Në 110 vjetorin e pavarësisë dhe vetëqeverisjes së Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe shtëpia botuese Saraçi paraqitën në Tiranë botimin “Antologjia e gazetarisë shqiptare të viteve 1913-1915”.

Emri:  Capture247.jpg

Shikime: 3785

Madhësia:  27.7 KB

Botimi përmban një nga pjesët më të rëndësishme të publicistikës shqiptare. Autorët besojnë se rivlerësimi i shtypit të traditës ndihmon gazetarët e sotëm, që të ndjekin profesionalizmin dhe përkushtimin e gazetarëve të shquar shqiptarë.

“Antologjia e gazetarisë shqiptare 1913-1915” përmban 86 autorë, që kanë shkruar në gazetat Përlindja e Shqipërisë, Shqypnia e re, Liri e Shqipërisë, Taraboshi, Atdheu, Koha, Lidhja Kombëtare, Populli, të cilat u themeluan nga botues dhe kryeredaktorë atdhetarë mes vështirësive dhe varfërisë së thellë të luftërave.

Botimi nxjerr në dritë shkrime nga autorë të shquar si Aleksandër Xhuvani e Dhimitër Berati, Haki Glina e Kristo Floqi, Hamit Çela, Dhimitër Zografi e Abdyl Ypi, Emin Matraxhiu, Hil Mosi, e Kost Çekrezi, Josif Pani, Jani Lehova, Luigj Naraçi e Milto Gurra, Milo Duçi, e Mihal Xoxe, Qerim Panariti e Paskal Aleksi, Nikoll Ivanaj e Visar Dodani, etj., krahas të mirënjohurve Gjergj Fishta e Mustafa Qulli, Fan Noli, Midhat Frashëri e Faik Konica.

Këto janë një bibliotekë e tërë me emra dhe shkrime befasuese për nga saktësia e fakteve, analizat e thella për ngjarjet e trazuara dhe përpjekjet për ta shpëtuar Shqipërinë edhe përmes shtypit patriotik, duke u hapur sytë shqiptarëve mbi rreziqet dhe ngjarjet.

“Në këtë antologji sillen të dhëna mbi ekzistencën e një polemike, e cila zhvillohej jo vetëm në territorin e kufizuar shqiptar, por i adresohej shtypit ndërkombëtar, e kryesisht atij rajonal. Flasim për një antologji, e cila evidenton faktin që kemi të bëjmë me një gjeneratë publicistësh shqiptarë, të cilët themeluan dhe zhvilluan modulin e parë të komunikimit publik, informimit publik dhe raportimit publik”, thotë Aleksandër Çipa, drejtuesi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.

Studiuesit pohuan se gazetaria e viteve të para të shtetit shqiptar 1913-1915 është profesionale, sepse thotë të vërtetat, madje në kushte të jashtëzakonshme në zjarret e dy luftërave ballkanke dhe në nisje të Luftës së Parë Botërore, është gazetari e drejtpërdrejtë, trime dhe vetëmohuese.

Studiuesi Heral Saraçi, thotë se kohët ishin të trazuara e kaotike, por gazetarët ishin shumë të kthjellët në mendimet dhe bindjet e tyre profesionale dhe atdhetare; ata analizojnë qartë dhe idetë e tyre i shpalosin publikisht me guxim, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

“Ata besojnë tek ideja kombëtare dhe për këtë ide ata janë gati të shkojnë në luftë dhe të vriten. Pikërisht në vitet 1913 dhe 1915 janë dy gazetarë që vriten. Haki Glina vritet në llogore ne Durrës në përleshje me turkomanët, ndërsa Mustafa Qulli vritet nga malazezët në Shkodër. Njëri shkoi si korrespondent në Durrës, por mori armën dhe luftoi, ndërsa Mustafa Qulli nuk pranon të mbyllë gazetën, derisa e pushkatojnë pushtuesit malazezë. Këta janë shembuj për t’u marrë nga gazetarët e sotëm për pasionin, ndershmërinë, profesionalizmin dhe atdhetarinë e tyre”, thotë studiuesi dhe botuesi Heral Saraçi.

Studimet mbi historinë e shtypit shqiptar kanë zbuluar një seri autorësh dhe gazetash, që censuroheshin nga diktatura komuniste për shkak të pikëpamjeve të tyre atdhetare.

Gazetarët patriotë të shekujve 19 dhe 20 i themelonin vet gazetat dhe i mbanin me harxhime të mëdha për të përhapur idetë kombëtare, si dhe për të informuar saktë shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë saj për kundër gazetave të vendeve të tjera, që mbusheshin me lajme të rreme për për çështjen shqiptare.

Zeri i Amerikes