Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22

    Fushata e fshehtë në Facebook e ndërtuesve të kullave për të fituar votën e Diasporës për Edi Ramën

    Qiellgërvishtës dhe reklama: Fushata e fshehtë në Facebook për votën e Diasporës

    Dy agjenci marketingu dhe një biznesmen, mbështetës i Partisë Socialiste – i cili mori një leje ndërtimi për tre kulla në zemër të Tiranës, janë fijet lidhëse pas një fushate reklamash online dhe ‘Turit të Diasporës’ të Partisë Socialiste.

    Nga Besar Likmeta

    Emri:  Qiellgervishtes-dhe-reklama.jpg

Shikime: 1710

Madhësia:  52.5 KB
    Qiellgërvishtës dhe reklama | Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/BIRN

    Në një pasdite të ftohtë janari, Aldo* – një emigrant shqiptar 37-vjeçar me banim në veri të Italisë po shfletonte Instagramin. Mes fotove të skuadrës së tij të zemrës, “AC Milan” dhe postimeve të familjarëve dhe miqve nga Shqipëria, një reklamë i tërhoqi vëmendjen. E shkruar në shqip, me gjuhë të thjeshtë dhe tone emocionale, reklama ishte një thirrje për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit si ai: “Platforma juaj për lidhjen me Shqipërinë! Ekipi ynë është këtu për të ndihmuar shqiptarët e diasporës të kontribuojnë dhe të qëndrojnë të lidhur me vendlindjen.”

    Reklama lidhej me një faqe në Facebook që ofronte ndihmë praktike për shqiptarët e diasporës që dëshirojnë të regjistrohen për të votuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo i ftonte emigrantët të plotësojnë një formular, duke kërkuar detaje personale si emrin e plotë, adresën e emailit, numrin e telefonit dhe qytetin ku ishin të regjistruar në Shqipëri. Mesazhi përfundonte me një shënim patriotik: “Mbështetja juaj për një Shqipëri më të mirë fillon këtu!”

    Fillimisht, Aldo thotë se reklama iu duk e padëmshme – një përpjekje për të angazhuar diasporën në zgjedhje. Por kërkesa për të ndarë të dhënat personale e bëri të dyshonte. Reklama nuk e specifikonte saktësisht se kush e ofronte ndihmën, ndërsa lidhja të çonte në një faqe Facebook-u të quajtur “Diaspora Fier”, për të cilën ai nuk kishte dëgjuar më parë. Faqja nuk kishte postime dhe as informacion se kush e kishte krijuar dhe se kush qëndronte pas saj.

    “Postimi kërkonte të vendoste një kontakt me emigrantët për të orientuar votën,” tha Aldo, në një intervistë përmes aplikacionit Zoom. “Nuk kishte transparencë dhe kërkesa për të dhënat personale përbën shkelje të GDPR-së,” shtoi ai, duke iu referuar direktivës së BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale.

    Reklama e ‘Diaspora Fier’ është pjesë e një fushate të gjerë marketingu elektoral online që ka në qendër të saj votuesit shqiptarë të diasporës. Sipas të dhënave të Meta – kompania mëmë e platformës Facebook dhe Instagram – qindra mijëra përdorues me banim në Itali janë shënjestruar që nga fillimi i janarit me reklama të ngjashme nga të paktën pesë faqe në Facebook dhe Instagram, duke i ofruar asistencë për t’u regjistruar si votues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

    Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se pas kësaj fushate qëndrojnë të paktën dy kompani marketingu, ‘Cambria Marketing Srl’ dhe ‘1001 Solutions’ si dhe një portal lajmesh – të cilat kanë lidhje të shumëfishta me biznesmenin Ylli Ujka, organizator i një tubimi të madh për Partinë Socialiste në Busto Arsizio, në provincën e Varezes, më 26 maj 2024.

    Pas tubimit, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe u transmetua live nga platforma qeveritare ERTV në Facebook, një nga kompanitë e Ujkës mori një leje për ndërtimin e dy kullave dhe një hoteli shumëkatësh në qendër të Tiranës.

    Fushata e reklamave në Facebook lidhet me një përpjekje më të madhe elektorale të Partisë Socialiste të titulluar si “Turi i Diasporës” – i udhëhequr nga Ministri i Shtetit Taulant Balla dhe kryeministri Edi Rama, për të ndikuar votën e emigrantëve shqiptarë. Kjo përfshin dhjetëra takime elektorale në Itali, Greqi, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, me pjesëmarrës artistë, muzikantë dhe futbollistë shqiptarë të Kombëtares.

    Kodi Zgjedhor nuk i rregullon drejtpërdrejt reklamat politike në rrjete sociale, shpenzimet në fushata zgjedhore nga palët e treta – siç shfaqet biznesmeni Ujka dhe as shpenzimet apo dhuratat në natyrë ndaj partive politike që jepen jashtë periudhës 30-ditore të fushatës zgjedhore.

    Megjithatë, këto reklama, si dhe takimet politike në diasporë, ngrenë shqetësime mbi transparencën e financimeve të garës zgjedhore, burimin e parave të përdorura, si dhe përfitimet e mundshme të financuesve nga fondet dhe vendimet e qeverisë.

    Të kontaktuar nga BIRN, Cambria Marketing dhe 1001 Solutions refuzuan të hidhnin dritë mbi financuesit e fushatës së reklamave. Biznesmeni Ylli Ujka* tha në një bisedë telefonike se “kam mikpritur kryeministrin dhe do mikprisja çdo qytetar shqiptar dhe kryeministër të Shqipërisë”. Partia Socialiste nuk iu përgjigj një kërkesë për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

    Ndërkohë, zyra e kryeministrit Edi Rama deklaroi se marrja e lejes së ndërtimit nga kompania e Ujkës ishtë një e drejtë që nuk mund të mohohet.

    “Leja e zhvillimit të pronës është një e drejtë, jo një favor,” tha Rama, nëpërmjet një zëdhënëse. “Ndaj, insinuata të tilla janë për të ardhur keq”, shtoi ai.

    Fushata në Facebook

    Emri:  Screenshot 2025-01-27 at 10.54.28 AM.jpg

Shikime: 1712

Madhësia:  21.0 KB

    Sipas Censit Kombëtar të Popullsisë dhe Banesave të vitit 2023 dhe regjistrit civil, së paku 2.2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Një pjesë e shqiptarëve që banojnë jashtë vendit dhe kanë mbushur moshën 18 vjeç, do të kenë mundësi për herë të parë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë balancat elektorale në vend.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, (KQZ), deri më datë 23 janar ka pasur mbi 60 mijë kërkesa për t'u regjistruar si votues nga jashtë, nga të cilat 34.1% vijnë nga Italia.

    Nëpërmjet kërkimeve në librarinë e reklamave të Meta, BIRN arriti të identifikonte pesë faqe Facebook-u dhe Instagrami, që nëpërmjet reklamave kanë shënjestruar pjestarë të diasporës shqiptare në Itali, duke u ofruar asistencë për t'u regjistruar si votues jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ose duke bërë reklama për të promovuar dy eventet kryesore të “Turit të Diasporës” së Partisë Socialiste në Itali.

    Deri më 19 janar 2025, kjo fushatë reklamash kishte arritur më shumë se 1.1 milion njerëz në aplikacionet Instagram, Facebook dhe Messenger, nëpërmjet 51 reklamave, nga të cilat vetëm 37 ishin identifikuar si reklama për çështje politike ose sociale.

    Shumica e reklamave, ose 37 prej totalit, janë bërë nga faqja e Facebook-ut e titulluar ‘Comunità Albanese in Italia', dhe sipas të dhënave të Meta, janë amplifikuar nga agjencia italiane e marketingut ‘Cambria Marketing Srl'. Faqja ‘Comunità Albanese in Italia' është themeluar më 13 maj 2024.

    Qëllimi kryesor i saj ka qenë promovimi i një takimi elektoral të madh të kryeministrit Edi Rama në pallatin e Sportit të Busto Arsizios më 26 maj 2024, ku të ftuar për të performuar ishin gjithashtu këngëtarët Alban Skënderaj, Elvana Gjata, Noizy, Artiola Toska dhe Anxhela Peristeri. Reklama të ngjashme janë bërë edhe për një takim të ministrit të Shtetit, Taulant Balla, në pallatin e Kongreseve në Firence më 20 dhjetor, edhe ky pjesë e “Turit të Diasporës.”

    Pas hapjes së regjistrimit të votuesve nga jashtë në fillim të janarit, kjo faqe ka lëshuar një blic me reklama duke ofruar ndihmë për regjistrim votuesve nga diaspora dhe duke mbledhur njëkohësisht të dhëna personale të tyre. Reklamat e amplifikuara nga ‘Cambria Marketing Srl' kanë shënjestruar në veçanti votues të diasporës që kishin origjinë nga tre qarqe në Shqipëri: Tirana, Lezha dhe Fieri.

    “Lezha ka nevojë për ty: vota jote mund të bëjë diferencën. Voto nga Italia,” shkruan një nga reklamat e ‘Comunità Albanese in Italia,' ku teksti mbivendoset mbi flamurin shqiptar, me shqiponjën e zezë dykrenore të vendosur mbi një sfond të kuq.

    Reklama i premton emigrantëve ndihmë falas për t'u regjistruar nëpërmjet telefonit, por ndërkohë i kërkon të dërgojnë informacion se sa persona votojnë në familje, cili është vendi i origjinës, emrin, email-in dhe numrin e telefonit.

    Emri:  473679540_1553034158746193_1774373978746251010_n.jpg

Shikime: 1714

Madhësia:  37.0 KB

    Emri:  443840774_1601565097275587_2374041289882330891_n.jpg

Shikime: 1714

Madhësia:  50.9 KB

    Emri:  469881714_577213738252096_1354626067277338240_n.jpg

Shikime: 1717

Madhësia:  25.5 KB

    Emri:  443719883_420541780823276_7394694849457031567_n.jpg

Shikime: 1722

Madhësia:  52.7 KB

    Emri:  473589534_1361679671489858_1429674501025982515_n.jpg

Shikime: 1717

Madhësia:  37.7 KB

    Emri:  473779316_600227132708245_2125036677754367065_n.jpg

Shikime: 1717

Madhësia:  22.2 KB

    Emri:  473589008_1849530675864222_8789148938764058869_n.jpg

Shikime: 1717

Madhësia:  44.4 KB

    I pyetur nga BIRN nëpërmjet telefonit, Massimiliano Cambria – drejtues i ‘Cambria Marketing' – tha se nuk e kishte të lejuar ta zbulonte burimin që paguante për këto reklama në Facebook.

    Një fushatë e ngjashme është bërë edhe nga dy faqe të tjera, të regjistruara më 7 janar 2025, ‘Diaspora Fier' dhe ‘Diaspora Lezhë', të cilat ofrojnë gjithashtu ndihmë që emigrantët të regjistrohen në zgjedhje, por u kërkojnë ngjashëm të dhënat personale.

    “Ekipi ynë është këtu për të ndihmuar shqiptarët e diasporës të kontribuojnë dhe të qëndrojnë të lidhur me vendlindjen,” shkruan një nga reklamat në Facebook, duke u kërkuar shqiptarëve me banim jashtë vendit emrin, mbiemrin, vendin ku banojnë, numrin e telefonit dhe email-in.

    “Ekipi ynë do t'ju kontaktojë së shpejti për të vazhduar me ndihmën që ju nevojitet. Jemi këtu për t'ju udhëhequr në çdo hap – sepse zëri juaj ka rëndësi për të ardhmen e Shqipërisë,” shton ajo.

    Këto dy faqe kanë postuar 8 reklama në Facebook, Instagram dhe Messenger që nga fillimi i janarit 2025. Këto reklama janë amplifikuar nga një kompani marketingu në Tiranë e quajtur ‘1001 Solutions' Shpk.

    Ngjashëm me ‘Cambria Marketing', drejtuesja e ‘1001 Solutions' nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për transparencë mbi fushatën e reklamave.

    BIRN arriti të identifikonte dhe dy llogari të tjera që kanë promovuar aktivitete politike: “@diaspora.shqiptare” në Instagram dhe një portal lajmesh i quajtur Radar.al, të cilat kanë promovuar një takim të ministrit të Shtetit, Taulant Balla, me diasporën në pallatin e kongreseve në Firence më 20 dhjetor 2024.

    ‘Turi i Diasporës'


    Kur Edi Rama hyri në sallën e E-Work Arena të Busto Arsizios më 26 maj, shkallët dhe fusha e pallatit të sportit, ku zhvillohen ndeshje volejbolli, ishin të mbushura me emigrantë shqiptarë që valëvisnin flamurin kombëtar dhe atë italian tre-ngjyrësh.

    Pas performancave nga këngëtare të njohura si Elvana Gjata, Artiola Toska dhe të tjerë, si dhe pas himnit të flamurit të të dy vendeve, kryeministri Rama hipi në skenë për të mbajtur një fjalim, mes brohoritjeve "Edi, Edi."

    “Shqipëria ka fituar besimin e botës dhe e meriton edhe besimin e çdo shqiptari si ju,” i tha Rama të pranishmëve, ndërsa në rreshtin e parë të sallës dallohej bashkëshortja e tij Linda Rama, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe ish-ministri i Mjedisit, Blendi Klosi.

    Ngjitur me Ramën, Klosin dhe ministrat, ishte edhe biznesmeni Ylli Ujka.

    Në një intervistë për VareseNews.it, dy ditë para eventit në Busto Arsizio, Ujka i tha medias italiane se ai ishte një mbështetës i kryeministrit Edi Rama.

    "Përkrah qeverinë e tij dhe besoj se ky event në Busto Arsizio është shumë i rëndësishëm për komunitetin shqiptar, sepse synohet të ofrohet një moment për të kujtuar të kaluarën dhe në të njëjtën kohë për të parë drejt së ardhmes,” tha ai.

    “Besoj se Rama përfaqëson në mënyrë të përkryer shpirtin shqiptar, një popull i vogël, por me zemër të madhe,” shtoi Ujka, duke theksuar se, “jam i sigurt që salla do të jetë plot.”

    Ujka është një personazh pak i njohur në Shqipëri, por në zonën e Vareses në Itali ai drejton grupin industrial IDA, i cili prodhon materiale izoluese për industrinë e ndërtimit.

    Në tre vitet e fundit, së bashku me ortakun e tij Çesk Ivanaj, ai ka investuar në 4 kompani shqiptare, ka prodhuar një film me aktorin hollivudian Danny Glover dhe ka financuar skuadrën e basketbollit “Besëlidhja” në qytetin e tij të lindjes, Lezhë.

    Në Shqipëri, Ujka është bashkëaksioner i kompanive Sole Mio Group, Radar Media Group, X One dhe Growing Group.

    Dy muaj pas tubimit të suksesshëm të diasporës të organizuar në Milano nga Ujka, më 31 korrik 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi një leje ndërtimi për kompaninë X One për objektin “Grand Park Skyline,” me vendndodhje në Rrugën Adem Jashari në Tiranë, në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial.

    Emri:  444192440_1007736494055345_3372948135326929874_n.jpg

Shikime: 1724

Madhësia:  51.3 KB
    Takimi me diasporën në Busto Arsizio, Vareze, Itali

    Projekti përfshin tre objekte: dy rezidenca dhe një hotel, të larta respektivisht 51, 40 dhe 71 kate, me një sipërfaqe totale prej gati 150 mijë metra katrorë. Hoteli pritet të mbajë markën e luksit Philip Plein.

    Përveçse organizator i eventit në Milano, Ujka ka edhe lidhje të dyfishta me fushatën e reklamave që shënjestron votuesin e diasporës dhe ka promovuar në media sociale “Turin e Diasporës” së Partisë Socialiste në Itali.

    Kompania e tij IDA në Itali është kliente e “Cambria Marketing Srl”, ndërkohë që Radar Media është në bashkëpronësi të Ujkës dhe agjencisë së marketingut 1001 Solutions. Klientët kryesorë të kësaj të fundit janë kompanitë ku Ujka është aksioner.

    Agjencia e marketingut 1001 Solutions ka organizuar edhe eventin e prezantimit të projektit Grand Park Skyline në Tiranë, si dhe fushatën e filmit të prodhuar nga Ujka me Danny Glover, të titulluar Prokurori.

    Edhe Radar.al, ku Ujka është aksioner, ka bërë të paktën një reklamë për të promovuar takimin me diasporën të ministrit të Shtetit, Taulant Balla, më 20 dhjetor në Firence.

    *Emri është ndryshuar për ruajtjen e privatisë. * Shkrimi u amendua për të reflektuar qëndrimin e biznesmenit Ylli Ujka, i cili mbërriti në redaksi pas publikimit të tij.


    BIRN

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    EdiR (28-01-2025)

  3. #2
    i/e regjistruar Maska e EdiR
    Anëtarësuar
    24-05-2002
    Vendndodhja
    Madison, WI, U.S
    Postime
    1,015

    Për: Fushata e fshehtë në Facebook e ndërtuesve të kullave për të fituar votën e Diasporës për Edi R

    Leja pe te dashurit e kryministrit aktual eshte e drejte, per ate te kaluarin eshte per tu ndeshkuar. Ironia e radhes per drejtesine Shqiptare.
    Ndryshuar për herë të fundit nga EdiR : 31-01-2025 më 18:19
    Nje komb, nje gjuhe, nje shtet.
    https://chng.it/LqW9qg4bkD

  4. #3
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,592
    Postimet në Bllog
    1

    Për: Fushata e fshehtë në Facebook e ndërtuesve të kullave për të fituar votën e Diasporës për Edi R

    Nuk ka nevoje Rama per shume publicitet, i mjafton puna e bere dhe vete ka performancen e duhur
    Duaje te afermin tend si veten

  5. #4
    i/e regjistruar Maska e EdiR
    Anëtarësuar
    24-05-2002
    Vendndodhja
    Madison, WI, U.S
    Postime
    1,015

    Për: Fushata e fshehtë në Facebook e ndërtuesve të kullave për të fituar votën e Diasporës për Edi R

    Une uroj qe te githe Shqiptaret si brenda dhe jashte Shqiperise te mos genjehen me nje thes miell, me bonusin 10000, me uljen e KWH me 1 lek, e shume gjera te tjera qe shtojne varferine, dhe drejtperdrejt ndikojne ne shpopullimim e Shqiperise.
    Nje komb, nje gjuhe, nje shtet.
    https://chng.it/LqW9qg4bkD

  6. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Fushata e fshehtë në Facebook e ndërtuesve të kullave për të fituar votën e Diasporës për Edi R

    Fushata në Facebook: Faqe anonime, bot-e nga Vietnami dhe Inteligjencë Artificiale

    Rrjetet anonime të amplifikimit të popullaritet të përmbajtjes, reklamat jotransparente dhe përdorimi joetik i Inteligjencës Artificiale sfidojnë standardet e garës elektorale në rrjete sociale për zgjedhjet e 11 majit.

    Nga Besar Likmeta

    Emri:  Fushata-ne-Facebook.jpg

Shikime: 446

Madhësia:  52.8 KB
    Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN.

    Më 19 mars, një faqe me emrin “Team Edi Rama” u shfaq në Facebook, Instagram dhe TikTok. Faqja, e cila e përshkruan veten si “një komunitet i dedikuar për mbështetësit dhe simpatizantët e Kryeministrit Edi Rama”, publikon rregullisht përmbajtje propagandistike në mbështetje të Partisë Socialiste dhe shpesh denigruese ndaj opozitës së drejtuar nga Sali Berisha.

    Edhe pse ka rreth 4 mijë ndjekës, videot e “Team Edi Rama” shpesh marrin mijëra ndërveprime – përfshirë pëlqime, shpërndarje dhe komente, dhe qindra mijëra shikime në Facebook.

    Popullariteti i saj është i lidhur me dy faktorë: sponsorizimet nëpërmjet reklamave në Facebook dhe Instagram – një pjesë e tyre nga kompania “Acromax” me qendër në Gjermani, dhe pëlqimet e marra nga profile me origjinë nga Vietnani – shumë prej të cilave duken anonime ose të automatizuara.

    Të dhënat e ndërveprimeve të faqes të mbledhura dhe të analizuara nga BIRN, tregojnë se brenda vetëm një muaji, videot e publikuara nga “Team Edi Rama” janë parë mbi 1.6 milionë herë.

    Kjo faqe nuk është një rast i izoluar. Dhjetëra faqe të ngjashme në Facebook dhe Instagram janë angazhuar gjatë javëve të fundit në atë që ekspertët e komunikimit e përshkruajnë si fushatë elektorale nga “palë të treta” – profile sociale që formalisht nuk lidhen me partitë politike, por që qartazi përhapin mesazhe elektorale gjatë fushatës, të cilat në shumë raste godasin rivalët politikë me përmbajtje denigruese.

    Disa prej këtyre faqeve shpërndajnë përmbajtje të krijuar me Inteligjencë Artificiale për të amplifikuar mesazhet e tyre – një taktikë që tashmë po adoptohet jo vetëm nga aktorë anonimë, por edhe nga kandidatë për deputetë.

    “Kjo nuk është një dukuri e re,” tha Elvin Luku, Profesor i Asociuar në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. “E kemi parë edhe në zgjedhjet e kaluara – faqe që krijohen pak para zgjedhjeve dhe nisin fushata me postime të sponsorizuara ose përmbajtje denigruese.”

    I pyetur nga BIRN, drejtuesi i Acromax, Aldor Nini tha se faqja ‘Team Edi Rama’ ishte krijuar nga Partia Socialiste dhe ai nuk ishte përgjegjës për përmbajtjen e saj.

    “Unë jam kontraktuar si kompani menaxhimi për fushatat e reklamave në mediat sociale,” tha Nini, ndërsa shtoi se kishte kontrata marketingu me PS dhe PD.

    Nini deklaroi se nuk kishte informacione për ndërveprimet nga Vietnami në faqe, ndërsa shtoi se ishte kundër përdorimit të metodave të tilla, të cilat cilësohen nga Meta si sjellje joautentike e koordinuar.

    Partia Socialiste dhe KQZ nuk iu përgjigjën pyetjeve për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

    Mungesë transparence për ‘reklamat politike’

    Emri:  Team_Edi_Rama_bot6.jpg

Shikime: 446

Madhësia:  24.2 KB

    Më 11 Maj, shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetët që do t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme. Për herë të parë, qytetarët që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësi të votojnë me postë.

    Por ndërsa vendi i afrohet ditës së zgjedhjeve, aktiviteti i aktorëve digjitalë anonimë dhe përmbajtja e krijuar me Inteligjencë Artificiale është në rritje – duke ngritur shqetësime mbi transparencën, ndershmërinë dhe integritetin e procesit elektoral në Shqipëri.

    Profesor Elvin Luku paralajmëron se këto praktika sjellin disa shqetësime.

    “Së pari, ka një mungesë transparence financiare,” tha ai. “Në thelb kemi të bëjmë me fushata elektorale online të padeklaruara, që financohen me para të pakontrolluara.”

    “Së dyti, përdorimi i dezinformimit dhe fushatave denigruese online kërkon rregullim më të fortë, idealisht në Kodin Zgjedhor dhe me mbështetjen e marrëveshjeve me platforma si Facebook, Instagram dhe TikTok,” shtoi ai. “Dhe së treti, ekziston rreziku që sjellje të koordinuara online, si raportimet masive nga profile false, të censurojnë përmbajtje të ligjshme dhe të shtrembërojnë debatin publik.”

    Gjatë dy javëve të para të fushatës për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, komunikimi politik u dominua në masë të madhe nga platformat Facebook dhe Instagram, ku liderët dhe kandidatët u mbështetën gjerësisht në imazhe, video dhe reklama politike të sponsorizuara.

    Gjatë kësaj periudhe, kandidatët për deputetë dhe partitë politike shpenzuan në total 26,938 dollarë për reklama politike në platformat Facebook, Instagram, Audience Network dhe Messenger. Një shumë shtesë prej 904 dollarësh u shpenzua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për fushata informuese mbi procesin e votimit.

    Kandidatët për deputetë publikuan gjithsej 1,473 reklama politike, ndërsa partitë politike sponsorizuan drejtpërdrejt 89 reklama.

    Rreth 28% e të gjitha reklamave u publikuan nga koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike, “Aleanca për një Shqipëri Madhështore”, i ndjekur nga Partia Socialiste në pushtet me 17% dhe Partia Koalicioni Euro-Atlantik me 15%.

    Kandidati për deputet me shpenzimin më të lartë të regjistruar për reklama në media sociale ishte Agron Shehaj, kreu i partisë “Mundësia”, i cili shpenzoi rreth 3,199 dollarë gjatë dy javëve të para të fushatës. Pas tij renditet biznesmeni Vullnet Sinaj, kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, i cili shpenzoi 2,195 dollarë për reklama politike.

    Edhe pse nuk bënë reklama, dy liderët kryesore politikë në zgjedhje, Edi Rama dhe Sali Berisha, regjistruan angazhimin më të lartë me ndjekësit në “Facebook” gjatë gjysmës së parë të fushatës.

    Në Facebook, kryeministri Edi Rama, i cili po garon për një mandat të katërt, arriti nivele më të larta angazhimi të ndjekësve dhe shikime të videove krahasuar me Berishën, megjithëse rivali i tij postoi pak më shpesh.

    Të dy të marrë së bashku regjistruan më shumë se 21 milionë shikime vetëm në Facebook, sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN nëpërmjet aplikacionit ‘Post Scraper’, duke vazhduar të jenë kandidatët me ndjekjen më të madhe në rrjetet sociale edhe gjatë këtyre zgjedhjeve.

    Përtej kandidatëve, BIRN arriti të identifikonte 34 faqe që bënë fushatë si ‘palë të treta’ vetëm gjatë dy javëve të para të fushatës, dhe qindra reklama pa shënim shpjegues për financuesin, (disclaimer) të sponsorizuara nga profilet e kandidatëve për deputetë në platformat ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’. Edhe faqet si ‘Team Edi Rama’ bënë fushata reklamash pa shënim shpjegues.

    Aldor Nini i ‘Acromax’ i tha BIRN se reklamat ‘pa shënim shpjegues’ në faqen ‘Team Edi Rama’ ishin bërë nga administratorët e saj dhe jo nga kompania, ndërsa nënvizoi se “shpenzimet e partive ishin shifra të vogla, në krahasim me fushatat e marketingut që bëjnë kompanitë e mëdha.”

    John Fluharty, ish-përfaqësues i Institutit Ndërkombëtar Republikan në Tiranë, thotë se megjithë kakofoninë e postimeve elektorale në rrjetet sociale, mediat dhe shoqëria civile duhet të jenë vigjilente për të kundërshtuar narrativat që minojnë besimin te procesi zgjedhor.

    “Pasi aktorët keqdashës shpërndajnë narrativa të pasakta, është e vështirë ta korrigjosh të vërtetën duke rendur pas tyre,” tha ai, ndërsa theksoi se media dhe shoqëria civile duhet të jenë të përgatitura t’i përgjigjen këtyre narrativave me shpejtësi dhe fakte.

    “Çdo orë që kalon pa një reagim nga pala e mirë është një orë shtesë në të cilën narrativat e rreme fitojnë terren,” shtoi ai.

    Përdorim joetik i inteligjencës artificiale

    Edhe pse fushata në rrjetet sociale nuk rregullohet nga Kodi Zgjedhor, përpara fillimit të garës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, partitë kryesore politike në vend nënshkruan një kod vetërregullues për fushatën digjitale.

    Partitë u angazhuan për përdorim etik dhe transparent të teknologjisë në fushatë, duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale, si dhe të mos shpërndajnë përmbajtje keqinformuese.

    Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se jo të gjithë kandidatët, nga të dyja palët e spektrit politik – përfshirë kryeministrin Edi Rama, nuk iu përmbajtën këtij zotimi, duke shpërndarë rregullisht përmbajtje të prodhuar me Inteligjencë Artificiale, shpesh keqinformuese dhe çoroditëse në rrjetet sociale gjatë dy javëve të para të fushatës.

    Ekspertët janë të ndarë për mënyrën se si duhet të reagojnë institucionet.

    Sipas Fluharty-t, KQZ-ja ka bërë mirë që u ka përcjellë qytetarëve mesazhin se kur vjen puna te sjellja e aktorëve politikë në fushatë, ligjet dhe rregulloret kanë limitet e tyre.

    “Në fund të fundit, janë vetë aktorët politikë që duhet të ndjehen të detyruar nga komuniteti për të vepruar drejt,” tha ai, ndërsa shtoi se debati duhet të fokusohet te hapat konkretë që platformat e rrjeteve sociale duhet të ndërmarrin për të frenuar sjelljet e dëmshme.

    Ndryshe, Elvin Luku është i mendimit se ndërhyrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të jetë e motivuar dhe domosdoshme kur Inteligjenca Artificiale keqpërdoret.

    “Unë nuk mendoj se AI duhet penguar për t’u aplikuar në fushata elektorale në rastet kur paraqiten ide dhe elementë kreativë,” tha Luku.

    “Por në rastet kur ka denigrim të figurës, gjuhë fyese, gjuhë urrejtjeje, qoftë kjo e shprehur edhe me imazhe të prodhuara nga Inteligjenca Artificiale, sigurisht që këtu KQZ duhet të ndërhyjë dhe ndalojë spote apo materiale të prodhuara edhe me ndihmën e AI,” përfundoi Luku.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 25-06-2023, 15:55
  2. BIRN: Reklamat nga fushata politike, Facebook fiton $299,000
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 29-04-2021, 10:31
  3. Ministria e Diasporës do t'ua "mësojë" gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës!!
    Nga projekti21_dk në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 21
    Postimi i Fundit: 19-10-2012, 22:27
  4. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 28-09-2009, 11:29
  5. Lejet, pengesa kryesore e ndërtuesve
    Nga Xhuxhumaku në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-07-2005, 13:58

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •