Mijëra qytetarë mbushin Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ilir Meta nuk merr pjesë (LIVE)
Mijëra opozitarë kanë mbushur bulevardin Dëshmorët e Kombit këtë 20 shkurt në një protestë ku jo vetëm është përkujtuar rënia e përmendores së Enver Hoxhës 33 vite më parë, por që ka shenjuar edhe bashkimin e opozitës rreth një vit para zgjedhjeve të përgjithshme.
Protesta ka nisur me disa fjalime të deputetëve, mes të cilëve Gazment Bardhi, Luçiano Boçi, Flamur Noka etj, të ndërthurur me fjalimet zërave qytetarë, si aktori Mehdi Malkaj etj.
Kulmi i opozitës ka qenë fjalimi i Sali Berishës, që ka folur nëpërmjet dy ekraneve të mëdhenj që transmetonin live nga shtëpia ku lideri i opozitës qëndron në arrest.
Në fjalën e tij, Sali Berisha deklaroi se “ne inaugurojmë sot misionin tonë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Betejën për çlirimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura e shëmtuar e Edi Ramës. Ne inaugurojmë betejën popullore pa kthim për rikthimin e votës së lirë dhe çeljen e dyerve të integrimit evropian të Shqipërisë, të mbyllura nga regjimi i Tiranës. Ne në këtë protestë uragan përcjellim mesazhin për botën se populli opozitar do i rezervojë diktaturës së dytë, dmth narkoshtetin të Edi Ramës, fatin që meriton, fatin që i rezervuam diktaturës komuniste 33 vite më parë”.
Ndërkohë akuzave që i bëhen se Berisha e organizon protestën për të mbrojtur fëmijët e tij, vetë Berisha iu është përgjigjur në fjalimin që ka mbajtur para demokratëve.
“Cilat halle ka Berisha? Ato halle që u shfaqën 10 vite pas ishte pa asnjë pushtet? Ato halle që unë denoncova projektet e serbomadhisë dhe rusomadhisë në rajon? Ato halle që unë denoncova çdo ditë vjedhjet më të mëdha të Edi Ramës? Ato fakte që unë denoncova lidhjet e tmerrshme të pushtetit me krimin? Ato fakte që nisën çuditërisht që unë kundërshtova bashkëqeverisjen e PD me aleancën e qeblësirave, me Rilindjen? Jo miq, Sali Berisha nuk ka halle. Por Sali Berisha është halli më i madh i Edi Ramës dhe miqve të tij, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros dhe mafies ndërkombëtare. Prandaj dhe jam sulmuar politikisht”
Pas fjalës së Berishës ka folur deputeti demokrat Ervin Salianji dhe në këto momente drejt kryeministrisë është qëlluar me gurë dhe shishe molotov. Shkallët e kryeministrisë janë përfshirë nga flakët, ndërsa policët e komisariateve janë zëvëndësuar nga forcat speciale të veshura skafandra dhe mbrojtëset përkatëse.
Tensioni ka zgjatuar fare pak, por pas protestës grupe civilësh prej 7 apo 8 personash janë parë të futen mes turmës së protestuesve që largoheshin dhe kanë “rrëmbyer” disa nga protestuesit që qëlluan me gurë.
Lapsi
Krijoni Kontakt