Blerje votash dhe krim, arrestohet ish-deputeti Jurgis Çyrbja
Në një njoftim të shkurtër për shtyp, SPAK bëri të ditur se ka urdhëruar arrestimin e Jurgis Çyrbja, ish-drejtor hipoteke dhe deputet për Partinë Socialiste për pothuajse dy mandate nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, përkrahje krimi dhe nxjerrje e sekretit shtetëror.
Nga Edmond Hoxhaj
Jurgis Çyrbja. Foto: LSA
Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja u arrestua të dielën në Durrës, pak ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e mbante që nga viti 2017. Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, bëri të ditur në një njoftim të shkurtër se urdhërarresti është lëshuar nën akuzat ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; ‘Përkrahja e autorit të krimit’, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe ‘Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit’, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal”. Korrupsioni aktiv në zgjedhje parashikon dënim nga një deri në pesë vjet ndërsa neni 302/1/2 parashikon dënimin nga dy deri në shtatë vjet. Neni 295/1 parashikon dënim nga gjobë deri në pesë vjet.
Ergys Çyrbja u zgjodh për herë të parë si deputet i Partisë Socialiste në vitin 2017 në qarkun e Durrësit. Çyrbja, një ish-drejtor hipoteke, u bë i njohur në veçanti për rastin e ish-Hotel Vollgës, një pronë në qendër të Durrësit, për të cilën, Emiljano Shullazi, i dënuar disa herë për krime të ndryshme, kishte interes. Sipas CV-së së tij, Çyrbja, 39 vjeç, ka mbaruar studimet në vitin 2010 dhe është bërë drejtor i Hipotekës së Durrësit në vitin 2013 dhe deputet në vitin 2017.
Çyrbja u thirr dhe u mor në pyetje në SPAK më 10 tetor. Kur doli nga zyrat e SPAK ai deklaroi se kishte dhënë sqarime për çështje që kishin të bënin me kohën kur drejtonte hipotekën e Durrësit. Më vonë ai dorëzoi mandatin e deputetit veprim që e justifikoi me “nevojën për t’u kujdesur për shëndetin”. Prej vitit 2021, Ergys çyrbja mban]jti mandatin e deputetit për Partinë Socaliste.
Pas dorëzimit të mandatit nga Çyrbja, si dhe pas arrestimit të tij, ka reaguar kryëetari i Partisë PD-Demokratët Antlantikë, Lulzim Basha, duke u shprehur se kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka bërë deputet si përfaqësuesin e bandave të Shijakut dhe Durrësit.
Çyrbja i shtohet një liste jo të shkurtër deputetësh dhe funksionarësh të tjerë politikë që akuzohen për krime të rënda.
BIRN
Krijoni Kontakt