MITROPOLIA E BERATIT
Në shekullin V në fronin e Perandorisë Bizantine u ngjit Pulqeria, e motra e Theodhosit të Madh. Ajo u martua me plakun Marcian dhe vizituan qytetin e Antipatreas (Beratin), të cilin e pagëzoi me emrin e saj Pulqeriopolis, që do të thotë qyteti i Pulqerias. Kjo e fundit ndërtoi Manastirin e Shën Mërisë Vllahernës dhe krishterimi në Episkopatën e Pulqeriopolit filloi të zhvillohej. Në fillimet e shekullit IX Berati u pushtua nga sllavët, të cilët filluan që ta quajnë Beligrad. Kjo vërtetohet nga një letër që papa i Romës Joani XII i dërgon Borisit të bullgarëve duke e vlerësuar Beligradin si një seli të rëndësishme episkopale. Mirëpo me krijimin e Kryeepiskopatës së Ohrit më 1020, Berati kaloi në juridiksionin e kësaj episkopate. Mitropolia e Beratit në vitin 1767 hyri në listën e mitropolive të Kostandinopojës. Mitropoliti mbante titullin: “I Përndershmi Mitropolit i Veligradit dhe i Kaninës”. Emrin Berat e mori në vitin 1431, në kohën e pushtimit osman. Pra fillimisht quhej Antipatrea, në vijim Pulqeriopolis, Beligrad dhe më në fund Berat. Sipas regjistrit turk të vitit 1431, brenda murreve të kalasë gjendeshin 227 familje, të cilat numëronin rreth 1500 banorë.(3)
Mitropolia e Shenjtë e Beratit para vitit 1967 kishte 80 enori dhe katër manastire. Mitropolia ka në juridiksion këto zëvendësi episkopale vendore: Berati, Vlora, Fieri, Lushnja. Sipas radhës kronologjike disa nga Mitropolitët e Beratit kanë qenë:
Nektari (1668),
Partheni (1683),
Ignati (1685),
Nektari (1699),
Dionisi (1710),
Theodhosi (1715-1716),
Niqifori (1718-1725),
Kozmai (1727-1734),
Metodi (1736- 1751),
Joasafi (1725-1759),
Efthimi i dytë (1761-1763),
Partheni (1763-1765),
Joasafi përsëri (1765-1767),
Ioaniqi (1768-1769),
Gjerasimi (1769-1772),
Joasafi (1772),
Meleti (1800),
Joasafi (1802),
Anthimi (1855),
Vasili (1900),
Kaliniku (1909),
Ioaqimi (1911),
1911-1923 pa Mitropolit,
Kristofor Kisi (1923),
Agathangjel Çamçe (1929),
Visarion Xhuvani (1941),
Kirilli (1949),
Ignat Trianti 24 qershor 1992 u bë zgjedhja dhe më 18 korrik 1998 u bë fronëzimi.(4)
MITROPOLITI I BERATIT IGNATI
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe i Kaninës, Imzot Ignati ka lindur në 8 nëntor të vitit 1934 në fshatin Prodhromas të Thivës në një familje arvanitase. Siç pohon edhe vetë ai, gjuhën e bukur shqipe e ka mësuar nga nëna. Studioi në shkollën kishtare Patmiadha si dhe në fakultetin teologjik të Universitetit të Athinës. Gjithashtu është diplomuar në Konservatorin e Pireut. Ka shërbyer si predikues laik në Kryeepiskopatën e Shenjtë të Athinës. Më 21 shtator të vitit 1967 është dorëzuar murg në manastirin e Shën Lukës në Livadhja, ndërsa më 24 shtator 1967 u dorëzua dhjak. Më 15 tetor 1967 u hirotonis në gradën priftërore nga Mitropoliti i Thivës dhe Livadhjasë, Nikodhimi. Më pas shërbeu si meshtar në kishën katedrale dhe si Epitrop Arkihierark i Thivës (1967- 1972). Igumen i Manastirit të shenjtë “Oshënar Lluka” të Livadhjasë (1968-1976) dhe “Oshënar Serafimi” të Dhomvus (1975-1996), predikues (1972-1992) dhe atë shpirtëror i Mitropolisë së Shenjtë (1992-1996). Mitropoliti i Beratit Ignati ka shkruar: 1-Koleksionin me tre vëllime “Poezitë e kallogjerit”. 2-”Përulësia sipas shkrimit të Shenjtë dhe Etërve të Kishës”. 3- ”Jerondi i Patmos, Jeromonaku Amfiloqios Makri”, me të cilin u nderua nga Akademia e Athinës. Më 24 qershor 1992 u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe i Kaninës dhe më 27 korrik të vitit 1996 u dorëzua në gradën episkopale në Katedralen e Shën Gjergjit në Fanar. Ceremonia e fronëzimit u zhvillua në Berat në 18 korrik 1998.(5)
KISHAT DHE MANASTIRET
Mitropolia e Beratit para vitit 1967 kishte 80 enori dhe katër manastire, ndërsa sot ka në juridiksion këto zëvendësi episkopale vendore: Berati, Vlora, Fieri, Lushnja. Kishat dhe institucionet fetare e kësaj mitropolie sipas komunave janë:
Në Berat: Mitropolia e Beratit, kisha katedrale e Beratit, kisha e “Shën Timoteut”, kisha e “Shën Elias”, kisha e “Kryeëngjëllit Mihail”, kisha e “Shën Marisë”, kisha në Gorisht, kisha e “Shën Dhimitrit”, kisha në Vokopolë.
Në Kuçovë: Kisha e “Ungjillëzimit të Hyjlindëses” në Kozarë.
Në Mallakastër: Bazilika e Ballshit, kisha e “Shpërfytyrimit të Krishtit” në Greshicë.
Në Vlorë: Manastiri i “Shën Marisë” në Zvërnec, kisha e “Shën Joan Teologut” në Zvërnec, kisha e “Shën Todrit”, kisha e “Shën Dhimitrit” në fshatin Dukat, kisha e “Shën Thanasit” në Selenicë, kisha e “Shën Parashqevisë” në Skrofotinë, kisha e “Shën Spiridhonit”, kisha e “Pesë Martirëve” në Bestrovë, kisha në fshatin Mëkat, kisha e “Gjithë Shenjtorëve”.
Në Fier: Katedralja e “Shën Gjergjit”, kisha e “Shën Marisë”, kisha e “Shën Nikollës” në Vanaj, kisha e “Shën Kollit”, kisha e “Trinisë së Shenjtë”, kisha e “Kryqit të Shenjtë”, kisha e Gradishtës, kisha e “Shën Spiridonit”, kisha e “Shën Mihalit”, kisha e “Shpërfytyrimit” në fshatin Agim, kisha në Pishporo, kisha e “Shën Kozmait”.
Në Lushnjë: Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses” në Ardenicë, kisha e “Shën Marisë”, kisha e “Shën Thanasit”, kisha e “Shën Gjergjit”, kisha e “Shën Mihalit”, kisha e “Shën Kollit”, kisha “Fjetja e Hyjlindëses” në Rrupaj, kisha e “Shën Gjergjit”, kisha e “Shën Marisë”, kisha e “Shën Parashqevisë”.
KLERIKËT
Klerikët e Dioqezës së Beratit janë: Imzot Ignati, atë Lili Bita, atë Bartolome Bullari, atë Petraq Simsia, atë Arqile Doko, atë Konstandin Doko, atë Rafail Redhi, atë Lili Zaka, atë Aristidh Ziu, atë Thoma Bane, atë Aristidh Gjyrgji, atë Llazar Nushi, atë Athanas Papa, atë Ilia Prifti, atë Arqile Sako, atë Mihal Shuli, atë Angjel Basha, atë Dhimitraq Kushi, atë Sotiraq Prifti, atë Spiro Bulika, atë Ilia Qirjo, atë Jani Konomi, atë Sotir Prifti, atë Niko Bregu, atë Gori Ndreko, atë Nikolla Mandro, atë Niko Lushi, atë Spiro Pipa, dhjakon Anastas Vrapi, dhjakon Joan Qako etj.
KISHAT MONUMENT KULTURE
Lushnjë. Manastiri i “Shën Mërisë” në Ardenicë, 1948, kisha e “Shën Thanasit” në Karavasta, 1963, kisha e “Shën Mërisë” në Bishqethëm, 1963, kisha e “Shën Kollit” në Toshkëz, 1963, kisha e “Shën Kollit” në Krutjen e Sipërme, 1963, kisha e “Shën Todrit” në Kadipashaj, 1963.
Fier. Manastiri i “Shën Mërisë” në Pojan, 1963, kisha e “Shën Kozmait” dhe “Shën Mërisë” në Kolkondas, 1963, kisha e “Shën Kollit” në Kurjan, 1963, kisha e “Shën Gjergjit” në Libofshë, 1963, kisha e “Shën Gjergjit” në Strumë, 1970, kisha e “Shën Kollit” në Vanaj, 1963, kisha e “Shën e Premtes” në Hoxharë, 1979, kisha e “Shën e Premtes” në Sop, rrënojat e bazilikës së Ballshit, bazilika A, B, C, D në Bylis.
Berat. Kisha e “Shën Mëhillit”, 1948, kisha e “Shën Triadhës” në kala, 1948, kisha e “Shën Marisë” në Mbreshtan, 1979, kisha e “Shën Marisë Vllahernës” në kala, 1948, kisha e “Ungjillëzimt” në Kozarë, 1963, kisha e “Shën Kollit” në Perondi, 1963, kisha e “Shën Mitrit” në Debranik, 1970, kisha e “Shën Mitrit” në Poliçan, 1977, kisha e “Shën Todrit” në kala, 1948, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë” në kala,1948.
Vlorë. Manastiri i “Shën Mërisë” në Zvërnec, 1963, kisha e manastirit të “Panaiasë” në Dhërmi, 1963, kisha e manastirit të “Shën Mitrit” në Qeparo, 1963, kisha e “Marmiroit” në Pashaliman, 1963, kisha e “Sergjit dhe Bakut” në Himarë 1963, kisha e “Shën Mërisë së Athalit” në Himarë 1963, kisha e “Gjithë shenjtorëve” në Himarë 1970, kisha e “Shën Spiridhonit” në Vuno, 1963, kisha e “Ipapandisë” në Dhërmi, 1963, kisha e “Shën Mëhillit” në Vuno, 1963, kisha e “Mesodhisë” në Vuno, 1963, rrënojat e kishës së “Shën Stefanit” në Dhërmi, 1963, rrënojat e kishës së “Shën Kollit” në Armen, 1963, rrënojat e kishës së “Shën Ndreut” në Himarë, 1980, rrënojat e kishës së “Shën Gjergjit” në Brataj, 1980, kisha e “Shën Sotirës” në Vuno, 1979.
3) - Arjan Kaja, Xovani Shyti, Berati, gur i rëndë në historinë e qytetërimit shqiptar, Tema, 26 dhjetor 2007, faqe 12-13.
4) - Maksim Çuko, Qytetërimi dhe krishterimi në Myzeqe, Tekno Peper, Tiranë 2004, faqe 42.
5) - Xhovani Shyti, Abedin Kaja, Jam arvanitas, nga nëna kam mësuar gjuhën e bukur shqipe, Tema, 12-13 mars 2006, faqe 12-13.
Krijoni Kontakt