Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 20
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    SPAK godet grupin e Suel Çelës, masa sigurie për 21 persona. Që nga njerëz të drejtësisë, zyrtarë policie dhe gazetarë

    Emri:  1732546624_wefwfwfw.jpg

Shikime: 112

Madhësia:  56.1 KB

    SPAK ka goditur një organizatë kriminale, bosët dhe anëtarët e së cilës dyshohet të jenë favorizuar nga njerëz të drejtësisë, zyrtare policie dhe gazetarë. Për këtë SPAK-u ka dalë me një njoftim zyrtar për megaoperacionin. Pas hetimit të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masat e sigurisë për 21 persona.

    Nga 18 urdhërarreste janë ekzekutuar vetëm disa prej tyre, ku në mesin e të arrestuarve është Marsel alias Bujar Shega, administrator i dy kompanive Viola Green dhe Wonder Green. Shega është prangosur në Milano. Kompanitë e tij kanë fituar tendera për pastrimin e disa qyteteve dhe Shega njihet për njohje dhe lidhje të forta në politikë. Përmes kompanive të tij, dyshohet se Shega pastronte paratë e disa grupeve, përfshirë dhe një grup të fuqishëm me bazë me Dubai, që ka investuar në Tiranë në pasuri të paluajtshme.

    Suel Çela një prej emrave më të njohur të botës së krimit, i shpallur me herët në kërkim në kuadër të operacionit Plumbi i Artë. Në bazat dhe bizneset e të shumëkërkuarit në Elbasan është ushtruar kontroll ku janë marrë dokumenta dhe prova të tjera. Në pranga përfundoi ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila ndodhej nën masën e arrestit në shtëpi, në kuadër të aksionit ”Plumbi i Artë 2”, ndërsa është caktuar masë e re sigurie për ish-zyrtarin e policisë, Dedan Gjoni.

    Në ”arrest shtëpi” edhe dërguar avokatja e një prej anëtarëve të grupit të Suel Çelës. Me kërkesë të SPAK-ut, Gjykata ka caktuar masën e detyrimit për paraqitje për dy gazetarë, Artam Hoxha dhe Elton Qyno. SPAK njoftoi se operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë është në vijim dhe po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare. Goditja e organizatës kriminale ka ardhur pas zbërthimit të komunikimeve në SkyEcc, si dhe provave të tjera të sjella nga autoritetet belge, të cilat kanë hetuar prej vitesh në trafikun e kokainës dhe pastrimit të parave.

    Njoftimi i plotë

    Në kuadër të hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

    Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë:

    Arrest me burg-18 persona (përfshirë ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit);

    Arrest në shtëpi-1 avokat;

    Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore-2 gazetarë.

    Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.

    Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme”, thekson SPAK.

    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    Emrat që SPAK ka firmosur për arreste

    Gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, zyrtari i lartë i policisë, Dedan Gjoni, avokatja që mbronte grupin e Suel Çelës dhe 2 gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno janë mes 21 masave të sigurisë si pjesë e një mega operacioni të SPAK për të shkatërruar grupin kriminal me shtrirje ndërkombëtare të dyshuar se drejtohet nga Suel Çela në Elbasan.

    MASAT E SIGURISE TË LËSHUARA NGA SPAK

    1.Marjus Lulaj (alias Suel Çela), arrest me burg

    2.Mario Çela, (vëllai i Suel Çelës) arrest me burg

    3.Xhino Roka, arrest me burg

    4.Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), arrest me burg

    5.Sergej Hasanpapaj, arrest me burg

    6.Bruno Hazizolli, arrest me burg

    7.Ledio Zabeli, arrest me burg

    8.Marsel Roka, arrest me burg

    9.Ado Xhika (alias Elkier Cerriku alias Ado Cerriku), arrest me burg

    9.Preke Kodra, arrest me burg

    10.Fuad Verzivolli, arrest me burg

    11.Metin Mehja, arrest me burg

    12.Renato Hasani, arrest me burg

    13.Skender Sufaj, arrest me burg

    14.Pajtime Fetahu, (ish-gjyqtare) arrest me burg

    15.Dedan Gjoni, (ish-shefin e Krimeve në Komisariatin nr. 6 në Tiranë), arrest me burg

    16.Marsel Shega (alias Bujar Shega), (biznesmen) arrest me burg

    17.Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa), arrest me burg

    19.Blerina Beqiri, (avokate) arrest në shtëpi

    20.Elton Qyno, (gazetar) detyrim paraqitje

    21.Artan Hoxha, (gazetar) detyrim paraqitje



    Arrest me burg është firmosur edhe për Suel Çelën, i cili rezulton në kërkim prej majit 2022 në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Mësohet se është lëshuar masë arrest me burg edhe për Mario Çelën, vëllanë e Suel Çelës. Një pjesë e masave të sigurisë u është komunikuar të akuzuarve në burg, ndërsa një pjesë tjetër mësohen se janë ekzekutuar jashtë vendit. Në pranga, në Milano ka rënë edhe biznesmeni Marsel alias Bujar Shega, administrator i dy kompanive Viola Green dhe Wonder Green, i cili ka lidhje me Suel Çelën.

    LAPSI

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    VOA: SPAK-u detajon operacionin ndaj grupit të Suel Çelës. Gazetari Hoxha mohon akuzat se mori para prej tij

    –Zëri i Amerikës-

    SPAK-u dha sot detaje mbi operacionin e një dite më parë ndaj organizatës kriminale, që drejtohej nga Suel Çela, i shpallur në kërkim. SPAK-u bën të ditur se organizata trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt BE-së, kishte lidhje me gjyqtarë, policë dhe gazetarë. Mes të dyshuarve janë edhe gazetarët e kronikës së zezë Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët, sipas Prokurorisë, dyshohet të kenë marrë para nga Çela për qëndrimet e mbajtura në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre. Por gazetari Hoxha, i pyetur nga Zëri i Amerikës, mohoi kategorikisht akuzën, ndërsa thotë në reagimin e tij se kurrë nuk e ka përdorur profesionin në favor të krimit, politikës dhe biznesit.

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar detajoi sot në njoftimin publik se grupi i drejtuar nga Suel Çela ishte përqëndruar në trafikun e kokainës nga Amerika Latine, si dhe ishte përfshirë në vrasje e tentativa për vrasje, goditjen e një organizate rivale në qytetin e Elbasanit, si dhe korruptimin e funksionarëve të policisë dhe drejtësisë.

    Hetimi që çoi në goditjen e organizatës së Suel Çelës ka patur si bazë, ndër të tjera, komunikimet e koduara përmes Sky dhe Encrochat-it, dhe është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës, Ekuadorit si dhe me Europol-in dhe Eurojust-in.

    Sipas Prokurorisë së Posaçme, Çela synonte “kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale”, ndërsa lënda narkotike nga vendet e Amerikës Latine përfundonte në tregjet europiane, si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

    Sule Çela, i konsideruar si kreu i organizatës, ishte sipas SPAK-ut “përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe, ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”.

    Prokuroria e Posaçme deklaron se ka arritur të dokumentojë një vrasje të mbetur në tentativë në vitin 2020, përpjekjet për vrasjen e dy personave po në vitin 2020, dy tentativa për trafikimin 930 kg dhe 466 kg kokainë nga Ekuadori, drejt vendeve europiane, në dhjetor të vitit 2020 dhe në janar të vitit 2021, si dhe “ushtrimin e ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias”.

    Përveç anëtarëve të organizatës, urdhërat e arrestit kanë përfshirë dhe ish komisarin Dedan Gjoni, i arrestuar më herët për lidhje me organizata kriminale si dhe ish gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila ndodhej nën arrest shtëpie për një episod tjetër. Sipas Prokurorisë së Posaçme “duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale”. Organizata, shfrytëzonte lidhjet me njerëz në polici dhe drejtësi, jo vetëm për të lehtësuar aktivitetin e saj, por dhe për të goditur rivalët e vet.

    Hetimi solli lëshimin e 19 urdhërave të arrestit dhe masave “detyrim paraqitje” për dy gazetarët e kronikës së zezë Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët sipas Prokurorisë dyshohet të kenë marrë para nga Çela, për qëndrime që ata kanë mbajtur në daljet mediatike apo artikuj të shkruar prej tyre.

    Dy gazetarët e njohur të kronikës Hoxha dhe Qyno dyshohet se ndihmonin organizatën për të ndikuar në opinionin publik, me qëllim dobësimin e pozitave të grupeve rivale.

    Por gazetari Artan Hoxha, i kontaktuar nga Zëri i Amerikës, mohoi akuzën kategorikisht në reagimin e tij, ku thekson se nuk ka qenë bashkëpunëtor i ndonjë organizate kriminele, dhe se nuk e ka përdorur kurrë profesionin në favor të interesave të krimit, politikës apo biznesit.

    “Do të provojmë në gjykatë se akuzat ndaj nesh janë të padrejta dhe se shërbimi që i kemi bërë publikut ka qenë tërësisht profesional, korrekt, i paanshëm, duke i qëndruar gjithmonë publikimit të së vërtetës”, tha zoti Hoxha.

    Ai shtoi se në rastin konkret, përkundrazi ka denoncuar veprimtarinë e këtyre organizatave kriminale, lidhjet e tyre me agjencitë e zbatimit të ligjit si dhe bashkëpunimin me njerëz të pushtetit.

    SPAK-u theksoi se “Suel Çela ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve”.

    Prokuroria tha se “dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Hoxha dhe Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik”.

    Por zoti Hoxha theksoi se akuza si pjesëtar i një organizate është krejtësisht e pambështetur në prova dhe fakte të vërteta apo të besueshme, ndërsa organi i hetimit ka ngatërruar qëllimisht profesionin e gazetarit, teknikat gazetareske për të marrë informacion me aktivitetin kriminal të një organizate kriminale.

    “Veprimi i SPAK-ut është shoqëruar nga një lumë akuzash dhe të pavertetash të publikuara në media nga eksponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët kam publikuar akte korruptive në të kaluarën. Duket e çuditshme, për të mos thënë e qëllimshme, që SPAK-u vendos të veprojë ndaj dy gazetarëve kryesorë, të cilët kanë denoncuar informacione të siguruara nga rrjeti i kriptuar SkyeCC, të cilat tregojnë implikimin e krimit të organizuar me njerëz të politikës dhe zbatimit të ligjit. Kontrolli i paligjshëm i kryer në banesat tona, duke na sekuestruar mjetet dhe arkivën e punës si gazetarë, u shoqërua me akuzat që na kanë adresuar në mënyrë të padrejtë”, tha zoti Hoxha.

    Ai theksoi se në karrierën 30-vjeçare si gazetar investigativ, jo vetëm nuk ka bashkëpunuar me krimin e organizuar aq më pak të ketë kuruar imazhin e tij, por ka rrezikuar jetën e vet dhe të familjes, duke denoncuar aktivitetin e krimit të organizuar, bosët më të rëndësishëm të tij, lidhjet e tyre me pushtetin dhe politikën në dëm të shoqërisë shqiptare dhe të vendit.

    Dje u kontrollua imtësisht banesa e gazetarit Hoxha dhe iu sekuestrua të gjithë mjetet e punës dhe arkiva elektronike, si dhe dokumentare, ndërsa në orët e pasdites u thirr në SPAK dhe iu komunikua se kontrolli ka qenë i paligjshem, duke ia kthyer të gjitha sendet e sekuestruara.

    Personat e përfshirë deri më tani në këtë hetim të SPAK-ut dyshohen për të paktën 9 vepra të ndryshme penale, nga vrasje në tentativë, trafik lëndësh narkotike, organizatë kriminale, korrupsion apo pastrim parash.

    VOA

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

    Emrat e shpallur në kërkim nga SPAK dhe lidhjet kupolën drejtuese të Partisë Socialiste

    Emri:  WhatsApp-Image-2021-03-14-at-21.43.31-2-1-1140x570.jpg

Shikime: 35

Madhësia:  38.3 KB

    Mes të akuzuarve të bandës së Suel Çelës nga Prokuroria e Posaçme janë edhe dy vëllezërit Marsel dhe Xhino Roka, dy personazhe që rezultojnë të jenë antarë kyç të organizatës kriminale, “të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve”.

    Të dy këta pjestarët e bandës së Elbasanit janë përmendur në media për punësimet e familjarëve të tyre në administratën e lartë shtetërore, për babain e tyre Agron Roka, drejtor i burgut të Bradasheshit ndërsa e motra, mban postin e Drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në varësi direkte të kryeministrit Edi Rama.

    Por më shumë se kaq, pjestarët e bandës së Suel Çelës, kanë qenë edhe aktivistë të Partisë Socialiste, të angazhuar për mbrojtjen e Edi Ramës gjatë vizitave të tij në qytetin e Elbasanit. Një prej këtyre vizitave, pikërisht në Ditën e Verës është shenjuar nga përplasja e dhunshme që ndodhi mes dy grupeve të militantëve.



    Në 14 Mars 2021, kur Edi Rama po kalonte në bulevardin kryesor të qytetit, pranë ish-turizmit një grup militantësh të opozitës nisën të thërrasin emrin e Lulzim Bashës. Kaq është dashur që grupi i çunave që shoqëronin Ramën të nisnin koret për sharjet e Bashës, ndërsa disa prej tyre sulmuan me grushta dhe shkelma militantët e PD. Sherri masiv, në mes të qytetit u filmua nga qytetarët dhe kamerat e televizioneve dhe më vonë Partia Demokratike identifikoi disa prej dhunuesve.

    Një prej tyre ishte Marsel Roka, personi i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e bandës së Suel Çelës për vrasje dhe trafik droge nga Amerika Latine.

    Emri:  Marsel-Roka.jpg

Shikime: 34

Madhësia:  21.3 KB

    Foto më lart është publikuar nga Gazment Bardhi në të njëjtën ditë, kur ai identifikoi personat që sulmuan militantët e Partisë Demokratike, mes të cilëve edhe Marsel Roka, antar kyç i bandës së Suel Çelës.

    Gjithsesi që në atë ditë u kuptua se miq dhe bashkëpuntorë të Suel Çelës ishin përfshirë në shoqërimin e Ramës në Elbasan.

    Emri:  WhatsApp-Image-2021-03-14-at-21.43.20-3.jpg

Shikime: 39

Madhësia:  27.9 KB

    Kelmend Xhaferri, i quajtur ndryshe si Kel Çami, u identifikua asokohe si një nga protagonistët e rrahjes së mbështetësve të Partisë Demokratike që thërrisnin emrin e Lulzim Bashës. Por emri i Kelmend Xhaferrit kishte dalë disa herë në të kaluarën në disa ngjarje kriminale.

    Xhaferri, një person me precedent të mëparshëm penalë, ishte ndalua në shtator të 2017 pas sulmit ndaj policisë, ku u përplas makina e zv/ drejtorit të policisë te Tregu Agro Ushqimor në lagjen “Dyli Haxhire” në Elbasan. Në drejtimin e mjetit dyshohej se ishte Suel Çela.

    Ngjarja bëri bujë pasi personat që ishin në makinë nuk iu bindën policisë duke lënë të plagosur një police femër. Tregu ushqimor i Elbasanit konsiderohet nga policia dhe SHISH edhe si baza e bandës së Suel Çelës.

    Lapsi.al

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    Arrestohet në Belgjikë Mario Çela, vëllai i Suel Çelës

    Emri:  IMG_5238-750x375.jpg

Shikime: 34

Madhësia:  25.7 KB

    Arrestohet në Belgjikë Mario Çela, vëllai i kreut të bandës së Elbasanit të goditur dje nga SPAK, Suel Çela.

    SPAK dha ditën e sotme detaje lidhur me operacionin e një dite më parë, duke zbuluar mënyrën sesi funksiononte grupi i strukturuar kriminal, ndaj të cilëve u lëshuan 21 masa sigurie, për persona të botës së krimit, policë, një ish-gjyqtare dhe dy gazetarë

    LAPSI

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    “Këtë herë do ta palos”/ Dalin bisedat e Suel Çelës për atentatin ndaj Ardian Çapjas

    Emri:  1732658276_suelcela-750x375.jpg

Shikime: 36

Madhësia:  18.3 KB

    Në dosjen e SPAK akuzohet organizata e Suel Çelës (Marjus Lulaj) edhe për atentatin e dështuar me snajper ndaj Ardian Çapjas më 8 qershor të vitit 2020 në Elbasan. Ai u plagos me një armë snajper nga distanca, në oborrin e vilës së tij, në periferi të qytetit në zonën e Krastës.

    Ky ishte atentati i tretë që 55-vjeçari që i mbijetonte. Për këtë ngjarje SPAK akuzon kreun e grupit rival, Suel Çela, që gjithashtu bashkëpunonte me grupin tjetër Çopja. Si qitës akuzohet Preke Kodra.

    Pavarësisht se zona kontrollohet nga familja Çapja ku të gjitha lëvizjet monitorohen me kamera sigurie, autorët arritën që të depërtojnë për herë të tretë, por nuk ia arritën qëllimit. Çapja u përpoq ta mohonte, por policia gjeti më tej prova, teksa zbuloi edhe një makinë që po digjej pak minuta ps krimit.

    Nga fishekët që shpërthyen në mjet u lëndua edhe një efektiv policie. Në makinë u gjet edhe një armë e djegur, që u tha se ishte snajperi i përdorur për qitje.

    Në dosjen hetimore të SPAK thuhet se Suel Çela ka shkëmbyer mesazhe më Klaus Matishin. Nga biseda dyshohet se Marjus Lulaj ështe i bindur në realizimin me sukses të ekzekutimit të Çapjas duke shkruar: “kte her do ta palos”.

    PJESË NGA DOSJA

    Më datë 12.04.2020, Marjus Lulaj komunikon me Klaus Matishin të cilit i shkruan mesazhet me tekst “…e ishalla ded sjemi pa kismet fare ja ****** ropt po munoemi….kte her do ta palos….do tja qim mamin dhe xhindit…”. Nga biseda dyshohet se Marjus Lulaj ështe i bindur në realizimin me sukses të ekzekutimit të shtetasit Ardjan Çopja dhe me shprehjen “kte her do ta palos”, arsyeshëm lë të dyshohet se Marjus Lulaj është munduar edhe më parë për të ekzekutuar Ardjan Çopja, por nuk evidentohen si veprime pasi kanë ndodhur jashtë harkut kohor që disponohen komunikimet SkyECC.

    Lidhur me atentatet që i janë bërë familjes Çapja, duke ju referuar verifikimeve të kryera në sistemin Komunikata Ditore të raportuara nga Policia e Shtetit rezulton se:

    Më datë datë 03.02.2016, ora 19:54, në lagjen “Emin Matraxhiu”, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në ambientet e brendshme të lokalit në pronësi të shtetasit Agron Çapja, për pasojë kanë mbetur të vrarë shtetasit, Agron Ramazan Çapja, Ardit Enver Sinakolli dhe Eno Kujtim Bedalli, si dhe janë plagosur dhe ndodhen në spital në gjendje të rëndë shtetasit Ardian Sali Zharri, Fejzulla Ramazan Capja, Ferit Mefail Muça, Luan Hamza Muça, Bujar (Panajot) Haxhi Rreshka, Florenc Fejzulla Çapja dhe Arnold Agron Çapja.

    Më datë 06.06.2016, ora 10:15, në lagjen “5 Maj” rruga “28 Nëntori”, një person i pa identifikuar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Volksvagen Golf”, me targë AA997NE, duke plagosur shtetasin Bledar Mefail Muça, i datëlindjes 29.04.1979, banues në Elbasan, si dhe është plagosur shtetasja Matilda Partizan Kërmezo, e datëlindjes 18.09.1967 banuese në Elbasan, kalimtare e rastit, punonjëse e policisë në DVP Elbasan, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

    Më datë 22.03.2019 ora 19:17, në ambjentet e jashme të lokalit “KONTI” në lagjen “Luigj Gurakuqi” Elbasan, një shtetas i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Ravik Vasip Gurra, i datëlindjes 01.06.1969, prefesion avokat, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

    Më datë 20.04.2020, nga analizmimi i komunikimeve të kësaj date midis Marjus Lulaj dhe Klaus Matishit, Marjusi dërgon mesazhe lidhur me vëzhgimin që i bën Ardjan Çopjas, ku i dërgon Klausit mesazhin “…shi si qesh xhindi…”, dhe pas këtij mesazhi i dërgon 3 fotografi të cilat dyshohet se i përkasin shtetasit Ardjan Çopja të cilit bashkëbiseduesit i referohen me nofkën “xhindi”, si vijon.

    ©LAPSI.al

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    Njoftimi i SPAK/ Organizata e Suel Çelës vrau Bledar Muçën në Belgjikë

    Emri:  pjimage-102-600x375.jpg

Shikime: 37

Madhësia:  33.3 KB

    Organizata e drejtuar nga Suel Çela dyshohet se qëndron edhe pas një prej atentateve ndaj krahut të djathtë të grupit “Çapja” në Elbasan, i cilësuar edhe si killeri i tyre, Bledar Muça.

    Çela akuzohet se ka krijuar kushtet për një nga atentatet e vitit 2020 ku Muça arriti të shpëtonte, teksa vrasja e tij u bë në Belgjikë më 22 Janar të vitit 2022.

    Muça cilësohej si njeriu më i afërt i numrit dy të organizatës, Florenc Çapja, që fshihet në Dubai.

    Bledar Muça me origjinë nga Peshkopia, ishte lindur dhe i rritur në Elbasan. Emri i tij është i përfshirë në vrasjen e Ilir Rexhepit në Elbasan, por asnjëherë nuk u arrestua apo vuajti ndonjë dënim, pasi u arratis në Greqi dhe më pas në Belgjikë.

    Më 2016 Muça u dënua me 2 vite burgim nga Gjykata e Elbasanit për goditjen me armë të dy efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale në Policisë e Shtetit, goditje kjo që është kryer gjatë detyrës së tyre, teksa po mbanin në vëzhgim situatën në lagjen e Çapjave në Elbasan. Muça u filmua nga kamerat e sigurisë ehde me armë në dorë.

    LAPSI

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    SPAK “zbërthen” strukturën: Droga trafikohej nga Amerika Latine

    Emri:  IMG_5236.jpeg

Shikime: 35

Madhësia:  31.7 KB

    Detaje të reja kanë dalë nga aksioni i Prokurorisë së Posaçme kundër grupit kriminal të Suel Çelës. I gjithë aktiviteti financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si: Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

    SPAK sqaron se organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit si Dedan Gjoni dhe të sistemit gjyqësor Pajtime Fetahu të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale.

    Pjesë nga njoftimi i SPAK:

    Struktura e Organizatës Kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale. Organizata kriminale që drejtohej nga S.Ç. me qëllim kontrollin e territorit kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga S.Ç.

    I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda. Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

    Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
    Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;
    Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.
    Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
    Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
    Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.

    Shtetasi M.L. (alias S.Ç.) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si; M.Ç., A.V., B.SH, K.M., Xh.R.etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

    LAPSI

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    PD: Rama emëroi motrën e anëtarëve të bandës së Suel Çelës në krye të AZHT

    19:02 26/11/24 Koha e leximit: 2 min

    Emri:  Edi-Rama-pas-mbledhjes-se-kryesise-1140x765-1-1140x570.jpg

Shikime: 38

Madhësia:  20.6 KB

    Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmed Bardhi akuzoi të martën kryeministrin Edi Rama se kishte emëruar në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit motrën e dy të akuzuarve nga SPAK si anëtarë të organizatës kriminale nën drejtimin e Suel Çelës.

    “Znj. Adelajda Roka, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, vartëse direkte e Kryeministrit Edi Rama, rezulton se është njëkohësisht edhe motra e dy prej anëtarëve të Bandës së Elbasanit Marsel dhe Xhino Roka. SPAK duhet të hetojë kush ia propozoi Edi Ramës emërimin e saj si Drejtore e Përgjithshme e AZHT dhe pse Edi Rama e emëroi menjëherë dhe pa asnjë kundërshtim?”, thuhet në reagimin e Bardhit.

    Marsel dhe Xhino Roka u arrestuan gjatë operacionit të fundit kundër organizatës kriminale të drejtuar nga Suel Çela dhe SPAK ka ngritur ndaj tyre akuza të shumëfishta.

    Adelajda Roka u emërua në nëntor 2023 në krye të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, pa ndonjë eksperiencë të mëparshme në administratën publike.

    E pyetur në telefon nga BIRN, drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka refuzoi të komentonte mbi akuzat e PD, ndërsa kërkoi që të mos merrej “në telefon për gjëra të tilla”.

    Bardhi akuzon kryeministrin se ka lejuar forcimin e organizatave kriminale. “Është fakt se ndikimi i krimit të organizuar në jetën shoqërore dhe politike të vendit është forcuar së tepërmi gjatë qeverisjes së Edi Ramës. Grupet kriminale jo vetëm kanë vepruar të pashqetësuara, por njëkohësisht janë fuqizuar ekonomikisht, si dhe kanë pushtuar/diktuar emërimet në pozicionet kyçe të qeverisjes së vendit”, thuhet në deklaratë.

    Në reagimin e tij, Bardhi i kërkoi SPAK të hetonte lidhjet e këtij grupi të krimit të organizuar me politikën. Duke iu rikthyer përplasjeve të dhunshme në fushatën elektorale të vitit 2021 në Elbasan, Bardhi tha se anëtarët e grupit ishin denoncuar edhe atëherë nga Partia Demokratike si pjesë e stafit të Partisë Socialiste në fushatë.

    “Çfarë po bëhet me kallëzimin e depozituar nga PD për këtë qëllim që në 7 Prill 2021, ku secili prej tyre ka qenë i indentifikuar me emër dhe mbiemër? Vetëm përgjigja e shpejtë ndaj këtyre pyetjeve do ta bënte të besueshëm hetimin e SPAK, duke na treguar të gjithëve se ky hetim nuk është detyrim me përcaktim i agjencive ligj zbatuese të huaja, por arritje e pjekurisë institucionale të prokurorisë së posaçme”, theksoi Bardhi.

    Opozita akuzon anëtarët e këtij grupimi se u përfshinë në fushatën elektorale në vitin 2021 dhe se po ashtu u përfshinë në përplasjen me armë që solli vrasjen e Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve. PD akuzoi anëtarët e grupit se ishin përfshirë në blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste gjë që rezultoi në një përplasje fatale. Hetimet e prokurorisë mbi vrasjen gjetën se policia nuk veproi dhe tentoi të manipulonte ngjarjen.

    BIRN

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,361
    Postimet në Bllog
    20

    Për: SPAK godet grupin kriminal të Suel Çelës, nën akuzë 21 persona, përfshi dy gazetarë të njohur

    ‘Lufta’ e Suel Çelës për kontrollin e Elbasanit u financua nga trafiku i kokainës

    Prokuroria e Posaçme deklaroi se ka zbardhur pesë episode kriminale të kryera nga organizata me shtrirje ndërkombëtare e drejtuar nga Suel Çela, mes të cilave edhe korruptimin e dyshuar të një gjyqtareje, një zyrtari të policisë si dhe dy gazetarëve.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK publikoi të martën më 26 nëntor rezultatet e hetimit ndaj organizatës kriminale të drejtuar nga Suel Çela, i njohur ndryshe edhe si Marius Lulaj, i cili akuzohet për tentativën e trafikimit ndërkombëtar të tonelatave me kokainë, për organizimin e atentateve ndaj kundërshtarëve si dhe për “një luftë” të vazhdueshme për kontrollin e territorit në Elbasan dhe qytete të tjera të Shqipërisë së Mesme.

    Organizata e drejtuar nga Çela akuzohet gjithashtu nga SPAK për korruptimin e dyshuar të zyrtarëve në polici, sistemin gjyqësor si dhe të dy gazetarëve.

    Hetimi u bazua në komunikimet e koduara SKY/ECC dhe u krye në bashkëpunim me Eurojust, Europol si dhe autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit. Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka caktuar masa sigurie për 21 persona; 18 prej të cilëve në arrest me burg dhe tre të tjerë me masa më të lehta sigurie.

    “Organizata kriminale që drejtohej nga S.Ç. me qëllim kontrollin e territorit kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga S.Ç,” tha SPAK përmes njoftimit për shtyp.

    “I gjithë aktiviteti i kundërligjshëm në Shqipëri financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda,” shtoi SPAK.

    Prokuroria pretendon se ka dokumentuar pesë episode kriminale të kryera nga organizata e Çelës; vrasja e mbetur në tentativë me snajper kundër Ardjan Çapjas e ndodhur më 8 qershor 2020 në Elbasan, sigurimin e kushteve për dy atentate të tjera në vitin 2020, dy tentativa për trafikimin e gati 1400 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt vendeve të BE-së në vitin 2021 si dhe ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe medias.

    Suel Çela u akuzua në vitin 2017 për goditjen me një makinë të blinduar të disa punonjësve të Policisë së Shtetit në hyrje të tegut agro-ushqimor në Elbasan – pronë e familjes së tij – por u shpall më pas i pafajshëm nga gjykata. Vendodhja e Suel Çelës vijon të mbetet e panjohur për strukturat ligjzbatuese.

    Akuzat për korrupsion

    Sipas të dhënave të publikara nga SPAK, organizata kriminale e drejtuar nga Çela kishte arritur të korruptonte gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe ish-funksionarin e Policisë së Shtetit, Dedan Gjoni, të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Fetahu ndodhej më parë në masën e arrestit në shtëpi, ndërsa Dedan Gjoni është nën akuzë edhe për bashkëpunimin me një grup tjetër kriminal.

    Sipas SPAK, kjo organizatë ka pasur aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit Suel Çela dhe të anëtarëve të tjerë në proceset penale në ngarkim të tyre. Nga ana tjetër, SPAK thekson dhe aftësinë për të ndikuar tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do të jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

    Kundërshtari kryesor i Çelës në kontrollin e territorit në Elbasan, Ardjan Çapja, si dhe anëtarë të familjes së tij janë pjesë e një sërë ngjarjesh të rënda që kanë ndodhur në Elbasan në 16 vitet e fundit. Ardjan Çapja u dënua më 15 nëntor 2023 me burgim të përjetshëm me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Posaçme të Apelit, për një vrasje të dyfishtë në vitin 2012.

    Në njoftimin e SPAK thuhet se një nga synimet e Suel Çelës ka qenë manipulimi i perceptimit publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Kjo strategji për manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, konsiderohet se do t’I sillte përfitime të dyfishta, duke rritur pozitat e tij dhe dëmtuar interesat e rivalëve.

    SPAK akuzon gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno se kanë përfituar vlera monetare të paligjshme nga Çela në këmbim të qëndrimeve të tyre në media si dhe publikimit të artikujve dhe videove “që keqinformonin ose manipulonin opinionin publik”. Ndaj Hoxhës dhe Qynos është vendosur masa e sigurisë “detyrim për paraqitje para oficerit të Policisë Gjyqësore.

    Gazetari Artan Hoxha i hodhi poshtë akuzat në një reagim për emisionin “Opinion” në TV Klan, ku tha se ishte i habitur nga masa e vendosur ndaj tij.

    “Nuk kam kryer asnjë krim në detyrën time të ushtruar me krenari pranë grupit mediatik Shqiptarja.com, shkollës së gazetarisë investigative dhe kronikës së zezë në Shqipëri,” deklaroi Hoxha.

    “Na morën telefonat në mëngjes dhe bënë kontroll banese. Na thanë më pas se kontrolli është i paligjshëm dhe na kthyen telefonat, lap top-ët, flash-et dhe hardisqet,” shtoi Hoxha për “Opinion”. Qyno nuk ishte i arritshëm për koment.

    Trafiku i kokainës

    Nga hetimi ka rezultuar se organizata e drejtuar nga Çela ka krijuar dhe zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës. Këtë gjë e ka arritur duke bashkëpunuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Porositë e lëndës narkotike bëheshin nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me organizata kriminale vendase në Amerikën Latine.

    Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion disa shtete, si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë. Pjesa më e madhe e ngarkesave ka lëvizur me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp, e Roterdam që shërbenin si pika kyçe për trafikun e drogës në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

    Një pjesë e të ardhurave të përfituara nga trafiku dhe shitja e kokainës investoheshin në blerjen e lëndës narkotike në vijimësi, në kursime cash që dërgoheshin në Shqipëri, në biznese të regjistruara, si dhe për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit.

    BIRN

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-07-2024, 12:14
  2. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 08-04-2024, 12:23
  3. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 15-12-2023, 10:40
  4. Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 27-10-2023, 11:03
  5. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 05-02-2021, 08:32

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •