Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 17 prej 17
  1. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,697
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja Çyrbja: Gjithë pushteti i Edi Ramës, në shërbim të krimit të organizuar

    Analiza e zgjedhjeve/ Ç’ndodhi me votën e PS në Durrës

    14:41 12/05/21 Koha e leximit: 3 min

    Emri:  durr-e1620823273223-1024x548.jpg

Shikime: 306

Madhësia:  30.8 KB

    Pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun Durrës ishte relativisht e lartë, gjë që favorizoi opozitën, por Lëvizja Socialiste për Integrim e humbi mandatin e fundit me 137 vota, gjë që i dha avantazh socialistëve.

    BIRN

    Partia Socialiste arriti të fitojë zgjedhjet në qarkun e Durrësit duke marrë tetë mandate dhe duke lënë pas Partinë Demokratike në opozitë me gjashtë mandate pasi arriti të përmirësojë edhe më tutje rezultatin e saj të katër viteve më parë, ndërkohë që Partia Demokratike pësoi rritje të fortë ndërsa LSI humbi mandatin për një grusht votash.

    Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, në qarkun Durrës u hodhën gati 11 mijë vota më shumë se sa katër vjet më parë, nga të cilat, rreth 7 mijë iu dhanë partive të opozitës dhe 4 mijë PS-së. Rezultati 8 me 6 në mandate për socialistët reflekton humbjen e mandatit nga LSI dhe jo fitoren e thellë për PS. LSI mori 9480 vota në këtë qark ku mandati i fundit iu dha Partisë Socialiste me 9616 vota.
    Kjo është arsyeja se pse LSI ka kërkuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve rinumërim dhe rivlerësim të votave të Qarkut Durrës.

    Emri:  dru.jpg

Shikime: 312

Madhësia:  31.5 KB

    Qarku i Durrësit konsiderohet zakonisht si fushëbetejë për zgjedhjet në Shqipëri për shkak të luhatjeve të konsiderueshme në historinë e shkurtër zgjedhore të vendit. Ai është edhe një nga të paktat qarqe me rritje të popullsisë. Në vitin 2009, të 13 deputetët e qarkut u ndanë shtatë për Partinë Demokratike, 5 për PS-në dhe 1 për LSI-në. PD realizoi një fitore të konsiderueshme duke marrë 60 mijë vota ose 46%, një rezultat që nuk e pa më deri në vitin 2021. Por Partia Socialiste e ka përmirësuar në vijimësi rezultatin e saj në qark me metoda kontroverse, përfshirë ndihmë nga struktura të krimit të organizuar. Ajo pati marrë 49 mijë vota më 2009 ndërsa arriti të marrë gati 78 mijë ose 50% në vitin 2021. Votat pëlqyese sugjerojnë se socialistët ia dedikojnë suksesin e tyre në veçanti kryeministrit Edi Rama, i cili garoi në këtë qark dhe mori gati 16 mijë vota, por edhe Lefter Kokës, Rrahman Rrajës e Jurgis Çyrbes.

    Koka, ish-ministër i LSI-së, mori 9,600 vota personale, duke u renditur menjëherë pas Ramës ndërsa Rrahman Rraja, një deputet që u bë i njohur për publikun për shkak të problemeve të të birit dhe disa të afërmve të tjerë me drejtësinë, mori gati 7800 vota pëlqyese.

    Nga ana tjetër, Partia Demokratike duket se u kthye me forcë në Durrës duke marrë 63 mijë vota ose 20 mijë më shumë se sa në vitin 2017 ndërsa LSI humbi 12 mijë vota. Për nga numri i votave, ky ishte rezultati më i lartë i arritur nga PD që nga viti 2009, ndonëse në përqindje të votave të vlefshme ajo mbetet nëntë pikë larg socialistëve. PD dhe LSI së bashku morën 73 mijë vota, rreth 4 mijë më pak se sa socialistët.

    Qarku i Durrësit u nda 8 mandate për PS, 6 për PD dhe 2 për LSI në zgjedhjet e vitit 2017 ndërsa rritja e opozitës mund ta kishte ndarë rezultatin në mandate barabartë në shtatë me shtatë, në rast se LSI do të kishte marrë vetëm 137 vota më shumë nga sa mori.

    Formula e D’Hondt e mesatareve më të larta, e cila përdoret për të ndarë mandatet e deputetëve në Shqipëri, bën që një numër i vogël votash të bëjnë diferencën mes fitores dhe humbjes. LSI ka humbur mandat për pak vota në Berat dhe në Durrës ndërsa PD duket se ka humbur mandat në favor të Partisë Socialdemokrate në Shkodër.

    Rreth 83% e votuesve të demokratëve dhe socialistëve dhanë një votë pëlqyese për një kandidat të caktuar në këto zgjedhje. Mes socialistëve, vetëm 16% e votave iu dhanë kandidateve gra ndërsa mes demokratëve, 31% e votave u fituan nga kandidatet, një nga kuotat më të larta në vend.

    Farmacistja Manjola Luku, 44 vjeç, me banim në Manëz, ishte kandidatja grua më e votuar në qark me mbi 6100 vota pëlqyese. Ajo gjendet në vend të nëntë në listën e Partisë Demokratike kështu që nuk do të jetë deputete në parlamentin e ardhshëm pavarësisht se ka marrë më shumë vota pëlqyese se edhe vetë Edi Paloka, i cili drejtonte listën e demokratëve në këtë qark. Andia Ulliri, një menaxhere në firmë private nga Kruja, u rendit e dyta kandidate grua me gati 5,600 vota pëlqyese.

    Ish-deputeti Igli Cara ishte kandidati më i votuar i demokratëve me 6,900 vota pëlqyese por ai nuk do të jetë deputet sepse është përcaktuar i shtati në listën e PD-së.

    BIRN

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,697
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja Çyrbja: Gjithë pushteti i Edi Ramës, në shërbim të krimit të organizuar

    Berisha nxjerr dosjen e përgjimeve të Jurgis Çyrbes (faksimile)

    Pas vrasjes së të dielës në Ndroq, janë rikthyer në media copëza përgjimesh të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbjes që fliste me Altin Hajrin për të nxjerrë nga burgu Julian Gjoshin, autorin e krimit që ndodhi dje.

    Dosja me përgjimet e Jurgis Çyrbjes nuk ka dalë e plotë në media, por ajo duket se disponohet nga Partia Demokratike. Gjatë konferencës për mediat, Sali Berisha ka publikuar një faqe të dosjes ku Altin Hajri i shkruan Jurgis Çyrbjes për lirimin e kunatit të tij, Julian Gjoshës. Faksimile më poshtë:

    Emri:  WhatsApp-Image-2024-12-02-at-12.38.29.jpg

Shikime: 313

Madhësia:  45.6 KB

    “Të mos fshehin Olsin, të mos fshehin kriminelin sepse qytetari dixhital, gazetarët me artikujt e tyre, dy Olsa ka në prokurori, Olsi Çela dhe Olsi Dado. Këta janë.
    A mund të ishte Çela? A mund të ishte dikush tjetër?
    Përmendet dhe Taulant Balla. Ja ku e keni edhe ministrin. Lexojeni aty.
    Pra, kur unë u kam thënë se Altin Dumani fle mbi dosjet e krimit, lexojeni pak e më thoni a nuk fle ai mbi dosjet e krimit apo nuk flen.
    Se dy kostume do ia bëjmë këtij Olsit, dy kostume të bukura, merrja masat, e porosit këtë Çyrbjen.
    Kush janë këta? Apo janë sekret se je i implikuar Altin Dumani.
    Ja ku e keni.
    Në këtë rast nuk është Dado.
    Po cili është Olsi, e di Dumani. E fsheh.
    Por si prokuror nuk ka qenë Olsi. A ka ndërhyrje të tjera a nuk ka, këtë e fshehin” u shpreh Berisha.

    LAPSI

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,697
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja Çyrbja: Gjithë pushteti i Edi Ramës, në shërbim të krimit të organizuar

    ‘”Mos fol me njeri”, bisedat e Çyrbes me Mond Çekiçin para se të ekzekutohej

    Emri:  640-0-1732740363xqsqspng-186-640x375.png

Shikime: 322

Madhësia:  228.0 KB

    Përdoruesi i kodit “BFLSI 1”që dyshohet se është deputeti Jurgis Çyrbja komunikon me një person që mendohet se është Edmond Koçi. Ky është një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në Durrës, i njohur me nofkën “Mond Çekiçi”.

    Është fillim i marsit dhe më tepër se një muaj para se shqiptarët tu drejtohen kutive për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Koci tregohet optimist mbasi është investuar tek persona të tjerë që Çyrbja të ishte kandidat për deputet në listë. Aty këmbëngul që ka biseduar që Çyrbja të mos ishte i 7 por të renditej i pesti në listë.

    Tashti sa e mbylla muhabetin tënd se kam tre orë me atë , por mos fol me njeri njëherë. Mos i thuaj asnjërit. Vetëm mos fol se na prishin punë. Bëj sikur s’di gjë. Se ja kërkova personalisht. E du unë këtë gjë i thashë përveç se e duan të gjithë. Do ju çoj ashtu tha, normal ti i pesti , Liri i shtati”

    Mond Çekiçi, do të ekzekutohej në një atentat mafioz pak ditë pas bisedës që kishte pasur përmes SKY me deputetin Jurgis Çyrbja. Ajo që përbën fakt, është ngjitja në listë e Çyrbes. Jo në vendin e 7-të siç kishte premtuar “Çekiçi”, por në vendin e 3-të, përtej pritshmërive.

    “Rrofsh je i madh. Rrofsh vëlla. JOOO. Rrofsh vëlla na ngrite moralin se na kishte ik mendja”, i pëgjigjet Cyrbja Edmond Kocit

    Lista e bërë publike në atë kohë tregon se Jurgis Çyrbja u rendit i treti në garën për deputet, ndërsa personi që flitet si Liri dhe që dyshohet se është deputeti Ilir Ndraxhi renditet i pesti.

    ‘I është lënë një terren shumë i madh dhe paratë e krimit janë shumë fishuar. Këto para kthehen shumë shpesh në blerje votash dhe pak a shumë përfaqësuesit e krimit po bëhen si mëkëmbës apo përfaqësues të drejtëpërdrejtë të sovrani’ u shpreh Arben Braçe, ish-drejtor i ekstardimeve

    Përkundër këtyre komunkimeve në Sky eç , ish-deputeti i Durrësit vazhdon të mbajë qëndrim mohues. Ai këmbëngul se nuk ka përdorur kurrë në jetën e tij aplikacionin Sky Eç. Pavarësisht pretendimeve të tij, hetuesit janë të bindur se kanë prova të mjaftueshme që vërtetojnë se pas bisedave inkriminuese me njerëzit e krimit, qëndronte pikërisht ish deputeti Jurgis Çyrbja.

    Në fashikullin hetimor sqarohet se në ato biseda, ai përmendet me shkurtesat “J”, “JUR”, “JURI”. Bisedat i përkasin periudhës 2020-2021, kur ishte deputet, dhe kandidat i konfirmuar për mandatin e dytë. Në fakt, Çyrbja u surprizua nga kjo dosje pasi kishte dorëzuar mandatin e deputetit lidhur me hetimin tjetër për akuzën e tjetërsimit të tokave gjatë kohës që drejtonte Kadastrën e Durrësit. Sot, ai qëndron prapa hekurave për tregim sekreti, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje. Akuza që lidhen me transkriptet e zbardhura më sipër.

    Top Channel

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,697
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja Çyrbja: Gjithë pushteti i Edi Ramës, në shërbim të krimit të organizuar

    Mbetet në burg Jurgis Çyrbja, shpërbleu bandat e Shijakut që e vunë deputet

    Emri:  461164684_936991425134897_6567946687714149666_n-1140x570.jpg

Shikime: 319

Madhësia:  21.3 KB

    Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurimit arrest në burg për ish-deputetin Jurgis Çyrbja. E njëjta masë u la edhe për Ahmet Mashën, i cili u arrestua bashkë me Çyrbjen.

    Ish-deputeti i PS-së në qarkun e Durrësit u arrestua me urdhër të SPAK. Prokuroria e Posaçme njoftoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij si deputet, Çyrbja i ka ofruar favorizime të shumëkërkuarit të drejtësisë Altin Hajri. Ky i fundit në këmbim i siguronte vota për t’u zgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

    Një tjetër akuzë ndaj tij është edhe nxjerrja e sekretit hetimor. Për këtë, ai ka bashkëpunuar me Ahmet Mashën. Ata kanë dekonspiruar të paktën 7 operacione të policisë për arrestimin e disa të kërkuarve.

    Tre ditë më parë (15 Nëntor) , Çyrbja u mor në pyetje sërish nga SPAK ku mohoi akuzat.

    “Nuk kam patur kurrë aplikacion “Sky ECC” dhe nuk jam unë ai që komunikoj me ata persona. Unë nuk kam përkrahur asnjë person në kërkim, as nuk kam strehuar ndonjë të tillë”, ka deklaruar ish-deputeti.

    Ish-deputeti ka dhënë shpjegime edhe sa i takon akuzave të tjera që rëndojnë ndaj tij për “korrupsion në zgjedhje”, “tregim të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

    LAPSI

  5. #15
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,697
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja Çyrbja: Gjithë pushteti i Edi Ramës, në shërbim të krimit të organizuar

    "Çyrbja"/ SPAK u hyn thellë socialistëve - Dako duhet të sqarojë kush e ndërroi listën e Durrësit

    VIDEO

    Ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

    Mësohet se Dako do të merret në pyetje lidhur me dosjen e ish-deputetit socialist, Jugis Çyrbja, i cili është arrestuar dhe akuzohet për blerje votash dhe lidhje me krimin.

    Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin.

    Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.

    ORA NEWS

  6. #16
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,697
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja Çyrbja: Gjithë pushteti i Edi Ramës, në shërbim të krimit të organizuar

    Hetohet Dako, por lista e Durrësit mban firmën e Ramës (Dokumenti)

    Me logjikën e SPAK rezulton se Vangjush Dako caktoi në listë Edi Ramën

    Emri:  rama-dako-1140x570.jpg

Shikime: 309

Madhësia:  31.0 KB

    Me fytyrën ku i lexohej shqetësimi për telashet e një dosjeje të re dhe me thinjat që i janë shtuar nga burgu i vjetër, Vangjush Dako reagoi i bezdisur kur një grup gazetarësh kureshtarë e rrethuan menjëherë për ta pyetur në lidhje me fletë-thirrjen e fundit, atë që ka të bëjë me Jurgis Çyrbjen, ish-deputeti që përdorte aplikacionin Sky Ecc për të folur me bandat e Shijakut.

    “Ikni se nuk ju them asgjë” i ra shkurt ish-kryebashkiaku, dikur drejtues politik i Partisë Socialiste në Durrës dhe anëtar i kryesisë qëndrore, ndërsa sot një ish-i burgosur që nuk bën dot asnjë hap nga shtëpia pa u shoqëruar nga një polic që i vinte nga pas edhe në rrugën Jordan Misja në Tiranë.

    Dako ende nuk ka nisur zyrtarisht dënimin me 2 vjet e 8 muaj burg për dy çështje të vjetra, një që ka të bëjë me një leje ndërtimi të dhënë me vonesë në Durrës dhe çështja e dytë, për shpenzimet e një shëtitore që nuk u ndërtua kurrë.

    Emri:  dako-ne-spak.jpg

Shikime: 310

Madhësia:  50.1 KB

    Ç’ka e bën më shqetësuese situatën e tij, është fakti se hetimi i ri duket ku e ku më i rëndë, se sa dosjet e vjetra për të cilat e dënoi gjykata.

    Kush i dha garanci bandave të Shijakut për Jurgis Çyrbjen?

    Emri:  WhatsApp-Image-2024-11-08-at-19.18.14-1140x570-1.jpg

Shikime: 316

Madhësia:  37.5 KB

    Jurgis Çyrbja u rendit i treti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Durrës për zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Por bisedat e zbardhura në SKY ECC dëshmuan se për t’u bërë deputet, Çyrbja nuk dha ndonjë kontribut në strukturat e Partisë Socialiste, por ai e kërkoi këtë nder nga bandat e Shijakut.

    Altin Hajri, kreu i një grupi kriminal me bazë në Shijak që akuzohet për zhdukjen e Jan Prengës rezulton se ishte një nga ata që i dilte garant Jurgis Çyrbjes për renditjen në listën e PS. Hajri ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS dhe bënte llogaritë e votave, duke i premtuar ish-kandidatit se do të lobonte në Partinë Socialiste që ai të bëhej deputet.

    Në bisedën e datës 7 mars 2021 Altin Hajri njofton Jurgis Çyrbjen se kishte marrë garanci se ai dhe “liri” do të ishin kandidatë në listën për deputetë, në vendin e katërt ose të pestë, duke iu referuar kandidatit tjetër të Qarkut të Durrësit, Ilir Ndraxhi.

    Madje Altin Hajri e kishte listën e kandidatëve të Durrësit në telefonin e tij para se këtë ta kishte deputeti dhe është ai që e njofton në SKY ECC për renditjen e kandidatëve pasi merret vendimi.

    Përveç bisedave me Altin Hajrin, SPAK ka zbuluar edhe komunikimin direkt të Jurgis Çyrbjes me Edmond Çekiçin, i cili u vra disa muaj pas zgjedhjeve. Edhe ky, një emër i njohur i bandave të Durrësit del garant se Çyrbja do të ishte në listë në vendin e 5.

    Edmond Çekiçi: “Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7”.

    Jurgis Çyrbja i kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja”.

    Roli i Dakos në Durrës

    Emri:  rama-dako-1.jpg

Shikime: 313

Madhësia:  52.8 KB

    Metodat e Vangjush Dakos janë të njohura nga përgjimet e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda në dosjen 339 në të cilën doli se ish-kryebashkiaku angazhoi vëllezërit Avdylaj për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të 2017 në Durrës dhe në Shijak.

    Në ato zgjedhje, Dako ishte kandidat i Partisë Socialiste të Durrësit për bashkinë dhe për të arritur objektivin kishte dorë të lirë nga kryesocialisti Edi Rama për të përdorur emra të njohur të krimit, personazhe që u zbuluan nga përgjimet e prokurorisë për hetimet e një laboratori heroine dhe për trafikun e armëve.

    Por dosja 339 u mbyll pa e cënuar Vangjush Dakon, që pas publikimit të përgjimeve u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Vetëm se procesi në zgjedhjet e vitit 2021 ka një dallim thelbësor nga ai i vitit 2017. Në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste ishte edhe Edi Rama, i renditur i teti në të njëjtën listë ku kandidat për deputet ishte edhe Çyrbja.

    Vangjush Dako mund të ketë qenë drejtues politik në Durrës, por a mund të vepronte ai pa dijeninë e Edi Ramës?

    Dako, kokë turku

    Emri:  Screenshot 2024-12-03 at 1.12.13 PM.jpg

Shikime: 318

Madhësia:  47.3 KB

    Në 5 vjet që kur është ngritur si strukturë. SPAK ka provuar disa herë se nuk mund ta thërrasë dot kryeministrin Edi Rama për ta marrë në pyetje. Sigurisht që nuk mund as ta procedojë penalisht atë.

    Ky defekt që ka institucioni, kjo vijë e kuqe që vizatohet në nisje të çdo hetimi, i detyron prokurorët t’i përvidhen disa të vërtetave duke dalë në konkluzione qesharake.

    E tillë është edhe fletë-thirrja drejtuar Vangjush Dakos, duke shpërfillur Edi Ramën.

    Dihet që listën përfundimtare të kandidatëve të Partisë Socialiste e firmos dhe e çon në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kryetari i partisë, Edi Rama. Madje kjo listë është publike dhe gjendet me një kërkim të thjeshtë në internet. Siç duket më poshtë, lista e kandidatëve të Durrësit mban firmën e Ramës.

    Emri:  1615283265_PS5.jpg

Shikime: 321

Madhësia:  62.8 KB

    Madje në datën Rama e ka prezantuar në publik listën e kandidatëve për të gjithë Shqipërinë, ai ka dhënë shpjegime për emra specifikë, personalitetin, cv dhe kontributin e tyre.

    Prandaj kur dolën përgjimet e Jurgis Çyrbjes në SKY ECC ishte mëse e kuptueshme që dyshimet për ndikim nga bandat kriminale të binin mbi Edi Ramën, si kryetar i Partisë Socialiste dhe firmëtar i listës që është dërguar në KQZ.

    Vetëm se SPAK nuk i lejohet ta shohë këtë realitet. Hetimet nuk mund të shkojnë aq lart, prandaj dhe situata kalon në absurd, sikur njeriu që ka hartuar listën e kandidatëve është Vangjush Dako, i cili me logjikën e SPAK rezulton se është ai përgjegjës për caktimin edhe të numrit 8 në listën e kandidatëve, që është vetë Edi Rama.

    LAPSI

  7. #17
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,697
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dosja Çyrbja: Gjithë pushteti i Edi Ramës, në shërbim të krimit të organizuar

    Rasti ‘Çyrbja’: Simbioza krim-politikë dhe roli në korrupsionin zgjedhor

    Hetimet e fundit ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja ekspozojnë lidhjet e thella mes krimit të organizuar dhe politikës si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor – duke deformuar sipas ekspertëve votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit.

    Emri:  Jurgis-Cyrbja.jpg

Shikime: 89

Madhësia:  54.8 KB
    Ish-deputeti i Partisë Socialist, Jurgis Çyrbja, pasi doli nga SPAK. Foto | LSA

    Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kandidati i Partisë Socialiste për zonën e Shijakut, Jurgis Çyrbja mori përmes një bisede në aplikacionin SKY ECC premtimin e një bosi lokal të krimit se ai do t’i siguronte mijëra vota në zonën e tij elektorale.

    “3 mijë do ti jap unë, maje men,” citohet t’i ketë shkruar atij Altin Hajri, pronar i një resorti luksoz në Shijak, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe zhdukjen e një personi. “E kena blindu Gjepalen”.

    Zbulimi i komunikimeve të SKY ECC solli arrestimin në tetor 2024 të Jurgis Çyrbjes, pas një dekade karriere të vrullshme si drejtues i administrates lokale dhe deputet për dy mandate i Kuvendit të Shqipërisë.

    Sipas të dhënave të hetimit të Prokurorisë së Posaçme, rasti Çyrbja përfaqëson shembullin tipik të lidhjeve të thella që ekzistojnë mes krimit të organizuar dhe politikës në Shqipëri si dhe rolin e kësaj simbioze në procesin zgjedhor dhe në fushën e zbatimit të ligjit.

    Hetimet e Prokurorisë së Posaçme sugjerojnë se Çyrbja ishte një investim i krimit të organizuar në listën e sigurt të kandidatëve të Partisë Socialiste në zonën e Durrësit – ndërkohë që akuzohet se u shërbente atyre me informacione sekrete mbi operacionet policore apo me ndihmë në rastet kur kishin probleme me institucionet ligjzbatuese.

    Si pasojë e këtyre lidhjeve, Çyrbja akuzohet për “korrupsion në zgjedhje”, pasi dyshohet se arrinte të mobilizonte anëtarët e krimit të organizuar që të siguronin vota për Partinë Socialiste në pushtet.

    Rasti Çyrbja nuk është i izoluar. Dy hetime të mëparshme të Krimeve të Rënda, të njohura si dosjet 339 dhe 184 zbuluan përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 si dhe në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2016 në Dibër në favor të Partisë Socialiste. Gjithsesi, hetimet u mbyllën pa rezultate të dukshme.

    ‘Përmes forcës dhe parave’

    Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, Prokuroria e Posaçme deklaroi se ka hartuar një strategji për krimet zgjedhore, duke marrë një rol proaktiv në parandalimin dhe hetimin e veprave që lidhen me korrupsionin në zgjedhje, keqpërdorimin e administratës apo përfshirjen e krimit të organizuar.

    Strategjia përfshin gjithashtu ngritjen e një Task-Force për zgjedhjet, me një strukturë qëndrore në SPAK dhe grupe hetimore në terren për të mbuluar zonat zgjedhore në Shqipëri.

    Megjithatë, vëzhgues të politikës dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë të shqetësuar për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, nisur nga faktet e bëra publike për ndikimin që ushtrojnë grupet e krimit të organizuar në proceset elektorale.

    Ervis Iljazaj, pedagog i Shkencave Politike pranë Universitetit Europian të Tiranës i tha BIRN se krimi i organizuar është kthyer në një fenomen shqetësues për shoqërinë, ekonominë dhe politikën shqiptare. Shërbimi i tyre për politikën, lidhet sipas Iljazajt me angazhimin e tyre në fushata elektorale përmes “forcës apo parave”.

    “Tashmë nuk është më opinion, por një fakt që banda të caktuara në qytete të caktuara angazhohen për të mbledhur vota të cilat më pas kthehen në favore që pushteti i bën atyre,” tha Iljazaj.

    “Problemi qëndron se tashmë paratë e tyre nuk vijnë vetëm nga aktivitete kriminale, por nëpërmjet lidhjeve me politikën ata janë futur në ekonominë e ”rregullt”, sidomos në tregun e ndërtimeve,’ shtoi ai.

    Ndërsa vlerëson se pesha dhe roli ekzakt i krimit të organizuar në rezultatin final të zgjedhjeve është i vështirë për t’u përcaktuar, Iljazaj thotë se hetimet e Prokurorisë dhe të dhënat e publikuara në media e tregojnë qartë ndikimin.

    “Me sistemin zgjedhor që kemi ne, një grusht votash mund të bëjnë diferencën për fitimin e një mandati apo humbjen e tij. Kështu që, po, në disa raste mund të jetë vendimtare duke deformuar vullnetin e lirë të zgjedhësve dhe sovranitetin popullor,” theksoi ai.

    Për Gentjan Serjanin, drejtues i organizatës “Drejtësi Sociale”, roli i krimit të organizuar shkon deri në përcaktimin e deputetëve të Parlamentit dhe është “përcaktues se cila parti do të jetë në pushtet”.

    Serjani theksoi gjithashtu se krimi ndikon veçanërisht tek grupet vulnerabël të shoqërisë.

    “Krimi vepron në sigurimin e votave nëpërmjet blerjes, kërcënimit të individëve që punojnë për kundërshtarët politikë, si dhe nëpërmjet mbështetjes financiare të fushatës elektorale për individë të caktuar,” tha Serjani.

    “Krimi ndikon në të gjitha kategoritë, por më specifikisht tek grupet vulnerabël,” shtoi ai, duke theksuar se në këto raste përdoret kërcënimi.

    Ekspertët vlerësojnë se përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është një rrezik i shtuar për demokracinë e brishtë shqiptare.

    Sipas Iljazajt, krimi i organizuar ndikon sot në prishjen e demokracisë përmes “deformimit të vullnetit të lirë të njerëzve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”.

    Edhe Serjani bie dakord, ndërsa thekson se përveç cenimit të vullnetit përmes votës, krimi i organizuar është një nga faktorët e krijimit të një “sistemi qeverisës nga një parti për shumë vite”.

    “Gjithashtu, dihen pasojat e jetëgjatësisë tej normales të një partie në pushtet,” përfundoi ai.

    BIRN

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-10-2024, 14:05
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-07-2024, 14:13
  3. Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-05-2023, 16:31
  4. Përgjigje: 56
    Postimi i Fundit: 24-01-2020, 05:37
  5. Lufta ndaj krimit te organizuar
    Nga Albo në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 33
    Postimi i Fundit: 19-06-2002, 21:23

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •