Ndahet nga jeta Agim Doçi, poeti dhe pena e artë e këngëve të festivaleve
Pas një hemoragjie cerebrale që e la në gjendje të rëndë dy ditë më parë, është ndarë sot nga jeta poeti i mirënjohur Agim Doçi, autori i këngëve fituese të festivaleve. Ndër tekstet e këngëve të tij mbetet i paharruar "Marshi i UÇK".
Mikja dhe bashkëpunëtorja e tij, këngëtarja Myfarete Laze ka shkuar sot në Fb:
"Lamtumirë, lamtumirë Agim Doçi, poeti i mbarë shqiptarisë! O pendë e artë e vargut poetik e të kënduarit në breza! Të kjoftë dheu i lehtë ashtu si të lehtë, të bukur, e bëre jetën tonë, plot shpresë, mençuri, dashuri, patriotizëm, vlera, duke skalitur në mosharresë emrin Agim Doçi. Ashtu si trokite në çdo zemër me vargun tënd të kënduar, lamtumirë Agim Doçi! Ngushëllime, Ngushëllime, se sot të gjithë me dashuri, respekt, të thonë: ‘’ Pushofsh në paqe me Zotin tënd’’
Agim Doçi ishte 76 vjeç. Ceremonia e varrimit do të mbahet nesër në Tiranë me homazhet që nisin në orën 11.
Poeti është arsimuar në Shkodër deri në gjimnaz dhe ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.
Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj. Në vitet e fundit të '80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit "Misto Mame" si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990.
Ēshtë autor i shumë teksteve të këngëve shqipëtare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë perfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës. Mund të përmenden kënge shumë të njohura si "Marrshi i UCK-së", "A vritet pafajsia".
Ka botuar disa libra me poezi si 'Hajde dru me pre', 'Rrëzuar mbi vetminë', 'Rituali i kryqëzimit'.
Syri
Krijoni Kontakt