesë në të gjitha mbledhjet shqiptare me karakter fetar, kulturor, kombëtar. Kishte një edukatë shumë ekumentike. Ishte shumë i mirëpritur në qendrat fetare islame dhe bashkëpunonte ngushtë me Hirësinë e Tij, Sali Myftia, Vehbi Ismailin, Imam Isa Hoxhën, Hoxhë Perollin, Sheh Halilin, Baba Rexhepin e të tjerë. Ata këmbenin vizita dhe telefonata për Pashkë dhe Bajram.

    Dr. Monsinjor Zef Oroshi bëri fushatë për ndërtimin e qendrave katolike dhe islame, bile në listën e emrave që kanë kontribuar për blerjen e qendrës katolike është shënuar emri i shumë shqiptarëve të fesë islame. Shumë prej tyre në fillim shkonin në kishë për të dëgjuar predikimin e Dr. mons. Zef Oroshit.

    Për qendrimin e tij antikomunist, nënat, vëllezërit dhe motrat kishin pësuar shumë nga regjimi diktatorial në Atdhe. Zef Oroshi ishte aktiv në të gjitha veprimtaritë e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Bënte pjesë në Këshillin Drejtues të Organizatës Panshqiptare “VATRA” të Amerikës. Shkruante në shtypin shqiptar të diasporës. Kishte një karakter të fortë dhe ishte trim prej natyre. Shumica e besimtarëve gëzonin respekt për Dr. Mons, Zef Oroshin e Mirditës. Ai ishte shumë kryelartë për traditën e vendlindjes. Mburrej me veprimtarinë e meshtarëve të shquar nga kjo krahinë, sidomos me veprimtarinë fetare e kombëtare të Abatit Preng Doçit, patër Marlaskajt e shumë prelatë dhe meshtarë të tjërë që historikisht mbetën krenaria e trevave të njohura të Mirditës.

    Dom Zef Oroshi ishte i gatshëm kurdoherë për drejtimin e ceremonive fetare e kombëtare. Në vitin 1969 organizata “VATRA” kremtoi në mënyrë solemne 60 vjetorin e themelimit të gazetës “Dielli” në hotelin “Sheraton” në Manhattan, ku morën pjesë dijetarë të shquar shqiptarë nga Amerika dhe Evropa, në mesin e të cilëve arbëreshë nga Kalabria që erdhën në SHBA me një aeroplan special.

    Të gjithë e pranojnë se ky përvjetor ishte një ndër kremtimet më të shkëlqyeshme të shqiptarëve të Amerikës dhe dom Zef Oroshi i priu gjithë komunitetit në një meshë ceremoniale në katedralën e Shën Patrikut. Kardinali i atëhershëm i New York-ut, Terence Cooke dhe Dr. Mosn, Zef Oroshi celebruan meshën për të gjithë shqiiptarët e pranishëm.

    Libri “Shkrimi i Shenjtë” (“Katër Ungjijtë dhe Punët e Apostujve”), që e përktheu ky prelat shqiptar ishte dhe mbetet sot e kësaj dite një kontribut i madh për besimtarët shqiptarë katolikë...Me rastin e botimit të këtij libri, Papa Pali VI, Dr. Mons. Zef Oroshin e priti me respekt në audiencën e Tij në Vatikan, e uroj me gjithë zemër dhe bekime për një punë kaq të madhe në fushën e kulturës fetare dhe e shuguroi me titullin e lartë Monsinjor.

    Në vitin 1973, Dr. Mons. Zef Oroshi e ftoi në kishën tonë Nënë Terezën në mënyrë zyrtare dhe organizoi për te një meshë madhështore, ku morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjithë anët e Amerikës. Ky verpim ishte një gjest shumë patriotik, sepse atë ditë shqiptarët patën rastin të njihen për së afërmi me Nënë Terezën. Kjo meshë mbetët një ndër kujtimet më të shkëlqyera për të gjithë shqiptaro-amerikanët.

    Katër vjet më vonë, në përkujtimin e 50-vjetorit të vdekjes së dom Ndre Mjedës, Monsinjor Zef Oroshi përgatiti në New York një seminar, në nderim të jetës dhe veprës së madhe fetare, atdhetare dhe letrare, ku morën pjesë shumë dijetarë të shquar. Midis shumë të nderuarve në këtë tubim të rëndësishëm kulturorë u dallua me ligjeratën e tij të spikatur Prof. Arshi Pipa (1920-1997).

    Dr. Mons. Zef Oroshi themeloi Qendrën Shqiptare dhe më vonë me ndihmën e besimtarëve të tjerë ndërtoi Kishën Katolike. Pasardhësve të tij, kjo përvojë u shërbeu për të bërë vepra të mëdha dhe të sukseshme. Të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht udhëheqësit fetarë kanë merita të mëdha për ndërtimin e kishës së re, por nuk duhet harruar Dr. Mons. Zef Oroshi, i cili në kushte të vështira vuri themelet e fesë katolike shqiptare këtu në Amerikë dhe punët që bëhen sot në këtë drejtim janë vazhdim i misionit të këtij prelati atdhetar shqiptar, i cili vdiq 14 vjet më parë me dhimbje të madhe që nuk e pa më Shqipërinë e tij dhe vendllindjes e burrave të shquar dhe të njohur të Mirditës.

    Komuniteti shqiptar në ShBA e veçanërisht ai i përkatësisë fetare katolike, duhet të përkujtojë çdo vit me nderim këtë meshtar, dijetar dhe atdhetar shqiptar, që tërë jetën veproi për të mirën e çështjes shqiptare.

    Klerikët patriotë si Dr. Mons. Zef Oroshi meritojnë që përkutjimi i tyre të bëhet tradicional. Frytet e punës së tij i gëzojmë ne sot. Shpresojmë dhe besojmë se përvjetorët e tjerë të lindjes ose vdekjes së tij të përkujtohen në mënyrë të denjë, siç e meriton një prelatë i tillë i përkushtuar tërësisht binomit të pandarë “Fe e Atdhe”. Veprat dhe puna e tij do të mbetën në kujtimin tonë përgjithmonë,

    Pastë dritë! Ashtu qoftë!

    Tomë Mrijaj,
    Nju Jork / Sh.B.A.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •