KE i zhgënjyer me marrëveshjen e Shqipërisë me SHBA
KE thotë se Shqipëria duhet ta rishikojë marrëveshjen e saj me SHBA-të
Komisioni Evropian tha se ishte i zhgënjyer me vendimin e Shqipërisë për të nënshkruar një marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara që u njeh imunitet shtetasve amerikanë nga ndjekja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Por, pas bisedimeve në Bruksel ndërmjet ministrit të jashtëm, Ilir Meta, dhe komisionerit evropian për çështjet e jashtme, Chris Patten, një zëdhënëse e komisionit evropian tha se kjo nuk do të ndikonte në vazhdimin e negociatave me Shqipërinë.
Një korrespondente e BBC-së në Bruksel thotë se Tirana duhet ta rishikojë këtë marrëveshje në mënyrë që kërkesa e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian të merret seriozisht nga Bruskeli.
Javën e kaluar Shqipëria u bë vendi i 32-të që nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara për mosndjekjen e shtetasve amerikanë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Mosmarrëveshjet për këtë gjykatë i acaruan mardhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Amerikës verën e kaluar.
Rumania ishte vendi i parë që nënshkroi një marrëveshje të tillë.
Vendet që shpresojnë të anëtarësohen në NATO dhe në BE, në disa raste po e gjejnë veten mes dy zjarresh.
Nga njëra anë, Amerika u kërkon imunitet për shtetasit e saj nga ndjekja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndërsa në anën tjetër Bashkimi Evropian e mbështet fuqimisht këtë institucion.
Pasi komisioni evropian shprehu pakënaqësi, parlamenti i Rumanisë vendosi ta shtyjë pa afat ratifikimin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara.
Bullgaria abstenoi nga nënshkrimi i një marrëveshje të ngjashme. Tashmë që senati amerikan ka votuar unanimisht për ratifikimin e zgjerimit të NATO-s, duke përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë në këtë proces, të dyja këto vende pritet të ndjekin një linjë më pro-evropiane për t'i shtuar shanset a anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian.
Shqipëria, nga ana e saj, e nënshkroi marrëveshjen, duke i përjashtuar të gjithë shtetasit amerikanë nga procedurat e ekstradimit për në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, pavarësisht nga direktivat e Bashkimit Evropian shtatorin e kaluar se imunitet duhet të gëzonin vetëm zyrtarët amerikanë që ndodheshin në vende të tjera për shërbime shtetërore.
Kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, duke folur në anglisht, tha:
"Ne nuk e konsideruam nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë si zgjedhje mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo u realizua në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh me Shtetet e Bashkuara, të cilat na e kërkuan një gjë të tillë dhe ne vendosëm ta hidhnim këtë hap duke e ditur rëndësinë që ka prania dhe angazhimi amerikan në Shqipëri dhe në rajon për stabilitetin", tha zoti Meta.
Zyrtarët evropianë thonë se e kuptojnë që vende të vogla si Shqipëria u vunë në një pozitë të vështirë si rezultat i presionit amerikan.
Por ata shpresin shqetësim se mos vende të tjera të rajonit, veçanërisht Bosnja, hedhin një hap të ngjashëm. Kjo do të minonte përpjekjet për ekstradimin e personave të akuzuar për krime lufte në Gjykatën e Hagës. Zëdhënësja Emma Udwin thotë
"Ne jemi të zhgënjyer nga vendimi i Shqipërisë. Ne presim nga vendet që janë për lidhje më të ngushta me Evropën që të respektojnë politikat tona të përbashkëta kur ato ekzistojnë. Në këtë rast, pozicioni i Bashkimit Evropian është shumë i qartë, si përsa i përket Gjykatës Penale Ndërkombëtare ashtu edhe për direktivat që vendet e veçanta duhet të ndjekin nëse vendosin të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo nuk do të na pengojë që të vazhdojmë punën e rëndësishme që kemi nisur me negociatat për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Shqipërinë. Raundi i tretë i negociatave do të zhvillohet ditët e ardhshme. Por, hedhja e hapave drejt integrimit evropian është gjithmonë çështje e vullnetit politik, prandaj, zgjedhja që ka bërë Shqipëria në këtë rast na ka mërzitur pak", tha Emma Udwin.
A do ta ndihmonte Shqipërinë mos-ratifikimi i kësaj marrëveshjeje apo modifikimi i saj në përputhje me udhëzimet e Bashkimit Evropian. Sërish zëdhënësja e Komisionit Evropian, Emma Udwin.
"Shqipëria është një vend sovran dhe duhet t'i marrë vetë vendimet. Është e qartë se tash për tash ekziston një marrëveshje që nuk është ratifikuar. Pra për Shqipërinë është e hapur mundësia që të mos e ratifikojë - gjë që po e bën Rumania. Kjo do të thotë se marrëveshja nuk hyn dot në fuqi. Sigurisht, ne e mbështesim fuqimisht Gjykatën Penale Ndërkombëtare, dhe do të donim që kjo marrëveshje të mos hyjë në fuqi, në fakt do të kishim dashur të mos ishte nënshkruar, në radhë të parë. Por perspektiva është se ne shpresojmë që një ditë ta mirëpresim Shqipërinë si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndonëse duhet shumë punë, shumë reforma dhe më shumë zgjedhje për Evropën, derisa të arrijmë në atë pikë", thotë zëdhënësja e komisionit evropian Emma Udwin.
Krijoni Kontakt