Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Albanistan: Kryetalebani Rama refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën

    PS refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën

    Socialistët vendosin të sfidojnë për herë të dytë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të koleges së tyre Olta Xhaçka, pasi kjo gjykatë e “detyroi” Kuvendin të dërgojë për interpretim pranë kësaj gjykate mandatin e saj.

    Nga Gjergj Erebara

    Emri:  Bledi-Cuci.jpg

Shikime: 239

Madhësia:  40.1 KB
    Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Bledi Çuçi. Foto: LSA

    Ndaj Xhaçkës është inicuar një mocion për shkelje të Kushtetutës nga opozita pasi bashkëshorti i saj biznesmen u shpall investitor strategjik nga qeveria dhe iu dha po me vendim qeverie bregu i detit para hotelit në Dhërmi në përdorim.

    Kryetari i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, e cilësoi “të paqartë” vendimin e ri të GJK-së dhe njoftoi se Kuvendi do të kërkojë opinionin e Komisionit Evropian për Demokraci, i cili njihet si Komisioni i Venecias.

    Në një dalje për mediat, Çuçi mbajti një qëndrim kundërshtues ndaj formulimeve të vendimit të gjykatës ku u kërkohet deputetëve “të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës”, duke e cilësuar këtë formulim si anti-kushtetues.

    “Do të votoj si t'ma dojë mendja mua, jam i pavarur”- u përgjigj ai duke iu referuar disa herë formulimeve kushtetuese që garantojnë sipas tij që, deputeti është i pavarur dhe nuk mban përgjegjësi në vendimmarrjen e tij.

    I pyetur nga BIRN nëse ky një qëndrim i mazhorancës cënonte balancën e pushteteve, besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese dhe krijonte një precedet të rrezikshëm në marrëdhënien mes Kuvendit dhe kësaj gjykate, ai tha “nuk ka një vendim politik, por ka një thirrje për të votuar si deputet”.

    Ai aludoi se GJk e ka pasur mundësinë për ta trajtuar çështjen e papajtueshmërisë së mandatit kur e dërguan 1/5 e deputetëve dhe i cilësoi vendimet e saj si “cic-mice” juridike.

    “Që të mos kalohet në një marrëdhënie kuazi perverse, që unë të çoj shokun tim, po ka instrumente që i jep opozitës të drejtën për të adresuar interesin publik në GJK dhe 1/5 e ka bërë këtë”- komentoi ai.

    Mandati i deputetes socialiste u mbrojt politikisht në të gjithë hallkat proceduriale parlamentare që prej qershorit 2022 kur u dorëzua mocioni i opozitës.

    Socialistët e rrëzuan këtë mocion në nëntor 2022 por Gjykata Kushtetuese e vlerësoi këtë vendim si shkelje të kushtetutës dhe i kërkoi dërgimin e mocionit në këtë gjykatë.

    Në një votim të paprecedentë mazhoranca socialiste votoi në prill kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se deputetët ishin të pavarur dhe nuk i detyronte vendimi i gjykatës si të votonin.

    Dy javë më parë Gjykata Kushtetuese për herë të dytë e konsideroi vendimin e mazhorancës si anti-kushtetues dhe vendosi që të “detyrojë” Kuvendin që të rivotojë “pa vonesë” për dërgimin e mandatit të Xhaçkës për interpretim pranë këtij organi.

    Gjatë njoftimit të vendimmarrjes kryetarja e kësaj gjykate, Olta Zaçaj, duke lexuar këtë vendim para mediave tha se “në kuadër të kësaj vendimmarrjeje, Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”.

    Ajo i kujtoi deputetëve se nuk mund të vihej në diskutim fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat “janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Albanistan: Kryetalebani Rama refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën

    Mandati Olta Xhaçkës: Gjykata Kushtetuese shprehet se Socialistët cenuan themelet e shtetit

    Gjykata Kushtetuese arsyetoi se votimi i deputetëve të Partisë Socialiste për të mos zbatuar vendimin e saj në rastin e deputetes Olta Xhaçka, ka krijuar një krizë kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik por minon dhe besimin e publikut te shteti dhe organet e tij.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  auto_20240612_234451_120624127-2_FjVzAtz-1140x9301722432583.jpg

Shikime: 149

Madhësia:  46.3 KB
    Kryeministri Edi Rama dhe deputetja Olta Xhaçka gjatë festimeve të organizuara ne afersi te selise se Partise Socialiste, me rastin e 33 vjetorit të themelimit të kësaj partie. | Foto: LSA


    Vendimi i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimmarrjen e Kuvendit sa i përket mandatit të deputetes Olta Xhaçka, kritikon ashpër shumicën parlamentare për shkelje kushtetuese me pasoja të rënda.

    Në vendimin e zbardhur në 30 korrik, Gjykata Kushtetuese arsyeton se Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e gjykatës në shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe se kjo shkelje e kushtetutës kishte prodhuar një krizë të re, që veç të tjerash cenon vetë themelet e shtetit.

    “Ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës”, shkruhet e bardhë në të zezë në vendimin e arsyetuar të Gjykatës.

    Vendimi i Gjykatës u mor më 10 korrik me shumicë 8 me 1 dhe është i dyti në radhë që e gjen shumicën në Kuvend në shkelje të kushtetutës sa i përket mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në vendim Kushtetuesja e urdhëron Kuvendin të dërgojë për shqyrtim para saj kërkesën e opozitës për të shqyrtuar “papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

    Xhaçka akuzohet se gjatë kohës kur mbante detyrën e Ministres së Jashtme, Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit.

    Xhaçka këmbëngul se nuk është në konflikt interesi, nuk kishte përfituar asnjë centimetër tokë shtetërore dhe asnjë lloj përfitimi tjetër publik.

    Përplasja mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese vijon prej gati dy vjetësh, pasi shumica parlamentare ka zvarritur vazhdimisht vendimmarrjen për këtë çështje, duke refuzuar të dërgojë në Gjykatë për shqyrtim mocionin për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mandatit të Xhaçkës. Në fjalën e saj gjatë votimit në Kuvend në prill të këtij viti Xhaçka fajësoi mediat dhe pretendoi se Gjykata Kushtetuese e kishte pushuar çështjen.

    Por vendimi i ri i Gjykatës i ka përgënjeshtruar këto qëndrime, duke e cilësuar sjelljen e shumicës parlamentare si antikushtetuese dhe duke urdhëruar që çështja të shkojë para saj për shqyrtim në themel.

    Gjykata Kushtetuese arsyeton se edhe fakti që Kuvendi ia ka nënshtruar vendimin e saj shqyrtimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet është cenim i kushtetutës që vë në dyshim rolin e vetë gjykatës.

    “Struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës, ka thirrur ekspert të jashtëm dhe, më pas, ka vlerësuar se çështja duhet t'i përcillet për votim seancës plenare, votim në të cilin gjente zbatim parimi i mandatit jodetyrues”, thuhet në vendim.

    Gjykata, e cila e mori në shqyrtim çështjen me kërkesë të deputetëve të opozitës, ka arsyetuar ndër të tjera se pretendimi i shumicës se deputetët ishin të lirë të votonin në këtë rast ashtu si edhe në vendimmarrje të tjera, është shkelje e parimeve kushtetuese.

    Gjykata shprehet se rasti në fjalë nuk i nënshtrohet dhe nuk përligjet me parimin e “mandatit jodetyrues të deputetit, për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës nuk është një çështje politike”.

    Gjykata arsyeton se zbatimi i vendimit të saj në rastin konkret nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare, “por një procedurë për ekzekutimin e një detyrimi konkret të lindur prej tij, sikurse është ai për dërgimin asaj të çështjes së papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka të ngritur mbi mocionin e 1/10-ës së deputetëve, ndaj qëndrimi i Kuvendit në këtë drejtim është i pabazuar”.

    Në vendimin e arsyetuar gjykata po ashtu vlerëson se shumica parlamentare ka përvetësuar rolin e saj duke marrë përsipër analizimin e çështjes në themel, duke pretenduar se Xhaçka nuk kishte ndërmarrë veprime konkrete në shkelje të Kushtetutës.

    “Gjykata ka vërejtur se çështja e vlerësimit të papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes, e cila nëpërmjet bashkëshortit mund të ketë ushtruar veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe të ketë fituar pasuri të këtyre, referuar fakteve, nuk i takon vlerësimit të Kuvendit, por vlerësimit të kësaj Gjykate”, thuhet në vendimmarrje.

    Në mendim pakice gjyqtarja Sonila Bejtja, ka arsyetuar se Gjykata Kushtetuese duhej të merrte direkt në shqyrtim çështjen në themel, pa pritur votimin e parlamentit por duke u nisur nga padia e opozitës.

    Para zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësues të shumicës e sulmuan atë si të “paqartë”. Ish-kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi, tha më 24 korrik se Kuvendi do të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias për çështjen.

    Në një dalje për mediat, Çuçi mbajti një qëndrim kundërshtues ndaj formulimeve të vendimit të gjykatës ku u kërkohet deputetëve “të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës”, duke e cilësuar këtë formulim si anti-kushtetues.

    “Do të votoj si t'ma dojë mendja mua, jam i pavarur”, u përgjigj ai.


    BIRN

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Albanistan: Kryetalebani Rama refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën

    “Mbrojtën Olta Xhaçkën që lumturoi burrin me 11,000 m2 në Himarë”/ Berisha deklaratë nga shtëpia: Kushtetuta po trajtohet si statuti i PS, Presidenti i Republikës hesht sepse…

    Emri:  WhatsApp-Image-2024-08-03-at-13.52.53-1024x576-1.jpg

Shikime: 123

Madhësia:  30.5 KB

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një deklarate ka denoncuar dhe lëshuar akuza drejt Olta Xhaçkës ndaj së cilës pretendon se bashkëshorti i saj ka përfituarnjë tokë në Hmarë, të konsiderueshme.

    Sipas Berishës, Kushtetuta po trajtohet si statut i Partisë Socialiste teksa në këtë situatë, Prsidenti i vendit Bajram Begaj hesht.

    Berisha thot se Kushtetuta e vendit është kthyer thjesht në një leter pa vlerë apo në statutin e Partisë Socialiste, nenet e të cilës zbatohen dhe interpretohen nga vet partia në pushtet.

    Deklarat e kreut të PD, Sali Berisha:

    ”Kushtetuta e Shqiperisë ka rënë dhe kjo për të shumtën herë. Ajo është kthyer thjesht në një leter pa vlerë apo në statutin e Partisë Socialiste, nenet e të cilës zbatohen dhe interpretohen nga kreu i narko-shtetit shqiptar Edvin Kristaq Gjipea sipas vullnetit të tij malinj personal. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas nenit 124 të Kushtetutës zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës zbatohen në narkoshtetin e Edi Ramës vetëm në rastin kur ato shprehin vullnetin e këtij të fundit dhe narko-mazhorancës së tij. Në rast të kundërt këto vendime të cilat në doktrinë kanë vlerën e normës kushtetuese, kurrë nuk zbatohen, por hidhen në kosh si leter pa vlerë dhe së bashku me to de-facto hidhet vetë Kushtetuta dhe rendi i bazuar në librin themelor të shtetit. Kjo ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për prishjen Teatrit Kombëtar, i cili nga Edi Rama nuk u zbatua, por u hodh në koshin e plehrave. Ky precedent i rrezikshëm i cili faktoi se mbi Gjykatën dhe Kushtetutën qëndron Edvin Gjipea me interesat e tij mafioze, çeli rrugën për akte të tilla të tjera të ngjashme. Kjo ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës, te cilin perseri Edi Rama per intersa te tij mafioze e hodhi ne kosh te plehrave dhe nuk e zbatoi. Ai urdhëroi Lindën e tij të parlamentit të mos zbatojë vendimin e gjykatës për t’i dërguar asaj për shqyrtim legjimitetin e mandatit të saj pasi deputetja dhe ministria Xhaçka kishte lumturuar burrin e vet me 11,000 m2 në Himarë dhe e kishte shpallur me firmën e Edvin Gjipese në kundërshtim të hapur me nenin 70 të Kushtetutës investitor strategjik. Ky vendim i Edi Ramës është një grusht shteti brenda shtetit në të cilin në aparencë narko-mazhoranca, por në fakt Edi Rama, marrin pushtetin gjyqësor në ratin konkret pushtetin e Gjykatës Kushtetuese duke bërë kështu në vend të saj interpretimin përfundimtar të neneve të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese pra duke rrëzuar Kushtetutën dhe marrë pushtetin e Gjykatës Kushtetuese. Ky akt anti-kushtetues shënon përseri zëvendësimin e shtetit ligjor dhe rendit kushtetues me kodin e mafies dhe rendin e narko-shtetit në vendin anëtar të NATO-s dhe qe pretendon te antaresohet ne BE. Heshtja e Presidentit të Republikës, i cili jo në gërmën e Kushtetutës, por në doktrinën kushtetuese është garant i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është dëshmi tjetër e pushtetit absolut të Edi Ramës. Por ky akt është gjithashtu dëshmi flagrant se sa e kontrolluar është në Shqipëri nga Edi Gjipea lufta kundër korrupsionit në raste ku vetë ai haptas apo fshetas është personalisht i përfshirë. Por këto akte dëshmojnë se sa të pashpresë janë qytetarët shqiptarë në paditë e tyre kundër qeverisë për shkeljen e të drejtave të tyre civile dhe penale në një sistem gjyqësor fiktiv që kontrollohet me dorë të hekurt nga Edvin Gjipea. Por këto akte dëshmojnë gjithashtu fytyrën e vërtetë dhe produktet monstruoze të reformës së drejtësisë në Shqipëri. Partia Demokratike si parti e lirive dhe të drejtave të njeriut garanton shqiptarët se rivendosja e shtetit ligjor dhe kushtetutshmërisë në vend, janë objektivat më madhore të saj”, tha Berisha.

    Balkanweb

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Albanistan: Kryetalebani Rama refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën

    Mandati i Xhaçkës, socialistët rinisin “lojën” me Këshillin e Legjislacionit

    Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali iu përgjigj kërkesës së opozitës për një seancë urgjente parlamentare për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e referuar çështjen nga e para në Këshillin e Legjislacionit, një lojë që shumica socialiste e bën prej më shumë se një viti.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Xhacka-2222-1536x1152.jpg

Shikime: 67

Madhësia:  33.8 KB
    ish-Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Foto: LSA.

    Kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka urdhëruar dërgimin në gjykatë për shqyrtim të papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali iu përgjigj të premten duke thirrur mbledhje të Këshillit të Legjislacionit.

    Spiropali e thirri mbledhjen në fund të muajit Gusht duke shtyrë edhe më tej zgjidhjen e konfliktit mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, i cili zvarritet në korridoret e parlamentit prej më shumë se një viti. Njëlloj si në qëndrimet e mëparshme shumica parlamentare përmes kryetares Spiropali i kërkon Këshillit të Legjislacionit të “shqyrtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

    Një ditë më parë kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi kërkoi mbledhje të “Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga jo më pak se një e pesta e sesionit ta caktojë brenda periudhës ‘3 ditë nga paraqitja e kërkesës'”. Bardhi tha se kjo e drejtë lindte nga Kushtetuta.

    Por në përgjigje të kësaj kërkese Spiropali pretendon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhej të kalonte më parë në Këshillin e Legjislacionit dhe se ky i fundit duhej të prodhonte një raport për kryetare e kuvendit. Kjo skemë u përdor edhe një vit më parë nga socialistë që më pas e shtynë vendimmarrjen mbi vendimin e Kushtetueses për disa muaj dhe në fund votuan kundër në seancë plenare.

    Megjithatë këtë herë shumica gjendet para një vendimi të qartë të gjykatës që i urdhëron ata të dërgojnë mandatin e Xhaçkës për shqyrtim para saj. Kushtetuesja, në vendimmarrjen e saj në fillim të korrikut të këtij viti, u shpreh se sjellja e socialistëve ndaj vendimeve të saj cënonte themelet e shtetit.

    “Ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës”, shkruhet e bardhë në të zezë në vendimin e arsyetuar të Gjykatës.

    Përplasja mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese vijon prej gati dy vjetësh, pasi shumica parlamentare ka zvarritur vazhdimisht vendimmarrjen për këtë çështje, duke refuzuar të dërgojë në Gjykatë për shqyrtim mocionin për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mandatit të Xhaçkës. Në fjalën e saj gjatë votimit në Kuvend në prill të këtij viti Xhaçka fajësoi mediat dhe pretendoi se Gjykata Kushtetuese e kishte pushuar çështjen.

    Por vendimi i ri i Gjykatës i ka përgënjeshtruar këto qëndrime, duke e cilësuar sjelljen e shumicës parlamentare si antikushtetuese dhe duke urdhëruar që çështja të shkojë para saj për shqyrtim në themel.

    BIRN

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,742
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Albanistan: Kryetalebani Rama refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën

    Tërhiqet PS, gati të votojë mocionin për mandatin e deputetes Xhaçka

    Në një ndryshim qëndrimi të papritur, mazhoranca pranoi të martën që të futet për votim në seancën më të afërt plenare mocioni për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pasi votuan në dy herë radhazi kundër dërgimit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

    Nga Blerina Gjoka

    Emri:  Xhacka-2222-1536x1152.jpg

Shikime: 13

Madhësia:  33.8 KB
    ish-Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Foto: LSA.

    Xhaçka akuzohet se gjatë kohës kur mbante detyrën e Ministres së Jashtme, Komiteti i Investimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit.

    Amëtarët socialistë në Këshillin e Legjislacionit ranë dakord që vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili detyron Kuvendin ta votojë pa vonesë dërgimin e mocionit për interpretim, të votohet në seancën e datës 12 shtator, si seanca e parë e punimeve të sesionit të ri parlamentar.

    Fillimisht kryetarja e këshillit, deputetja e opozitës Dhurata Çupi, propozoi që kryetares së Kuvendit t'i dërgohej një raport me arsyetim ku i kërkohej asaj që të informonte deputetët për ‘detyrimin'që kanë për të votuar ‘Pro', sipas arsyetimeve të dhëna në vendimin e gjykatës.

    Çupi theksoi se për shkak të qëndrimit kundër të mazhorancës për këtë çështje dhe tentativës për të mbrojtur kolegen e tyre, Kuvendi ishte gjetur në shkelje të Kushtetutës në vendimet e tij të mëparshme.

    Por deputetja e PS, Klotilda Bushka tha se rekomandimi për kryetaren nuk ka pse të ketë arsyetime shtesë.

    “Ky këshill duhet t'i propozojë kryetares së Kuvendit ta përfshijë këtë vendim në rendin e ditës së seancës plenare më të afërt, kjo duke ju referuar vetë arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese”- tha Bushka duke shtuar se “nuk ka munguar ndonjëherë vullneti dhe impenjimi për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

    Ndryshimi i qëndrimit të mazhorancës ndaj çështjes u komentua me habi nga anëtarët opozitarë në mbledhje, të cilët rikthyen debatin dhe akuzat për mbrojtjen politike që iu dha Xhaçkës në më shumë se dy vite që kur opozita dorëzoi mocionin në Kuvend.

    Disa javë më parë ish-kryetari i grupit socialist Bledi Çuçi lajmëroi publikisht se vendimi do të “ankimohej” në Komisionin e Venecias dhe e cilësoi urdhërimin e Kuvendit nga gjykata si anti-kushtetues dhe deklaroi se deputetët votonin si të donin pasi ishin të pavarur.

    Vendimi i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimmarrjen kritikon ashpër shumicën parlamentare për shkelje kushtetuese me pasoja të rënda, referuar qëndrimit të prillit kur deputetët socialistë rrëzuan një vendim të mëparshëm të kësaj gjykate për këtë çështje.

    Por, sipas Kushtetueses, Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e gjykatës në shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe se kjo shkelje e Kushtetutës kishte prodhuar një krizë të re, që veç të tjerash cenon vetë themelet e shtetit.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 31-03-2024, 21:55
  2. Vettingu, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin
    Nga Neteorm në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 27-01-2017, 13:59
  3. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 17-05-2016, 14:51
  4. Homoseksualet festojne vendimin e gjykates supreme ne SHBA
    Nga {Princi} në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 01-07-2003, 09:54
  5. Roli i gjykates kushtetuese
    Nga vlora në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 30-04-2002, 20:01

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •