Opozita bllokon rrugët, përplasje me policinë në Tiranë dhe Elbasan
Një grup deputetësh nuk shkon në protestë, por takon eurodeputetët bashkë me socialistët
Për thuajse tre orë, opozita mbajti të bllokuar disa nga rrugët kryesore të vendit, jo vetëm si një formë e proteste kundër arrestimit të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Ervin Salianjit, por edhe si një test për të dhënë prova të rezistencës ndaj presioneve të pushtetit.
Protesta kishte parashikuar bllokimin e sheshit Shqiponja në Tiranë, të rrethrrotullimit të Milotit, të rrethrrotullimit të Shkozetit, në rrethrrotullimin e Bradasheshit, në rrethrrotullimin e Rrogozhinës dhe në Levan.
Në pjesën më të madhe të kohës, protesta ka kaluar e qetë. Qytetarët u grumbulluan në sheshet e paracaktuar rreth orës 17:00, pasi deputetët e PD vendosën në mes të rrugës makinat e tyre, ndërsa policia ka qëndruar në distancë.
Në disa raste ambulancat janë lejuar të kalojnë, ndërsa protestuesit kanë djegur goma në rrugë.
Megjithatë në orën 19:00 u duk se policia mori urdhër të bëjë një përpjekje për të prishur protestën. Në Tiranë dhe në Bradashesh pati përplasje. Policët ishin afruar ngadalë, hap pas hapi dhe në fund, kur protestuesit u gjetën të mënjanuar, ata kanë reaguar.
Përpjekjet e policisë për të liruar rrugën kanë qenë të suksesshme në Bradashesh, ku mbështetësit e opozitës u tërhoqën pas disa përplasjeve me uniformat blu.
Ndërkohë në Tiranë, protestuesit nuk janë tërhequr dhe kanë qëndruar deri në fund, kur ishte vendosur mbyllja e protestës deri në orën 20:00. Flamur Noka që kishte marrë përsipër të udhëhiqte protestën në sheshin Shqiponja, tha se, nëse policia do t’i shpërndante protestuesit me dhunë, atëherë “destinacioni i radhës ishte Surreli”.
Por ndërkohë që një pjesë e qytetarëve ndoqën Flamur Nokën në Tiranë apo Tomorr Alizotin në Bradashesh që u përplasën me policinë, një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike nuk morën pjesë në protestë.
Ina Zhupa, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi dhe kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi zgjodhën të shkojnë në takim me një delegacion deputetësh nga Parlamenti Europian.
Prezenca e deputetëve në një takim me eurodeputetët nuk ishte në sintoni me sakrificën që i kërkohet mbështetësve të opozitës për mosbindje civile dhe bllokim rrugësh, akte për të cilat policia paralajmëroi disa herë se do të ndiqen penalisht dhe ata që i kryejnë, rrezikojnë burgun.
Lapsi.al
Krijoni Kontakt