‘Faji i mbetet viktimës’; aksidentet në punë të nënraportuara në Shqipëri

Të dhënat e analizuara nga BIRN dhe intervistat me punëmarrës, juristë dhe aktivistë sugjerojnë se statistikat publike mbi aksidentet në punë në Shqipëri janë vetëm ‘maja e ajsbergut’.

Nga Anesti Barjamemaj

Emri:  Kantier-ndertimi-3.jpg

Shikime: 90

Madhësia:  40.9 KB
Një punëtor duke vendosur shufrat e hekurit në një kantier ndërtimi në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani.

Enver Muça e ka ende të freskët në kujtesë ditën kur tre vite më parë, duke punuar në lagjen ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë, rrëshqiti nga balta e krijuar në kantier prej reshjeve të dendura të shiut dhe ra mbi kolonat vertikale të hekurit të një pallati në ndërtim, duke dëmtuar shtyllën kurrizore.

“Në një moment më rrëshqiti këmba nga balta dhe rashë tek vendi ku po ngriheshin kolonat,” kujtoi Enveri. “Unë u godita në shtyllë kurrizore tek kolonat që po ndërtoheshin,” shtoi ai.

Edhe pse dëmtimi i tij në kantier ishte serioz, Muça nuk e raportoi aksidentin tek autoritetet. Pasi shkoi në Spitalin e Traumës në Tiranë, ai i tha mjekut se kishte rënë nga shkallët e banesës së tij.

Rasti i Muçës nuk është i pazakontë. Ekspertët dhe aktivsitët e të drejtave në punë të intervistuar nga BIRN theksojnë se shifrat e aksidenteve pa viktima në Shqipëri janë të ulëta, pasi ato nënraportohen për shkak se punëmarrësit rrallëherë gjejnë drejtësi dhe mbrojtje nga shteti dhe institucionet.

‘Kemi një shtet që është i njëanshëm, nuk kemi një shtet të paanshëm,” thotë aktivisti Arlind Qori, drejtues i Organizatës Politike, një grupim i majtë që lufton për te drejtat e punëmarrësve në Shqipëri.

“Pavarësisht se ligji kërkon që shteti të jetë arbitër, në praktikë ndodh që të gjithë zyrtarët, gjykatat e kështu me radhë të kenë anësi,” shtoi ai.

Enver Muça është një prej qindra punonjësve që u aksidentuan në punë gjatë vitit 2022. Sipas të dhënave nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, që BIRN i siguroi përmes ligjit ‘Për të drejtë informimi’, në vitin 2022 numërohen 173 aksidente të regjistruara në punë ose 24 aksidente për 100 mijë të punësuar.

Ndërkohë, statistikat tregojnë se norma e aksidenteve në punë pa viktima të raportuara në Shqipëri është 65 herë më e vogël se mesatarja e Bashkimit Evropian për 100 mijë të punësuar.

Kompanitë nuk sanksionohen

Emri:  Shifra-aksidente-ne-pune.jpg

Shikime: 47

Madhësia:  20.5 KB

Të dhënat e procesverbaleve të Inspektoriatit të Punës të analizuara nga BIRN tregojnë se në 2/3 e aksidenteve në punë të regjistruara gjatë vitit 2022, nuk janë ndërmarrë sanksione ndaj kompanive, duke ia ngarkuar përgjegjësitë punëmarrësit. Sektorët më problematikë sipas statistikave mbeten minierat, prodhimi dhe ndërtimi.

Muça i tha BIRN se nuk e kishte raportuar aksidentin e tij në Inspektoriatin e Punës, pasi punëmarrësi i kishte premtuar se do ta dëmshpërblente.

“Pronari u tregua mashtrues, ai më tha dil largohu nga këtu, pasi nuk isha i siguruar akoma,” kujtoi Muça, duke theksuar se punëdhënësi ishte i shqetësuar ta fshihte aksidentin nga autoritetet. “Kishte dhe mbikëqyrës punimesh, ma bëri mendjen dhallë, duke më thënë: ‘ik vetëm që këtu se do të ndihmoj unë,” shtoi ai.

Pasi kishte dalë nga spitali mbrëmjen e aksidentit, punëtori i ndërtimit nga Tirana është takuar me punëdhënësin e tij, për të cilin thotë se i kishte dhënë vetëm 2 mijë lekë si dëmshpërblim. Por kostot për Muçën do të ishin shumëfish më të larta.

Për më shumë se një muaj, ai nuk ishte i aftë të punonte për shkak se dëmtimi në shtyllën kurrizore nuk ia lejonte punën fizike. Pasi u riaftësua, nuk u rikthye dot në vendin e punës ku ishte më parë. Edhe pse arriti që të gjente një vend pune tjetër, u largua shpejt pasi edhe aty nuk zbatoheshin rregullat e sigurisë në kantier.

“Kam punuar në disa vende të tjera, nuk zbatonin asnjë rregull,” tha ai. “As sigurimet nuk u paguanin punëtorëve. Nuk paguanin as orët shtesë. Po ashtu punonim dhe të shtunën dhe të dielën,” shtoi Muça.

Sipas aktivistit Arlind Qori, punëtorët janë të disavantazhuar kundrejt pronarit, pasi një punëtor e ka shumë të vështirë të gjejë të drejtën e tij në rast se aksidentohet apo humb jetën.

“Punëtorët nuk gjejnë drejtësi, pasi inspektorët që vijnë për të hetuar aksidentin e mbyllin çështjen,” tha Qori, ndërsa shtoi se dhe po shkoi çështja deri në gjyq, gjyqi është vështirë të hapet, pasi ka kosto, nuk ka institucione mbështetëse dhe se gjykatësi është i prirur të mbajë anën e më të pushtetshmit.

“Pronari e di që nëse punëtori aksidentohet në punë, do gjejë mundësinë që t’ia hedhë ligjit, do e mbyllë me ndonjë lek në rast se punëtori do bjerë viktimë,” shtoi ai.

Avokati Eridi Sherifi, i cili është i specializuar në çështjet e aksidenteve në punë, i tha BIRN se Inspektoriati i Punës shpesh fajëson në mënyrë të padrejtë punëmarrësit për aksidentet.

Sipas tij, problemi qëndron tek mungesa e vullnetit të Inspektoratit për të hetuar çështjet në mënyrën e duhur, por dhe për shkak të influencave të ndryshme që kanë kompanitë tek ekspertët që hetojnë rastet e aksidenteve.

Duke iu referuar një rasti konkret që ai përfaqësonte, Sherifi tregoi se si një punëtor mobilierie kishte prerë dorën duke punuar jashtë orarit dhe pa mjete mbrojtëse.

“Ka shkuar inspektoriati ka bërë një inspektim dhe nuk është marrë asnjë masë tjetër, ndërkohë ai e kishte dorën e prerë,” shpjegoi avokati.

Fenomeni i fshehjes së aksidenteve në punë është i shpeshtë sipas aktivistit Arlind Qori. Ai theksoi se në rast të plagosjeve nuk raportohet fare, por shton se ka edhe tentativa dhe për të fshehur rastet me vdekje.

“Aksidentet që nuk kanë pasojë vdekjen nuk deklarohen fare, mbyllen aty për aty me një mjekim informal,” tha ai. “Edhe vdekjet fshihen, por kjo më pak sepse kufoma lë gjurmë,” shtoi Qori.

Sektorët më problematikë

Emri:  Shifra-Sektoret-me-me-shume-aksidente.jpg

Shikime: 47

Madhësia:  24.0 KB
Aksidentet në punë të ndara sipas sektorëve më problematikë.

Ndërtimi, minierat dhe ndërmarrjet prodhuese janë sektorët më problematikë përsa i përket aksidenteve në punë. Nga shifrat e Inspektoriatit të Punës në 4 vitet e fundit vihet re se këta sektorë kanë numrin më të lartë të aksidenteve dhe të viktimave.

Nga viti 2019 deri në dhjetor 2022, në sektorin e ndërtimit janë raportuar 165 punëmarrës të aksidentuar, në sektorin e minierave janë regjistruar 94 aksidentuar dhe në sektorin e prodhimit numërohen 171 të aksidentuar.

Për aktivistin Arlind Qori kjo ndodh sepse punëtorët nuk janë të organizuar në sindikata dhe kanë frikë se pronari i pushon në mënyrë të padrejtë nga puna, nëse i raportojnë aksidentet. Qori theksoi se një faktor tjetër është edhe mungesa e zbatueshmërisë së ligjit, e cila sjell siguri më të ulët në punë.

“Pronari ka detyrimin ligjor që t’u mundësojë kushtet më të mira në punë punëtorëve,” tha ai.

Avokati Eridi Sherifi shprehet se punëtorët në disa sektorë si ai i ndërtimit mund të quhen edhe skllevër. Sipas tij, kompanitë e ndërtimit i shfrytëzojnë maksimalisht punëtorët, duke mos njohur ditë pushimi dhe orar zyrtar siç parashikohet në Kodin e Punës. Sipas pikëpamjes së tij, shkelja e rregullave e cila sjell pasoja të rënda, është burimi kryesor i aksidenteve.

“Aksidentet ndodhin se punëtorët mbahen më shumë seç duhet në punë dhe lodhen e në këtë mënyrë, janë të predispozuar që të jenë burim aksidenti, pasi mund të pësojnë më lehtë aksident se një punëtor që punon brenda rregullave dhe që nuk është i mbingarkuar,” tha ai.

“Punëdhënësit nuk u sigurojnë punëtorëve kushtet e duhura të sigurisë në punë,” shtoi Sherifi.

Ashpërsimi i dënimeve dhe sindikalizëm

Emri:  Kantier-ndertimi-ne-Tirane--1140x760.jpg

Shikime: 49

Madhësia:  58.3 KB
Punëtorët e ndërtimit në një kantier në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani.

Për të shmangur shkeljet e të drejtave në punë, avokati Eridi Sherifi sugjeron se duhet të ketë një ndërgjegjësim më të madh nga punëmarrësit, që të ketë marrëdhënie kontraktuale mes palëve, por edhe ashpërsim të dënimeve në Kodin Penal.

“Kodi Penal është i padrejtë me punëmarrësin, pasi dënimi për punëdhënësin në rast të humbjes së jetës së punëmarrësit për shkak të shkeljeve të rregullave në punë dënohet deri në 5 vite,” tha ai.

“Jam i mendimit që duhet të ketë një ashpërsim të dënimit kur ndodh vdekje në punë,” shtoi Sherifi.

Aktivisti Qori është gjithashtu i mendimit për shtimin e dënimit për punëdhënësit në rast të aksidenteve me pasojë vdekjen dhe faktohet që faji është i tyre.

“Nëse një pronari i vdes punëtori në punë për shkak të neglizhencës së vetë pronarit – pra hetimi e nxjerr që është për shkak të neglizhencës së pronarit, sanksionet duhet të jenë shumë të rënda, pasi praktikisht i bie që ke shkaktuar një vdekje, nuk mund të dënohet me gjobë apo me dy muaj burg,” tha ai.

Qori thesoi se duhet të ketë dhe zbatim më të mirë të ligjit dhe që inspektorati të jetë më serioz në punën që bën. Për këtë ai zgjidhjen e gjen tek krijimi i sindikatave dhe mbështetja e tyre.

“Raporti pronar-punëtor është shumë i pabarabartë, kur është raport individual,” theksoi ai.

“Në momentin që sindikata nuk ekziston, pronari e ka shumë të thjeshtë që të shpërfillë jo vetëm të drejtat në punë, por dhe sigurinë,” përfundoi ai.

BIRN