Close
Faqja 9 prej 13 FillimFillim ... 7891011 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 81 deri 90 prej 123
  1. #81
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,586
    Postimet në Bllog
    1

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Citim Postuar më parë nga Albo Lexo Postimin
    DOKUMENTET/ Erion Veliaj i dha qindra miliona lekë Ardit Gjebreas, prezantuesi e mbrojti publikisht

    Një grup këngëtarësh dhe prezantuesish kanë dalë në mbrojtje të kryebashkiakut Erion Veliaj, ky i fundit i arrestuar si i dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.

    Shumë prej tyre dolën pafytyrësisht para SPAK-ut duke protestuar për Veliajn, i cili duket se i ka shpërblyer mjaft mirë me para.

    Njëri prej personazheve televizivë që ka reaguar dhe ka dalë në mbështetje të Erion Veliaj ka qenë dhe moderatori Ardit Gjebrea.

    "Askush nuk mund të thotë që Tirana është njësoj si më parë. Dhe për fat të keq si mundet që nuk e bërtasin punën tënde e sa shpejt harruan (me qëllim) që Tiranës ju fute me themel për ta ndryshuar për të mirën e përditshmërisë tonë? Një ditë do të të kërkojnë, dhe e di: I afti gjithmonë e gjen mënyrën të jetë i denjë për veten dhe familjen. Jam i lumtur dhe krenar që kam një mik si ty!”, shkruan prezantuesi, duke e shoqëruar mesazhin me një foto me Veliaj dhe hashtagun #jamerion dhe #kambesimtekti”, shkruante Gjebrea në rrjetet sociale.

    Skedarët e Bashkëngjitur 188819

    Pse Ardit Gjebrea i doli në mbrojtje “Lali Erit”?

    Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, të pasqyruara në Open Spending Data, rezulton se Ardit Gjerbrea ka marrë para plot 6 herë nga Bashkia e Tiranës.

    Në datën 19.12.2022 Bashkia Tiranë i ka dhënë 8,000,000 lekë Shoqatës Jon Music për festivalin Kënga Magjike 2022.

    Një tjetër pagesë që ka marrë nga Bashkia e Tiranës është në 03.12.2021, me vlerë 705,880 lekë nga Jon Music sërish për Festivalin Kënga Magjike.

    Në datë 11.10.2021 Bashkia Tiranë i ka dhënë Jon Music 6,289,998 lekë për festivalin Kënga Magjike 2021.

    Në datë 03.02.2020 Bashkia Tiranë i ka dhënë Jon Music 2,700,000 lekë. Një tjetër transaksion është bërë nga Bashkia Tiranë për Jon Music në datën 31.01.2020 me vlerë 4,300,000 lekë.

    Po ashtu në datën 29.01.2019 Jon Music ka marrë 7,975,000 lekë nga Bashkia e Tiranës.

    Të gjitha këto transaksione janë bërë për festivalin Kënga Magjike.

    Të dhënat mund t’i shikoni në këtë tabelë:

    Skedarët e Bashkëngjitur 188820

    Pra, janë bërë 6 transaksione nga Bashkia e Tiranës për Jon Music. Kjo tregon dhe arsyen pse Ardit Gjebrea doli dhe “bërtiti” fort se është me “Lali Erin”.

    CNA.al
    Lexoni ligjin per pushtetin vendor, sponsorizime gjithmone jane kryer, jane te ligjshme, por spak nuk njeh ligjin, por vetem kamzhikun
    Duaje te afermin tend si veten

  2. #82
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,586
    Postimet në Bllog
    1

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Erion VELIAJ

    Të dashur miq e dashamirës,
    Këtë muaj mbushen 6 vjet nga vdekja e Arben Xoxës, qytetar model, një njeri i letrave trashëguar prej Jakovit, profesor, drejtues i RTSH-së, botues i Botimeve Enciklopedike dhe sipërmarrës i suksesshëm pas viteve '90. Këtë muaj do duhej ta përkujtonim me respekt, por me vendim të ndërtuesit noter Olsi Dado, po persekutohet edhe në atë botë!
    Ndërtuesi prokuror, pretendon se shtëpia e Arben Xoxës në Qerret - të cilën e ka pasur që përpara se të isha unë në politikë, madje apartamentin fillestar, përpara se të martohesha me Ajolën - nuk është në fakt e tija, por e imja.
    Po me cilat prova? Ols ndërtuesi thotë se shoferi i 4 muajve të fundit të jetës së Arbenit nuk e ka çuar në plazh. Më fal, por nëse 4 muajt e fundit të jetës ishte pacient me tumor në kokë, nën regjimin spitalor të doktor Petrelës, pse do shkonte në plazh? Dhe i pasëmurë, pse do vente robi në plazh në dimër, Nëntor, Dhjetor, Janar, Shkurt?
    Madje, Ols violina, insiston se Arben Xoxa s’ka qenë kurrë në shtëpinë e tij! Po mirë, po ky në foto kush është? Ndjesë pastë, aty është edhe Ganimet Vendresha, gjyshja e ndjerë, ish primabalerina e parë në TOB te shfaqja ‘Halili & Hajria’. Bashkë me ta, sopranoja e pianistja e njohur, duke drekuar!
    Që Ols dështaku në violinë, as në ëndërr s’do ulej dot me kaq artistë, kjo s’do mend! Por, fotoja, si minimum, është bërë kur njerëzit ishin gjallë - apo jo Sherlock? Pra, të paktën 6 vite më parë, zoti sigurims? Pra, si minimum, verën e 2018-ës, se janë me veshje me mëngë të shkurtra, e gjatë dimrit, i zoti i shtëpisë zuri spitalin e ndërroi jetë në Shkurt 2019. Po si, atëherë, pretendon që s’ka qenë kurrë?
    Po unë pse s'do e deklaroja po ta kisha? Po tani ç'të bëj? Djali të mos vejë te gjyshja me lodra, se i veshin pronën? Pra, po kjo gjykatë, që i thotë Saliut vila në Lalëz është e vajzës, ndaj mund të shkosh, i thotë nipit të Arben Xoxës, ti nuk mund të vesh te gjyshja? Dhe këtë e bekon adashi kasap, gjykatësi i thertores Erjon Bani: Të gjithë të barabartë para ligjit, por disa - si Sali kërma - më të barabartë se të tjerët!
    Në fund, ky prokuror pervers, që sillet si hasani i grave të botës, ka fuqinë të ta fyejë inteligjencën në mënyrën më mbresëlënëse! Beni vërtet s'jeton më, por të paktën ju kursyen ditët kur drejtësia ka përfunduar në llogjikën njëqelizore të një parameci funksional!
    Një të dielë plot diell e dashuri për të gjithë! ❤️☀️
    Duaje te afermin tend si veten

  3. #83
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,586
    Postimet në Bllog
    1

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Sipas teorive te kamikazeve, nese hapim deren dhe presim miq, ne te ardhmen keta miq do te paditen se disponojne shtepine tone, dmth mjaft te futesh ne nje shtepi dhe ajo behet e jotja apriori
    demokracia ne rrezik, te nderhyje urgjent qeveria, por me pare inspektoriatet qe kontrollojne drejtesine
    Ndryshuar për herë të fundit nga ilia spiro : 16-02-2025 më 11:38
    Duaje te afermin tend si veten

  4. #84
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,797
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Vila me pishinë në Qerret/ Kë të besojmë, Erjon Veliajn apo SPAK?

    Argumentat e kryebashkiakut Veliaj përballë hulumtimit të prokurorëve Dado dhe Dumani

    Emri:  veliaj-gent-sula-1140x570.jpg

Shikime: 34

Madhësia:  46.4 KB

    jë nga fragmentet e dosjes që çoi në burg Erjon Veliajn, ka të bëjë me fshehjen e një vile në kompleksin Marea në Qerret, të ndërtuar dhe të menaxhuar nga kompanitë e biznesmenit Gentian Sula.

    Sula është mik i hershëm i Veliajt, thotë SPAK dhe pronar i Agi Kons. Për miqësinë e tyre sinjalizoi misteriozi “Nesti Angoni”, që denoncoi disa udhëtime të përbashkëta mes tyre, me avionë “charter” që nga viti 2004.

    Verifikimet shkuan më tej dhe rezultoi se kompania e Sulës është përfituesja më e madhe e tenderave dhe konçensioneve të bashkisë së Tiranës, me një shumë prej 4.9 miliard lekë, ose rreth 50 milion euro. Agi Kons ishte edhe një nga sponsorët “artdashës” të kompanive të Ajola Xoxës, që sipas SPAK përbëjnë një skemë të vjeljes së ryshfetit nga biznesmeni tek kryebashkiaku Erion Veliaj.

    Prej dy ditësh, Erjon Veliaj ka sulmuar disa gjetje të prokurorëve Ols Dado dhe Altin Dumani, që sipas tij nuk bëjnë sens.

    Lodrat e djalit të Veliajt në shtëpinë e gjyshes në plazh

    SPAK pretendon se gjatë kontrollit në vilën në Qerret ka gjetur lodra të djalit të Erjon Veliajt.

    “Pa përmendur këtu dhomën që pranohet nga vetë deklaruesja që është e djalit të saj, si edhe garderobën e këtij të fundit së bashku me lojërat” (faqe 56 e dosjes)

    Gjetja e lodrave dhe veshjeve të djalit të Veliajt në vilën e Qerretit theksohet në dosje për të përforcuar idenë se pronarët de fakto të shtëpisë në plazh janë Erjon Veliaj dhe Ajola Xoxa.

    Por kryebashkiaku ngre me të drejtë pikëpyetje mbi logjikën e prokurorëve, sepse prania e nipit të mitur në shtëpinë e gjyshes në plazh është gjëja më normale në botë.

    “A mjaftojnë dot si provë fotot e lodrave të djalit tim?” ishte pyetja që Veliaj ngriti në një mesazh të përcjellë nga qelia ku po qëndron.

    A e bleu realisht vjehrri i Veliajt vilën në Qerret?

    Kryebashkiaku i Tiranës pretendon se shtëpia në plazh është blerë nga vjehrri i tij, Arben Xoxa shumë vite më parë sipas një marrëveshjeje me ndërtuesin Gentian Sula. Por SPAK ka marrë në pyetje shoferin e Ajola Xoxës, të quajtur Armand Manahasa, që ka qenë edhe shoferi i Arben Xoxës, para se ky të ndërronte jetë. Për këtë shkruan si më poshtë:

    “Në përmbledhje të deklarimeve të shtetasit Armand Manahasa, rezulton edhe njëherë se vila e ndodhur në Qerret, kompleksi “Marea resort” është në pronësi faktike të familjes Veliaj-Xoxa. Nga këto deklarime rezulton se edhe pse ka qenë shofer i të ndjerit Arben Xoxa, Armand Manahasa nuk ka qenë kurrë në vilën e Qerretit para vitit 2019. Kujtohet këtu se nga shtetasit nën hetim pretendohet se kjo vilë është blerë në vitin 2017 nga prindërit e shtetases Ajola Xoxa. Për herë të parë, shpjegon deklaruesi, në vilë është shkuar në vitin 2019-2020. Po ashtu, Armand Manahasa nuk ka dëgjuar të flitet për këtë vilë nga shtetasi i ndjerë Arben Xoxa” (faqe 55 e dosjes).

    Por pretendimi që ngrenë prokurorët nga dëshmia e shoferit, vihet në dyshim nga një postim i Veliajt që ka nxjerrë në foto vjehrrin e tij të ndjerë duke drekuar në vilën në Qerret.

    Sipas Veliajt, foto është e vitit 2018 dhe shoferi nuk kishte dëgjuar të flitet për vilën sepse ka shërbyer vetëm 4 muajt e fundit, kur i ndjeri ishte sëmurë. Foto më poshtë:

    Emri:  480147971_1170610417767457_3803042006967534360_n.jpg

Shikime: 34

Madhësia:  49.5 KB

    “Fotoja, si minimum, është bërë kur njerëzit ishin gjallë – apo jo Sherlock? Pra, të paktën 6 vite më parë, zoti sigurims? Pra, si minimum, verën e 2018-ës, se janë me veshje me mëngë të shkurtra, e gjatë dimrit, i zoti i shtëpisë zuri spitalin e ndërroi jetë në Shkurt 2019. Po si, atëherë, pretendon që s’ka qenë kurrë?
    Po unë pse s’do e deklaroja po ta kisha? Po tani ç’të bëj? Djali të mos vejë te gjyshja me lodra, se i veshin pronën?” shprehet Veliaj.

    Nga logjika dhe provat që sjell Veliaj duket se prokurori është nxituar.

    Vetëm se lodrat e djalit të Veliajt dhe dëshmia e shoferit të familjes Xoxa nuk janë e vetmja provë që paraqet SPAK.

    Lapsi.al e ka lexuar të plotë kapitullin e akuzës për pronësinë e vilës në Qerret dhe ka renditur më poshtë edhe të dhënat dhe rrethanat e tjera që prokurorët kanë përfshirë në dosje.

    Pazari i dyshimtë; Apartament, në këmbim të vilës me pishinë

    Një nga rrethanat që sjell SPAK në dosje dhe që nxit dyshimet se vila u përfituar si ryshfet, është pazari që pretendojnë se kanë bërë palët.

    Ndërtuesi Gentian Sula ka treguar se vjehrri i Veliajt, Arben Xoxa ka blerë fillimisht një apartament 120 metra katrorë në kompleksin “Marea” në Qerret për 80 mijë euro.

    Por në vitin 2017 të dy vendosin të shkëmbejnë apartamentin 80 mijë euro me një vilë me pishinë, që kushton disa herë më shumë, afërsisht 500 mijë euro sipas SPAK. Premtimi i Arben Xoxës ishte se do të paguante 30 mijë euro më shumë. Vetëm se pranë kësaj vile ishte edhe një tjetër, që sipas denoncimit të Nesti Angonit është rrafshuar për të krijuar një hapësirë më të madhe oborri për Veliajn dhe familjen e tij.

    Ajo që ka zbuluar ndërtuesi Gentian Sula është se ende sot e kësaj dite 30 mijë eurot shtesë nuk janë paguar, ndërsa nuk ekziston asnjë kontratë e noterizuar mes ndërtuesit dhe Arben Xoxës për pronësinë e vilës.

    “Arsyeja që kjo vilë rezulton ende në emër të Agi Kons Shpk, lidhet me detyrimin e papaguar prej 30,000 euro, ku sipas tij nuk është paguar për shkak të pamundësisë së tyre dhe përpakënaqësitë që kanë patur në lidhje me punimet” thuhet në dosjen e SPAK (faqe 57)

    Ky shkëmbim që është bërë mes Arben Xoxës dhe biznesmenit Gentian Sula, pra një apartament 120 metra i shkëmbyer për një vilë 190 metra katrorë me pishinë dhe 494 metra katrorë truall, sipas prokurorëve ngre dyshime për fshehje të pasurisë.

    Për sa kohë 30 mijë eurot shtesë nuk janë paguar, vila ka mbetur në pronësinë e kompanisë Agi Kons, por ndërkohë Erjon Veliaj paguante faturat e administrimit.

    Pagesat e bëra nga Veliaj për administrimin

    Gjatë marrjes në pyetje të administratorit të resortit, Maksim Greva, ky ka konfirmuar për prokurorët e SPAK se në disa raste ka qenë vetë Erjon Veliaj që bënte pagesat e vilës në lidhje me shërbimet e kompanisë “S&D Invest” (faqe 52 e dosjes)

    Përveç kësaj, gjatë kontrollit në ambjentet e vilës janë gjetur shënime të Valbona Xoxës, nënës së Ajola Xoxë, e cila raporton tek e bija me saktësi për pagesat që kryen për administrimin e vilës.

    Shënimet e gjetura në shtëpi, gjatë kontrollit të BKH, janë shkruar në një mënyrë që sipas prokurorëve të çojnë të mendosh se është Ajola Xoxa ajo që ka përgjegjësinë e vërtetë për pagesat e administrimit. (Faximile më poshtë nga faqe 53 e dosjes)

    Emri:  faqe-53-shenimet-e-Valbona-Xoxes-per-pagesat-ne-emer-te-se-bijes-2048x1066.jpg

Shikime: 34

Madhësia:  70.0 KB

    Bisedat e Ajolës me miqtë për vilën në plazh

    Përveç kësaj, SPAK ka regjistruar në dosje edhe mesazhet e komunikimit mes Ajola Xoxës dhe miqve të saj. Në një komunikim me Driant Zenelin, i cili i dërgon foto nga Qerreti, Ajola Xoxa i përgjigjet: “Ajo aty në fund është shtëpia jonë!”. (faqe 53 e dosjes)

    Zeneli ka treguar para prokurorëve se kishte marrë ftesa nga Ajola Xoxa për të shkuar në shtëpinë e plazhit në Qerret bashkë me djalin e tij, nëse dëshironte të pushonte aty.

    Nga dëshmia e shoferit Armand Manahasa, është zbuluar se Ajola Xoxa u mor personalisht me arredimin e vilës duke angazhuar arkitektin Olsi Efthimi për punimet.

    Një tjetër dëshmi që përforcon bindjen e prokurorëve për pronësinë e vilës në Qerret është ajo e një nga punonjëset e kompanisë Partners Laë, të Ajola Xoxës, e quajtur Anxhela Qunaj rezulton se “nga bisedat në ambjentet e punës ka kuptuar se Ajola ka një shtëpi plazhi” (dosja Veliaj. faqe 54)

    Në dosje janë edhe qelizat e celularit të Erjon Veliajt, me anë të së cilave prokurorët vërtetojnë se kryebashkiaku i Tiranës i kalonte fundjavat në vilën e kompleksit Marea në Qerret. Përgjigjet që ka dhënë kompania One Albania dëshmojnë se Veliaj ka disa qindra vizita në Qerret gjatë viteve dhe kjo sipas tyre, tregon frekuentimin e shpeshtë të kryebashkiakut të Tiranës për shtëpinë që thotë se nuk është e tij.

    Deklarimi në Tatime “Erjon Veliaj blerës”

    Një nga provat shkresore më të forta gjithsesi janë deklarimet e kompanisë së administrimit “S&D Invest” në pronësi të Gentian Sulës që nga vitet 2020 dhe 2021 ka deklaruar në Drejtorinë e Përgjithsme të Tatimeve emrin e Erjon Veliajt si blerës i dy vilave. Tabela më poshtë:

    Emri:  emri-i-veliajt-ne-librat-e-bleresit--2048x1261.jpg

Shikime: 33

Madhësia:  67.2 KB

    Të dhënat më lart, përbëjnë një panoramë më të plotë të akuzës, që prokurorët kanë ngritur ndaj kryebashkiakut të Tiranës për fshehje pasurie. Thelbi i akuzës, nuk janë lodrat e fëmijëve të gjetura në shtëpinë në plazh, por është fakti se vila në Qerret rezulton të jetë ende sot pronë e kompanisë Agi Kons, ndërkohë që prej vitesh përdorej nga Erjon Veliaj, Ajola Xoxa dhe Valbona Xoxa, në mënyrë që të mos deklarohet në ILDKPI.

    Lapsi.al

  5. #85
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,797
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    “Veliaj s’vesh fustane”/ Dalin faturat kur bleu për Ajolën në Londër

    Ai shpenzoi mbi 1200 paund në dy ditë, në Londër. Mallrat i shkuan në hotel "Park Plaza westminster Bridge"

    Emri:  WhatsApp-Image-2025-02-15-at-18.37.52-1140x570.jpg

Shikime: 33

Madhësia:  26.0 KB

    Një nga justifikimet me të cilën është kundërshtuar arrestimi i Erjon Veliajt, është se shpenzimet marramendëse me vlerë qindra mijëra euro nuk u bënë nga ai vetë, por nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Ky arsyetim që tërthorazi ia lë peshën e fajit Ajola Xoxës dhe e lehtëson kryebashkiakun e Tiranës u hodh më së pari nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS.

    “Kryetari i bashkisë nuk vesh fustane,-tha Rama,- nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në dhomë paraburgimi duhet të tregosh minimalisht fustanet dhe bizhutë, provat”.

    Por në morinë faturave që janë nxjerrë nga kompjuteri i Ajola Xoxës dhe që janë siguruar nga Lapsi.al, rezulton se shpenzimet e Ajolës nuk ishin ndonjë sekret brenda familjes, siç aludojnë mbrojtësit e kryebashkiakut.

    Në fakt nga disa fatura, rezulton se në janar të vitit 2015, kur Veliaj ishte Ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale ai ka qenë në një vizitë në Londër. Atje, përveç punëve të tjera, ka marrë një porosi me vlerë gati 1 mijë e 200 paund për të shoqen.

    Shpenzimet janë regjistruar në dy fatura, ku shënohen këpucë, vathë, kremra, mbathje, funde etj.

    Porosia ka pasur si destinacion dhomën 577 në hotel “Park Plaza westminster Bridge” (foto poshte) dhe mban emrin e Erjon Veliajt. Faksimile më poshtë:

    Emri:  fde417b3d5c7b6798957a3bc4795a38259d08e4b.jpg

Shikime: 34

Madhësia:  38.2 KB

    Emri:  Veliaj-11111-2048x1509.jpg

Shikime: 31

Madhësia:  45.4 KB

    Në faturën e parë, (faksimile lart) janë porositur disa lloje kremrash që variojnë nga 35 paund deri në 83 paund secili.

    Por aty gjen edhe një palë këpucë të sheshta, të markës Jimmy Choo të përshtatshme për t’u veshur në mbrëmje Gala.

    Çmimi i këpucëve është 375 paund pa llogaritur doganën. Në foton ilustruese më poshtë, modeli i këpucëve i korrespondon modelit të dorëzuar Veliajt në Londër:

    Emri:  jimmy.jpg

Shikime: 31

Madhësia:  22.1 KB

    Fatura e parë arrin në total vlerën prej 638 paund.

    Emri:  Veliaj-londer-22222.jpg

Shikime: 32

Madhësia:  50.9 KB

    Në faturën e dytë, blerja e parë e regjistruar është një fund i modeles Roksanda Illncic, me vlerë 144 paund.

    Blerja e dytë janë një palë vathë Swarovski, me vlerë 261 paund.

    Blerja e tretë është pjesa e sipërme që kombinohet me fundin e modeles Roksanda Illncic, me vlerë 145 paund.

    Fatura e dytë arrin vlerën e 562 paund blerje.

    Më poshtë janë llojet e vathëve Swarovski që ka sjellë Veliaj nga Londra.

    Emri:  vathet.jpg

Shikime: 32

Madhësia:  33.1 KB

    Porositë që Veliaj kishte marrë nga e shoqja gjatë vizitës në Londër kushtojnë të dyja rreth 1 mijë e 200 paund, pa vlerën e doganës.

    Shuma nuk është ndonjë ekzagjerim i çmendur, por shpenzime të tilla, Ajola Xoxa i kishte disa herë në muaj, sipas dokumentave që ka siguruar Lapsi.al. Janë të tilla blerje të njëpasnjëshme, që sipas SPAK kapën më pas në vlerën prej 860 mijë euro shpenzime në 4 vjet.

    Duhet theksuar se porositë që Erjon Veliaj ka pritur për të shoqen nuk përbëjnë vepër penale. Madje përkushtimi që Veliaj ka treguar duke plotësuar dëshirat e të shoqes ndërsa qëndron në Londër, është për t’u përgëzuar.

    Por pasi sheh këto fatura, duhet të jesh idiot të besosh alibinë e Edi Ramës se Erjoni nuk e dinte që gruaja e tij kishte maninë e blerjeve frenetike tek “Net-a-porter” për markat e luksit. Sepse në mesin e faturave që ka parë Lapsi.al ka veshje të Michael Kors, Victoria Beckham, Prada, Karl Lagerfeld, Dolce Gabbana, Viviene Westwood etj.

    Vërtet këto fustane nuk i vishte Erjon Veliaj, por paratë për t’i blerë vinin nga pozicioni i tij si ministër dhe si kryetar i bashkisë së Tiranës. Nga këto pozita, Erjon Veliaj i jepte mundësinë Ajola Xoxës që të shpërdoronte qindra mijëra euro me fustane, këpucë dhe vathë, që kanë lënë me gojë hapur të madh e të vogël.

    Lapsi.al

  6. #86
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,797
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Lalin e zhveshi Ajola, SPAK-un e zhveshi Veliaj

    Prokurorët prodhuan një dosje të dobët se donin ta trajtonin Veliajn si xhepist dhe jo si ingranazh të një mekanizmi kriminal

    Nga Andi Bushati

    Publikimi i shpenzimeve marramendëse të bashkëshortes së tij e ka vrarë politikisht Erion Veliajn, madje edhe më shumë se sa prangat. Mediat që kanë qenë kritike me të, duke mbrojtur prej kohësh tezën e një zyrtari thellësisht të korruptuar -, ku padyshim bëjmë pjesë edhe ne të Lapsit-, po publikojnë ditë pas dite, faturat haluçinante të fustaneve, këpucëve, bizhuve dhe tangave, të Ajola Xoxës. Nuk ka asnjë dyshim se këto “scoop-e” rrjedhin nga dosjet e SPAK, që në teori duhet të kujdeset për sekretimin e tyre. Kjo tendencë, që ka si qëllim azgjesimin moral të personit nën hetim, u vu re që me publikimin e komunikatës së parë të prokurorisë së posaçme, e hartuar enkas për të bërë lajm, duke evidentuar shifrën prej 860 mijë eurosh, të blerjeve të bashkëshortes së kryebashkiakut.

    Po të thellohesh edhe më tej në dosjen 360 fletëshe e kupton më mirë absurdin e realitetit paralel ku kanë jetuar ata që drejtojnë rilindjen. Njësoj si darkat te Nusreti, shishet e verës 33 mijë euroshe në zyrën e Ramës edhe shpenzimet e veshjeve të Ajolës, dëshmojnë për një jetë të shfrenuar luksi.

    Pasqyrimi i kësaj shllafarie është edhe një nga shtyllat kryesore të vendimit të gjykatës (lexo faqet 110-124) i cili shenjestron Erion Veliajn si një zyrtar, që përfitimet e vendimeve që merrte si kryebashkiak, i kalonte tek studioja ligjore apo OJF-të e të shoqes.

    Por, pasi je shashtisur nga vila në Qerret, nga faturat e publikuara të taks free-ve, nga të mbathurat mbi 300 euro pala dhe kërkon shkeljet konkrete që ka bërë Erion Veliaj, mbetesh pak i zhgënjyer.

    Në dosjen voluminoze zor se gjen prova për ndonjë tender të dhënë në mënyrë të jashtë ligjshme, zor se gjen ndonjë leje ndërtimi të firmosur në tejkalim të normave. Po, ka shumë dyshime, për lidhje me biznesmenë, që me siguri kanë qenë klientë dhe pagatorë të Erionit, por jo fakte.

    Po të bësh krahasime me dosje të ngjashme, ajo e Veliajt duket edhe më e dobët se ato të Berishës apo Metës. Tek ajo e ish kryeministrit, për klubin Partizani, përpos akuzave për ndryshim të ligjeve, flitet dhe për akte konkrete, se si Berisha është përpjekur për të liruar sa më shpejt pronën që do të merrte dhëndërri i tij. Tek ajo për Metën aludohet për tratativat që ka bërë ish bashkëshortja, për të kaluar një ligji, për suksesin e të cilit mendohej se do të përfitonte një vilë. Në këto dy dosje, ku prokurorët që nuk i kanë argumentuar dot në mënyrë bindëse masat e marra ndaj ‘të paprekshmëve”, ka pasur së paku tentativa të SPAK-ut për të ndërlidhur përfitimin e nxjerrë me veprimet konkrete që ka bërë politikani i lartë. Tek Veliaj qoftë edhe kjo mungon. Kryebashkiaku i portretizuar nga prokurorët ngjan si një ëngjëll, në raport me grabitësin frenetik që ekziston në mendjet e kritikëve dhe kundërshtarëve të tij.

    Kur kemi mbërritur deri në këtë pikë të argumentimit duket sikur ka një kontradiktë të pakapërcyeshme, një paradoks që i tejkalon kufijtë e të logjikshmes. Si është e mundur, ka të drejtë të pyesë ai që po lexon, që nga njëra anë, në paragrafët e parë, pretendohet një vullnet i SPAK për ta shkatërruar Veliajn, që arrin deri në publikimin e çmimit të brekëve të bashkëshortes, ndërsa nga ana tjetër, flitet për një dosje pa prova të qëndrueshme, që në fakt është amnistim “de facto” i tij ?

    Por, ajo që në mënyrë sipërfaqësore duket si një kontradiktë, në realitet e ka një spjegim.

    Ai rrejdh nga mënyra se si ka vepruar SPAK-u. Ai ka dashur ta shohë Veliajn si një xhepist ordiner dhe jo si ingranazh të mekanizmit kriminal të një pushteti më të madh. Ai e ka denigruar për fatura fustanesh dhe bizhush për të mos e lidhur me inceneratorin. Ai e ka telendisur për vilën në bregdet, ku rriste djalin, për të mos e përshkruar si kapon e 5D, që vidhte para për të rrëmbyer zgjedhjet dhe siguruar fitoren e partisë.

    Këtu nuk ka asnjë surprizë. Ndonëse arrestimi i Veliajt është më bombastiku dhe më zhurmëmadhi i ndodhur ndonjëherë, i pari i një zyrtari të lartë në detyrë, ai ngjan si dy pika uji me ato të Kokës, Bllakos, Ahmetajt etj. Asnjëri prej tyre nuk është hetuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por Teri për lekët që ka çuar në kompanitë e të birit, Alqi për pagat e pajustifikueshme të të atit, ndërsa Beni për pllakat e Ejolës. Linja udhëheqëse e SPAK është e qartë: në këtë vend ka hajdutë të rëndomtë, por jo një bandë të organizuar që vjedh shtetin për të mos lëshuar pushtetin.

    Prandaj, Prokuroria e Posaçme nuk heton deri në fund inceneratorët, prandaj ajo ka tabu të prekë tre shtyllat që mbajnë në këmbë regjimin e Edi Ramës: financimin okult të mediave; paratë e zeza të krimit, të shndërruara në rokaqiej që shërbejnë si serum për ekonominë dhe mbi të gjitha, vjedhjen e zgjedhjeve.

    Me këtë objektiv është nisur edhe projekti i shkatërrimit politik të Erion Veliajt. SPAK ka zgjedhur ta trajtojë atë si xhepist ordiner, me mendësinë e atij që do ti’a hajë mishin, por ti’a ruajë kockën regjimit. Për këtë arsye, mes dhjetra Nesti Angonëve imagjinarë, nuk u mor për bazë, as ai që mund të denonconte inceneratorin e Tiranës, as ai që mund të padiste vjedhjen e zgjedhjeve, as ai që mund të tregonte për milionat e blerjes së televizioneve, as ai që mund të dëshmonte për paratë që rekrutuan aktorët, duke fikur protestën e Teatrit Kombëtar. Qëllimi qe i qartë: që Veliaj të mos akuzohej si pjestar në një krim kolektiv, por thjeshtë si një burrë i pafuqishëm, që nuk frenonte dot vanitetin e Ajolës.

    Pikërisht ky sforcim, kjo përpjekje qesharake për të kapur veshin e majtë me dorën e djathtë, ka prodhuar atë dosje të dobët, ku nuk gjendet gjurmë prove për krimet që Lali ka bërë në kryerjen e funksioneve të tij.

    Natyrisht edhe kështu SPAK-u e ka arritur qëllimin e tij. Ai e ka nëpërkëmbur, e ka pëdhunuar, e ka asgjesuar politikisht Erion Veliajn, aq sa sot edhe po të dalë nga burgu, do ta zënë rrugëve me gurë ata që i ka nxjerrë nga shtëpitë tek Astiri, 5 maji apo bregu i lumit.

    Por, veshtirë të thuhet se me provat që ka mbledhur ai e ka rritur besimin e publikut. Sforcimi për të përshkruar një personazh, thjesht peng të së shoqes, i ka nxjerrë prokurorët dhe vetë zbuluar, duke dëshmuar edhe njëherë se ata nuk shkojnë dot më larg sesa krimi ordiner.

    Lapsi.al

  7. #87
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,797
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Kompanitë dhe OJF-të e dyshuara për ryshfete përfituan 89 milionë euro nga Bashkia Tiranë

    Të dhënat e dosjes hetimore të analizuara nga BIRN tregojnë se një duzinë shoqërish tregtare dhe OJF-sh, dyshohet se janë përshirë në një skemë korruptive ryshfetesh për të pasuruar familjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

    Nga Besar Likmeta

    Emri:  Erion-Veliaj-gjate-arrestimit-nga-BKH.jpg

Shikime: 32

Madhësia:  63.1 KB

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua të hënën me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për veprat penale korrupsion, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

    Sipas SPAK, Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.

    Të dhënat e dosjes hetimore të analizuara nga BIRN tregojnë se 12 shoqëri tregtare dhe organizata jofitimprurëse, të cilat përfitonin fonde direkt nga Bashkia e Tiranës me firmën e Erion Veliajt, i kanë paguar më shumë se 110 milionë lekë (1.1 milionë euro) disa kompanive dhe OJF-ve të kontrolluara nga bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa.

    “Nga shtetasit nën hetim, specifikisht Erion Veliaj, si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, Ajola Xoxa., është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme,” tha SPAK në njoftim për shtyp.

    Megjithatë, këto pagesa, që dyshohen se janë në formën e pastrimit të parave dhe kishin për qëllim të justifikonin shpenzimet marramendëse që bënte bashkëshortja e kryebashkiakut për veshje firmato, bizhuteri dhe aksesorë, mund të jenë vetëm maja e ajsbergut.

    Veliaj i ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ka pretenduar se po persekutohet padrejtësisht, duke lëshuar një lumë me akuza ndaj prokurorit të çështjes, Ols Dado, dhe gjyqtarit Erion Bani.

    “Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion,” deklaroi ai pas arrestimit. “Kjo historia jonë është aq tragjikomike sa njerëzit s’do ta besojnë kur t’i dëgjojnë të zbërthyera një e nga një idiotësitë e asaj akuze,” shtoi Veliaj.

    Emri:  Screenshot 2025-02-16 at 5.21.23 PM.jpg

Shikime: 33

Madhësia:  14.2 KB

    Në total, SPAK ka identifikuar pesë kompani - Agi Kons, Fusha, Gerard-A, Noa Control dhe One Albania – të cilat kanë përfituar 22 procese prokurimi publik, për një vlerë totale prej 7.9 miliardë lekë (79 milionë euro) nga Bashkia Tiranë.

    Nga këto pesë kompani, SPAK ka kërkuar masa sigurie në gjykatë vetëm për administratorët e Agi Kons, Gerard-A dhe Fusha shpk.

    Kompania me numrin dhe vlerën më të lartë të prokurimeve është Agi Kons, me administrator biznesmenin Gentjan Sula. Sipas SPAK, Sula dhe Veliaj kanë një lidhje të hershme me njëri-tjetrin, e cila shkon pas në vitet 2004-2005 dhe provohet nga udhëtimet jashtë vendit me avionë ‘charter' dhe transaksionet me pasuri të paluajtshme.

    Sipas SPAK, kompania Agi Kons ka përfituar 4.9 miliardë lekë në prokurime dhe koncesione nga Bashkia e Tiranës, një pjesë të të cilave ia ka transferuar kompanive dhe OJF-ve të kontrolluara nga Ajola Xoxa. Xoxa gjithashtu dyshohet se ka përfituar një vilë në Marea Resort në Qerret nga Agi Kons.

    Duke u bazuar në të dhënat dokumentare të pagesave të administrimit të resortit, qelizave të kompanive celulare, dëshmive të punonjësve dhe miqve të çiftit Xoxa-Veliaj, si dhe komunikimeve elektronike të Ajola Xoxës, SPAK ka arritur në përfundimin se vila me vlerë të përllogaritur në 500 mijë euro është në pronësinë faktike të familjes Veliaj-Xoxa.

    E dyta në listën e përfitueseve që dyshohet se ka transferuar ryshfete drejt kompanive ose OJF-ve të kontrolluara nga Ajola Xoxa, është kompania Fusha Shpk. E administruar nga biznesmeni Shkëlqim Fusha, sipas SPAK, kjo kompani ka përfituar 2.2 miliardë lekë (22 milionë euro) nga Bashkia Tiranë.

    Kjo kompani ka bërë disa pagesa ndaj personave fizikë, të cilat pastaj ia kalonin një pjesë të parave qendrës ‘Harabel', të themeluar nga Ajola Xoxa.

    “Thënë ndryshe, gjysmën e shumës së marrë nga Fusha Shpk këto shtetase, në cilësinë e personave fizikë, e kanë kaluar në llogaritë e Qendrës Harabel,” shkruan SPAK.

    Kompania e tretë në listë, për nga niveli i përfitimeve nga kontratat publike është Gerard-A. Kjo kompani ka marrë 619 milionë lekë nga Bashkia e Tiranës dhe entitetet në varësi të saj, përshirë UKT, Drejtorinë e Pastrimit dhe Gjelbërimit apo Drejtoria nr. 2 Punëtorëve të Qytetit.

    Kjo kompani është në pronësi të shtetasit Sokol Kryeziu, por SPAK ka ngritur dyshime se ajo në të vërtetë kontrollohet nga dikush tjetër.

    “Ky shtetas ka punuar si kontrollor deri në momentin që ka blerë shoqërinë,” shprehet SPAK për Kryeziun, ndërsa shton se sipas kontratës së shitjes shoqëria është blerë për shumën 33.4 milionë lekë, vlerë e cila do të paguhej me këste për gjashtë vjet.

    “Gjithashtu, i njëjti shtetas rezulton se në periudhën 21.10.2017 deri më 26.02.2018 ka punuar si fshesar në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrim Gjelbërimit,” shton organi i akuzës.

    Megjithëse në dukje pa lidhje me botën e artit, Kryeziu, gjatë periudhës dhjetor 2023 dhe janar 2024, ka blerë disa piktura nga Nan Gallery, e kontrolluar nga Ajola Xoxa, me vlerë 5 milionë lekë.

    Emri:  Screenshot 2025-02-16 at 5.21.53 PM.jpg

Shikime: 33

Madhësia:  15.3 KB

    Një tjetër formë që sipas SPAK përdorej nga Veliaj për të pasuruar familjen e tij me fondet publike, ishte nëpërmjet OJF-ve të financuara nga Bashkia e Tiranës. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, shtatë OJF të financuara nga Bashkia e Tiranës me një vlerë prej më shumë se 1 miliard lekë (10 milionë euro), kanë bërë pagesa drejt kompanive dhe entiteteve fitimprurëse të kontrolluara nga Ajola Xoxa.

    OJF-ja me financimin më të lartë mes tyre është Kongresi Rinor Kombëtar (KRK), një entitet që ka marrë 942 milionë lekë nga Bashkia e Tiranës, gjatë viteve 2022-2024. Kjo organizatë i ka transferuar më pas 4 milionë lekë organizatës Balkan Youth Link – Albania (BYL-A), e cila kontrollohej nga Xoxa dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, deputetja e PS-së, Klotilda Busha.

    BYL-A ka përfituar drejtpërdrejt 5 milionë lekë nga Bashkia e Tiranës, me firmën e kryebashkiakut Erion Veliaj, e ndjekur nga Shoqata Bash-Art, Eventus, Community Assist, qendra Frobolous dhe qendra Muza.

    BIRN

  8. #88
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,797
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Erion Veliaj dyshohet se i dha leje ndërtimi për pallat fisit të Ajolës

    Kryebashkiaku firmosi një leje ndërtimi për pallat mbi pronën e gruas dhe vjehrrës së tij, e cila u transferua për 140 mijë euro kushëririt të saj, Valmir Xoxa - akademik dhe muzikant në bandën frymore të Bashkisë së Tiranës, në një transaksion për të cilin SPAK ngre dyshime se është fiktiv.

    Nga Besar Likmeta

    Emri:  Erion-Veliaj-ne-kantier-rindertimi.jpg

Shikime: 32

Madhësia:  34.4 KB
    Erion Veliaj në kantier rindërtimi

    Natën e 26 nëntorit 2019, ndërsa lëkundjet e tërmetit më shkatërrimtar të këtij shekulli goditën Tiranën, Valmir Xoxa dhe bashkëshortja e tij dolën me ngut nga shtëpia, duke marrë me vete vetëm dy jastëkë të vegjël. Sipas Xoxës, aty ishin kursimet e një jete prej asketi – e mbështetur me një rrogë si pedagog në Akademinë e Arteve dhe një pagë shtesë si anëtar i bandës frymore të kryeqytetit.

    Por pavarësisht të ardhurave modeste, Xoxa arriti të bëjë një investim që ka ngjallur interesin e prokurorëve të posaçëm të SPAK. Me kursimet e fshehura në jastëk dhe, sipas tij, me të ardhura të padeklaruara nga kurse tenisi, ai bleu një pronë për 145 mijë euro dhe një makinë për 23 mijë euro nga kushërirat e tij, Ajola dhe Valbona Xoxa.

    Sot, mbi këtë pronë po ngrihet një pallat, i miratuar me firmën e bashkëshortit të Ajolës, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Dhe kjo ka bërë që rrëfimi i Valmir Xoxës të përfundojë në dosjen hetimore për korrupsion dhe pastrim parash ndaj kreybashkiakut.

    Më 16 janar 2025, Valmir Xoxa u ul përballë prokurorëve të SPAK për të dhënë shpjegime mbi burimin e pasurisë së tij. Në deklaratën e tij, të cituar në kërkesën për masë sigurie ndaj Veliajt, Xoxa pretendon se ai dhe bashkëshortja e tij kishin kursyer çdo qindarkë, duke shmangur çdo shpenzim të panevojshëm.

    “Deklaruesi shprehet se nuk kanë harxhuar asnjë lek për një kohë të gjatë, pasi shpenzimet e tyre si familje i kishte marrë përsipër vjehrra e tij,” thuhet në dokumentin e SPAK. “Ata vetë nuk kanë shpenzuar për ushqim dhe për asgjë tjetër, pasi duhej të kursenin lekët.”

    Por prokurorët nuk janë bindur. Ata dyshojnë se transaksioni i shitjes së pjesëve takuese në dy vila, nga Ajola dhe Valbona Xoxa drejt Valmir Xoxës ka qenë fiktiv, duke qenë se ky i fundit nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar blerjen e pasurive dhe makinës.

    Transaksionet e tij dyshohet se janë një skemë për të fshehur lidhjen e drejtpërdrejtë të Veliajt me pronën mbi të cilën ai më vonë ka firmosur lejen e ndërtimit.

    Valmir Xoxa është djali i xhaxhait të Ajola Xoxës. Sipas deklarimeve të tij në prokurori, Valmiri merr një pagë prej 92 mijë lekësh në muaj nga Akademia e Arteve dhe 20 mijë lekë, si pagë shtesë nga banda frymore e Bashkisë së kryeqytetit.

    Por, pavarësisht të ardhurave të kufizuara dhe në mungesë të një pasurie të dokumentuar, ai arriti të bëjë një seri blerjesh dhe marrëveshjesh në pasuri të patundshme që sot janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

    Pjesë e hetimit voluminoz të SPAK është një transaksion i kryer nw vitin 2020, kur Valmir Xoxa bleu për 140 mijë euro pjesën takuese të dy vilave nga kushërirat e tij, Ajola dhe Valbona Xoxa, trashëgimtaret e publicistit Arben Xoxa. Tokat dhe ndërtesat e blera ndodheshin pranë Shkollës së Kuqe, një zonë qendrore e Tiranës. Sipas Valmir Xoxës, ai synonte të vendosej në katin e tretë të njërës prej vilave.

    Pak kohë pas këtij transaksioni, vilat u shembën dhe trualli iu dha për zhvillim një firme ndërtimi, e cila më pas siguroi një leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, e firmosur nga vetë Erion Veliaj, kryetari i bashkisë dhe bashkëshorti i Ajola Xoxës.

    Kjo koincidencë e ka bërë SPAK-un të ngrejë dyshime mbi ligjshmërinë e transaksionit dhe të ardhurat e Valmir Xoxës.

    Pavarësisht se sipas SPAK, deklaruesi e ka ndryshuar disa herë versionin e fakteve, ai përfundimisht ka pohuar se nga dhënia e pjesës së tij të bashkëpronësisë për ndërtim do të përfitonte një apartament 60 m², një dyqan 70 m² dhe një post parkimi, megjithëse ai vetë nuk kishte informacion mbi ndërtuesin, konfigurimin e pronave dhe as nuk kishte shkuar të shihte pallatin.

    Gjithashtu, sipas organit të akuzës, në të njëjtën periudhë që ky shtetas supozohet se dispononte në banesë rreth 140 mijë euro kursime cash, ka aplikuar dhe ka përfituar një kredi të butë për strehim nga Bashkia Tiranë, për rreth 40 mijë euro.

    Sipas SPAK, me këto të holla, në vend që të siguronte menjëherë një strehim për vete dhe familjen e tij, Valmiri porosit një apartament tjetër, në të njëjtën ndërtesë e cila po ndërtohet mbi truallin në bashkëpronësi të tij.

    Pallati është ndërtuar nga firma ‘Atelier 4′, me administrator Alban Efthimi. Vëllai i tij, Olsi Efthimi, është një mik i ngushtë i çiftit Xoxa-Veliaj. Efthimi ka deklaruar në SPAK se nuk kishte dijeni se kush e kishte kontaktuar për projektin në pronën e fisit Xoxa.

    Dyshime ka ngritur edhe blerja e një automjeti Benz C-Class, viti 2010, nga Valmiri. Ai i ka paguar Valbona Xoxës në vitin 2022 për makinën 23 mijë euro, ndërkohë që i njëjti mjet ishte blerë nga i ndjeri Arben Xoxa për 7 mijë euro.

    Deklaruesi është shprehur në SPAK se çmimin e kishte caktuar ai vetë, për arsye sentimentale por edhe për faktin se mjeti ishte në gjendje mjaft të mirë, duke e cilësuar “super mjet”. Megjithatë, 6 muaj pas blerjes së mjetit, Benz-i pëson një defekt dhe Valmiri e shet për 11 mijë euro.

    “Megjithëse e ka blerë mjetin për 23 mijë euro, deklaruesi shprehet se Ajola Xoxa kishte dashur t’ia shiste poshtë çmimit aktual të pronës, por ai ka insistuar që ta blinte me çmimin e mësipërm,” shkruan SPAK.

    “I pyetur në lidhje me mënyrën e likuidimit të mjetit, në formë bankare apo cash, deklaruesi është përgjigjur se nuk e mbante mend,” përfundon dokumenti i SPAK.

    BIRN

  9. #89
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,797
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    'Bashkëpunëtor i Ramës'/ Der Standard: Çifti Veliaj-Xoxa u arrestuan për korrupsion! Nën hetim edhe për inceneratorin dhe 5D

    Emri:  auto_efc048e5-d0c0-4313-b12e-79f56c03bf5d1739737983.jpg

Shikime: 32

Madhësia:  45.6 KB

    Arrestimi i Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, duke u raportuar gjerësisht nga gazeta prestigjioze si “Der Standard”.

    Ky zhvillim ka shkaktuar tronditje të madhe në skenën politike shqiptare, ndërsa drejtësia heton rolin e Veliajt në keqpërdorimin e fondeve publike, si në rastin e inceneratorit të Tiranës, ashtu edhe për skandalin 5D.

    Gjithashtu në artikull thuhet se Veliaj është një figurë qendrore e Partisë Socialiste në pushtet të Edi Ramës dhe një bashkëpunëtor i tij prej shumë vitesh.

    Artikulli i plotë i ‘Der Standard’:

    Për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe pastrim parash, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua të hënën. Ai është një figurë qendrore e Partisë Socialiste në pushtet të Edi Ramës dhe një bashkëpunëtor i tij prej shumë vitesh. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kohë që po heton Veliajn, duke e akuzuar për marrje ryshfeti dhe përfshirje në skema pastrimi parash.

    Sipas raportimeve të së martës, edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është arrestuar në shtëpi. Ajo dyshohet, ndër të tjera, për deklarime të rreme të pasurisë. Përveç kësaj, po hetohen edhe pesë biznesmenë. SPAK dyshon se Veliaj dhe Xoxa kanë krijuar një skemë për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet publike të Bashkisë së Tiranës. Veliaj dyshohet se ka miratuar shpërndarjen e këtyre fondeve dhe dhënien e lejeve të ndërtimit për kompani të lidhura ngushtë me të.

    "Këto fonde publike më pas përfundonin në disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe individë që, de jure dhe de facto, kontrolloheshin nga bashkëshortja e tij dhe persona të afërt me të, duke krijuar kështu një rrjet të ndërlikuar dhe të dyshimtë transaksionesh," deklaroi SPAK. Gjithashtu, një deputet është vënë nën hetim për pengim të drejtësisë.

    Gazetaren e quajti "vrasëse me pagesë"

    Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që nga viti 2015. Ai është kritikuar për qëndrimin e tij ndaj mediave, duke e quajtur një gazetare "vrasëse me pagesë". Kohët e fundit, ndaj tij janë shtuar edhe akuzat për korrupsion. Disa zyrtarë të lartë të bashkisë, të gjithë nën vartësinë e Veliajt, u përfshinë në një skandal për shpërdorimin e fondeve publike të destinuara për ndërtimin e inceneratorëve të mbetjeve në Tiranë. Bashkia kishte paguar shuma shumë më të larta sesa vlera reale për këto projekte.

    Një tjetër skandal përfshinte kompaninë 5D, e cila ishte themeluar nga zyrtarë të lartë të bashkisë dhe kishte përfituar disa tenderë publikë. Për këtë arsye, në prill 2024, Veliaj u mor në pyetje nga SPAK. Në Tiranë, ai njihet me pseudonimin "Lali Eri", një shprehje popullore që do të thotë "Vëllai i Madh Eri".

    Syri

  10. #90
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,797
    Postimet në Bllog
    22

    Për: SPAK arreston kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij me akuza korrups

    Erion Veliaj apelon masën e ‘arrestit me burg’

    Erion Veliaj i është drejtuar Apelit të Posaçëm duke kundërshtuar vendimin në mungesë të 9 shkurtit të gjyqtarit Erion Bani, që i hapi rrugë arrestimit të tij një ditë më pas.

    Burimet konfirmojnë për gazetarin e SYRI TV Fatjon Gjinaj se kërkesa është dorëzuar me postë në Sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, në datën 14 shkurt, vetëm nga mbrojtja e Veliajt dhe jo o shoqja Ajola Xoxa, ndërsa pritet që të hënën e 17 shkurtit të mbërrijë në Apel kërkesa, gjykatë e cila do të vendosë nëse do e shqyrtojë ose jo kërkesën.

    Mbrojtja e Veliajt thotë se është duke pritur zbardhjen e vendimit të 12 shkurtit, të seancës ku kryebashkiaku u mor në pyetje si dhe iu rikonfirmua arresti në burg, për t’iu drejtuar Apelit të Posaçëm me një tjetër ankim.

    Erion Veliaj mbahet në qeli për korrupsion pasiv në të paktën 9 episode dhe për pastrim parash, kryer në bashkëpunim. Në seancën e vlerësimit të masave, GJKKO rikonfirmoi 6 nga 8 masat e sigurisë, përkatësisht arrestin në burg për Erion Veliajn dhe biznesmenin Elman Abule, si dhe 4 masa të tjera detyrim paraqitje për biznesmenët e ndërtimit Shkëlqim Fusha, Gentjan Sula, Fatmir Bektashi e Meriman Palushi.

    Për bashkëshorten e kryebashkiakuut, gjyqtari Erion Bani zbuti masën nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, përkundër qëndrimit të prokurorëve Ols Dado e Altin Dumani që kërkuan vijimin e masës. Ndërkohë deri më tani nuk është konfirmuar ende ekzekutimi i masës detyrim paraqitje për biznesmenin Sokol Kryeziu i cili rezulton të jetë jashtë vendit.

    Veliaj sipas SPAK, dhe një mori lejesh ndërtimi biznesmenëve, teksa këta të fundit paguanin fatura të majme kryesisht përmes OJF-ve të Ajola Xoxës, në formë sponsorizimesh të aktiviteteve artistike apo konsulencës ligjore.

    Syri

Faqja 9 prej 13 FillimFillim ... 7891011 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 27-02-2025, 12:50
  2. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 06-09-2024, 23:18
  3. Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 02-05-2024, 13:53
  4. SPAK thërret Erion Veliaj dhe e merr në pyetje për 7 orë
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 01-05-2024, 10:51
  5. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 05-04-2024, 12:37

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •