Enver Hasani, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës thotë se në asnjë dokument ndërkombëtar, Kosova nuk ka qenë pjesë e Serbisë. Gjatë një interviste për “Europa e Lirë”, Hasani iu përgjigj një deklarate të bërë nga kryeministri i Serbisë Zhivkoviç. Ky i fundit ka deklaruar në gazetën Vijesti të Podgoricës se nuk ka asnjë dokument ndërkombëtar, që Kosova të përcaktohet ndryshe, por gjithnjë si pjesë të Serbisë. “Mendoj se e kundërta është e vërtetë, përkatësisht se vetëm marrëveshja për Union Serbi Mali i Zi, e cila ka relativisht një legjitimitet të madh ndërkombëtar, është i vetmi dokument që pranon dhe njeh Kosovën si pjesë të Serbisë. Serbia, jam shumë i sigurt se kurrë në historinë e saj si shtet, nuk ka patur letra, të cilat flasin për Kosovën si pjesë të saj. Ajo që serbët e interpretojnë si dokumentacion në favor të tyre, ku Kosova përmendet si pjesë e Serbisë, janë dokumentet kushtetuese të ish-Jugosllavisë së Titos, të cilat megjithatë nuk kanë kurrë një karakter dhe implikacion ndërkombëtar, sepse as Serbia nuk ka qenë shtet. Përkatësisht Serbia, Kosova dhe Mali i Zi dhe Maqedonia nuk kanë patur subjektivitet ndërkombëtar dhe kanë qenë të njëjta në këtë drejtim. Kështu që ajo që thotë kryeministri Zhivkoviç nuk është fare e vërtetë”, -sqaron Hasani. Sipas tij, Kosova është një pozitë shumë të pafavorshme. “Marrëveshja e re për unionin Serbi-Maili i Zi, lidhja dhe më vonë legjitimimi i saj përmes strukturave euro-atlantike, në radhë të parë përmes Këshillit të Evropës, me synim integrimin e këtij shteti bashkë me Kosovën edhe në strukturat tjera, mendoj se vetëm sa e acaron raportin me Kosovën dhe e pamundëson zgjidhjen fatlume të statusit final të Kosovës”, -thotë historiani Hasani.
Marr nga Shekulli
Krijoni Kontakt