Opozita shqiptare punëson një nga këshilltarët e Trump ndërsa përforcon imazhin si parti konservatore
Partia Demokratike në opozitë prezantoi të hënën Chris LaCivita, një prej strategëve të fushatës së presidentit amerikan Donald Trump në Tiranë si drejtues të fushatës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke përforcuar në këtë mënyrë profilin si parti konservatore.
Nga Gjergj Erebara
Sali Berisha dhe Chris LaCivita në Tiranë më 10 janar 2025. Foto: LSA
Chris LaCivita, një nga këshilltarët për fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në SHBA, mbërriti në Tiranë këtë të hënë për t’u prezantuar si menaxheri i fushatës së Partisë Demokratike, një lëvizje që duket se premton një PD të profilit konservator dhe populist, një fushë kjo ende e patestuar në politikën shqiptare.
Ngarkuar me temat dhe termilogjitë e fushatës amerikane, La Civita deklaroi në Tiranë se do të ndihmojë Partinë Demokratike “të zgjedhë një kryeministër që është një mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara dhe i cili do të punojë me sukses me Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara.”
Ai vijoi më tutje duke e përshkruar kryeministrin aktual “një marionetë të George Soros”, miliarderit filantropist amerikan që është bërë shënjestër e teorive të komplotit gjatë dy dekadave të fundit dhe që njihet për mbështetjen që i jep kauzave liberale.
Në të njëjtën linjë, Berisha shënjestroi Sorosin si “armik të demokracisë” ndërsa prezantoi veten si konservator.
“PD dhe opozita shqiptare, si dhe Shqipëria, ishin vendi i dytë pas SHBA, në të cilën e majta radikale sorosiane, ideologu i saj, armiku i demokracisë, Xhorxh Soros dhe kukulla e tij, Antoni Blinken, gënjeshtar në letrën puçiste të laptopit të famshëm, duke mashtruar kombin e tij dhe botën për interesa politike, këta bënë në Shqipëri eksperimente tragjike,” deklaroi ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me LaCivita.
Partia Demokratike u zhvendos drejt konservatorizmit trumpist gradualisht duke filluar nga viti i kaluar, kur u deklarua pro familjes dhe kundër kulturës liberale ndërsa përqafoi tërësisht këtë lloj politike gjatë javëve të fundit duke iu bashkuar fushatës Trump-Musk kundër institucioneve të tilla si USAID, të cilat, kanë shërbyer si degë e diplomacisë amerikane përgjatë shumë dekadave dhe që administrata e re ka vendosur t’i mbyllë.
Krahas deklaratave të karakterit konservator, deputetët e Partisë Demokratike kanë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që synon të sanksionojë se në Shqipëri ka vetëm dy gjini. Projektligji gjithsesi rezulton i tepërt pasi në Republikën e Shqipërisë, ligjet aktuale nuk njohin ndonjë gjini tjetër dhe as nuk lejojnë ndryshimin e gjinisë.
BIRN
Krijoni Kontakt