KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Fjetja e Hirësisë së tij, Mitropolitit të Beratit,
Vlorës dhe Kaninës, z. Ignat
Me hidhërim shumë të thellë njoftojmë për fjetjen më Zotin të Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Ignat, vëllait dhe bashkëmeshtarit tonë. Fjeti më Zotin sot, më 20 korrik 2024, pas një sëmundjeje trevjeçare në spitalë të Athinës.
Hirësia e tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, z. Ignat (Triantis), me prejardhje arvanitase, lindi në Thivë, më 8 nëntor 1934. Studioi në shkollën kishtare “Patmiadha” dhe në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës, si edhe në Konservatorin e Pireut.
Jeta e tij karakterizohet nga përkushtimi ndaj Kishës. Ai ka shërbyer si predikues dhe mësues laik në Kryepiskopatën e Hirshme të Athinës. Në vitin 1967 u hirotonis dhjakon dhe prift nga Mitropoliti i Thivës dhe Livadhiasë, z. Nikodhim, dhe shërbeu si famullitar në Kishën e Mitropolisë dhe si Epitrop Arkihieratik i Thivës (1967-1972), si Igumen i Manastirit të Hirshëm të Oshënar Llukait në Livadhia (1968-1976) dhe i Manastirit të Oshënarit Serafim në Dhomvu (1975-1996), si predikues i hirshëm (1972-1992) dhe si atë shpirtëror i asaj Mitropolie (1962-1996).
Zgjedhja e Hirësisë për fronin e Mitropolisë së Beratit u bë më 24 qershor të vitit 1992. Ai u dorëzua episkop më 27 korrik të vitit 1996, ndërsa fronëzimi i tij u bë më 18 korrik të vitit 1998, në Berat, nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, z. Anastas.
Në kishëzën e Kryepiskopatës së Hirshme të Shqipërisë u krye shërbesa e Trisaisë për prehjen e shpirtit të tij të zgjedhur në vendin e të drejtëve.
Varrimi i tij do të kryhet në Katedralen e Shën Dhimitrit, në Mitropolinë e Beratit, të martën, më 23 korrik 2024.
“Vdekja e oshënarëve të tij është e nderuar përpara Zotit” (Ps. 115:6).
I përjetshëm kujtimi i tij!
Nga Sinodi i Hirshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Krijoni Kontakt