Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 12
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Albanistan: Një dropullit zgjidhet kryetar i Bashkisë Himarë, pa mbështetjen e qytetarëve të Himarës

    Mbyllen kutitë e votimit në Himarë: Qindra qytetarë privohen nga e drejta e votës

    Megjithë pjesëmarrjen më të lartë se në zgjedhjet e vitit 2023, qindra qytetarë nuk arritën të votonin në zgjedhjet pjesshme vendore për bashkinë Himarë për shkak se dokumenteve të tyre të identifikimit i kishte kaluar afati skadimit.

    Nga Besar Likmeta

    Emri:  Zgjedhje-Himare.jpg

Shikime: 183

Madhësia:  38.2 KB
    Zgjedhjet në Himarë. Foto: LSA

    Mesditën e të dielës, një 86-vjeçar ishte ulur në shkallët e kishës së Shën Mërisë në qendër të fshatit Vuno, në një aneks të së cilës ishte ngritur edhe qendra e votimit për zgjedhjet e pjesshme për kryebashkiak në bashkinë Himarë.

    Edhe pse pak metra larg kutisë së votimit, i moshuari i cili tha se kishte dalë në pension kur Adil Carçani ishte akoma kryeministër, u shfaq i painteresuar për procesin zgjedhor dhe herën e fundit kishte votuar pesë apo gjashtë vite më parë.

    I pyetur nga ky gazetar nëse ishte i zhgënjyer nga politika, ai më dha një shikim zhbirues dhe tha: “Nuk jam i zhgënjyer nga politika, jam i zhgënjyer nga demokracia”.

    Pas zgjedhjeve të së dielës në bashkinë Himarë, ku qindra votuesve iu mohua e drejta për të votuar për kandidatët për kryebashkiak – shumica prej tyre të moshuar, numri i votuesve të zhgënjyer nga sistemi me gjasë është rritur.

    Sipas kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në bashkinë Himarë ka rreth 6 mijë qytetarë që i ka skaduar dokumenti i identifikimit. Kjo shifër është e ngjashme me zgjedhjet e shkruara dhe me gjasë shumica e këtyre qytetarëve nuk janë rezidentë.

    Celibashi u shfajësua duke vënë në dukje se nuk është institucioni përgjegjës për shtyrjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, ndërsa shtoi se duhet të ishin kandidatët dhe votuesit që duhet të interesoheshin me Ministrinë e Brendshme për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit.

    “Janë rreth 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme, dua të them që gati po e njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, nuk kishin një dokument ID të vlefshëm,” tha ai.

    “Është interes që lidhet me vetë votuesit kandidatët dhe pjesëmarrësit në garë,” shtoi Celibashi.

    Zgjedhjet e pjesshme në Himarë mbahen pas arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të zgjedhur nga radhët e opozitës, i cili më vonë u dënua për blerje votash dhe iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Kandidatët për kryebashkiak në Himarë janë Vangjel Tavo, nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria, nga Partia Demokratike, i mbështetur nga PBDNJ dhe OMONIA.

    Me profesion mjek, Tavo është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përpara se të kandidonte si kryebashkiak për bashkinë Himarë, ai mbajti për disa muaj postin e Prefektit të Vlorës. Ndërkohë rivali i tij Petro Gjikuria është një biznesmen shqiptaro-amerikan me origjinë nga Dhërmiu.

    Në zgjedhjet e së dielës në Bashkinë Himarë kanë të drejtë vote 23,074 qytetarë, dhe deri në orën 18:00 kishin votuar 36% e votuesve. Duke marrw parasysh se tw dhwnat e pjeswmarrjes nuk janw pwrfundimtare, sakaq me 573 vetë, një rritje me 7% në pjesëmarrje. Rritja është e dukshme në të trija njësitë, por më e theksuar në Himarë.

    Megjithatë, kundrejt pjesëmarrjes së lartë vetëm në një qendër votimi në Himarë fshat, komisioni i QV-së i tha BIRN se të paktën 10% të votuesve i ishte mohuar e drejta e votës për shkak të dokumenteve të indetifikimit të skaduara.

    Në një deklaratë për shtyp kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, deklaroi se dokumentet e identitetit që u ka kaluar afati duhet të vazhdonin të ishin të vlefshme, pasi zgjedhjet e së dielës një vazhdimësi e zgjedhjeve vendore të vitit 2023.

    “Në këto zgjedhje, mbi 6 mijë zgjedhës, u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes, me mos nxjerrjen e vendimit përkatës nga qeveria, për të votuar me mjete identifikimi që u ka kaluar data e skadencës,” tha ai.

    “Këto zgjedhje janë vazhdim i zgjedhjeve të 2023, dhe për rrjedhojë, duke qenë i njëjti mandat nuk duhej vendim i ri, ishte i mjaftueshëm ai i 2023,” shtoi Dule.

    Akuza ndaj mazhorancës kishte dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

    “Me urdhër te Edi Ramës sot nuk u lejuan të votojnë për shkak të datës së kartave të identitetit, qindra qytetarë të identifikuar kryesisht mbështetës të opozitës,” deklaroi Berisha.

    “Ky është një akt i pa precedent, një krim shtetëror elektoral, dhunim i Kushtetutës që ka si qëllim të vetëm manipulimin e rezultatit zgjedhor,” shtoi Berisha.

    Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte kritik për vendimin për të mos lejuar votues me karta identiteti që u ka skaduar afati.

    “Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me preteksin e skadimit të dokumenteve të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve,” tha Meta.

    BIRN
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Himarë: Qindra qytetarëvë u mohoet e drejta e votës. Arsyeja? Skadimi i kartës së identitetit.

    Berisha: Ju them si Rama i vodhi zgjedhjet në Himarë

    Emri:  WhatsApp-Image-2024-07-17-at-20.43.43-1536x1023-1.jpg

Shikime: 103

Madhësia:  32.6 KB

    Kryetari i PD-së, Sali Berisha foli për zgjedhjet në bashkinë e Himarës gjatë tubimit të zakonshëm që mbahet pranën banesës së tij në Tiranë. Sipas kreut të opzitës këto zgjehdje “dëshmuan intolerancën e plotë, dëshmuan krimin monstruoz elektoral, shtetëror”.

    “Dëshmuan fytyrën e vërtetë të Edi Ramës. Sot Edi Rama ju mohoi të drejtën e votimit, e ushtrimit të të drejtës kushtetuese për votimin 6153 banorëve të Himarës se me pretekstin se atyre u kishin skaduar kartat e identitetit.

    Ky dënim, ky ndëshkim i qytetarëve të Himarës, se kartat e tyre kishin skaduar ndërkohë që kishte skaduar vetëm data, por nuk kishte ndryshuar asnjë nga elementët e sigurisë që dëshmonin identitetin e qytetarit, është një akt kriminal, është një akt që fakton për të qintën herë se me Edi Ramën, zgjedhje të lira nuk ka dhe nuk do të ketë” – tha Berisha.

    “Në zgjedhjet e 14 majit, në Himarë dhe mbarë vendin u zgjat afati i përdorimit, apo u autorizua përdorimi i kartave të identitetit që u kishte skaduar afati. Kurse sot pas një pune të zezë të identifikimit të zgjedhësve me karta të skaduara doli se në shumicë dërrmuese ata ishin zgjedhës të djathtë dhe Edi Rama refuzoi të firmosë dje, vendimin e qeverisë për të autorizuar vlefshmërinë e kartave pavarësisht nga data e skadimit.

    Përveç këtij akti skandaloz, përveç këtij krimi kushtetues, i pandodhur ndonjëherë unë u them shqiptarëve se në ligjet e mëparshme, jo vetëm që pranohej karta edhe e skaduar e identitetit, por pranohej letërnjoftimi i lëshuar edhe në vitet e diktaturës. Pranohej pasaporta jo biometrike, e lëshuar përpara. Pranohej certifikata e nxjerrë në gjendje civile, sepse gjëja e fundit që mund ti shkonte kujt ndërmend ishte mohimi i të drejtës kushtetuese të votimit për qytetarët shqiptarë.

    Të përjashtosh nga votimi 6153 qytetarë në një bashki të vogël, imagjinoni ju se çfarë operacioni kriminal përgatit Edi Rama në shkallë vendi. Ndërkohë miqtë e mi, në Himarë sot votuan edhe qytetarë të ardhur nga Dropulli dhe zona të tjera, me karta identifikimi false, që skadonin në vitin 2070” – tha Berisha.

    Sipas tij, nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Ramën ndaj duhet që vendi të drejtohet nga një qeveri teknike.

    ©LAPSI.al

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,541

    Për: Himarë: Qindra qytetarëvë u mohoet e drejta e votës. Arsyeja? Skadimi i kartës së identitetit.

    Rama ka nje avantazh te pakapercyeshem sot per sot sepse del shpesh apo edhe e nxjerrin nga korniza e idiotit dhe e te çmendurit edhe si fitues,ndersa opozita nuk del dot nga korniza e budallait.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Himarë: Qindra qytetarëvë u mohoet e drejta e votës. Arsyeja? Skadimi i kartës së identitetit.

    Socialistët fitojnë zgjedhjet dhe humbasin Himarën

    Pas përfundimit të numërimit të votave në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë Himarë, socialisti Vangjel Tavo rezultoi fitues me diferencë të thellë përkundrejt kandidatit të opozitës Petro Gjikuria. Gjithsesi, Tavo humbi me diferencë të madhe votat në qytezën e Himarës dhe në shumicën e fshatrave të saj, ndërsa fitorja i erdhi falë votave në Horë Vranisht dhe në Lukovë.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  Zgjedhje-ne-Himare-numerimi-i-votave.jpg

Shikime: 104

Madhësia:  38.5 KB

    Emri:  Screenshot 2024-08-05 at 5.28.00 PM.jpg

Shikime: 98

Madhësia:  26.1 KB

    Emri:  Screenshot 2024-08-05 at 5.32.15 PM.jpg

Shikime: 100

Madhësia:  22.0 KB

    Emri:  Screenshot 2024-08-05 at 5.32.42 PM.jpg

Shikime: 92

Madhësia:  20.7 KB

    Emri:  Screenshot 2024-08-05 at 5.33.09 PM.jpg

Shikime: 102

Madhësia:  22.5 KB

    Vangjel Tavo, ish-deputet i Partisë Socialiste në kohën e Fatos Nanos, ish-deputet i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe së fundmi, kandidat i Partisë Socialiste të Edi Ramës për postin e kryetarit të Bashkisë Himarë, do të jetë kryetari i Bashkisë Himarë për tre vitet e ardhshme por i duhet të qeverisë mes të tjerash edhe qytezën në të cilën i humbi zgjedhjet.

    Himara votoi të dielën kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama por gjithsesi asaj i duhet të pranojë kandidatin socialist, i cili fitoi falë votave të marra në shumicë në njësinë administrative Horë Vranisht si dhe në ish-komunën Lukovë.

    Rezultati final është që Tavo mori 5022 vota ndërsa Gjikuria, një emigrant në SHBA, mori 3545 vota. Tavo fitoi me një diferencë prej 1477 votash, nga të cilat, 1024 i fitoi në Horë Vranisht.

    Tavo i përket minoritetit grek të Shqipërisë dhe shtëpia e tij është zona e Dropullit në jug. Ai u zhvendos në Himarë, fillimisht si prefekt i Qarkut Vlorë dhe tani, si kryetar bashkie. Ironikisht ai duket se do të qeverisë bashkinë me votat e Horës dhe Vranishtit.

    Zgjedhjet në Himarë u zhvilluan nën tensionin mes Shqipërisë dhe Greqisë si dhe nën tensionin mes një grupi biznesmenësh të cilëve, qeveria u referohet si “investitorë” ndërsa opozita i referohet si “oligarkë”. Rama, i cili e mbështeti fushatën e tij nën argumentin se ajo duhet të jetë një çështje lokale dhe jo një çështje referendumi për qeverisjen e tij, duket se fitoi falë makinerisë së tij elektorale, për të cilën ndjehet krenar, por kjo fitore duket se e lë atë pa të drejtë morale për të qeverisur Himarën.

    Edhe kandidati i tij Vangjel Tavo, dukshëm duke ndjerë humbjen në njësinë Himarë, ftoi në orët e fundit para zgjedhjeve kundërshtarin Petro Gjikuria që të bashkohet me të në rolin e nënkryetarit të bashkisë. Përgjigjja e Gjikurisë para zgjedhjeve ishte refuzuese.

    Zyrtarisht shteti shqiptar nuk njeh minoritet grek në Himarë pavarësisht se në të shkuarën, një politikan përfaqësues i këtij komuniteti, Vasil Bollano, doli fitues dy herë përballë kandidatëve të partive të mëdha PD apo PS. Votat kundër PS-së në Himarë duket se lidhen edhe me historinë e persekutimit të krahinës gjatë kohës së komunizmit, por persekutimi nuk ishte i njëtrajtshëm në të gjithë fshatrat pasi disa nga fshatrat përbërës kanë qenë dhe vijojnë të mbesin mbështetëse të forta të Partisë së Punës dhe pasardhëses së saj, Partisë Socialiste.

    Partia Socialiste dhe aleatja e saj në atë kohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, vendosi në vitin 2015 që Bashkisë Himarë t'i bashkojë komunën Lukovë, e cila tradicionalisht ka qenë pjesë e Rrethit Sarandë, si dhe komunën Horë-Vranisht, e cila tradicionalisht ka qenë pjesë e Vlorës. Në kohën kur ky bashkim u krye, Horë-Vranishti dhe Himara nuk ishin ende të lidhura me një rrugë dhe lëvizja u pa si një gerrimanderim i hartës elektorale që synonte të balanconte votat kundër të Himarës, gjë që u vu re edhe në zgjedhjet e së dielës.

    BIRN
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-08-2024 më 17:33

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Himarë: Qindra qytetarëvë u mohoet e drejta e votës. Arsyeja? Skadimi i kartës së identitetit.

    Vangjel Tavo, deklaratë pas fitores: Do të drejtoj duke shërbyer!

    Emri:  tavo-1.jpg

Shikime: 89

Madhësia:  23.7 KB

    Nga Vangjel Tavo

    SOT FITOI HIMARA!

    Të nderuar banorë të Himarës, njësive administrative Lukovë dhe Horë-Vranisht, e të të gjithë fshatrave pa asnjë dallim,

    Ju jam thellësisht mirënjohës që më dhatë besimin tuaj për të drejtuar Bashkinë Himarë. Ky besim do përkthehet në punë dhe në përmbushje të gjithë pikave të programit tim, për të cilat edhe ju më votuat.

    Unë do drejtoj duke shërbyer, do punoj duke vënë interesat tuaja mbi çdo gjë, e do jem kryebashkiaku i përkushtuar ndaj gjithësecilit prej jush, si votuesve të mi ashtu edhe asaj pjese që nuk më votoi, sepse Himara është e pandarë, sepse zhvillimi që na pret përpara për Himarën nuk është i fragmentuar por një dhe i tërë. Sepse ngjyrat politike janë individuale ndërsa e ardhmja është e përbashkët dhe komunitare. Dhe, vetëm kështu, të pandashëm nga bindjet dhe ndasitë, në bashkëjetesë e harmoni të plotë, ne do e çojmë përpara Himarën, në paqe dhe begati.

    Himara është e himarjotëve dhe himarjotët meritojnë të jetojnë ashtu siç duan: në liri, harmoni e bashkëjetesë me të gjitha realitetet në Himarë, duke ecur përpara krah për krah në të mirën e komunitetit dhe mirëqenien e çdo familje.

    Së bashku ne do kemi një Himarë demokratike, bashkëkohore, evropiane, multikulturore, të zhvilluar e të begatë, me rritje të një ekonomie që ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të thjeshta. Një Himarë që do tërheqë investime në turizëm, shërbime, infrastrukturë, kulturë, e të tjera. Një Himarë gjithëpërfshirëse që i takon vetëm banorëve, një popull me histori unike e të lavdishme, krenare për të parët dhe vlerat e rralla që ka.

    Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Kryeministrin Edi Rama i cili më propozoi dhe besoi te unë me vullnetin dhe dashamirësinë e tij të plotë për t’i dhënë Himarës normalitet dhe mbështetje edhe më të madhe për të ecur përpara e për t’u zhvilluar, ashtu siç e meriton. Për ta bërë Himarën kryefjalën e bashkëpunimit dhe harmonisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke lënë pas në të shkuarën kapitullin e mbyllur të para 4 gushtit, e që nga sot, duke parë përpara drejt një të ardhme më përbashkuese dhe evropiane.

    Falenderoj strukturat e PS, çdo anëtar të ekipit tim të afërt por edhe mbështetës në distancë, çdo komisioner e vëzhgues, dhe cilindo që kontribuoi që i gjithë procesi zgjedhor të ishte i rregullt dhe demokratik.

    Ju falenderoj nga zemra e ju jam tejet mirënjohës.

    Në përfundim, dua të përsëris atë që e kam thënë vazhdimisht përpara datës së votimit, se, fjala ime është një kontratë publike për mbajtjen e premtimeve. Kësisoj, jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si Kryetar i Bashkisë Himarë, unë e ftoj z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki.

    Nëse z. Gjikuria ka vendosur të qëndrojë e jetojë në Himarë unë e mirëpres të pranojë e t’i bashkohet programit tonë për Himarën dhe himarjotët. E ka ftesën e hapur për të kontribuar me ide dhe energji për të ecur përpara. Sepse Himara është e të gjithëve.

    Në mbyllje ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time e ndihem thellësisht i privilegjuar e i nderuar që do ju shërbej si Kryetar i Bashkisë së Himarës.

    Ju faleminderit.

    Sot fitoi HIMARA!

    Koha Jone
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-08-2024 më 17:59

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Himarë: Qindra qytetarëvë u mohoet e drejta e votës. Arsyeja? Skadimi i kartës së identitetit.

    Gjest qytetarie nga Himara, Petro Gjikuria uron Vangjel Tavon

    Emri:  petro-gjikuria-vangjel-tavo.jpg

Shikime: 115

Madhësia:  22.5 KB

    Shembull demokracie na vjen nga Himara pas përfundimit të procesit të numërimit të votave. Petro Gjikuria, kandidati i opozitës për Himarën ka uruar kandidatin fitues të Partisë Socialiste Vangjel Tavo.

    Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se pas certifikimit të rezultatit, Gjikuria ka zhvilluar një bisedë telefonike me Vangjel Tavon, ku i ka shprehur urimin për fitoren e zgjedhjeve.

    Pavarësisht tensioneve mes PS dhe opozitës, dy kandidatët Gjikuria dhe Tavo zhvilluan një fushatë lartë sulmeve dhe akuzave personale. Gjatë ditëve të fushatës, kandidati i PS deklaroi se ishte gati t’i jepte postin e nënkryetarit të Bashkisë rivalit të tij.

    Dje, pak orë pas mbylljes së kutive të votimit, në deklaratën e parë për mediat, Gjikuria edhe pse deklaroi se kishte fituar zgjedhjet la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Vangjel Tavon.

    Një gjest demokracie, për shumëkënd i papritur duke marrë parasysh gjithë këtë periudhë tensioni e beteje për Himarën, por që mesa duket është mbyllur me shumë qytetari.

    Euronews
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-08-2024 më 17:58

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Himarë: Qindra qytetarëvë u mohoet e drejta e votës. Arsyeja? Skadimi i kartës së identitetit.

    Rezultati i zgjedhjeve të djeshme lë një shije të hidhur, sepse duket se i bën padrejtësi betejës që ne himariotët kemi bërë gjithë këto vite për të marrë sërish në dorë fatin e vendit tonë.

    Por nuk është kështu. Përkundrazi! Rezultati i djeshëm konfirmon edhe një herë se është e vështirë për njerëzit e një vendi të vogël të përballen me makinerinë e një shteti të tërë, ku vetë kryeministri linçon dhe përçan me forcën e pushtetit të pakontrolluar.

    Fakti që ne patëm përsëri mbështetjen e atyre qytetarëve që na besuan para pesëmbëdhjetë muajsh, pavarësisht burgosjes time paligjshme dhe taktikave të shantazhimit, pavarësisht transferimit të votuesve të partisë socialiste, pavarësisht ndryshimit të rregullave në mënyrë që shumë nga bashkatdhetarët tanë të mos votojnë, e kështu me radhë shumë gjëra të tjera të vogla e të mëdha, tregon se himariotët nuk dorëzohen dhe do të vazhdojnë të luftojnë. Në fund të fundit, kjo është traditë e vendit tonë dhe ne do t’i qëndrojmë besnikë.

    Dëshiroj të falënderoj dhe të shpreh krenarinë time për kontributin e secilit prej jush që mori pjesë në këtë betejë, edhe pse rezultati ishte i paracaktuar. Dëshiroj të falënderoj veçanërisht Petro Gjikurinë, i cili nuk ngurroi të linte Amerikën dhe erdhi për të dhënë kontributin e tij për Himarën.

    Sot ka lindur një realitet i ri, por ne jemi mësuar të ecim në monopate të vështira. Himara, në historinë e saj, u ka bërë ballë kërcënimeve ekzistenciale shumë më të mëdha sesa kërcënimet e zotit Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij. Dhe ne jemi ende këtu, duke ruajtur identitetin, gjuhën dhe kulturën tonë. Me një mijë e një vështirësi kemi arritur të parandalojmë tjetërsimin e plotë të popullsisë sonë dhe të mbrojmë pasuritë tona kundër krimit të organizuar, neglizhencës shtetërore dhe obsesioneve nacionaliste.

    Por e gjithë kjo nuk do të kishte kuptim pa popullin tonë. Duhet ta mbajmë rininë në vendin tonë dhe Bashkia e Himarës të arrijë në një nivel të lartë ekonomik duke shfrytëzuar kapitalin gjigant të pasurisë sonë natyrore, me politika të qëndrueshme për zhvillimin e prodhimit vendas dhe turizmit. Me pak fjalë, kemi nevojë për ngritjen e një shkolle të mesme minoritare, diçka që e kërkojmë prej tre dekadash, që fëmijët tanë të mos shkulen nga rrënjët e tyre, ngritjen e një shkolle teknike turizmi në Himarë dhe investime të qëndrueshme e me intensitet të ulët, të cilat do të bashkëjetojnë dhe do të plotësojnë njëra-tjetrën me bizneset e vogla familjare vendase. Dhe, gati tridhjetë e pesë vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, përfundimisht, ne kërkojmë kthimin e titujve të pronësisë pronarëve të ligjshëm.

    Kjo do të jetë busulla jonë deri në zgjedhjet e ardhshme dhe masa që do të përcaktojë qëndrimin tonë ndaj Vangjel Tavos. Çfarëdo që është e mirë për vendin, ne do ta mbështesim atë. Në fund të fundit si mysafir do ta trajtojmë, sepse ashtu siç ka ardhur, ashtu do të largohet në zgjedhjet e ardhshme.

    Unë do të vazhdoj të luftoj, jo vetëm nga Brukseli dhe Athina, por në radhë të parë nga vendi im, Himara. Dhe jam i sigurt se është vetëm çështje kohe para se të ndryshojmë faqen e historisë, siç bëmë në maj 2023, përpara se të na vidhej fitorja.

    Fredi Beleri

    Kryetari i zgjedhur i bashkise Himare 2023

    Eurodeputet

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Albanistan: Një dropullit zgjidhet kryetar i Bashkisë Himarë, pa mbështetjen e qytetarëve të Hi

    Kush janë katër tradhëtarët e Tërbaçit?!

    Emri:  auto_92wfqsv91722884490.jpg

Shikime: 94

Madhësia:  44.5 KB

    Nga Lutfi Dervishi

    Zgjedhjet në Himarë provuan edhe njëherë tjetër se çdo votë është e sh(tr)enjtë, por edhe këto zgjedhje nuk kaluan pa probleme. Dhe problemi më i madh u shfaq në Tërbaç.

    Kandidati i qeverisë fitoi me mbi 98% të votave, duke dëshmuar qartë se besimi në unitetin e popullit rreth partisë është i patundur. Megjithatë fakti se në kuti përveç 330 votave të qeverisë dolën edhe 7 vota për kandidatin e opozitës të lë një shije të hidhur.

    7 votat për opozitën nuk janë një fake neës, por një fakt i konfirmuar edhe nga vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve të së dielës.

    Nga shtatë votat tradhtare kundër progresit dhe prosperitetit, kundër Shqipërisë turistike dhe vizionit 2030, tre tashmë janë identifikuar. Janë tri votat e anëtarëve të komisionit të votimit dhe ata dihen dhe njihen me emër dhe mbiemër.

    Ata mund të justifikohen dhe mund të thonë se kanë votuar kundër kandidatit të qeverisë për të testuar integritetin e procesit dhe për të dëshmuar se pluralizimi është gjallë, por ky shpjegim sërish e lë misterin e pazgjidhur plotësisht: kush janë katër votuesit rebelë që guxuan të prishin objektivin për 100% të votave për qeverinë?! Kush janë ata që kërkojnë të njollosin emrin e mirë të fshatit dhe traditës së tij historike? Si mund të votohet kundër qeverisë më 2024? Ky nuk është skandal se po të ishte i tillë, do të vihej në lëvizje SPAK. Ky është rebelim dhe si i tillë duhet trajtuar.

    Ka vetëm një rrugëdalje nga masat ekstreme.

    Në frymën e transparencës dhe llogaridhënies, që karakterizon këtë qeveri, populli trim, liridashës, paqëdashës dhe demokracidashës i Tërbaçit tani pret me padurim autokritikën nga këta katër individë që me votën e tyre duan të mbjellin frymën e përçarjes në fshat. Nuk përjashtohet mundësia që të kenë hedhur votën gabim. Mund të jenë të rinj të gënjyer, mund të kenë qenë votues që nga vapa apo emocioni kanë gabuar, këtë gjë mund ta sqarojë vetëm një autokritikë e thellë e pastër dhe e sinqertë. Cilado qofshin arsyet e tyre, ata i detyrohen bashkfshatërve jo vetëm një rrëfim por edhe një kërkim falje, në të kundërt drejtësia dhe qeveria do të thonë fjalën e tyre.

    Ne, sigurisht që jemi një vend demokratik, dhe opozita e ka vendin e vet në opozitë, por nuk mund të luhet me të sotmen dhe të ardhmen e qeverisë. Si mund të votojë dikush kundër një qeverie që qartësisht di çfarë është më e mira për veten dhe popullin e saj? Votat për opozitë, qofshin ato edhe më pak se gishtat e njërës dorë kërcënojnë harmoninë dhe unitetin për të cilin është investuar jo pak.

    Katër disidentët ta kenë të qartë se nuk mund të fshihen si struci duke fshehur kokën në rërën e plazhit të Himarës, qeveria nuk do të lërë gur pa lëvizur për t’i çuar, aty ku e kanë vendin para drejtësisë.

    4 votat kundër nuk mund të prishin festën në Tërbaç. Në një botë të mbushur me ndarje, konflikte dhe përplasje vota në Tërbaç tregon se ne qëndrojmë së bashku, krah për krah, nën udhëheqjen e lavdishme të një qeverie që çfarë nuk ka bërë që votuesit të kuptojnë se janë të lirë për të votuar 100% për kandidatët e saj.

    P.S. Pas autokritikes ose hetimit, grupi i fshatit ka përgatitur edhe këngë e re: Votat tona qeveris/uniteti nuk lëviz.

    Syri

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Albanistan: Një dropullit zgjidhet kryetar i Bashkisë Himarë, pa mbështetjen e qytetarëve të Hi

    Në Himarë, të drejtat e pronësisë më të rëndësishme se mosmarrëveshjet diplomatike greke

    Zgjedhjet për kryetar bashkie të vitit të kaluar në Himarë çuan në një mosmarrëveshje diplomatike me Greqinë. Tani, pasi vendasit zgjodhën një kryetar të ri, ata duan që ai të vazhdojë me zgjidhjen e problemeve të tyre me regjistrimin e pronave.

    Nga Fjori Sinoruka

    Emri:  himara-1.jpg

Shikime: 91

Madhësia:  53.2 KB
    Himara, gusht 2024. Foto: BIRN.

    Votuesit në bashkinë e Himarës të Shqipërisë jugore zgjodhën të dielën kandidatin e Partisë Socialiste në pushtet Vangjel Tavo si kryebashkiak të ri pas një mosmarrëveshjeje politike që ka zgjatur për më shumë se një vit.

    Mosmarrëveshja filloi në maj të vitit 2023 kur kandidati për kryebashkiak Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të mëparshme vendore për blerje të supozuar të votës.

    Arrestimi i tij dhe dënimi dhe burgosja e mëvonshme ndezën një mosmarrëveshje diplomatike me Greqinë, me Athinën që kërcënoi se do të pengonte procesin e pranimit të Shqipërisë në BE, duke e akuzuar atë për shkelje të sundimit të ligjits dhe për shkelje të të drejtave të pakicës greke në Himarë.

    Partia në pushtet Demokracia e Re e Greqisë madje e kandidoi të burgosurin Beleri si kandidat në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian. Ai fitoi dhe tani është një eurodeputet. Shqipëria e lejoi atë të linte burgun për të shkuar në Strasburg për të bërë betimin e tij.

    Mosmarrëveshja diplomatike solli vëmendje të paprecedentë mediatike në Himarë. Megjithatë, pasi zgjedhjet e reja u mbajtën të dielën pas skualifikimit të Belerit nga garat politike shqiptare, mosmarrëveshja me Athinën nuk ishte çështja më e rëndësishme në mendjen e votuesve vendas.

    Megjithatë, disa ishin ende të zemëruar për atë që ata e shihnin si trajtim të padrejtë të Belerit. “Që nga momenti që Fredi Beleri, i zgjedhur nga populli, u rrëmbye (arrestua), ne nuk prisnim asgjë nga shteti shqiptar apo nga qeveria”, tha për BIRN Pano Dhimaleksi, 64 vjeç, një tregtar nga Himara.

    “Himara zgjodhi Fredi Belerin si kryetar bashkie sepse ne besuam se ai do të ishte i interesuar të mbronte pronat tona dhe të drejtat tona… ai nuk kishte frikë”, shtoi Dhimaleksi.

    Shqipëria ka një problem të njohur me regjistrimin e pronave dhe të drejtat e tokës. Kjo ka vazhduar që nga rënia e komunizmit, kur qytetarët shqiptarë nuk kishin të drejtë të kishin toka apo prona private.

    Pas vitit 1991, u miratua legjislacioni për të trajtuar të drejtën e njerëzve për të zotëruar tokën në të cilën ata jetonin dhe shtëpitë në të cilat banonin. Por disa ligje, si i ashtuquajturi ligji i diskutueshëm 7501, shkaktuan më shumë probleme sesa zgjidhje.

    “Problemi më i madh këtu është prona private”, tha Dhimaleksi.

    Ai kujtoi se Partia Demokratike e qendrës së djathtë të Shqipërisë, e udhëhequr nga Sali Berisha, kishte miratuar Ligjin 7501 kur ishte në pushtet. Megjithatë ai shtoi: “Për mua, fajin e kanë të gjithë politikanët shqiptarë nga viti 1991 e deri më sot. Unë në Shqipëri nuk e ndaj të majtën nga e djathta, janë e njëjta gjë.”

    Një tjetër vendas në Himarë, 50-vjeçari Kristo Karo, tha se kishte pasur probleme edhe për regjistrimin e pronës në emër të tij. Ai donte që kryebashkiaku i ri ta trajtonte këtë çështje si prioritet.

    “Unë dua të zgjidhen çfarëdolloj problemi që kemi me tokën dhe shtëpitë tona. Jam 50 vjeç dhe nuk jam i regjistruar fare këtu në Himarë, as babai im 84 vjeç. Kaq dua, të regjistrohem si banor i Himarës”, tha Karo për BIRN.

    Politikanët luajtën kartën e së drejtës së pronës gjatë fushatës, siç bëjnë shpesh përpara zgjedhjeve në Shqipëri.

    Në maj, kryeministri socialist Edi Rama vizitoi Himarën për të mbështetur aleatin e tij socialist Vangjel Tavo përpara fillimit të fushatës zyrtare.

    Rama dhe Tavo u dhanë 437 certifikata pronësie personave që kishin trashëguar prona, por që nuk kishin dokumentet ligjore për ta vërtetuar këtë.

    “Shumë padrejtësi janë bërë me ligjin 7501”, tha Rama teksa shpërndante certifikatat. “Dhe kush thotë se pronat e himariotëve iu morën trashëgimtarëve të tyre dhe iu kaluan dikujt tjetër, ata thonë një gënjeshtër të madhe. Kjo nuk ka ndodhur kurrë”, këmbënguli ai.

    Tavo dhe Rama thanë se objektivi i tyre ishte të jepnin 4,000 certifikata deri në fund të vitit.

    Emri:  pano-Dhimaleksi-1536x1152-1-1140x855.jpg

Shikime: 93

Madhësia:  33.0 KB
    Pano Dhimaleksi, banor i Himarës. Foto: BIRN

    Pjesëmarrja më e lartë, por opozita proteston

    Në zgjedhjet e së dielës, Tavo fitoi 5,022 vota ose 58.62 për qind të totalit dhe kandidati i opozitës Petro Gjikuria fitoi 3,545, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Të dy kandidatët janë grekë etnikë.

    Tavo tha pas fitores se himariotët e meritojnë të jetojnë “në liri, harmoni dhe bashkëjetesë” dhe shtoi: “Himara është e të gjithëve”. Ai tha se si gjest bashkëpunimi po ftonte kandidatin e mundur Gjikuria të bëhej nënkryetari i tij.

    Mes tensioneve politike në Himarë dhe mbi Himarën, më shumë njerëz dolën për të votuar të dielën sesa në maj 2023. Por disa nuk mundën të votonin sepse kartat e identitetit u kishin skaduar.

    Opozita pretendoi se rreth 6,000 qytetarë nuk mund të ushtronin të drejtën e tyre të votës, pjesërisht për shkak se nuk iu dha informacioni i saktë për rinovimin e dokumenteve të tyre të identitetit.

    Sipas censit të vitit 2023, në Himarë banojnë 8,328 persona. Megjithatë, mediat kanë raportuar se në bashki të drejtë vote kanë 23,130 persona.

    Aktivistët qytetarë fajësuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për problemet në ditën e votimit.

    “Nga ajo që pamë dje në Himarë, njerëzit vinin për të votuar me karta të skaduara dhe nuk mund të votonin. Pra, nuk është se ka pasur mungesë vullneti nga ana e zgjedhësve për të votuar, apo se kanë neglizhuar rinovimin e kartave të tyre, por ka qenë mungesa e informacionit të mëtejshëm për votuesit e Himarës – një detyrë që është në radhë të parë përgjegjësi e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha për BIRN Rigels Xhemollari, nga OJQ-ja Qëndresa Qytetare me qendër në Tiranë, e cila ka monitoruar zgjedhjet.

    Xhemollari shtoi se autoritetet duhet të ishin më fleksibël për këtë çështje. “Sigurisht, opozita pretendon se qeveria apo shteti e ka bërë këtë duke mos vepruar”, vuri në dukje ai, duke shtuar se partia në pushtet nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për gjoja probleme me votën.

    Kreu i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha, ndërkohë dënoi atë që ai pretendoi se ishte heqje e gjerë e të drejtës së votuesve. “Përjashtimi nga votimi i qindra e qindra qytetarëve të Himarës është një akt antikushtetues”, tha Berisha.

    Megjithatë, opozita nuk ka thënë ende nëse do ta kundërshtojë apo jo rezultatin e zgjedhjeve në gjykatë.

    BIRN

  10. #10
    Orthodhoks Maska e ilia spiro
    Anëtarësuar
    02-02-2009
    Postime
    3,474
    Postimet në Bllog
    1

    Për: Albanistan: Një dropullit zgjidhet kryetar i Bashkisë Himarë, pa mbështetjen e qytetarëve të Hi

    Ne luften per pushtet opozita nuk ndalet para asgjeje. Ashtu si historikisht i ka shitur interesat e atdheut per para dhe pushtet. Prej pushtimit otoman deri me sot. Ajo ndoshta pranon edhe idene e vorio epirit te dules etj,, boll qe te sundoje fshatin e vet. Nuk i duan dropullitet se ata jane patriote per Shqiperine dhe gjithmone votojne PS. Por populli shqiptar eshtei zgjuar, prandaj po i le pa fund ne opozite. Votimet ne Himare ishin edhe kunder dules e vorio epirit,prandaj PS fitoi thelle. Gjikuria nje anetar i sillogjeve VO ne amerike, nuk duhej te kandidonte dhe bile nuk duhej lejuar per antikushtetueshmeri. Shteti shqiptar duhet te zbatoje kushtetuten.
    Duaje te afermin tend si veten

  11. #11
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Albanistan: Një dropullit zgjidhet kryetar i Bashkisë Himarë, pa mbështetjen e qytetarëve të Hi

    Meta: Nuk kam asnjë mesazh për Tavon, për Ramën po! Po fsheh akte të tradhtisë kombëtare për…

    Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë një konferencë për shtyp, u pyet nëse kishte një mesazh, Vangjel Tavon, i cili më parë ka qenë deputet i LSI, ndërsa së fundmi fitoi zgjedhjet për bashkinë e Himarës nën siglën e PS-së.

    Meta tha se për Tavon nuk ka asnjë mesazh, por për kryeministrin Edi Rama tha se ky i fundit është duke fshehur akte të rënda të tradhtisë kombëtare.

    Meta: Unë i kam dhënë një mesazh dikur kryebashkiakut të Himarës që tani është në burg. I kam thënë bej kujdes, ky të merr në qafë.

    Këtë mesazh ia kam dhënë të tjerëve që sot po bëjnë burg për Edi Ramën.

    Kam një mesazh për grabitësin e bashkisë së Himarës, për Edi Ramën, sigurisht që kam një mesazh, ‘të gjitha këmbimet dhe shkëmbime që bën ti, për të fshehur akte të tradhtisë kombëtare dhe për të fituar konsensus për grabitjen e pronave të himariotëve, për pastrim të parave nuk do të funksionojnë’.

    Syri

  12. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Albanistan: Një dropullit zgjidhet kryetar i Bashkisë Himarë, pa mbështetjen e qytetarëve të Hi

    Opozita kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Himarë, KAS hap kutitë e votimit

    Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi këtë të enjte të hapë të gjitha kutitë e votimit për zgjedhjet e 4 gushtit në Bashkinë e Himarës, pas kërkesës së PD-së për pavlefshmëri.

    Nga Anesti Barjamemaj

    Emri:  Zgjedhje-ne-Himare-numerimi-i-votave.jpg

Shikime: 50

Madhësia:  38.5 KB
    Nga procesi i numërimit të votave në Himarë. Foto: LSA.

    Hapja e kutive të votimit do të bëhet për të verifikuar kopjen e të gjithë regjistrave të posaçëm, procesverbalëve dhe dokumenteve të tjera brenda kutive të votimit, pasi opozita pretendon për parregullsi në zgjedhje.

    Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, KAS, u vu në lëvizje pas kërkesës së Partisë Demokratike dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që pretendojnë se zgjedhjet e Himarës duhet të shpallen të pavlefshme.

    Në dy seancat e zhvilluara më 21 dhe 22 gusht, përfaqësuesi ligjor i PD, Franci Nuri kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë së të gjithë procesit.

    Sipas Nurit, nga provat që u janë vënë në dispozicion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vihen re parregullsi. Duke iu referuar një tabele me rezultatet përmbledhëse të votave në Himarë, e cila ishte kontestuar dhe nga socialistët, ai tha se vetëm hapja e kutive mund të shuajë dyshimet e të gjithëve.

    “Nga këto elementë që na janë vënë në dispozicion, ne konstatojmë që kjo tabelë, që u vendos në dyshim edhe nga përfaqësuesi i PS, sepse tha për shifrën 53 qytetarë të Himarës që dalin me pasaporta të vlefshme nga 23 mijë, ai tha që mund të jetë lapsus, një gabim material nga nxitimi,” tha Nuri. “Por nëse kjo kutia këtu shifra 53 të jetë gabim, pse mos të jenë gabim dhe shifrat e tjera? pyeti ai.

    Duke vënë në dyshim shifrat e miratuara në tabelat përmbledhëse të KQZ, Nuri parashtroi edhe pretentimet e tjera të opozitës dhe duke përmendur shifrat e personave që janë verifikuar gabim apo të zgjedhësve të zhvendosur së fundmi në Bashkinë Himarë, ai tha se ndikimi në rezultat është i dukshëm.

    “Janë të paktën 1435 shtetas që dalin me verifikim të gabuar. Këtyre si numër ne u shtojmë të paktën edhe 311 të zhvendosur nga bashki të tjera sipas raportit të audituesit teknicien. Kjo shifër nuk është shifër e neglizhueshme. Këtyre shifrave u shtojmë gjithashtu 560 zgjedhës që nuk u lejuan të votojnë, për shkak se kartat e identifikimit rezultuan të skaduara në mes të procesit zgjedhor,” shtoi ai.

    Pas parashtrimit të kërkesave të opozitës, me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, u vendos hapja e kutive për të administruar të gjitha materialet zgjedhore. Pavarësisht këtij vendimi, përfaqësuesi i Partisë Demokratike la të kuptohet se do të trokasin në dyer e Kolegjit Zgjedhor.

    “Nuk na është garantuar e drejta për një mbrojtje efektive dhe unë gjykoj se na është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor”, pretendoi ai.

    Tashmë pritet që Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve të mblidhet sërish të premten për të debatuar mbi provat që do gjenden brenda kutive të votimit, nëse do evidentohen parregullsi.

    Zgjedhjet në Himarë u fituan nga Vangjel Tavo me një diferencë prej 1477 votash kundrejt kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 08-01-2024, 17:03
  2. Edi Rama nuk do te kandidoje me si kryetar i bashkise se Tiranes.
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 20-03-2011, 15:01
  3. Prof. Dr. Isa Mustafa zgjidhet kryetar i LDK-së
    Nga fattlumi në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 222
    Postimi i Fundit: 30-11-2010, 09:42
  4. Si zgjidhet nje kryetar
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-04-2005, 09:40
  5. Pranga ish-kreut te bashkise se Himares, Viktor Mato
    Nga zeus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-03-2005, 09:45

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •