Zyrtare, qeveria vendos hapjen e ambasadës shqiptare në Kiev
Këshilli i Ministrave ka vendosur zyrtarisht hapjen e ambasadës shqiptare ne Kiev. Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të ministrave ku thuhet:
Hapjen e misionit diplomatik të republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Hapjen e Misionit Diplomatik “Ambasadë” të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
Për hapjen e këtij misioni diplomatik, shpenzimet do të përballohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2023.
Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
Më 12 janar Shqipëria dhe Ukraina festuan 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Shqipëria dhe Ukraina festojnë këtë 12 janar, 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Ministrja e Jashtme Ola Xhaçka zgjodhi që në mesazhin e saj të vlerësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, të njoftojë dhe rritjen e nivelit të përfaqësimit përmes hapjes së ambasadës shqiptare në Ukrainë.
“Pres me kënaqësi vijimin e bashkëpunimit me mikun dhe kolegun tim Dmytro Kuleba për të avancuar dhe forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej në të ardhmen”, shkruan Xhaçka në Twitter.
Reagimi i plotë
Kanë kaluar 30 vjet që kur Shqipëria dhe Ukraina vendosën marrëdhëniet diplomatike si dy vende që dolën nga tirania në botën e lirë.
Sot ne jemi krenarë që qëndrojmë pranë Ukrainës si miq të vërtetë në anën e duhur të historisë. Rezistenca heroike e Ukrainës është një luftë për liri dhe refuzim i një rikthimi në tiraninë nga e cila kemi dalë të dyja vendet shumë kohë më parë.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria do të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj me maksimumin e aftësive të saj derisa të triumfojë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë .
Shqipëria dhe Ukraina i përkasin familjes së kombeve të lira dhe demokratike dhe të dyja kanë një të ardhme në familjen Euro-Atlantike.
Me rastin e këtij 30-vjetori, jam e lumtur të njoftoj se Shqipëria do të rrisë nivelin e saj të përfaqësimit në Kiev duke hapur ambasadën e saj në Ukrainë.
Pres me kënaqësi vijimin e bashkëpunimit me mikun dhe kolegun tim Dmytro Kuleba për të avancuar dhe forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej në të ardhmen.
Euronews
Ruaj Lidhjet