Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,327
    Postimet në Bllog
    17

    Qeveri hajdutësh: Zyrtari i ministrisë së financave i vodhi buxhetit të shtetit 1.2 milion euro

    Skema 1.2 milionë euro, arrestohet zyrtari i lartë i Ministrisë së Financave

    Prokuroria e Tiranës e akuzon sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta dhe dy persona të tjerë për krijimin e një skeme vjedhje nga buxheti i shtetit të 1.2 milion eurove përmes dëmshpërblimit të një pronari të rremë, i cili ishte paguar edhe në vitin 2015.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Emri:  Foto-Arlind-Gjokuta-1.jpg

Shikime: 83

Madhësia:  36.5 KB
    Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta akuzohet për shpërdorim detyre, Foto: Facebook.

    Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta, drejtori i shërbimeve mbështetëse në këtë institucion, Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi gjyqësor privat, Alban Ruli u arrestuan me urdhër të gjykatës të mërkurën, nën akuzën e krijimit të një skeme për të vjedhur nga buxheti i shtetit një vlerë prej 145.8 milionë lekësh, që deri tani ka sjellë një dëm real në masën e 48 milionë lekëve.

    Sipas njoftimit të prokurorisë, me kërkesë të prokurorit Ndini Tavani u caktua masa e sigurimit “arrest në burg” për Gjokutën, Hoxhën dhe Rulin, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

    Sipas prokurorisë, dy zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përmbaruesi privat kanë pranuar të dëmshpërblejnë shtetasin Ilir Thana në vlerën e 145.8 milionë lekëve, duke e trajtuar si pronar të një objekti pa e pasur këtë status.

    Thana dëmshpërblehej kësisoj për herë të dytë për një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave edhe në vitin 2015. Nga shuma totale prej 145.8 milionë lekësh, 48 milionë lekë kanë kaluar në llogarinë e tij.

    Nga hetimi ka rezultuar se Thana ka blerë në vitin 1992 për 103 mijë lekë një objekt + truall nga Drejtoria e Shërbimit Qeveritar dhe A.K e Privatizimit, por në vijim pas një procesi gjyqësor civil, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme. Gjykata ka vendosur që Thanës t’i kthehet pagesa e kryer, e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit.

    Nga burime të akuzës mësohet se e gjithë skema e mashtrimit është zbuluar pas verifikimit të kallëzimit të kryer nga një bankë e nivelit të dytë ndaj Thanës, i cili ishte kreditor dhe nuk shlyente detyrimin. Nga hetimet ka rezultuar se Thana e ka shitur objektin në fjalë në vitin 2005 tek një shtetas tjetër, kur me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë të vitit 2000 ishte zhveshur nga pronësia.

    Në shkurt të vitit 2015, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, ka ekzekutuar vendimin e formës së prerë për shpërblimin e Thanës, duke i paguar atij vlerën 284 mijë lekë, sipas indeksit të rritjes së çmimit.

    Megjithatë, ai nuk është mjaftuar me kaq, por ka kërkuar të shpërblehet në cilësinë e ish-pronarit të magazinës dhe truallit, megjithëse nuk e ka pasur asnjëherë këtë status. Ai i është drejtuar në vijim një zyre përmbarimore, e cila e ka vlerësuar magazinën në vlerën rreth 70 milionë lekë, por pa arritur ta realizojë ekzekutimin. Edhe një tjetër përmbarues gjyqësor që ka kryer vlerësimin e objektit në masën 82 milionë lekë nuk ka mundur ta ekzekutojë, ndërsa përmbaruesi i tretë e ka vlerësuar atë 145.8 milionë lekë dhe ka filluar ekzekutimin e kësaj vlere në favor të Thanës, në cilësinë e ish-pronarit të pasurive.

    Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta ka mbajtur më parë funksione të larta në administratën shtetërore, si drejtor i Doganave apo i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

    Gjokuta akuzohet se ka nënshkruar urdhrin e xhirimit të vlerës së kërkuar nga përmbaruesi i tretë, ndonëse një zyrtare e ministrisë e kishte informuar përmes një memoje se vendimi i Apelit në favor të Thanës ishte ekzekutuar në vitin 2015 dhe se ai nuk mund të paguhej me 145.8 milionë lekë të tjera.

    Pak ditë më vonë, kjo nëpunëse mësohet se është dorëhequr nga detyra, ndërkohë që në tavolinën e Gjokutës ka mbërritur një memo e dytë, e nënshkruar nga drejtori i shërbimeve, Fatmir Hoxha, i cili ndryshe nga kolegia, kërkonte pagesën e vlerës 145.8 milionë lekë në favor të Thanës. Kanë qenë këto memo provat që kanë vënë nën akuzë Gjokutën dhe Hoxhën.

    Në njoftimin e prokurorisë evidentohet se vlera e përcaktuar për t’iu dhënë Thanës në vitin 2022 si shpërblim për magazinën dhe truallin, duke e trajtuar atë si ish pronar ndërkohë që nuk e ka pasur asnjëherë një status të tillë, cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.2 milionë euro.

    Nga verifikimet e kryera nga organi i akuzës, ka rezultuar se Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës vlerën 48 milionë lekë. Nga kjo vlerë, 25 milionë lekë janë kaluar në favor të shtetases Sh.P., që sipas burimeve të prokurorisë është familjare e Thanës.

    “Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur,” citohet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

    Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e shumës që i është kaluar Thanës, prej nga është arritur të gjenden dhe sekuestrohen 22 milionë lekë.

    Ilir Thana u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar, i akuzuar për veprën penale të përvetësimit të pasurisë publike nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme dhe pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës.


    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,327
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Qeveri hajdutësh: Zyrtari i ministrisë së financave i vodhi buxhetit të shtetit 1.2 milion euro

    Skema/ Si po plaçkiten financat nga nëpunësit e Rilindjes

    Emri:  Arlind-Gjokutaj-1-2048x1152.jpg

Shikime: 25

Madhësia:  27.3 KB

    Arrestimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj është një goditje në nivelet më të larta të administratës publike për një rast korrupsioni. Së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Mbështetëse dhe Çështjeve Ligjore Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli ata akuzohen se i dhanë 1.2 milion euro nga buxheti një person, që i kishte marrë një herë paratë.

    Por çfarë skeme përdorën nëpunësit e administratës për nxjerrjen e 1.2 milion eurove nga buxheti i shtetit?


    Dëmshpërblimi i parë

    Historia nis me privatizimin e një magazine dhe të një trualli nga Ilir Thana në vitin 1992. Për privatizimin Thana pagoi rreth 102 mijë lekësh në shtet. Por e gëzoi pronën vetëm tre vjet.

    Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vendosi që godina duhet t’u kthehej pronarëve të ligjshëm. Vendimi u konfirmua edhe nga gjykata.

    Për këtë arsye Thanës duhej t’i ktheheshin paratë nga buxheti i shtetit.

    Në dosjen e prokurorisë ka një korrespondencë të gjatë për ndryshimin e vlerës së lekut ndërmjet INSTAT dhe Ministrisë së Financave. Sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë rritej shuma me të cilën duhej dëmshpërblyer Ilir Thana.

    Si përfundim, në vitin 2015 atij i kthehen paratë. Një shumë prej 284 mijë lekësh.


    Dëmshpërblimi i dytë

    Nuk dihet se si, por Thana arriti që nëpërmjet zyrës së përmbarimit të marrë përsëri paratë e dëmshpërblimit të së njëjtës magazinë dhe truall. Këtu hynë në lojë të arrestuarit, nëpunësit e shtetit Gjokutaj dhe Hoxha dhe përmbaruesi Ruli.

    Prokuroria thotë se përmbaruesit e caktuan vlerën e magazinës në kundërshtim me ligjin për 145.000.000 lekë duke e trajtuar si ish pronar Ilir Thanën.

    Në Shtator të vitit 2022, shkresat u firmosën edhe në Ministrinë e Financave.

    Vendimi u mor megjithë paralajmërimet e një specialisteje të thjeshtë që ju tregoi statusin e objektit.

    Ndaj Ilir Thanës dhe të motrës ishin paguar deri tani 480 milionë lekë, një shumë që prokuroria e konsideron vjedhje në Buxhetin e Shtetit dhe për të cilën u arrestua Alind Gjokutaj, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave.


    Kush është i arrestuari Arlind Gjokutaj

    Emri i të arrestuarit, Arlind Gjokutaj simbolizon një nga historitë e suksesit të nëpunësve të administratës civile gjatë qeverisjes së Rilindjes.

    Arlind Gjokutaj është emëruar sekretar i Përgjithshëm të Ministrisë së Financave rreth një vit më parë. Gjokutaj së fundmi ka drejtuar Njësinë Speciale Antikorrupsionit dhe Antievazion.

    Më herët ai ka qenë ka pasur disa detyra të rëndësishme e kryesisht në institucionet si Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe drejtor i Përgjithshëm i Doganave. Ai qëndroi në postin e “kryedoganierit” vetëm për 7 muaj.

    Përveç karrierës së suksesshme në administratë, Gjokutaj ka një cv për t’u pasur zili. Ai ka kryer studimet për Administrim Biznesi në Universitetin “Bocconi” në Milano, si dhe ka përfunduar studimet master për Financë dhe Menaxhim Risku në Universitetin “Bicocca” në Milano.

    Ai është angazhuar si lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe në disa Universitete private. Është çertifikuar si “Trainer of Trainer në fushën e Antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes”, nga OSBE, Shkolla Italiane e Administratës Publike dhe ASPA.

    Gjatë karrierës së tij profesionale ka marrë pjesë në trajnime dhe seminare në institucione të rëndësishme ndërkombëtare financiare, si FMN, Banka Botërore, Banka e Anglisë, Banka e Holandës, Banka e Italisë, Center of Excellence in Finance etj.

    Gjokuta është autor dhe bashkëautor i disa punimeve kërkimore, kryesisht në analizën e politikës fiskale dhe të qëndrueshmërisë të borxhit publik.

    NJOFTIMI I PROKURORISE

    Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin, A.GJ., Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, shtetasin F. H., Drejtor i Shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore dhe A.R., përmbarues gjyqësor privat si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal.

    Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH., në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.

    Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 8586/2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 320 të K.Penal.

    Nga aktet e këtij procedimi, rezultoi se:

    Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin e saj nr. 16, datë 14.07.2000 ka vendosur: “Urdhërohet zgjidhja e pasojave për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes datë 23.04.1992 të lidhur mes shitësave Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe A.K Privatizimit dhe blerësit I.Th, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, ku objekti magazinë nr.2 i kthehet Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe kjo e fundit së bashku me AKP-në t’i kthejë bleresit I.Th vlerën e objekteve të blera (magazine dhe truall) që është 103.046 lekë të konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit”.

    Ministria e Financave dhe Ekonimisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit I.Th sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.

    Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e I.Th vlera prej 284.139 me urdhër shpenzimi nr.90 datë 27.02.2015.

    Më tej, rezulton se shtetasi I. Th është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar shtetasin I. Th në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.

    E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.

    Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetaist I. Th. shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P.

    Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.
    Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.

    Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I.Th., për veprat penale të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 320 të K.Penal si dhe vazhdon hetimet në lidhje me përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

    Lapsi.al

Tema të Ngjashme

  1. KLSH: Gropa në buxhetin e shtetit në 2020, 711.8 milion euro
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 03-05-2021, 08:58
  2. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 30-04-2021, 11:34
  3. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 03-11-2015, 14:29
  4. Mburret ne facebook qe vodhi 1.3 milion$ taksa nga IRS,denohet 21 vjet.
    Nga benseven11 në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 15-08-2013, 21:34
  5. Buxhetit të Kosovës i mungojnë 400 milionë euro
    Nga PLAKU në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 28-02-2011, 07:06

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •