Çfarë note merr kuzhina shqiptare? “TasteAtlas”: E 68-ta në Botë. Italia mban vendin e parë (renditja)

“TasteAtlas”, një udhëzues me përvojë për ushqimin tradicional që mbledh receta autentike, komente të kritikëve të ushqimit dhe artikuj kërkimor rreth përbërësve e pjatave të njohura e ka renditur kuzhinën shqiptare në vend të 68-të në botë mes 95 vendeve të marra në analizë në total për vitin 2022. Pra, sipas kësaj renditje duket se kuzhina e vendit tonë renditet mes vendeve të fundit.“TasteAtlas” është një ndër portalet më të preferuar të vizitorëve anembanë botës ku marrin sugjerime mbi ushqimet e vendeve të ndryshme, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Kuzhina shqiptare është një përfaqësues i kuzhinës së Mesdheut. Traditat e gatimit të popullit shqiptar janë të larmishme për shkak të faktorëve mjedisorë të cilët stimulojnë për kultivimin e pothuajse të gjitha llojeve të bimëve, perimeve dhe frutave. Le të shohim se cilat janë ushqimet më të preferuara sipas “Tasteatlas”. Në vend të parë janë renditur qoftet e fërguara ndjekur nga flija, tava e kosit, fërgesa e Tiranës dhe gatime të tjera tradicionale.

“TasteAtlas” ka renditur kuzhinën italiane si më të mirën duke e pozicionuar në vend të parë mes 95 kuzhinave të vendeve të ndryshme, duke e vlerësuar me 4.71 yje. E dyta është kuzhina greke e vlerësuar me 4.69 yje pasuar nga kuzhina spanjolle, kushina japoneze dhe ajo indiane. Në vend të fundit si kuzhinat më pak të preferuara janë kuzhina norvegjeze dhe ajo marokene.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet në fund të tyre. Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut renditen në vend të 25-të, 38-të dhe 59-të. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Kosova nuk janë në listë.

Theksojmë se vlerësimi i çdo vendi merret nga mendimi i përdoruesve për tridhjetë pjatat, pijet dhe produktet ushqimore më të mira në secilin vend. Në qoftë se ndonjë vend nuk është pjesë e listës atëherë ato nuk kanë artikuj mjaftueshëm për t’u vlerësuar. Duke e përshkruar veten si “një atlas botëror i pjatave tradicionale, përbërësve vendas dhe restoranteve autentike”, ai përmban një hartë globale interaktive ushqimore me ikona të pjatave të shfaqura në rajonet e tyre përkatëse dhe supozohet se përmban gati 10,000 pjata, pije dhe përbërës, si dhe 9,000 restorantet.


/ Scan intel / alfapress.al

https://alfapress.al/jete/fare-note-...ban-ven-i45375