Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 12
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,288
    Postimet në Bllog
    22

    Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi Ramën

    Krimi i organizuar, ‘partia e padukshme’ e zgjedhjeve në Durrës

    Në fushëbetejën e Durrësit, ku përfshirja e krimit të organizuar ka njollosur dy zgjedhjet e kaluara, historia rrezikon të përsëritet në një formë më të kamufluar.

    Nga Aleksandra Bogdani

    Emri:  Miting-i-PS-ne-Durres.jpg

Shikime: 55

Madhësia:  54.0 KB
    Një miting i Partisë Socialiste në Durrës. Foto: Facebook.


    Në zyrën elektorale të Partisë Socialiste, dikur lokal bastesh sportive në katin e dytë të një servisi makinash në Rrashbull të Durrësit, një grup mbështetësish po bëjnë llogaritë e fundit mesditën e së shtunës – një javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

    Origjina e tyre përfaqëson përbërjen sociale të periferisë: koordinatori i PS për zonën e ka prejardhjen nga Peja e Kosovës, dy miqtë e tij nga Devolli dhe një burrë i katërt jeton mes Italisë dhe Shqipërisë. Tre prej tyre kanë qenë më herët demokratë, ndërsa i katërti thotë se në Itali mbështet të djathtën e ashpër të Melonit.

    “Këtu nuk hynte fare PS-ja deri para 10-15 vitesh, tani dalim jek e jek,” thotë koordinatori i Partisë Socialiste për zonën, Sokol Popoçi, një kameleon politik lokal.

    Burrë i bëshëm dhe gjaknxehtë, Popoçi, inxhinier mekanik në profesion, ka qenë deri në vitin 2017 pjesë e makinerisë elektorale të Partisë Demokratike në zonën e Rrashbullit, por ndërroi krah dhe u bë nëpunës hekurudhash, pasi siç thotë ai për demokratët: “na larguan, nuk na përfillën fare”.

    Këto zgjedhje, Popoçi thotë se u angazhua në fushatë nga Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku në “arrest shtëpie” i Durrësit, i dënuar me dy vjet e tetë muaj burg për “shpërdorim detyre”. Në zyrën elektorale të Rrashbullit, Dakon e mburrin si ‘gjigandi’ dhe historia penale e tij zhvlerësohet me një të rënë të lapsit.

    “Shkova takova Vangjushin te lokali, më tha angazhohu cikë,” tregon Popoçi, duke provokuar batuta dhe të qeshura për mënyrën se si Dako po e kalon “arrestin shtëpiak”. “E kam takuar para 3 muajsh,” korrektoi më pas ai duke kafshuar gjuhën.

    Burri nga Devolli, edhe ai një ish-demokrat, thotë se e nisi votën me postë nga Holanda ku jeton dhe punon prej shumë vitesh, përpara se të kthehej përkohësisht në Shqipëri.

    “Mes dy alternativave, ky është më i mirë,” thotë ai me kokën e kthyer nga posteri i Ramës, gjithsesi me një dozë kritike për qeverisjen e tij.

    Zona e Rrashbullit gjendet në skajin jugor të një meridiani imagjinar, paralel me vijën bregdetare, që fillon me Katundin e Ri në veri dhe vazhdon me Sukthin, Xhafzotajn, Shijakun, Gjepalajn dhe Romanatin. Është një Durrës tjetër nga ai i fasadave të qendrës turistike, me rrugë të pluhurosura dhe ndërtime larushane, me komunitete të përziera nga veriu dhe jugu që u vendosën aty në fillim të viteve ’90 e që ende qajnë së bashku hallin e përjetshëm të tapive të shtëpive. Për shumë prej tyre, ëndrra për një jetë më të mirë në Durrës u mbivendos me shpresën për ta gjetur atë në emigrim.

    Në këtë realitet gri kanë ngulur rrënjë disa nga grupet më të fuqishme kriminale të vendit, të cilat kontrollojnë rrugët ndërkombëtare të trafikut të kokainës dhe burimet kryesore të qytetit nga periferia. Me aq sa është dokumentuar të paktën prej një dekade, krimi i organizuar e ka zgjeruar kontrollin edhe mbi humorin e luhatshëm të votuesve.

    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, një dosje hetimore e njohur si 339 nxorri mbi sipërfaqe përfshirjen e grupit të Astrit Avdylajt, sot i dënuar për trafik droge dhe i dyshuar për rekrutim të vrasësve me pagesë, si pjesë e makinerisë elektorale të ish-kryebashkiakut Dako në favor të Partisë Socialiste. Përgjimet sugjeruan se Avdylaj propozoi gjithashtu Ilir Ndraxhin për deputet, duke premtuar një rezultat që do të habiste edhe vetë Ramën. Ndraxhi është ndër të paktët që mbijetoi në listën e kandidatëve për Durrësin në këto zgjedhje dhe i ka mohuar disa herë akuzat për lidhje me krimin.

    Në zgjedhjet e vitit 2021, socialistët e thelluan rezultatin e vitit 2017 në qarkun e Durrësit, duke marrë 50.3% të votave. Por arrestimi i deputetit socialist, Jurgis Çyrbja në tetor të vitit të kaluar i njollosi sërish zgjedhjet, pasi komunikimet përmes SKY ECC zbuluan se një konglomerat fijesh të krimit të organizuar, përfshirë edhe Altin Hajrin me bazë në Xhafzotaj, u bënë bashkë për ta vendosur emrin e tij të tretin në listën e deputetëve të sigurt. Ata u zotuan gjithashtu që të blinin rreth 4 mijë vota për Çyrbjen në Shijak, Gjepalaj dhe Xhafzotaj. Çyrbja akuzohet se ua ktheu nderin me “informacione sekrete”, duke u bërë mburojë ndaj operacioneve policore kundër tyre.

    “Votat nuk blihen me para; mblidhen me miq, shokë dhe nëpër biznese,” na tha një burrë rreth të 50-ave nga qarku i Elbasanit, familjar me makineri të tilla, i cili ndodhej rastësisht në Durrës për një drekë me miq. “Po, shtrojmë për të ngrënë e për të pirë gjatë gjithë muajit,” shtoi ai, duke theksuar se çmimi i votës ‘për më të këputurit” ishte rritur gjithsesi në 200-300 euro.

    Krimi, nga jashtë brenda

    Emri:  IMG_0802.jpg

Shikime: 53

Madhësia:  48.6 KB
    Kandidatët e PD, Manjola Luku dhe Petro Vokopola (djathtas) me dy mbështetësit e tyre në Sukth. Foto: Aleksandra Bogdani.

    Roli i krimit të organizuar në këto zgjedhje në Durrës është ende i padokumentuar, ndërsa me përjashtime të vogla nga të dy krahët, listat e kandidatëve për deputetë duken së jashtmi të qëruara. Por aktorë lokalë të të dy kampeve pranuan nën zë se historia po përsëritet në mënyrë të kamufluar dhe se klane të ndryshme po mbështesin “kandidatët e tyre” që garojnë në listat e hapura.

    “Krimi po vepron nga jashtë brenda, nuk është më i dukshëm,” thotë një aktivist i Partisë Demokratike në qendër të Sukthit, rreth 13 kilometra larg qendrës së Durrësit, duke nënkuptuar se disa prej kapobandave janë aktualisht në arrati për shkak të goditjeve nga SPAK.

    E shtuna është ditë pazari në Sukth dhe në tregun e zhurmshëm agro-ushqimor, fidanët e specave shiten për 150 lekë të vjetra copa përkrah një tufe të trembur kecash. Zona njihet si një ndër ish-ndërmarrjet e para dhe të pasura të Shqipërisë së varfër komuniste dhe vazhdon ta ruajë karakterin e vet bujqësor.

    Larg rrëmujës së pazarit, në një rrugë të shkretë që të çon nga qendra e Sukthit drejt fshatit Rrushkull, drejtori i një shkolle 9-vjeçare kujton se gjatë komunizmit, një punëtor ferme paguhej më shumë sesa një mësues në këtë zonë dhe gati 10-fishin e punëtorëve të ngjashëm në ish-kooperativat e tjera të vendit. Pas viteve ’90, ferma u shkatërrua, vendasit emigruan drejt Italisë dhe zona u popullua më së shumti nga dibranët, që gjithashtu po largohen.

    Vetë drejtori është me origjinë nga Dibra dhe thotë se nga 730 nxënës kanë mbetur 200 e ca, të gjithë të ardhur. Bashkë me dy mësues të tjerë në tavolinë, ata po presin me nga një birrë “Corona” përpara që i zoti i lokalit, gjithashtu mësues, t’u shtrojë drekën.

    Ky i fundit ulet për pak minuta në tavolinë dhe rreshton një sërë problemesh të arsimit, duke veçuar shkëputjen e prindërve nga fëmijët.

    “Baballarët janë në emigracion, nënat në fasoneri,” tha ai me keqardhje, duke theksuar se e vetmja lidhje e fëmijëve ishte celulari. Mësuesit shprehen të lehtësuar që këtë vit nuk i kanë ngacmuar për fushatë.

    Gjithsesi, marka më e famshme e Sukthit të ditëve të sotme duket të jetë Rrumi – një i fortë i zonës i shpallur në kërkim pasi u dënua me 10 muaj burg për korrupsion, i njohur gjithashtu si Pëllumb Muharremi apo Aleksandër Laho.

    Në nëntor të vitit 2019, Rrumi u sulmua në një atentat ndërsa udhëtonte në të njëjtën makinë me Arian Ndojën, ish-prokurori i Durrësit i shkarkuar më pas nga shkalla e parë e vetingut për “lidhje me krimin”. Ndoja është sot kandidat i Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit dhe një javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, një makinë me posterin e tij elektoral ishte parkuar përballë tregut agro-ushqimor në Sukth; pronë e familjarëve të Rrumit.

    “Të fortët nuk e ndryshojnë dot vullnetin e votës po nuk qenë pjesë e makinerisë së pushtet,” relativizon Osman Stafa, kryetar i Partisë Demokratike për degën Durrësi 2, që mbulon njësitë administrative të Sukthit, Manzës, Rrashbullit, Katundit të Ri dhe Ishmit.

    Stafa ankohet se influenca e pushtetit në këto zgjedhje është e madhe dhe mjafton sipas tij që të ndjekësh një takim elektoral për ta dalluar. Ai përshkroi një takim të Partisë Socialiste në zonë, ku tha se merrnin pjesë punonjës të administratës, të policisë bashkiake dhe Policisë së Shtetit. Stafa ankohet gjithashtu për lulëzimin e ndërtimeve pa leje në të gjithë zonën përpara zgjedhjeve. Por ai beson se manovra të tilla nuk do të ketë ndikim këtë herë, ndërsa vendos bast për një rezultat 8 me 6 në favor të PD-së në Durrës.

    Manjola Luku, vajzë Maminasi dhe e treta në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit shpërfaq një entuziazëm më të përmbajtur. Luku thotë se fryma është dukshme në krahasim me vitin 2021, por është e shqetësuar për presionin që ushtrohet mbi njerëzit dhe informacionet e ditëve të fundit.

    “Kemi informacione nga mbështetësit tanë se javën e fundit po blejnë vota, por s’kemi fakte,” tha ajo, ndërsa shtoi se pjesë e këtyre informacioneve janë edhe dyshimet për lëvizjen e makinave natën.

    Për të ilustruar presionin mbi votuesit, Luku hap telefonin celular dhe na tregon disa mesazhe të shkëmbyera me njërën nga mbështetëset e saj, e cila pas një takimi të zhvilluar së bashku, i kërkonte që të hiqte fotot nga Facebooku se i kishin hapur probleme.

    Përgjigjes së Lukut që të votonin kë t’u donte zemra, ajo i përgjigjej: “Votën ua kemi dhënë dhe do t’ua japim juve”.

    I paparashikueshëm?

    Emri:  IMG_0818.jpg

Shikime: 53

Madhësia:  54.0 KB
    Sheshi i Velierës është pothuajse i shkretë mesditën e së shtunës.

    “Nuk kuptohet asgjë, [Durrësi] është i paparashikueshëm,” na thotë Artan Kacani, pedagog, urbanist dhe kandidat i “Lëvizjes Bashkë” në kafenenë poshtë hotelit më të ri me pesë yje të qytetit, Crown Plaza, i cili thuajse ka përfunduar pavarësisht burimeve të dyshimta të financimit.

    Kacani thotë se Lëvizja që ai përfaqëson ka “aleatë të heshtur” në Durrës, përfshirë edhe një pjesë të 160 anëtarëve të saj, të cilët hezitojnë të ekspozohen publikisht.

    Për të shpjeguar arsyen e frikës, Kacani përdor metaforën e rrugaçit të lagjes, i cili nuk përdor vetëm forcën e tij, por mban edhe një qen për ta ndërsyer. Si rrjedhojë, ‘fëmijët rrinë të mbyllur brenda shtëpisë’.

    Pavarësisht gjendjes që përshkruan, Kacani beson se aktivizmi i tij mund ta bëjë ndryshimin dhe nëse zgjidhet, do të jetë një zë i fortë në Parlament. I pyetur për situatën me krimin e organizuar, Kacani përgjigjet se burimet e financimit të fushatës janë një problem edhe më i madh. “Durrësi është një lavatriçe e madhe, por tokë e askujt,” thotë ai.

    Edhe Joni Myshketa, anëtar i Këshillit Bashkiak dhe kandidat i Koalicionit Euroatlantik e konsideron krimin e organizuar një problem madhor për qytetin e Durrësit, sipas tij në ortakëri me pushtetin vendor.

    “Pushteti lokal kalon nga njëra dorë në tjetrën dhe mbetet prapë në dorën e tyre,” thotë ai.

    Pinjoll i një dere me emër në Durrës, Myshketa po bën një fushatë të thjeshtë me takime direkte me qytetarët dhe shpërndarje fletushkash me ndihmën e bashkëshortes dhe miqve, që siç thotë ai, e ka bazuar te vlerat e tij, të familjes si dhe te aktiviteti i deritanishëm në Këshill Bashkiak.

    Por gara sipas tij është larg të qenit e barabartë, ndërsa tregon se si kandidat i një partie të vogël i duhet të punojë 4-fish dhe të sigurojë vetë gjithçka, përfshirë edhe vëzhguesit për procesin e numërimit. Gjatë bisedës, Myshketa bëri disa telefonata me vëzhgues potencialë.

    Ndërsa dielli po perëndonte pasditen e së shtunës, sheshi “Liria” u mbush me karrige dhe një podium me logot e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” u instalua në këmbët e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Sheshi u mbush dalëngadalë për miting, ndërkohë që nga altoparlantët buçojnë tingujt apokaliptikë të këngës Radioactive të grupit “Imagine Dragons”.

    Emri:  IMG_0799.jpg

Shikime: 54

Madhësia:  67.7 KB
    Një makinë me posterin e kandidatit demokrat, Arian Ndoja në qendër të Sukthit.

    BIRN

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,779

    Për: Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi R

    Kam nja 10 vjet qe e perseris : Ne Shqiperi zgjedhjet i fitojne vendet e punes ne shtet,edhe krimi i organizuar premton po prap punesim ne shtet. Pa punesimin ne shtet dy partite e medhaja shkojne poshte 20 %.Deri sa te jete ne duart e partive monopoli i punesimit ne shtet do kemi te njejten politike.


    Edhe nje gje tjeter sheshi i Velieres eshte nga gjerat me te shemtuarat dhe me pa kuptim qe eshte bere ne Shqiperi,eshte nje idiotllik qe vetem nje politikan hajdut injorant dhe nje arkitekt hajvan mund ta benin.
    Ndryshuar për herë të fundit nga SERAFIM DILO : 15-05-2025 më 14:11

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,288
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi R

    Serafimo,

    Puna në shtet është modeli i Ilir Metës. Ke mbetur mbrapa me kohën. Ilir Meta nga 100,000+ vota që mori partia e tij në zgjedhjet e kaluara, kësa here nuk mori asnjë votë. U zhdukën LSI-tat e Ilir Metës në këto zgjedhje. Do kenë ikur të gjithë nga Shqipëria tani që Ilir Metën e futën në burg. Me këta bagëtinë e administratës ne kemi patronazhistat që merren, e mbajnë listën gati të shohin dolën të votojnë ditën e zgjedhjeve apo jo.

    Në zgjedhjet e kaluara, duhej të blije 8000 vota që të bëheshe deputet. 8000 vota x $100 = $800,000 kushton një mandat deputeti. Ata kriminelat që Rama strehon e ruan në Shqipëri, aq para i prishin në një fundjavë. Dhe e kanë perfeksionuar fare modelin, nuk merren vetëm me blerjen e votave, por u thonë edhe atyre demokratëve që nuk e tradhëtojnë idealin: rri në shtëpi e mos dil në zgjedhje, më jep kartën e identitetit, që të të jap $100 apo euro. Atyre që ua blejnë votën, u kërkojnë një foto të votës që hodhën që të marrin paranë.

    Biznes i madh votimet në Shqipëri o Serafimo!

    Në këto zgjedhje numri i votuesve ra me 200,000, këta janë të ikurit nga Shqipëria apo të zhgënjyerit nga zgjedhje. Sa më shumë tkurret popullsia shqiptare, aq më pak para shpenzon Rama me shokë për të blerë vota. Çuditi botën me këto zgjedhet e fundit si magjistar i vërtetë. Mori më pak vota se 4 vjet më parë, por më shumë mandate deputetësh! Kruajnë kokën të mençurit se si është kjo gjë e mundur. Në Albanistanin e Kryeçobanit Edi Rama, asgjë nuk është e pamundur!

    Albo

    P.S Do na bashkohen Lulzim Basha e Ilir Meta në forum tani që i përzunë jo nga Kuvendi por edhe nga politika?
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 15-05-2025 më 17:39

  4. #4
    Ushtar i larte Maska e Neteorm
    Anëtarësuar
    04-01-2011
    Vendndodhja
    127.0.0.1
    Postime
    2,336
    Postimet në Bllog
    8

    Për: Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi R

    Nuk u lodhët o Albo akoma m të njëjtën batutë 12 vjet për blerje votash.. Futeni mirë në tru ky popull e do dhe për këtë arsye e rivotoi prap sepse mirë apo keq me këtë mban sado pak era shtet dhe i kacuar disa gjëra përpara.

  5. #5
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,592
    Postimet në Bllog
    1

    Për: Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi R

    Albo, futja kot tani, fshehtesia e votes, siguron drejtesi ne votime, gjithcka tjeter eshte politike demagogjike, shitja eshte e kufizuar, me teper per miqesi dhe afersi krahinore, po shkojne drejt shuarjes
    Duaje te afermin tend si veten

  6. #6
    not exist Maska e skender76
    Anëtarësuar
    10-06-2003
    Vendndodhja
    Sa me larg Shqiperise...
    Postime
    4,790

    Për: Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi R

    Ket here ishte nje mundsi reale me sjell nje frym te re ne politiken shqiptare.
    Agron Shehaj dhe Arlind Qorri ishin pjesa me e mire.
    Dhe besoj qe ktyne t’dyve u jan vjedh votat!


    Ndersa, per PD/PS, u kam than se kto jane bashke….
    PD-ja u shit, kjo esht e sigurt.
    Me garanci bile…

    …….

    Sero, gjithmon knaqsi me t’lexu.

    Albo, mos hum kohe me politiken, te shemton!

    Ju pershnes!
    paqen, e sjell vetem drejtsia

  7. Anetarët më poshtë kanë falenderuar skender76 për postimin:

    SERAFIM DILO (18-05-2025)

  8. #7
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,779

    Për: Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi R

    Citim Postuar më parë nga Albo Lexo Postimin
    Serafimo,

    Puna në shtet është modeli i Ilir Metës. Ke mbetur mbrapa me kohën. Ilir Meta nga 100,000+ vota që mori partia e tij në zgjedhjet e kaluara, kësa here nuk mori asnjë votë. U zhdukën LSI-tat e Ilir Metës në këto zgjedhje. Do kenë ikur të gjithë nga Shqipëria tani që Ilir Metën e futën në burg. Me këta bagëtinë e administratës ne kemi patronazhistat që merren, e mbajnë listën gati të shohin dolën të votojnë ditën e zgjedhjeve apo jo.

    Në zgjedhjet e kaluara, duhej të blije 8000 vota që të bëheshe deputet. 8000 vota x $100 = $800,000 kushton një mandat deputeti. Ata kriminelat që Rama strehon e ruan në Shqipëri, aq para i prishin në një fundjavë. Dhe e kanë perfeksionuar fare modelin, nuk merren vetëm me blerjen e votave, por u thonë edhe atyre demokratëve që nuk e tradhëtojnë idealin: rri në shtëpi e mos dil në zgjedhje, më jep kartën e identitetit, që të të jap $100 apo euro. Atyre që ua blejnë votën, u kërkojnë një foto të votës që hodhën që të marrin paranë.

    Biznes i madh votimet në Shqipëri o Serafimo!

    Në këto zgjedhje numri i votuesve ra me 200,000, këta janë të ikurit nga Shqipëria apo të zhgënjyerit nga zgjedhje. Sa më shumë tkurret popullsia shqiptare, aq më pak para shpenzon Rama me shokë për të blerë vota. Çuditi botën me këto zgjedhet e fundit si magjistar i vërtetë. Mori më pak vota se 4 vjet më parë, por më shumë mandate deputetësh! Kruajnë kokën të mençurit se si është kjo gjë e mundur. Në Albanistanin e Kryeçobanit Edi Rama, asgjë nuk është e pamundur!

    Albo

    P.S Do na bashkohen Lulzim Basha e Ilir Meta në forum tani që i përzunë jo nga Kuvendi por edhe nga politika?
    Punesimi ne shtet fitonte zgjedhjet kur Shqiperia ishte 2,8 milion,tani qe Shqiperia eshte me pak se 2 milion jo i fiton por i sterfiton. Po te shikosh shumica e kandidateve te PS jane te gjithe drejtora shteti. Nga Shullazi me perpara e deri tek Meta e Tom Doshi i tanishem marin vota vetem sepse kane drejtora qe sigurojne apo premtojne vende pune ne shtet. Sa me teper largohen shqiptaret nga Shqiperia aq me teper punesimi ne shtet kthehet ne faktorin kyç per fitimin e zgjedhjeve. Sikur mbas kater viteteve te largohen akoma dhe 200 mije shqiptar te tjere PS nuk do kete nevoj fare te beje fushate,mjafton te rrisi rrogat ne shtet dhe ti garantoje vendin e punes ne shtet dhe i sterfiton zgjedhjet.

    Pershendetje Skender
    Ndryshuar për herë të fundit nga SERAFIM DILO : 18-05-2025 më 15:59

  9. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,288
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi R

    Citim Postuar më parë nga Neteorm Lexo Postimin
    Nuk u lodhët o Albo akoma m të njëjtën batutë 12 vjet për blerje votash.. Futeni mirë në tru ky popull e do dhe për këtë arsye e rivotoi prap sepse mirë apo keq me këtë mban sado pak era shtet dhe i kacuar disa gjëra përpara.
    Nëse do të votosh për Edi Ramën se ti mendon se ai është alternativa më e mirë, kjo është e drejta jote, unë nuk kam problem me zgjedhjen tënde. Por të thuash që në Shqipëri nuk ka manipulime e blerje votash, edhe kur jeton vetë në atë vend, të krijon përshtypjen se vuan mendërisht, nuk e shikon dot realitetin në sy për atë që është, por për atë që të pëlqen të jetë. Po të jap vetëm një shembull qesharak nga zgjedhjet e fundit: kandidatja 29 vjeçare e një trafikanti në Elbasan, mori më shumë vota në rang qarku se gjithë socialistët e tjerë. Vetë socialistët e Elbasanit, po kruajnë kokën e thonë: Kush është kjo se nuk e njohim? As fushatë nuk bëri, as me politikë nuk është marrë më parë, ua kaloi të gjithëve me vota!

    Unë e kam të qartë që ata shqiptarë që kanë mbetur në Shqipëri nuk janë ajka e atij vendi. Duke filluar me parazitin e madh, Edi Ramën, që para se t'i hynte politikës, jetonte me asistencë sociale në Paris si artist dështak. Gjithë shqiptarët me mend dhe të ndershëm e kanë braktisur atë vend, dhe do ta braktisin akoma më shumë.

    Albo, futja kot tani, fshehtesia e votes, siguron drejtesi ne votime, gjithcka tjeter eshte politike demagogjike, shitja eshte e kufizuar, me teper per miqesi dhe afersi krahinore, po shkojne drejt shuarjes
    Më pyeti një i njohur, a u rregjistrove në zgjedhje që të votosh me postë. Jo, i thashë. Ai i shkreti ishte shumë i gëzuar që do të votonte nga Amerika. Nuk je patriot më tha. Unë u regjistrova që ditën e parë. Dhe më erdhi vota dhe e dërgova me postë. I thashë, mirë bëre. Ti je ti, e unë jam unë. Me gjithë mend kujton se i babëzituri i Shqipërisë Edi Rama, që nuk e ka për gjë të vjedhi vota me patronazhista e kriminelë, do të numërojë votën tënde si emigrant në Amerikë? Unë qesha, ai u vrenjt në fytyrë. Mbase në mendjen e tij kujtonte "Ka ikur nga fiqiri ky!"

    E takova prapë këtë fundjavë. Hë i thashë, ta numëruan votën apo jo? Kishe të drejtë tha. Po shikoja në televizor numërimin e votave të diasporës, e na doli që të gjithë votuan për PS-në. Maskarallëk pa fund! Mos u mërzit i thashë, problemi nuk je ti, ti je njeri i ndershëm, problemi është se djalli me brirë ka pushtuar krerët e shtetit shqiptar.

    Ket here ishte nje mundsi reale me sjell nje frym te re ne politiken shqiptare.
    Agron Shehaj dhe Arlind Qorri ishin pjesa me e mire.
    Dhe besoj qe ktyne t’dyve u jan vjedh votat!


    Ndersa, per PD/PS, u kam than se kto jane bashke….
    PD-ja u shit, kjo esht e sigurt.
    Me garanci bile…
    Do të hajë edhe Arlind Qori dhe ai Llapaj. Me sa kam dëgjuar janë në profesion "avokat", medemek, parazitë të pushtetit. Pse vetëm Edi Rama të jetojë si pasha në Surel? Pse jo dhe Qori e Llapaj. Sa për Shehaj, ai para shqiptarëve dhe biznesit të tij në Shqipëri, zgjodhi biznesin e tij. U kthye në përçarësin e votës së koalicionit opozitar të Berishës. Duke u bërë një shërbim të madh Edi Ramës. Dhe sigurisht, tani pas zgjedhjeve, ai do ta zgjerojë aktivitetin e biznesit të tij në Shqipëri. Do t'iu bashkohet edhe ai klubit të oligarkëve që Rama ka krijuar në Tiranë.

    Zorraxhinjtë shtrëngojnë zorrën e tyre. Albo nuk është zorraxhi, interesi im i vetëm është e vërteta. Dhe si tha Platoni 2400 vjet më parë: "Njeriu më i urryer në botë, është ai që thotë të vërtetën!"

    Punesimi ne shtet fitonte zgjedhjet kur Shqiperia ishte 2,8 milion,tani qe Shqiperia eshte me pak se 2 milion jo i fiton por i sterfiton. Po te shikosh shumica e kandidateve te PS jane te gjithe drejtora shteti. Nga Shullazi me perpara e deri tek Meta e Tom Doshi i tanishem marin vota vetem sepse kane drejtora qe sigurojne apo premtojne vende pune ne shtet. Sa me teper largohen shqiptaret nga Shqiperia aq me teper punesimi ne shtet kthehet ne faktorin kyç per fitimin e zgjedhjeve. Sikur mbas kater viteteve te largohen akoma dhe 200 mije shqiptar te tjere PS nuk do kete nevoj fare te beje fushate,mjafton te rrisi rrogat ne shtet dhe ti garantoje vendin e punes ne shtet dhe i sterfiton zgjedhjet.
    Si tha Margaret Thacher, problemi i vetëm me socialzmin është se vjen një ditë e mbarojnë lekët. Kur shqiptarët e braktisin vendin në masë, çfarë ndodh me taksapaguesit shqiptarë, rriten apo pakësohen o Serafimo? Po të ardhurat e taksave për shtetin? Sigurisht që do të bien. Dhe kjo skemë është skemë piramidale që do të falimentojë gjithë shtetin shqiptar. Por pktorët nuk duan t'ia dinë nga aritmetika e thjeshtë. Sa herë që takohet më FMN-në dhe Bankën Botërore, i thonë po nuk rrite taksat, demografia e vendit do ta rrënojë atë vend, nuk mbahet shteti me pleq. Kam turizmin u thotë Rama, do paguajnë turistat e huaj që do të vijnë. Çfarë ndodh me turizmin o Serafimo kur të plasi lufta e BE me Rusinë së shpejti?

    Pensionistat që i dhanë votën duan rritje pensioni, edhe pse çdo rritje që mund t'iu japi Rama, nuk do të ndihmojë, pasi çmimet e inflacioni po rriten shumë më shumë se rritjet e rrogave. Dhe FMN-ja i thotë Ramës që nuk të japim kredinë që kërkon, po nuk rrite moshën e daljes në pension.

    Të vjen keq për atë popull, por jo të gjithë njerëzit kanë aftësinë për të kuptuar me fjalë. Shumica kuptojnë e kthjellohen vetëm kur e vuajnë keqqeverisjen mbi kurrizin e tyre. Koha është ilaçi më i mirë.

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 18-05-2025 më 23:04

  10. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,288
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi R

    ‘Eksponentë të botës së krimit, të përfshirë në zgjedhje’/ Lala: Njerëz pa kontribute dhe pa formim po hyjnë në Kuvend

    Emri:  Screenshot 2025-05-19 at 12.07.41 AM.jpg

Shikime: 28

Madhësia:  22.3 KB

    Gazetarja Klodiana Lala, në një intervistë në emisionin “Kjo Javë, ka folur për zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se eksponentë të botës së krimit janë përfshirë, edhe pse jo në mënyrë direkte.

    Ajo tha se njerëz pa kontribute dhe pa formimin e duhur po hyjnë në Kuvend, teksa uroi që 39 dosjet hetimore të SPAK për krimet zgjedhore të zbardhin të vërtetën.

    Sipas Lalës, “ndikimi i elementëve kriminalë në zgjedhje është rritur, por ndryshe nga herët e tjera, është sofistikuar shumë dhe është e vështirë zbulimi.”

    Pjesë nga intervista:

    Si kanë qenë këto ditë pas zgjedhjeve?

    Intensiv sa i përket angazhimit të gjithë gazetarëve, sigurisht Neës24 në veçanti, sepse ne jemi Tv informativ dhe gjatë gjithë kohës duhen të përditësohen të dhëna, të jesh gjithmonë aty ku ndodh lajmi i fundit, sidomos kur ka konflikte apo debate dhe ku ka interes publiku, kanë interes edhe forcat politike dhe palët. Në një farë mënyre je gjithnjë duke rendur dhe kërkuar lajmin e fundit. Kanë qenë zgjedhje pa nerv, nëse mund ta them kështu. Kjo sepse përgjithësisht ka një lloj tensioni kur ka zgjedhje, nuk ishte ajo “lufta” që prisje. Sa i përket fushatës, nga njëra anë Kryeministri që bëri, në këndvështrimin tim, me terma fyes, ndërsa nga ana tjetër, opozita u përpoq me tezën e saj se ndodhemi nën një regjim e të tjera me radhë, por nuk u ngrit debati në atë nivelin, që unë jo si gazetare, por si qytetare, do të duhet të prisja. Jam e keqardhur për disa emra nga lista preferenciale që kanë mbetur jashtë Kuvendit, teksa kanë hyrë në Parlament njerëz që kanë asnjë kontribut dhe as formimin e duhur për të na përfaqësuar ne. Kjo është një ndjesi personale, pastaj si gazetare jam treguar etike dhe profesionale për t’i përcjellë në kohë reale gjërat në një qak si Fieri, por edhe në Tiranë, ku natyrisht duhet kohë për të lëvizur. Ju e dini që e bëj me pasion këtë punë, përpiqem t’i dërgoj publikut të gjitha ato nuanca që mungojnë. Nuk dua të jem një gazetare statike, nëse publiku nuk e merr të gjithë “ngjyrimin”, kam përshtypjen që nuk e merr të gjithë të vërtetën.

    Ju kemi parë që edhe në konferencat apo intervistat, të shohim që nuk të ikën personi pa i bërë pyetje, si psh ata që dalin nga SPAK…

    Po te SPAK është gjithë meraku tani…Ndoshta edhe eksperienca ka të bëjë, por edhe njohuria për një çështje të caktuar. Nëse je në brendësi të çështjes, e ka të qartë se si mund ta kapë mat politikanin, biznesmenin, palën tjetër, zyrtarin e lartë që shkon në SPAK, etj. Pra mjafton sesa i informuar je, për të ditur se ku i dhemb, për ta thumbur pikërisht aty. Sa herë marrim “shuplaka” nga këta, po aq marrim dashuri nga publiku. Distancohem nga dhuna gjithnjë dhe nga gjuha vulgare, sidomos në adresë të gazetarëve. Do të preferoja që gazetari në vitin 2025 të mos ishte thjesht një përcjellës lajmi, por të kishte mendim dhe qasje ndaj fenomeneve, si pozitive, ashtu edhe negative. Të shkonte përtej lajmit, të informonte publikun drejtë dhe qartë.

    Mbetemi te procesi zgjedhor…nuk e kishte tensionin e fushatave të tjera, madje kemi pasur edhe fatalitete më parë…

    Po, për fat të keq më herët kemi pasur vrasje. Kësaj radhe nuk kemi patur raste të tilla. Në qakun e Fierit kemi pasur disa bllokime në qendra të votimit, pati edhe disa patrionazhistë që u kapën me lista, dmth kishte një lloj tensioni, por sporadikë. Patëm edhe në Tiranë përplasje, ku Flamur Noka u tensionua me Xhabaftët në Vorë, një rast i cili duhet hetuar nga SPAK, sepse kush janë Xhabaftët e dinë të gjithë, sidomos ne gazetarët e kronikës, për rekordet kriminale që ata kanë dhe sigurisht ata personalzhe duhet të rrinë larg fushatës dhe larg qendrave të votimit, aq më keq pastaj të akreditohen dhe të hyjnë në ambiente ku votohet dhe ku numërohet, sepse ka një lloj presioni që vjen indirekt. Patëm edhe një incident në Kashar, të cilin unë e ndoqa nga afër. Personalisht arrita të filmoja një çantë me një shumë të konsiderueshme parash, një incident që ndodhi mes vëzhguesve të Ornaldo Rakipit, kandidatit në listë të hapur të PS, teksa do të pritet të numërohen votat e Greqisë për të parë nëse do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë, teksa ka një luftë të ashpër me kandidatin tjetër socialist Xhemal Qefalia. Vëzhguesit e Rakipit goditën sekretarin e KZAZ-së, një situatë që nuk duhej të ndodhte, sepse numëruesit duhet të bëjnë të qetë punën e tyre. Realisht, nuk do ta bëja kurrë punën e një numëruesi, sepse nuk e keni idenë se çfarë presioni ka, se çfarë lodhje fizike ka.

    Qëndrojmë pak te Fieri…Çfarë pe përtej asaj që nuk është parë apo raportuar?

    Në pamje të parë, situatë e qetë. Në qytet thuaj hapur se PS do të merrte e sigurtë 11 mandate. Personalisht nuk më bindte, sepse më parë drejtues i këtij qarku kishte qenë Gramoz Ruçi dhe kurrë nuk e kishte arritur atë rezultat. Presioni, jo vetëm në Fier, por edhe në qytete të tjera, ka qenë “underground”. Isha në Roskovec, ditën e zgjedhje gjithçka e qetë, njerëz duke bërë pazare. Nuk shkoi askush të votonte deri afër orës 14:00. Një tjetër rast në Fier, ku një burrë shoqëronte nënën e tij 101-vjeçare, por nuk e gjente emrin në listë. Personalisht, si asnjëherë tjetër, privatisht jam interesuar në të gjitha instancat që ajo të votonte, pasi donte të hynte në histori si gruaja më e vjetër që kishte votuar.

    Dua të ndalem pak te krimi zgjedhor…SPAK u fut me një task forcë në këto zgjedhje, e realizoi misionin e tij?

    Kam pasur pritshmëri shumë të larta. Janë 39 çështje penale që po hetohen, kryesisht për korrupsion në zgjedhje, ka pasur kontrolle në disa qarqe. Në Fier u arrestua babai i një kandidateje të PSD-së. Në Shkodër u sekuestrua celulari i kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës. Rama dhe Doshi në fushatë i tërhoqën vëmendjen kryetarit të Vaut të Dejës. SPAK ka dyshime të forta që mund të jetë përfshirë në favor të votës së PSD-së. Por ajo që më bën përshtypje, deri më tani nuk ka çështje që lidhen me PS. Ne duhet t’i përcjellim publikut të gjithë atë që kemi parë, pasi realisht e gjithë administrata ishte e përfshirë në fushatë, duke punuar për PS. Po ashtu, jeni përdorur asetet publike. Ka patur edhe njerëz të botës së krimit të përfshirë në zgjedhje, në Durrës, Shkodër, por edhe Elbasani e Fieri. Nuk ka ndikuar në pamje të parë dhe nuk janë identifikuar, por kanë gjetur forma. Në Durrës, Arkend Balla ishte kandidati i PS më i votuari, teksa në 2021 nuk kishte marrë më shumë se 2 mijë vota. Tani, 4 vjet më vonë, ai rezulton më i votuari edhe se vetë Kryeministri kur ishte në Durrës në 2021. Ky është një dyshim i fortë për krim zgjedhor. SPAK kishte bëri kontrolle edhe në disa lokale për kandidatin tjetër Ani Dyrmishi, pasi kishte dyshime se bota e krimit kishte lidhje me shtabin elektoral. Duhet të presim se çfarë do të zbardhet. Në Elbasan, kemi Sara Milan, që mori rreth 20 mijë vota. Është një votë ose e blerë ose e ndikuar nga krimi i organizuar, pasi ka një hetim për këtë çështje, nuk e them unë këtë. Një zonjë pa asnjë kontribut publik, pa asnjë kontribut në PS, befas merr më shumë vota se çdo kandidat tjetër. Fakti ulëret shumë fort. Ne kemi një doktor të nderuar, me një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën publike, por edhe në atë politike tashmë, nuk shkon në Parlament, ndërsa kemi Zeqinë në Roskovec, që gjuhë vulgare do jetë në Kuvend. Uroj që 39 dosjet e SPAK të tregojnë të vërtetën dhe realitetin.

    A ke marrë denoncime direkte me prova dhe fakte nga qytetarë të ndryshëm?

    Ka pasur raste dhe në një farë mënyre edhe më kanë bindur. Thjesht i kam orientuar ku duhet të denoncojnë. Nuk është vetëm detyrë e opozitës të denoncojë. Por nga ana tjetër, nuk janë gazetarët përgjegjës për humbjen e opozitës. SPAK nuk mund ta shikojmë si shpëtimtarin e vetëm. Duhet të ishte policia më shumë aktive dhe SHISH gjithashtu. Gjithsesi, shpresoj që Prokuroria të ketë prova bindëse, pasi personalisht nuk besoj se ishte vullneti i shqiptarëve për këtë rezultat zgjedhor.

    Ndikimi i elementëve kriminalë në zgjedhje është rritur, por ndryshe nga herët e tjera, është sofistikuar shumë dhe është e vështirë zbulimi.

    Syri

  11. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,288
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Albanistan: Partia e padukshme në zgjedhje, Partia e Krimit të Organizuar në koalicion me Edi R

    Shkrimtarja polake: Rrofsh parti, rrofsh brez i ri politikanësh shqiptarë me mbështetje nga mafia!

    Emri:  auto_FBcCwQOXoAQs5lU1747481781.jpg

Shikime: 28

Madhësia:  28.6 KB

    Tre ditët e para pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri më lanë me ndjesinë sikur isha mbërthyer në një kënetë dhe nuk kisha forcë të dilja prej saj.

    1. Të gjithë e dinin që Partia Socialiste e Edi Ramës do të fitonte, por përmasat e fitores janë tronditëse – 52 për qind mbështetje, që sipas sistemit proporcional të çuditshëm shqiptar i jep atij 83 mandate në parlament nga 140 gjithsej. Ky është mandati i katërt për Ramën. Sa më shumë e korrupton sistemin, sa më shumë skandale mbledh mbi supe, sa më arrogant dhe agresiv bëhet, aq më shumë mandate fiton në parlament.

    2. Si ia del? Në vitin 2013, Rama erdhi në pushtet me slogane për luftën kundër korrupsionit, informalitetit, forcimit të administratës dhe institucioneve. Veprimi i parë që bëri ishte mbyllja e “republikës së marijuanës” në Lazarat, e lidhur me Partinë Demokratike – dhe bota u mahnit: sundimi i ligjit! Ndërkohë, për 12 vite, Rama ndërtoi një sistem ku mori kontroll pothuajse të plotë mbi median, çoi në kolaps shoqërinë civile, thelloi krizën e arsimit (sidomos në nivel universitar), dhe e ktheu administratën në një makineri gjigante që punon për partinë në pushtet. Në Tiranë, paratë e mëdha të trafikut të kokainës po pastrohen përmes ndërtimit të kullave të reja, dhe askush nuk pyet: nga vijnë këto para? Dhe mbi të gjitha: përse i duhet një vendi që po zbrazet edhe disa kulla të tjera mbi 200 metra?

    3. Mrekullitë janë të mundshme në Shqipëri – si për shembull zgjedhja e 29-vjeçares Sara Mila nga lista e hapur e Partisë Socialiste, për të cilën mafia e kokainës nga Elbasani mblodhi vota. Mafiozët donin të kishin njeriun e tyre në parlament, pa ndërmjetësinë e Ramës – dhe çfarë është për ta blerja e mbi 18 mijë votave? E panjohura Sara Mila mori rezultatin e dytë më të lartë në vend. Rrofsh parti, rrofsh brez i ri politikanësh shqiptarë me mbështetje nga mafia!

    4. Në Shqipëri, zakonisht nuk merr një vend pune në shtet nëse nuk je i lidhur në një mënyrë apo tjetër me Partinë Socialiste. Dhe nëse tashmë punon në shtet, duhet të shndërrohesh në militant që punon për partinë, përndryshe rrezikon vendin e punës. Edi Rama ka krijuar një sistem me dhjetëra mijëra patronazhistë që mbledhin informacion të ndjeshëm për preferencat elektorale të shqiptarëve. Për të ditur se kush mund të jepet për ndonjë përfitim në këmbim të votës. Kalojnë vite dhe shumë njerëz që ndërtuan një shtëpi në vitet ‘90 ende nuk e kanë të legalizuar, sepse çështjet zvarriten në gjykatë për dekada. Tani imagjino: pas gjithë këtyre viteve, merr një sinjal se shtëpia do të legalizohet – në këmbim të njëzet votave. Çfarë bëni? E gjithë familja shkon të votojë, që më në fund të keni shtëpi me letra. Gjëra që në vendet e sundimit të ligjit zgjidhen thjesht, në Shqipëri jepen si shpërblim për besnikëri elektorale. Kohët e fundit fola me një vajzë, familja e së cilës kishte pasur një fermë marijuane në Lazarat disa vite më parë. Ajo më tha se edhe pse “historikisht” kishin mbështetur Partinë Demokratike, këtë vit do të votonin për Partinë Socialiste, sepse iu ishte premtuar legalizimi i një ndërtese pa leje në këmbim të votës.

    5. Miti i diasporës, se vota e saj mund të ndryshojë situatën politike në Shqipëri, u rrëzua – diaspora, e cila për herë të parë pati të drejtën të votonte nga jashtë, mbështeti masivisht Partinë Socialiste. Në Tiranë më thanë se çdo punonjës i administratës kishte detyrë të kontaktonte dhjetë shqiptarë që jetojnë jashtë, dhe më pas secili prej tyre merrte telefonata nga PS për t’i pyetur për kë do të votonin. Asnjë parti tjetër nuk kishte burime për të bërë fushatë jashtë vendit. “Diaspora vjen në Shqipëri për pushime dhe shikon kryesisht propagandën e Top Channel. Ata nuk jetojnë këtu çdo ditë,” thoshin miqtë.

    6. Por ata që jetojnë çdo ditë në Shqipëri, mbështetën masivisht Edi Ramën. Ose sepse donin, ose sepse duhej. Ata që nuk donin të votonin, nuk shkuan fare – pjesëmarrja ishte vetëm 42 për qind. Ata që duhej të votonin, votuan për Edi Ramën.

    7. Këtë vit, për herë të parë, shqiptarët kishin një gamë të gjerë partish të reja për të zgjedhur – Shqiperia Bëhet dhe Mundësia në të djathtë, dhe Lëvizja Bashkë në të majtë. Edhe pse mbi 123 mijë vota shkuan për partitë e reja, ato u përkthyen vetëm në tre mandate. Një rrugë e gjatë dhe e vështirë i pret këto forca të reja në përpjekjen për të ndryshuar gjithçka në Shqipëri. Në fakt, ato duhet të arrijnë diçka që sot duket e pamundur: të rrëzojnë themelet e një sistemi thellësisht të korruptuar dhe mentalitetin e shqiptarëve që vazhdojnë të zgjedhin të keqen e qëndrueshme në vend të të resë së pasigurt.

    8. Dhe sot (dje), liderët e vendeve europiane mblidhen në Tiranë. Do t’i urojnë Edi Ramës një tjetër fitore. Rama do të flasë për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë dhe anëtarësimin në BE. Shampanja do të hapet, patronazhistët do të mbledhin informacion, televizionet do të shfaqin kryeministrin që buzëqesh përkrah politikanëve europianë që e përgëzojnë.

    9. “Rama do të qeverisë deri sa të vdesë” – këto janë zëra që i dëgjoj ndonjëherë. Pse ndodh kjo? Sepse ai shpërblen besnikët, korrupton kundërshtarët, huton opozitën, injoron intelektualët, dhe mbi të gjitha, e njeh mentalitetin shqiptar më mirë se kushdo tjetër. Para tyre shfaqet si shtetari që duan: pak arrogant si sulltan, pak i butë si Enver Hoxha. Ai ndien që shqiptarët nuk kanë nevojë për liri, ose nuk kanë forcë apo vullnet për t’u rebeluar. Ata duan jetë të sigurt, të parashikueshëm – dhe diku në horizont, shpresën e anëtarësimit në BE.

    10. E mbyll këtë postim të gjatë me një foto nga Divjaka dhe një anekdotë: ditën e zgjedhjeve, ndërsa po haja darkë në një restorant lokal në Divjakë, një vajzë në tavolinën pranë mori një telefonatë dhe, pas një bisede të shkurtër, e mbylli me nerva. Siç shpjegoi ajo për prindërit, patronazhistët e Partisë Socialiste e kishin telefonuar për ta pyetur nëse kishte votuar.

    Syri

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. PDI, shfaqet partia çame
    Nga flory80 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 105
    Postimi i Fundit: 13-01-2010, 14:18
  2. Partia e emigrantëve
    Nga limbo në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 41
    Postimi i Fundit: 21-08-2009, 20:56
  3. Partia muslimane "Atdheu" do të marrë pjesë në zgjedhje
    Nga XY3005 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 41
    Postimi i Fundit: 15-09-2008, 12:58
  4. Partia apo ligji?
    Nga imprint në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 09-07-2006, 12:59
  5. Partia Demokrate e Re
    Nga Kosovari_78_Ca në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-01-2005, 03:41

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •