Në qoftë se mendoni se këta fëmijë po luajnë, gaboheni. Të tre janë duke ndërtuar robotë teknologjikë.

Prej më shumë se një viti, 3 shokët vendosën të lënë lojërat dhe merren me ndërtimin dhe programimin e robotëve në qendrën e inovacionit dhe teknologjisë me ndihmën edhe të një trajneri robotik.

“Ne në fakt nuk po luajmë me pazzle, por ndërtojmë një robot i cili fillimisht ndërtohet e më pas programohet që të punojë. Ky roboti i ndan pjesët me ngjyra të ndryshme, i selekton. Unë kam nisur vitin e kaluar dhe me pëlqen programimi, por edhe ndërtimi është i bukur”, thotë Joni Qafzezi, krijues robotësh.

Më i vogli ndër ta tregon se për të nuk është e vështirë ndërtimi i robotëve, pasi e bën me pasion, ndërkohë që edhe shokët e tij e pëlqejnë këtë gjë.

“Që vitin e kaluar nisa, u shkëputa një farë kohe dhe kam një muaj kam ardhur. Nuk është e vështirë sepse unë e bëj me qejf dhe më pëlqen shumë, shokët thonë që është bukur dhe atyre u pëlqen”, thotë Andre Zallemi, krijues robotësh.

Një robot kërkon rreth 3 javë të ndërtohet, ndërkohë që vështirësia janë pjesët e vogla të trupit robotik.

“Mesatarisht do 3 javë dhe gjëja më e vështirë është ndërtimi i pjesëve të vogla. Janë të vogla dhe duan vende që nuk i fut dot. Është edhe programimi, edhe ndërtimi. Më tepër kam qejf të ndërtoj, se programimi merret me kompjuterin ndërsa ndërtimi merret me pjesët e robotit”, shprehet Leonis Zonja, krijues robotësh.

Duart e vogla të këtyre fëmijëve kanë ndërtuar mbi 5 robotë funksionalë, ndërkohë që “Blast” është roboti i tyre më i suksesshëm

“Fëmijët kanë ndërtuar 6-7 robotë, ky është i 7 që nis të ndërtohet. Më i vështiri dhe më i bukuri është ‘Blast’. Është robot me disa funksione. Një robot që dedekton ngjyrat, një tjetër funksionon vendosje një vend dhe gjuante çdo gjë që i programoje, dhe tjetër që vendosje 3 plane: Tokë, Hënë, Mars, ai bënte kthimin. Fëmijët janë të apasionuar pas robotikës”, tregon Mateos Lëmi, asistent trajner.

Andre, Joni dhe Leonis janë shembulli i gjallë se teknologjia mund të përdoret pozitivisht edhe në moshë të vogël, duke dhënë kështu mesazhe pozitive edhe tek bashkëmoshatarët e tjerë.

Euronews