Nga Ilir Kalemaj

Fushata e radhës po shkon drejt fundit. Në shumëçka e ngjashme me paraardhëset. Njëjtë retorika politike ndonëse zgjedhje lokale, asfalti elektoral i rrugicave shtruar me shpejtësi dhe shkel e shko. Ngjashëm buçimat e kandidatëve dhe doppelganger-at e tyre. Shfrimet plot ekstazi të militantëve dhe urrejtja e verbër ndaj palën tjetër. Njëjtë shfrimet e fantazisë dhe nekropolitikës, i akuzave për shitblerje të votës dhe deformim të vullnetit të zgjedhësve. Njëjtë edhe oferta politike me pak risi në kostume, fytyra dhe personalitete të reja.

Por ka edhe ndryshime. Shpesh në kahun e kundërt me atë që konsiderohet progres. Një të huaji do i bënte përshtypje thuajse mungesa e posterave të kandidatëve lokalë. Zëvendësuar dhunshëm me padronët e tyre politikë. Një fushatë që i ngjan më tepër një referendumi politik. Me premtime për dyfishim rrogash në administratë dhe 5 mijë lekëshin e lëmoshës për pensionistët në vend të rritjes së pensioneve. Por edhe kaq boll e kanë se votën dinë ku ta shkundin partizançe. Me veteranët që kanë thyer dhe çdo ligj biologjik dhe sa vijnë e shtohen ndërkohë që vitet ikin tutje. Por edhe pala tjetër i kundërpërgjigjet po me premtime tipike për zgjedhje parlamentare. Për ulje taksash dhe mbështetje për familjet e reja. Për inkurajim të profesionistëve që të qëndrojnë në atdhe e të tjera si këto. Ndonëse duhen pritur minimumi edhe dy vjet që të shohim a do të ketë rotacion pushteti për t’u materializuar.

Kjo fushatë tregon edhe një lloj lodhje. Është fillimi i fundit të mitingjeve dhe takimeve masive. Takimet derë më derë, më tepër me kameraman mbas dhe me kaseta të kuruara dhe depozituara me kujdes televizioneve për ta shumëfishuar efektin e një takimi dhe ulur në maksimum kostot. Fushatë pa reklama televizive dhe e mbushur me monologje të mërzitshme, deri në bezdi të kandidatëve. Të cilët duke qenë se refuzojnë të dalin përballë njëri-tjetrit (sidomos ata të mazhorancës përballë opozitës), nuk durojnë as pyetjet e gazetarëve dhe as logjikën e analistëve. Por i’u hakërrehen ende pa pasur sigurinë e ngrohjes së kolltukut të radhës.

Se në këtë vend mjafton ta kesh mirë me atë që të vë në listë, të kesh siguruar financat e nevojshme dhe të tjerat pak rëndësi kanë. Sidomos votuesi. Ky i fundit përherë e më i pakët në kutitë e votimit, po tregon një zgjedhje estetike dhe etike përmes refuzimit për këtë ofertë të pamjaftë. Për këtë çorbë të prishur që ofron pavarësisht erëzave të shtuara ofron pak mundësi për ndryshim.

Shpresa ka humbur në drejtim të paditur, zhgënjimi pas më shumë se tre dekadash është i qartë kristal, ëndrra se gjërat mund të ndryshojnë është venitur. Një Shqipëri e dyndur drejt Tiranës, të tjerë që ikin si nga sytë këmbët nga ky vend që nuk garanton as sigurinë e së përditshmes, një jetë në furtunë që përkeqësohet nga mediokriteti që drejton, nuk të lënë vend as për idealizëm dhe as për optimizëm.

Pak kush beson sot te shëndetësia falas, te ajri i pa ndotur, te uji i pijshëm pa orar, te pyjet vertikalë apo orbitalë, te shkollat apo çerdhet pa turne dhe me cilësi, te blerja e një apartamenti me kursimet e një jetë përmes një pune të ndershme, te trafiku i menazhueshëm apo të ketë ende shpresë të kapë ndonjë parkim. Këto janë thjesht premtime ciklike sa herë ka zgjedhje vendore bashkë me ato të mëdhatë kur ka zgjedhje parlamentare, por janë si ëndrrat e një nate vere që të çojnë veç drejt një dileme shekspiriane: ja vlen të vazhdosh të jetosh dhe të votosh në këtë vend?!