Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,112
    Postimet në Bllog
    20

    Kreu i SPAK: Po punojmë me FBI dhe DEA të godasim krimin e organizuar dhe korrupsionin

    “FBI dhe DEA janë atashuar pranë nesh”- Dumani publikon raportin e punës së SPAK



    Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, paraqiti këtë të enjte në Këshillin e Lartë të Prokurorisë raportin e punës së SPAK për vitin 2023.

    Në fjalën e tij Dumani tha se gjatë vitit të shkuar Prokuroria e Posaçme ka pasur një rritje cilësore të punës së saj, e cila është përshëndetur si nga shoqëria, ashtu dhe nga partnerët ndërkombëtare.

    Kreu i SPAK vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin me agjensitë partnere, ku tha se ardhja e hetuesve të DEA dhe FBI, të cilët janë atashuar pranë zyrave të SPAK, ka ndihmuar proceset hetimore.

    Dumani tha se vlera e pasurive të sekuestrua dhe konfiskuara gjatë vitit 2023 kap vlerën e 41 mln euro.

    Ai tha se për vitin 2023 ka një rritje të procedimeve penale në masën 16% në raport me vitin e shkuar.

    Sipas tij gjatë vitit 2022-2023 janë regjistruar 211 procedime penale për korrupsionin, 81 për krimin e organizuar dhe 13 procedime penale për terrorizmin.

    “Për institucionin tonë ky është një moment i rëndësishëm, pasi KLP duhet të njihet me punën e bërë nga SPAK në harkun kohor të një viti.

    Për vitin 2023 veprimtaria ka patur një rritje cilësore e cila është mirëpritur nga shoqëria shqiptare dhe komuniteti ndërkombëtar.

    SPAK ka arritur që të krijojë një besueshmëri me institucionet partnere në nivel rajonal dhe më gjerë. Ndër të tjera gjatë këtij viti është për t’u shënuar është dhe nënshkrimi i marrëveshjes mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorit Publik Evropian më datë 29.06.2023. Tashmë nga ana tjetër përfqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë zyrave të SPAK-ut për të koordinuar dhe asistuar më mirë hetimin dhe bashkëpunimin nëpërmjet agjensive ligjzbatuese.

    Prokuroria e Posaçme ka vendosur gjithashtu kontakte të drejtpërdrejta me vendet e Amerikës Lartine të cilat do të rrisin gjithahstu forcimin e hetimit të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar”, tha Dumani.

    Gjithashtu Dumani shtoi se prietet që së shpejti SPAK-ut do t’i shtohen dhe 2 prokurorë duke e plotësuar kështu organikën e këtij institucioni.

    “Është në përfundim emërimi i dy prokurorëve të tjerë për të mbyllur numrin e prokurorëve në organigramë. Jemi në pritje të vetingut për emërimin e dy prokurorëve të tjerë të cilët do të jenë një vlerë e shtuar”, tha Dumani.

    Euronews

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,112
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Kreu i SPAK: Po punojmë me FBI dhe DEA të godasim krimin e organizuar dhe korrupsionin

    '4 deklaratat shqetësuese të kreut të SPAK'/ Murrizi nxjerr emrat e zyrtarëve të policisë: Cilin keni frikë z. Dumani?

    Nga Myslim Murrizi

    Më habiti shumë sot me 4 deklaratat e tij drejtuesi i SPAK-ut Z Altin Dumani gjatë raportimit në KLP.

    Nuk bashkëpunojmë me policinë për krimin e organizuar thotë, se ka brenda policisë sidomos në nivele të lartë drejtuesë individ të lidhur me botën e krimit!!!!!!!

    Po pse nuk i ndiqni penalish dhe pse nuk i arrestoni këta drejtues Altin???

    Aq më shumë që i dini se kush janë këta drejtues policie në nivele të larta.

    Se nuk besoj që të kesh folur kot siç bëjnë shpesh herë gazetarë apo analistë nëpër studiot e tv për të bërë lajm????

    Dhe patjetër besoj që ju kanë dalë nga përgjimet e 3335 personave që keni kryer gjatë vitit 2023 ose nga 1899 personat e botës së krimit!

    Drejtues të lartë sot Altin në Policinë e Shtetit janë gjithsej rreth 20 individë.

    Nga kush keni frikë që nuk i arrestoni këta që bashkëpunojnë me krimin???

    Keni frikë nga krimi ku këta janë aksioner apo nga Rama dhe Balla që mban në krye të Policisë së Shtetit ordiner që punojnë për llogari të botës së krimit të organizuar???

    Drejtor i Përgjithshem i Policisë së Shtetit është z. Muhamet Rrumbullaku.

    Nëndrejtor të Policisë së Shtetit janë z. Sokol Bizhga dhe z. Rebani Jaupi për rendin, z. Neritan Nallbati për krimet dhe z. Sajmir Boshnjaku për kufirin.

    Drejtor policie për krimin e organizuar është z. Mond Rizai

    Drejtor i operacionales që ndjek, survejon, heton, përgjon edhe në mënyrë ambjentale është z. Vilson Bala.

    Drejtor i antiterrorit në Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është z. Alban Dautaj.

    Drejtorët e policisë në 12 qarqe z. Altin janë: Tonin Voci në Tiranë, Edmond Sulaj në Shkodër, Artan Bajraktari në Kukës, Alfred Elezi në Lezhë, Dhimitraq Ziu në Dibër, Skënder Hida në Durrës, Ilir Proda në Elbasan, Lorenc Panganika në Fier, Kastriot Skënderaj në Berat, Gjovalin Loka në Korçë, Ermal Muça në Vlorë, Ardian Çipa në Gjirokastër.

    Cilin nga këta keni frikë ju z. Dumani????

    Cili, apo sa prej këtyre janë të inkriminuar apo bashkëpunëtorë me krimin e organizuar z. Dumani që ju trembeni për të bashkëpunuar se nuk ju besoni???

    Nëse keni prova, fakte apo indicie nga përgjimet e elementëve të botës së krimit për secilin prej tyre dhe nuk i keni proçeduar penalish dhe akoma nuk i keni arrestuar, atëherë përgjegjësia penale, morale, publike, institucionale, shoqërore, etike dhe zyrtare bie vetëm mbi ju dhe mbi 17 prokurorët e tjerë të SPAK-ut që paguheni nga taksat e shqiptarëve më shumë se çdo zyrtar tjetër në Republikën e Shqipërisë, përfshi dhe President e Kryeministër, për të luftuar krimin dhe korrupsionin jo me selektim, apo kë nuk keni frikë, apo kush nuk ju tremb, por kush është anëtar i botës së krimit apo hajdut ordiner i taksave të shqiptarëve.

    Nuk keni asnjë të drejtë t’i bëni pis të gjithë publikisht për hatër të mungesës së kurajos dhe profesionalizmit tuaj për ti treguar vendin llumit brenda Policisë së Shtetit.

    Nuk mund të flisni si sekretarët e Partisë së Punës në mbledhjen e frontit në përgjithësi për armiqtë e klasës apo për biografi të keqe sepse nuk jeni aty vlerësues të asnjë figure politike, shtetërore, administrative apo shoqërore por Prokuror i Shtetit që duhet të flasësh vetëm me fakte e prova konkrete dhe para gjykatës jo para kamerave.

    Në KLP je për të dhënë llogari sepse KLP është eprori juaj jo organ në vartësinë tuaj, dhe ndjej keq ardhje për nënshtrimin e turpshëm të 11 antarëve të KLP që nuk ju ulën me këmbë në tokë e me bythë në atë karrike që ju kanë emëruar, por për interesa të ngushta personale rrinin sikur i kishe thirrur për t’i marë në pyetje.

    Nga i gjithë raportimi juaj sot Altin më befasuan katër deklarata tuaja të cilat në rastin më dashamirës do t’i quaja mungesë profesionalizmi të theksuar ose delirantizëm dhe në rastin më të keq arrrogancë harbute jashtë çdo norme të lejuar.

    Ju deklaruat që gjykata bën çfarë kërkoni ju dhe kjo është diktaturë komuniste dhe humbje e sovranitetit të Republikës Parlamentare e shndërrimi në Republike Prokurorësh që është antikushtetuese hapur ose ‘grusht shteti’ ndaj Kushtetutës dhe institucioneve.

    Për këtë duhet të mblidhet urgjent komisioni parlamentar i ligjeve dhe i Sigurisë Kombëtare dhe duhet të shoh me detaje shkeljen brutale të Kushtetutës dhe të reagoj ligjërisht menjëherë.

    Ju deklaruat që keni dijeni për drejtues të lartë të policisë që kanë lidhje me boten e krimit dhe mos reagimi në bazë të ligjit për organin e akuzës dhe kodit penal ju ngarkon direkt me përgjegjësi penale dhe të gjithë drejtuesit e policisë kanë të drejtë t’ju padisin për shpifje publikisht dhe cënim moral të dinjitetit të tyre.

    Ju deklaruat që ka rënë numri i kallëzimeve pranë SPAK-ut nga institucionet shtetërore, pra po pranoni që ju hetoni vetëm çfarë ju sjellin ndërkohë që detyrë që ju ngarkon ligji është fillimi i hetimeve kryesisht si primare pastaj çfarë denoncojnë institucionet, qytetarët, politikanët apo gazetarët, sepse SPAK-u nuk është si ‘dogana e Gazhelit’ që pret kush “maune” vjen tek trau që t’i mari taksen 20%.

    Po sikur të ketë një “memorandium” nga të gjitha institucionet që nuk do sjellin me kallëzime në SPAK, çfarë do bëni ju z. Dumani, do ta mbyllni “dyqanin”???

    Si dhe ju i kërkuat KLP në gjysmën e mandatit tuaj, që prokurorët të kenë të drejtë të rizgjidhen edhe 9 vjet të tjera kur këtë kompetence e ka vetëm Parlamenti që duhet të ndryshojë Kushtetutën por që tregon hapur se secili nga ju po mendon qysh sot se ku do jeni pas 4 vitesh.

    Dhe kjo tregon që ju si SPAK keni filluar të mendoni politikisht se kush do jetë në pushtet pas 4-5 vitesh, e cili do jetë fati juaj në karrierë, prandaj shohim heshtje ndaj balozëve të mëdhenj dhe show me drejtora në burg.

    Si një ish-deputet që kam votuar ligjet e reformës në drejtësi duke marë mbi vete kosto politike, uroj të kenë qënë “lajthitje” nga emocionet para KLP apo kamerave, se ndryshe do më bëje që ti “kërkoja” falje ish-hetuesit dhe kandidatit për deputet të rinisë komuniste, Arben Krajës.

    Syri

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,112
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Kreu i SPAK: Po punojmë me FBI dhe DEA të godasim krimin e organizuar dhe korrupsionin

    SPAK: Korrupsion i sofistikuar dhe pastrim parash me PPP-të

    Në raportin për vitin 2023, Prokuroria e Posaçme ngre kambana alarmi për sofistikimin e korrupsionit dhe të mënyrave për keqpërdorimin e parasë publike. Ndërsa numri i çështjeve dhe zyrtarëve të lartë të hetuar dhe të dënuar është rritur, SPAK thekson se institucionet publike nuk denoncojnë, ndërsa nënvizon se policia është e lidhur me krimin e organizuar.

    Nga Vladimir Karaj

    Emri:  Altin-Dumani-1536x1163.jpg

Shikime: 56

Madhësia:  28.9 KB
    Kreu i SPAK, Altin Dumani duke folur pas nje mbledhejeje të Këshillit të Integrimit. Foto: LSA

    Hetimi i zyrtarëve të lartë i ka dhënë SPAK një perspektivë të privilegjuar mbi korrupsionin dhe mënyrat e përdorura për të tjetërsuar paranë publike në vend. Në raportin vjetor të paraqitur të enjten para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organi i specializuar i akuzës shkruan se ka vërejtur sofistikim të metodave korruptive dhe të pastrimit të parave të korrupsionit.

    “Vihet re, një sofistikim i kësaj vepre penale kryesisht kur kemi të bëjmë më projekte të rëndësishme publike, të kontraktuara sipas modelit konçensionar/partneritet publik privat”, shkruhet në raport.

    SPAK ka në hetim kontratat e partneritetit publik privat në shëndetësi dhe ato të lidhura me menaxhimin e mbetjeve. Në raport prokuroria shkruan se hetimet e këtyre rasteve kanë zbuluar skema të komplikuara të transferimit të parave publike në duart e zyrtarëve të lartë të korruptuar.

    “Këto veprime financiare copëzohen në dhjetëra transaksione në formë kryerjesh pagesash tek kompanitë, të cilat nënkontraktohen për të kryer punime të ndryshme sipas specialitetit të tyre,” shkruan SPAK.

    “Në fakt, në disa raste, kompanitë e nënkontraktuara janë pjesë e të njëjtës skeme dhe kontrollohen nga të njëjtët individë që e kanë organizuar këtë skemë korruptive”, shton raporti.

    Në të njëjtin raport Prokuroria e Posaçme vë në dukje përfshirjen e Policisë së Shtetit dhe oficerëve drejtues të saj në krimin e organizuar, që shpesh herë bën të pamundur bashkëpunimin mes dy institucioneve.

    “Vërehet gjithashtu një bashkëpunim i grupeve kriminale edhe me oficerët e policisë së shtetit të rangjeve të ndryshme në territorin shqiptar, si dhe funksionarë të organeve të drejtësisë”, shruhet në raport, ku theksohet ndër të tjera se grupet kriminale shqiptare kanë blerë mbrojtje dhe kanë korruptuar edhe zyrtarë të lartë në vendet e Amerikës së Jugut.

    Skema e ryshfetit dhe korrupsioni

    Raporti vjetor i SPAK përmban një tablo të detajuar të veprimeve korruptive të zyrtarëve të lartë, që nga abuzimi me tenderat deri te marrja e ryshfetit përmes një skeme, që sipas hetimeve përfshin zakonisht tre persona, dy prej të cilëve janë zyrtarë publikë.

    Sipas skemës që kanë vënë re hetuesit ryshfeti i paguhet ndërmjetësit, që kryesisht rezulton të jetë po funksionar publik dhe që më pas i transferohet përfituesit fundor.

    SPAK vë në dukje se janë titullarët e institucioneve ata që kanë në dorë dhe kontrollojnë aferat korruptive, kryesisht përmes personave të besuar.

    Hetimet e SPAK kanë gjetur se në rastet e tenderave publikë, zyrtarët e lartë i japin urdhërat përmes këtyre personave të besuar dhe paratë më pas qarkullojnë në disa duar deri sa transferohen në llogari bankare brenda dhe jashtë vendit.

    Në raport vihet në dukje se hetimet kishin gjetur tendera me dokumentacion tërësisht të falsifikuar dhe sipas prokurorisë shpesh korruptimi fillonte që me idenë për një tender.

    “Veprimet korruptive mund të nisin që në fazën fillestare, pra të çeljes së fondit nga autoritetet kontraktore për projektin në fjalë, dhe për të vijuar më pas me akte dhe vendime, të cilat ndiqen nga titullari i autoritetit kontraktor”, shkruan SPAK.

    Por sipas raportit aferat korruptive me të ashtuquajturit partneritete publike e private janë ato më të sofistikuarat.

    “Veprimet karakterizohen nga shkelje të rënda ligjore të detyrimeve, që organet shtetërore kanë”, shkruhet në raport, duke vënë në dukje se shkeljet fillojnë që me përgatitjen e koncesionit.

    Sipas raportit zyrtarët shtetërorë nuk bëjnë studime të plota të fizibilitetit, nuk llogarisin vlerën e kontratës dhe shkelin një sërë procedurash të tjera.

    SPAK thekson se në hetimet e kryera kanë gjetur përfshirje të drejtpërdrejte të funksionarëve të lartë publikë në këto afera, të cilat fillojnë pa pasur ende procedura të shpallura duke i bërë fituesit të paracaktuar.

    “Vihen re, ndërhyrje të drejtpërdrejta të funksionarëve të lartë publik, të cilët negociojnë paraprakisht, qoftë pa u shpallur procedura e tenderit/konçesionit me subjektin juridik, i cili më pas do të shpallet fitues”, shkruhet në raport.

    Sipas raportit ndërhyrjet vijojnë gjatë gjithë kohës dhe përfshijnë edhe ndikimin në institucione të treta, duke krijuar gara fiktive që në fakt drejtohen “në hije” nga shoqëritë konçesionare.

    Raporti vë në dukje se në këto skema zyrtarët e lartë përfshijnë më pas kompani që kontrollohen prej tyre, për të kryer punime dhe “mbuluar natyrën e vërtetë të skemës korruptive”.

    SPAK vë në dukje se kjo është edhe forma e përdorur për t'i pastruar këto para. Hetimet, vihet në dukje në raport, kanë gjetur se kompanitë e e kontrolluara nga zyrtarë publikë përfshihen në transaksione me kompanitë përfituese të parave publike dhe më pas kryejnë transaksione për t'i transferuar paratë te zyrtari i përfshirë në korrupsion.

    “Ajo që vihet re është se skema e pastrimit të parave është mjaft komplekse, pasi, në rastin e shkeljes së barazisë së tenderëve publik, ka si qëllim, jo vetëm të krijojë një skemë fiktive midis funksionarëve të lartë publik për fshehjen e akteve korruptive, por, mbi të gjitha, ajo shërben edhe si një skemë pastrimi e produkteve të veprave penale”, shkruhet në raport.

    Krimi i organizuar me rrënjë globale

    Në raport SPAK vë në dukje rritjen e numrit të hetimeve, sidomos atyre të nisura kryesisht prej vetë prokurorisë, po ashtu në raport theksohet edhe rritje e numrit të çështjeve të përfunduara dhe një përmirësim sa i përket çështjeve të fituara nga prokuroria në gjykatë.

    Raporti vë në dukje edhe rritjen e numrit të bashkëpunimeve më partnerë ndërkombëtar, ndërsa thekson se ky bashkëpunim e ka ndihmuar Shqipërinë të përmirësojë pozicionin e saj sa i përket transparencës dhe luftës ndaj pastrimit të parave.

    “Kjo qasje ka dhënë rezultate mjaft pozitive në të cilat, vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara së bashku, nga vlerësimi i kryer për vitin 2023 përllogaritet në vlerën prej 41 milion Euro, nga të cilat, 54% e zënë pasuritë e konfiskuara në vlerën 22.5 milion Euro dhe 46% e zënë pasuritë e sekuestruara në vlerën 1.9 miliardë lekë (19 milion euro)”, thuhet në raport.

    Megjithatë SPAK ngre shqetësimin për lidhjet e grupeve kriminale me Policinë e Shtetit dhe strukturat vendore, që prej kryepleqve e deri në nivele të larta.

    Raporti i SPAK ka gjetur se strukturat kriminale veprojnë kryesisht në qytetet e mëdha të vendit: Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan. Por edhe në qyteza si Kurbin dhe Fushë-Kruja. Raporti thekson se Tirana dhe disa qytete bregdetare janë kthyer në qendra për pastrimin e parave.

    “Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave”, thuhet në raport.

    Raporti, për herë të parë, përfshinë një analizë të qartë të grupeve kriminale në vend dhe po ashtu edhe të aktiviteteve të tyre. Sipas hetimeve grupet janë kryesisht prej 10-15 personash, me lidhje gjaku dhe me një farë autonomie të brendshme. Këto grupe angazhohen kryesisht në trafik narkotikësh. Grupe më të vogla me 5-7 persona janë të përfshirë në vrasje me pagesë apo grabitje me armë dhe eksplozivë.

    Hetimet kanë nxjerrë edhe sofistikim të këtyre grupeve kriminale në përdorimin e teknologjisë.

    “Nga ana tjetër, edhe grupe të tjera kriminale të cilat nuk përfshihen në trafikun e narkotikeve, siç është rasti i “call center” apo i trafikimit të mallrave të kontrabanduara, rezultojnë të jenë shumë të sofistikuar, madje, shumë më të avancuar në teknikat e fshehjes së aktivitetit të tyre kriminal, kjo për vetë natyrën e aktivitetit të tyre, i cili mbështetet në përdorimin e gjerë të teknologjisë”, shkruhet në raport.

    Ajo që vë në dukje SPAK janë lidhjet e gjëra të grupeve kriminale shqiptarë në Europën Perëndimore, Amerikën e Jugut apo edhe Lindjen e Mesme. Hetimet kanë nxjerrë përdorimin e porteve të mëdha në BE si ai i Frankfurtit, Pireut apo Roterdamit për të futur në BE kokainën.

    “Këto grupe janë poli-kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe,” shkruan SPAK.

    “Prezenca e tyre në Shqipëri, dhe ndikimi në zonat ku ato veprojnë në komunitet vijon të mbetet i konsiderueshëm”, përfundon raporti.

    BIRN

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,112
    Postimet në Bllog
    20

    Për: Kreu i SPAK: Po punojmë me FBI dhe DEA të godasim krimin e organizuar dhe korrupsionin

    Me pak fjalë kreu i SPAK thotë: Po punojmë me amerikanët se krerët e policisë e qeverisë shqiptare janë në shërbim të krimit e korrupsionit.

Tema të Ngjashme

  1. AAK dhe lidhjet e saj me krimin e organizuar.
    Nga angmokio në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-02-2014, 08:17
  2. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 03-12-2013, 22:15
  3. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-03-2007, 06:11
  4. “S’mund të bashkëpunoj me krimin e organizuar”
    Nga Orku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 16-08-2003, 23:09
  5. Implikimi i pushtetareve ne krimin e organizuar
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-08-2002, 04:36

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •