Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,070
    Postimet në Bllog
    20

    Pasi e zbrazi Shqipërinë nga shqiptarët, Edi Rama shkon e bën fushatë elektorale në Greqi

    Turi i kryeministrit Edi Rama në diasporë: Takime apo fushatë?

    Emri:  edi-rama-selanik-2.jpg

Shikime: 42

Madhësia:  25.8 KB
    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një takim të dielën në Selanik. Foto: Edi Rama/Facebook.

    Nga Nju-Jorku në Selanik, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar nëpër botë për të zhvilluar takime me komunitetet shqiptare të diasporës përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Kundërshtarët thonë se ai po përpiqet të shmangë pakënaqësinë ndaj tij në vend.

    Edi Rama erdhi në Selanik të dielën me një lajm të mirë për komunitetin shqiptar në Greqi.

    Duke iu drejtuar një turme prej rreth 2,000 mbështetësish që valëvisnin në duar flamuj, Rama tha se ata do të mund të votojnë me postë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri, që do të mbahen në pranverën e vitit 2025.

    Ai deklaroi se u kthye në Greqi “me një premtim të mbajtur, për të drejtën e çdo shqiptari jashtë Shqipërisë për të votuar”.

    Megjithatë, Rama nuk u prit me entuziazëm universal. Një grup i vogël protestuesish nacionalistë grekë shprehën pakënaqësi jashtë hotelit Porto Palace, ku kryeministri po zhvillonte takimin e tij, duke akuzuar Shqipërinë për shkelje të të drejtave të pakicës etnike greke në vend.

    Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë të tensionuara muajt e fundit pas burgosjes së kryebashkiakut të zgjedhur etnik grek Fredi Beleri nga një gjykatë shqiptare me akuza për blerje votash, megjithëse politikani tani është liruar. Athina madje ka kërcënuar se do të bllokojë përparimin e Tiranës drejt anëtarësimit në BE për çështjen e të drejtave të pakicave.

    Ministria e Jashtme greke të dielën paralajmëroi se Athina kërkon “respektim të plotë, nga ana e Shqipërisë, të të drejtave të pakicës etnike greke” si “një kusht i qartë i procesit të pranimit të Shqipërisë”.

    Por pavarësisht turbulencave diplomatike, pjesëmarrja entuziaste për fjalimin është ajo që kërkonte Rama kur mbërriti në Selanik. Sipas Autoritetit të Statistikave në Greqi, komuniteti shqiptar në Greqi numëron rreth 375,000 – shumë votues të mundshëm për të hedhur votën e tyre me postë.

    Udhëtimi i Ramës në Selanik ishte i fundit në një seri vizitash të huaja në komunitetet e diasporës përpara zgjedhjeve të vitit 2025. Ai planifikon të vizitojë edhe Londrën, Milanon dhe Mynihun, ku jetojnë një numër i madh emigrantësh shqiptarë.

    Partia e tij Socialiste ka qenë në pushtet për tre mandate dhe ai ka qenë kryeministër që nga viti 2013. Shanset e saj për të fituar një mandat tjetër në detyrë duken të mira, me një opozitë që është thellësisht e ndarë dhe dy liderët kryesorë të së cilës po përballen me akuza për korrupsion. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet aktualisht në arrest shtëpie dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndodhet në burg.

    Megjithatë, qeveria e Ramës dhe Partia Socialiste gjithashtu janë përballur me problemet e tyre gjyqësore. Zyrtarë të ndryshëm të lartë, kryetarë bashkie, deputetë, madje edhe ish-zëvendëskryeministri i tij përballen me akuza për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.

    Diaspora e Shqipërisë ka qenë gjithmonë e rëndësishme kur bëhet fjalë për zgjedhjet, për një arsye të thjeshtë: madhësinë e saj. Rreth 1.6 milionë shqiptarë kanë të drejtën e votës jashtë Shqipërisë. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Shqipëria ka vetëm 2.4 milionë banorë.

    Rama njoftoi në maj se do të fillonte një turne për të takuar diasporën, me pretekstin patriotik që do t’u prezantonte shqiptarëve jashtë vendit vizionin e tij për planin e tij të zhvillimit “Shqipëria 2030” – një referencë për vitin që Rama thotë se vendi mund t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Ai deklaroi se vizita e parë, në Athinë, kishte për qëllim “të angazhohesha me bashkëqytetarët e mi jashtë vendit dhe të ndaja krenarinë e Shqipërisë për ta dhe vizionin tonë për Shqipërinë në vitin 2030”.

    Por Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresa Qytetare, i tha BIRN se ai mendon se Rama po e përdor diasporën vetëm për qëllime elektorale.

    Xhemollari tha se “në Shqipëri votuesit e zotit Rama janë ngopur me retorikën e tij dhe fjalimet e tij patetike dhe premtimet e pa mbajtura të vitit 2013 dhe se ai nuk ka lidhje me to në Shqipëri dhe po shkon e po luan ‘kartën patriotike’ – duke folur me ata jashtë vendi, por edhe po u flet atyre brenda vendit duke u sjellë si një lider që mendon për kombin”.

    Ai shtoi se i sheh edhe këto takime si pjesë të strategjisë së Ramës për zgjedhjet e 2025, sepse qeveria e tij ka burime që mund t’i përdorë jashtë vendit në avantazhin e saj për të fituar votues të mundshëm – “mund të prodhojë karta identiteti, të identifikojë grupe në diasporë, të përdorë konsullatat dhe ambasadat dhe ka burime më të mëdha financiare”, tha ai.

    Emri:  edi-rama-new-york-1140x760.jpg

Shikime: 38

Madhësia:  42.5 KB
    Edi Rama në takimin e tij me shqiptarët e diasporës në Nju-Jork muajin e kaluar. Foto: Edi Rama/Facebook.

    Protestë në Nju-Jork

    Rama dukej se e pranoi se turi synon të fitojë vota kur ai vizitoi Nju-Jorkun muajin e kaluar.

    Në qytetin amerikan, ai u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në mënyrë që të mos “rrezikohet progresi që Shqipëria ka bërë deri tani”.

    “Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm, por është ende një progres në rrezik nëse të gjithë nuk e vazhdojmë përpara këtë kilometër të fundit për t’u bërë anëtar i BE-së”, tha ai, sipas Top Channel.

    Megjithatë, telashet e tij në vend e pasuan edhe në Nju-Jork: vizita e tij u prit me një protestë nga anëtarët e organizatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, të cilët ia ndërprenë fjalimin dhe u larguan nga takimi.

    Organizata deklaroi se “nuk do të heshtë përballë një lideri që përpiqet të justifikojë dështimet e veta duke fajësuar të tjerët”.

    Për Afrim Krasniqin, një ekspert politik me qendër në Tiranë, i cili drejton Institutin për Studime Politike, Partia Socialiste e Ramës po kërkon mbështetje të re jashtë vendit, sepse votuesit në vend janë të lodhur nga premtimet e saj elektorale.

    “Partia Socialiste është fokusuar në diasporë për disa arsye: për shkak të pakënaqësisë brenda vendit, pamundësisë së reformave, ka pakënaqësi të madhe në grupet tradicionale mbështetëse të Partisë Socialiste dhe rënie të numrit të anëtarëve”, tha Krasniqi për BIRN.

    “I vetmi burim votash ku Partia Socialiste duhet të fokusohet janë individë që nuk jetojnë në Shqipëri”, shtoi ai.

    Emri:  nensi-1140x760.jpg

Shikime: 39

Madhësia:  31.8 KB
    Protesta e opozitës në Tiranë, tetor 2024. Foto: Nensi Bogdani/BIRN.

    Burimet publike për përdorime partiake?

    Takimet e Ramës me diasporën kanë ngritur gjithashtu dyshime nëse Partia Socialiste po përdor administratën publike për qëllime elektorale.

    Gazment Bardhi nga Partia Demokratike e opozitës e ngriti këtë çështje pas udhëtimit në Nju-Jork, duke postuar në rrjetet sociale foto të ambasadorëve shqiptarë pjesëmarrës në takimet e Ramës.

    “Trupi diplomatik asnjëherë, askund, nuk merr pjesë në aktivitetet partiake dhe aq më pak shërben si organ elektoral i partisë në pushtet. Funksioni kërkon pavarësi politike dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në mënyrë dinjitoze në mbarë botën”, tha Bardhi.

    Ai i bëri thirrje presidentit që të ndërhynte dhe paralajmëroi se kishte përgatitur një padi kundër Ramës dhe ambasadorëve që ai identifikoi që kishin marrë pjesë në këto takime.

    Xhemollari tha se një ndryshim legjislativ i ka lejuar Ramës të ushtrojë më shumë pushtet mbi trupin diplomatik.

    “Ne patëm një ndryshim në ligjin e 2015-ës për diplomacinë, ku kompetencat e presidentit u morën nga kryeministri dhe kryeministri ka fuqinë të emërojë ambasadorë dhe mund ta përdorë këtë si të dojë në një situatë elektorale”, tha ai.

    Ai shtoi se Rezistenca Qytetare dhe Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka protestuar për një incident të mëparshëm kur ambasadori i atëhershëm në SHBA “mori pjesë në aktivitetet e Partisë Socialiste” gjatë një fushate zgjedhore.

    Krasniqi gjithashtu beson se Partia Socialiste do të përpiqet të përdorë burimet e saj administrative për të siguruar votat e diasporës; megjithatë, ai tha se pret që numri i votuesve nga diaspora të jetë i vogël sepse “procedura e votimit për diasporën është jashtëzakonisht e komplikuar me regjistrim paraprak, dokumente me kosto financiare etj”.

    Mungesa e mundësive për të votuar për shqiptarët e diasporës ka qenë prej kohësh një çështje politike, por për zgjedhjet e ardhshme, një zgjidhje kompromisi mes palëve është rënë dakord në korrik të këtij viti.

    Ndërsa turi i tij në diasporë vazhdon, Rama shpreson që shqiptarët jashtë vendit tani do të votojnë për të.


    BIRN
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-11-2024 më 12:30

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 25-11-2024, 13:46
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-12-2023, 12:45
  3. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 19-12-2023, 15:47
  4. Përshtypjet e turistëve të huaj pasi vizitojnë Shqipërinë
    Nga Albo në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-09-2022, 11:20
  5. Fushate elektorale
    Nga "KINGU-1" në forumin Letërsia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 22-10-2003, 09:26

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •