KRISTOFOR KISI NË PANAIRIN E SHËN GJON VLADIMIRIT
Të kremten e shenjtit, më 4 qershor, në manastir bëhej panair i madh. Prandaj thirrej paria e disa qyteteve e u bëhej një pritje madhështore. Sipas studiuesit gjerman Hahn, panairi zgjaste tri ditë. Pelegrinëve u jepej bukë, ullinj dhe djathë. Ata hidhnin të holla aq sa e kishin menduar. Paratë i mblidhte kujdestari i manastirit. Në panairin që bëhej në manastirin e Gjon Vladimirit, kujdestaria e parë i takonte Durrësit, e dyta Kavajës dhe e treta Tiranës(148). Ndërmjet të tjerave, aty bëhej edhe pazari i shitjes së gjedhit. Pelegrinët nga Tirana, Durrësi, Dibra, Korça, Berati, Struga, Ohri dhe Manastiri vinin një ditë më parë, pra që më 3 qershor. Kishte njerëz me probleme shëndetësore, që flinin natën në kishë, duke iu lutur shenjtit të bënte mrekullinë. Gratë vinin rroba të ndryshme pranë arkës së shenjtit, ndërsa burrat fërkonin qeleshet dhe festet tek arka e shenjtit(149). Të tjerë këndonin në oborrin e kishës, ndërsa tregtarët ambulantë u shërbenin pelegrinëve me produkte ushqimore. Pas liturgjisë hyjnore zhvillohej ceremonia e rrotullimit të lipsanit tri herë rreth kishës. Arka me lipsanët e shenjtit dilte nga dera jugore e kishës. Procesionin e paraprinin eksapterët dhe kryqi; pastaj vinin priftërinjtë që mbanin arkën me lipsanet e shenjtit; më pas vinte populli me qirinj të ndezur. Të gjithë me lutje, psalme dhe litani shoqëronin arkën me lipsanet e shenjtit. (Fig.1) Më pas, arka vendosej mbi një tavolinë përpara kishës dhe priftërinjtë shpërndanin pambukun që kishin lipsanet e shenjtit. Njerëzit prisnin në radhë dhe pasi puthnin arkën, merrnin pambukun dhe largoheshin me shprestari.
Pambukun e vendosnin në djepet e fëmijëve për mbarësi, e mbanin me vete kur udhëtonin ose e mbanin në këndin e lutjes në shtëpi. Më pas, të gjithë të pranishmit drekonin së bashku. Kremtimet e panairit të vitit 1939 i ka drejtuar Kryeepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisit. (Fig.2) Në këto kremtime mori pjesë edhe kori i kishës katedrale të “Ungjillëzimit” të Tiranës. Anëtarët e korit kanë qenë: Irini Gjoka, Anthulla Markidhi, Mariana Trebicka, Keti Cico, Gallata Kota, Tefta Kuqi, Enrieta Afezolli, Vasilika Murani, Zana Mata, Marika Simaku, Viollanda Xhumetiku, Pandora Karakosta, Leni Dhama, Thanas Shkurti, Kristaq Tasho, Niko Zaharija, Themistokli Bimbli, Themistokli Jorgoni, Andrea Botka, Stavri Kondi, Nonda Rusi, Thoma Frashëri. Kori i kishës së “Ungjillëzimit” në Tiranë është krijuar nga Dhimitër Beduli(150). (Fig.3)
148) - Johan Georg von Hahn, Studime shqiptare, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, Tiranë, 2007, faqe 233.
149) - Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 138, dosja 16, fleta 16.
150) - Dhimitër Beduli, Vlash Dhora, Kostandin Mara, Shënime për bashkësinë ortodokse të Tiranës, Nereida, Tiranë 2007, faqe 24.
Krijoni Kontakt