Tirana pastron paratë e krimit para syve të BE

Nga Jost Maurin, /Suddeutche Zeitung/
Botuar ne Gazeten Tema.

Tiranë - Kërcënimet për vdekje vijnë me SMS. "Ne e kemi gati varrin tënd", lexohet mbi ekranin e celularit të Mero Bazes. Gjatë tri ditëve të fundit, ai ka marrë 15 mesazhe të këtij lloji. Para ca kohësh e kanë qëlluar me armë në pjesën e prapme të makinës së tij.

Baze nuk shkon në polici. "Ajo është e lidhur ngushtë me bandat e krimit të organizuar", thotë ai. Pas këtyre kërcënimeve qendron profesioni i tij: ai është kryeredaktor i gazetës "TemA" (pranë opozitës) dhe zbulon skandale korruptive të Partisë Socialiste në pushtet. Baze mendon: "Bandat e kriminelëve kontrollojnë qeverinë tonë".

Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara në botë e njëkohësisht hyn në tri vendet më të varfra të Europës. Rreth 25% e femrave shqiptare nuk dinë të lexojnë. Kështu, lulëzon tregtia e drogës, cigareve kontrabandë, madje dhe ajo e fëmijëve, që sipas Interpolit, shiten në Greqi e Itali për të lypur.

Pas 47 vjetëve komunizëm, një fluksi emigrantësh nga Kosova dhe trazirave të vitit 1997, shteti në brigjet e Adriatikut, ende lëngon. BE-ja përpiqet ta anëtarësojë duke i ofruar disa milionë euro. Kryeministri Fatos Nano ka hedhur idenë që krerët e BE-së të mblidhen e të diskutojnë në fund të muajit qershor, nëse vendet e Ballkanit perëndimor duhet të marrin akoma pará nga Brukseli. Dhe populli shqiptar shpreson që BE-ja të detyrojë qeverinë të shkojë drejt reformave.

Si hap parësor vlen fakti që korrupsioni i politikanëve dhe krimi i organizuar të cilësohen si rrezik për shtetin. Krimi ndërton fare pranë vilës së verdhë të Përfaqësisë së BE-së në kryeqytetin e Shqipërisë. Ndërtesa me katër apartamente (për kat), me më shumë se 10 kate ngrihen drejt në qiell. "Kjo është financuar nëpërmjet pastrimit të parave", thotë kreu i delegacionit Lutz Salzmann, një nëpunës i shtetit gjerman. Rreth 20 klane fituan kapitalin - kryesisht me drogë, që p.sh. vinte nga Turqia ose Amerika e Jugut, për t'u tregtuar pastaj në vendet e BE-së. Sipas Salzmann-it, dihen emrat e shumicës së pjesëtarëve të bandave. "Por vetëm shumë pak kapen, dhe nga këta dalin në gjyq një pjesë edhe më e vogël". Kjo nuk të çudit aspak në një vend, ku Kryeministri emëron në postin e drejtorit të doganave, një person që njihet si kontrabandist.

"Krimi i organizuar është një rrezik për vendin tonë", shprehet presidenti 73-vjeçar Alfred Moisiu. Por Shqipëria ka edhe sukses në luftën ndaj krimit, përsa i përket evidentimitn të kriminelëve. Drejtori i përfolur i doganave u ndërrua. Dhe gjykimi i 12 gjykatësve ryshfetçinj tregoi vendosmërinë e Shqipërisë.

Për të mënjanuar problemin më të madh, atë të varfërisë, Moisiu bën thirrje për më shumë investime të BE-së. Sepse, edhe ato pak ndërmarrje industriale të ndërtuara nga regjimi komunist deri në fund të vitit 1992, pothuaj janë shkatërruar. Ekonomia e vendit nuk ia del dot pa importin (prodhimi vendas është mjaft i vogël). "Ne kemi kushte të mira për turizmin", thotë presidenti, por mungon infrastruktura.

Në të vërtetë, në Tiranë, gjatë dimrit, energjia elektrike mungon rreth 20 orë në ditë. Për të bërë 140 kilometra deri në kufi, duhet të udhëtosh tri orë në një rrugë plot gropa. Kryeqyteti i këtij vendi me tre milionë banorë, ka vetëm një platformë. Trena të vjetër me dritare të shkatërruara, vende ku sfungjeri ka dalë jashtë, dyer të ndryshkura, i çojnë pasagjerët në 5 drejtime; nuk ekziston asnjë tren për jashtë shtetit. Rrjeti hekurudhor është me një korsi dhe i paelektrifikuar.

BE-ja investon edhe në ndërtimin e rrugëve, por kryesisht mbështet reformat në polici, drejtësi, dhe institucione të tjera shtetërore. Fondi për vitet 2001-2004 është 181 milionë euro. Prej vitit 1991 janë dhënë më shumë se 1 miliard euro. Më paratë, shqiptarët rinovojnë shkollat e policisë në Tiranë, projektin e të cilave, BE-ja e paraqiti edhe para Komisionit të gazetarëve. Përfaqësuesi i tyre, Albert Dervishi, tregon që instruktorët, sipas këshillave të ekspertëve të BE-së, iu kushtojnë më tepër rëndësi të drejtave të njeriut gjatë mësimdhënies. Për projekte të tilla gëzohen shkrimtarët, shkencëtarët dhe gazetarët e "Club 2002", që mbrëmjeve nëpër kafene duke pirë cigare, diskutojnë për të ardhmen. "Trysnia e organizatave ndërkombëtare forcon reformat", thotë reporterja Linda Spahia. Ky rreth intelektualësh prononcohet fuqishëm kundër idesë që "shqiptarët" janë kriminelë. "Është klasa jonë politike që heq dorë nga kundërshtimi i kësaj ideje, jo populli", thotë zoti Remzi Lani, drejtor i Institutit të Medias në Shqipëri. "Ne ndihemi europianë, flasim një gjuhë indoeuropiane", është një nga argumentet e këtij rrethi, prandaj Shqipëria duhet të jetë pjesë e BE-së.

Bëhet fjalë për një anëtarësim brenda 10-15 vjetësh. Prej janarit, vendi ka hyrë në tratativa me Brukselin, për një proces asocimi. Për këtë do të duheshin mënyra të reja, që Shqipëria t'u afrohej standardeve të BE-së. Si kompensim, Brukseli i trembet vetëm një gjëje: valëve të reja të emigrantëve.