NAIM E SAMI FLAMURI
DY BINJAKË ULQINAKË
LULET E SHEGËS ME DIELL ULQINI

Një jetë si një film me metrazh të gjatë, ku personazhet janë dy vëllezër binjakë, që sot jetojnë në
Australi…
Nga ROZI THEOHARI

Sa herë komunikoj virtualisht me dy miqtë e mi, vëllezërit Naim dhe Sami Flamuri në Australi, ata më dërgojnë një pamje piktoreske nga Ulqini me poshtëshkrimin: “Ulqini-Florini”. Të tërheq si me magnet luja e detit dhe e qiellit Adriatik, e cila, në perëndim të diellit e vesh me një xhubletë të artë qytetin që nga kalaja deri poshtë tek brigjet ku përplasen butësisht valët e palodhura me ritmin e tyre të përjetshëm.
Të duket diçka e papritur, gati ëndërrimtare, që kjo fotografi ballkanase vjen nga kontinenti i largët i Australisë… Është “gjeografia e lëvizshme”, dheu i vatrës prindërore, të cilin e “ngarkojnë” dhe e marrin me vete emigrantët kudo në botë, si një flugerë që tregon kahun e orientimit të shpirtit të tyre.
DY BINJAKË ULQINAKË
Naimi dhe Samiu, binjakë, kanë lindur në shtator 1969 në Sidnei të Australisë. Dhe ashtu si njeriu i parë, atë vit, bënte hapat e parë të hallakatur në Hënë, babai i tyre, Flamuri, kur mori lajmin se u bë me dy
djem, i pirë nga gëzimi e nga alkooli, bënte hapa të pasigurt nga një kafene te tjetra, duke qerasur miqtë e bashkatdhetarët. Por jeta nuk priu aq e gëzuar gjatë mëkëmbjes së binjakëve…
“Babai ynë dhe nana jonë duhej të ishin së bashku me ne e të qëndronin në Sidnei të Australisë së largët, ku ne binjakët u lindëm, thotë Samiu,- e jo ta ndanim fatin tonë më vonë, mes rreziqesh të befta
e të panumërta. Ja që jeta e njeriut nuk është në duart e tij.- vazhdon ai,- Kur e kujtoj fëmijërinë tonë, nganjëherë habitem se si kemi shpëtuar paq! Nuk ishte kjo një fëmijëri ordinere, por diçka që lëvizte, merrte frymë e rritej jashtë kësaj bote, në atë kujtesën tonë të thukët, e vulosur përgjithmonë deri në vdekje, posi ai ylli i Davidit që i dallonte çifutët (izraelitët) në Luftën e Dytë Botërore. Dhe unë e vëllai im, Naimi, duke
u rritur po bëheshim të vetëdijshëm që ishim binjakë, lindur më 1969,
në spitalin e Ballmainit të qytetit Sidnei (Uelsi i Ri) të Australisë. Babai
ynë , Flamuri, dëshironte që fëmijët e porsalindur t’i pagëzonte me
emra domethënës shqiptarë. Një miku i tij kosovar u kujdes që binjakët
të merrnin emrat Naim e Sami, në kujtim të vëllezërve patriotë
frashërllinj. Kështu, më të madhit, të parit në lindje, iu dha emri i Samiut,
të dytit, por më i madhi në peshë, emri i Naimit.”
Flamuri, i njohur në Australi me nofkën “Fredi”, një burrë i pashëm
rreth të tridhjetave, baba i dehur jo vetëm nga gëzimi, por edhe nga
alkooli që ishte zakoni i tij i përhershëm, kur shkoi të regjistronte emrat
e binjakëve, me mosshqiptimin e drejtë të emrit Sami, ia shkroi “Sanije”
në çertifikatë. U deshën të kalonin 20 vjet që të ndreqej ky gabim, i cili,
në vitet e shkollimit, i shkaktoi Samiut kacafytje të panumërta, sepse
emri femëror e bëri të vetën.
“Babai ynë e kishte emrin Flamur, – vazhdon Samiu,- se kishte lindur
pikërisht në Ditën e Flamurit, në një qytet të jugut, në Lushnjë, Shqipëri, më
1941. “Flamur” ishte emri i parë shqiptar në zonën e Ulqinit. Shkaku i
lindjes së babait tonë në jug ishte prej “ikjes nga gjaku” i familjes së tij.
Kanuni ishte ligji. Ata jetuan tre vjet në Toskëri dhe ime gjyshe e ndjerë,
Zyhraja, i kujtonte këto vite me një dashuri të përkorë, si vitet më të bukura
në jetën e saj plot vuajtje. Pasi “u liruan nga gjaku”, familja e Ramë
Xhemal Anamalit u vendos në Ulqin ku lindën edhe pesë fëmijë të tjerë..”
Babai i Flamurit, Xhemal Anamali, gjyshi i Samiut dhe i Naimit, siç
e mbajnë mend binjaket, ishte një mesoburrë me flokë të thinjur e mustaqe
të prera hollë. Ai merrej me tregti mallrash, shitje-blerje dhe, në vitet e
pasluftës, fitoi mjaft ne tregtinë e duhanit. Kështu ai vuri një pasuri të
mjaftueshme dhe gëzoi respekt në komunitetin e vogël të Ulqinit.
Flamurit, si djalit më të madh të shtëpisë, i takonte përgjegjësia e
mbajtjes së familjes dhe kështu, si “më i rëndësishmi”, pati privilegjin e
përkëdheljeve dhe lazdrimeve prindërore dhe të shoqërisë që e rrethonte.
Qysh në moshë të re ai nisi të pinte duhan dhe raki. Kështu filloi karriera
e tij e paskrupullt nëpër lokalet e baret. Kjo sjellje tolerohej nga prindërit,
sepse ishte “më i madhi”. Vëllai më i vogël, Smajli, i thoshte gjithnjë
Xhemalit: “Yt bir s’ka sy për Qabe!” Me që Flamuri u mësua tani me
jetën e përtacisë e të bixhozit, kafenesë dhe “shoqënisë së keqe”, siç i
thoshte e ëma, “djali i madh” mundohej sa më shumë t’i shmangej realitetit
dhe përgjegjësisë familjare. I ndodhur në këto rrethana, ai dëshironte
të ikte nga Ulqini. Por i ati, i cili ia hetoi mendjen, për t’i shpëtuar
kurbetit, mundësoi që, Flamurin, pa mbushur 17 vjeç, ta dërgonte në
ushtri. Kështu Flamuri me kombësi “shiptar”, duke ia përbuzur emrin
“Arbanas- shqiptar”, kreu me stërmundim shërbimin ushtarak në
Dalmaci, për rreth 24 muaj.
“Gjyshi Xhemal,- thotë Samiu,- i hollë si për kah trupi ashtu edhe
kah mendja, mendoi që tani i biri do të zinte mend e do të shtrohej.
Hëpërhë, kjo kurrë nuk ndodhi dhe, mbasi u kthye nga ushtria, kundër
dëshirës se vet, Flamurin e martuan me zor me nanën tonë, Naxhijen,
një vashë e bukur malësore, me mollëzat e kërcyera të faqeve, bukuri
tipike veriore. Familja e saj, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në ato vite
të kobshme, strehoi dhe fshehu gjyshërit tanë nga hordhitë
sllavokomuniste, që i ndiqnin nëpër malet. Edhe pse familja e nanës,
sidomos gjyshja e saj, ishin kundër kësaj krushqie, me një fis që ishte
ende në “gjak”, me këmbënguljen dhe dëshirën e gjyshërve të mi, familja
e nanës pranoi. Nana ime ishte vajzë e vetme në dy vëllezër. Gjyshi
patthënë: “Është nga një konak i mirë dhe për tim bir s’ka nuse
tjetër!”
Ishte prushi i votrës së mirë, helli i gacave të votrës së Naxhijes, që e
shpëtoi babën dhe familjen tonë.”
Pas martesës, më 1963, Flamuri e kishte mendjen të largohej nga
Ulqini. Fati qëlloi që vëllai i Naxhijes, Shabani, ikur disa vjet më parë,
arratisur nga Ulqini për në Itali, kishte emigruar më vonë në Australi…”
Dhëndri lazdrak kërkoi garanci, e cila i erdhi nga daja im, Shabani,thotë
Samiu.- Gjyshi Xhemal, që i kishte të gjitha shpresat e ardhmërisë
së familjes tek Flamuri, gati sa s’u çmend e iu ndërsul të birit: “A e di ti
ku është Australia me gjind të egër? Ishallah mini ta shpon barkën!…””
Me këto fjalë mallkimi po e përcillte babai djalin, të cilin do ta shihte
për herën e fundit, i lënduar, nga shtrati i tij, sepse e kishte kafshuar
gjarpri. Por plaku ishte helmuar në shpirt më tepër se sa nga gjarpri…
Nëna Zyhra, një plakë e vogël, e mbuluar me një shami të bardhë
në kokë e me disa rrudha të hijshme pleqërie, e ngrata nënë, e përcolli
të birin me dënesa e vaj, me dëshpërim, por edhe me një farë shprese
se mos vallë Flamuri do të ndërronte mendje.
Pas një viti qëndrimi në Australi, më 1966, Flamuri mori me vete
edhe të shoqen, Naxhijen, jo se dëshironte ta shihte e ta kishte pranë,
por më tepër nga trysnia e kunatit, Shabanit. Kur erdhi bashkëshortja,
jeta e re e çiftit filloi jo mbarë, për shkak të ripërtëritjes së veseve të
Flamurit. Ky njeri i zgjuar, që fliste pesë gjuhë të huaja, gojëtar i zoti e
hokatar, vazhdoi zakonin e vjetër duke luajtur me letra bixhozi e duke
i pirë raki gjithë të hollat që fitonte. Përpjekjet e Naxhijes, gruas se tij
fjalëbutë, për t’ia ndërruar drejtimin e jetës së përditshme, shkonin kot.
Madje, ndonjëherë ai vinte dorë mbi të…” Babai, net dhe ditë të tëra i
mbyllur në bodrumet e kafeneve, gëlltiste helmin e shpirtit të tij.- thotë
Samiu,- Tani ai nuk ndalonte. Kur dajë Shabani pyeste “ku është
Flamuri?”, nana e shfajësonte burrin dhe thoshte: “Sa ka dal, do vijë
shpejt!”. Por Flamurin u desh ta sillnin në shtëpi për krahësh. Ai nuk
dinte kur ishte “mjaft” me të pirë! I skandalizuar nga kjo gjendje, daja
u mundua t’i divorconte, por fati deshi që nana të mbeste shtatzënë pas
6 vjetësh martese. Nana shpresonte se sjellja e tij mund të përmirësohej
kur të bëhej “babë”. Por çdokush mund të jetë babë fizikisht. Babai i
vërtetë ka shumë më tepër punë e detyrime. Flamuri u mundua…, por
alkooli dhe jeta e parregullt e kishin mbizotëruar të tërin…”
Falë zotit, Naxhijes i lindën binjakët për mall. Djem të dy, mrekulli,
hare… Nëna dhe djemtë ishin shëndoshë e mirë dhe lajmi u përcoll tek
gjyshërit në Ulqin. Më në fund Flamuri u “dhuroi” jo një por dy nipa.
Gjyshi Xhemal, sipas zakonit shkrehu pushkën e lajmëroi se në konakun
e tij kishin lindur dy djem.
Bebet e shëndetshme, ashtu të rrumbullakët e të bukur siç ishin, i
donte gjithkush. Ndërkaq Flamurit, me këtë lindje, si thotë fjala
popullore, “ia zuri rrota bishtin”. Dy djemtë donin të hanin, të pinin,
kishin nevojë për veshmbathje e kujdesje. Por Flamuri nuk mund ta
ndalonte bixhozin. Atij, sipas skenarit të djallit, i erdhi një “ide brilante”;
vendosi ta dërgonte nusen e bebet në Ulqin, që gjyshi kinse të kënaqej
me binjakët. Ai hyri mirë në borxh dhe i siguroi biletat e avionit.
DURIM I TEJSKAJSHËM
Në qershor të vitit 1972 , binjakët e vegjël, vetëm dy vjet e gjysmë,
me nënën e re, Naxhijen, u nisën për në Ulqin për t’u rikthyer në Australi
18 vjet më vonë. Sa lehtë tingëllojnë kur shkruhen “18 vjet”, 18 sekonda
apo 18 mijë fanepsje të zeza për mëmën që rriti dy fëmijë.
Në aeroport priste tërë familja e Flamurit dhe e Naxhijes. Ata panë
vajzën e tyre dhe nusen e djalit të tyre me djemtë e vegjël duke zbritur
nga shkallet e aeroplanit, por syri i gjyshit plak kërkonte të birin, Flamurin
(me një emër kaq të madh!). Xhemali nuk besoi kur e reja i tha se ai do
të vinte më vonë. Plakut të urtë i shkoi një djersë e hollë.
Flamuri kishte premtuar që pas dy muajsh do të bashkohej me ta
në Ulqin. Kjo nuk ndodhi. Naxhija e dinte shkakun… Ulqini, si një
shtëpi mëhallë mërmëriste: “pse?” “si?” “kur?” “çka” “çfarë do të bëjnë?”
“ku do të shkojnë?” “si do të rrojnë?” Qyteti i vogël, duke pirë kafeturke
të panumërta, hamendësonte po me thashetheme të panumërta,
me paragjykime të tmerrshme, të cilat merrnin fund tek mbijetesa e një
gruaje të re me vështirësitë e jetës së viteve ‘70.
Kaloi viti në Ulqin. Binjakët rriteshin e kënaqeshin në prehrin e
gjyshit. Plaku shtatlartë dhe me ecje dinjitoze, duke i mbajtur fëmijët
për dore, thoshte tërë krenari : “Dy nipat e mi s’i ka bota!” “Ne i
kërcenim në qafë e bënim lojëra me të, – thotë Samiu,- dhe ai thoshte
me dëshpërim: “S’ia kam parë hajrin atij të madhit dhe as prej këtyre
s’pres…” Megjithatë, Xhemali preu biletën e avionit dhe u bë gati të
nisej për në Australi ta sillte “kodoshin” vetë. Por gjëma ra mbi shtëpinë
e tij. Tregtia i falimentoi, humbja ishte e madhe e ai mori një grusht të
rëndë e të paparashikuar, i cili ia goditi zemrën. Gjatë transportimit me
ambulancën e urgjencës për në spital, ai rënkoi me shpirtin në buzë:
“Askush nuk më dhimbset përpos nipave të mi… Ç’ka do të bahet me
ta?…” Ai vdiq me ankthin dhe merakun për dy vocërrakët që la pas…
Të afërmit pohonin se familja kishte humbur patriarkun e madh që ishte
vetëm 61 vjeç.
“Shtëpia e gjyshit mbeti pa mbështetje, pa shtyllën kurrizore,- thotë
Samiu,- Xhaxha Kadriu qëlloi të ishte në Itali, me mendimin të shpërngulej
për në Amerike. Xhaxhai i vogël Myrto ishte adoleshent. Familja jonë, e
shpërndarë nëpër kontinente i ngjante shegës së shkërmoqur… Nana
jonë e kuptoi se lufta për mbijetesën posa kishte filluar, por tani ishim të
vetëm, pa përkrahjen e askujt. Ajo nuk pranonte lëmoshë nga
askushi…”Nuk do të lypi, -thoshte-, se djemtë e mi e kanë babën gjallë.
Jam vetë babë e nanë për fëmijët e mi.” Trimëresha jonë do të sakrifikonte
tërë jetën, tërë rininë, vitet më të mira, vetëm për ne, “dy thmit” e saj,
virtyt fisnik ky i mbetur nga kodeksi i vjetër i maleve. Nana jonë! Durimi
i ambël… durimi-durim, si shega e ambël në fillim, por e hidhet në fund…,
durimi-durim të mbështetja në Perëndinë e një qëndresë solemne, duke
sfiduar madje edhe veten e saj… Nana jonë! tipike një nanë shqiptare…
Nana jonë!, e cila përballte edhe ziliqarët, të cilët mendonin se Naxhija e
kishte kollaj, mbasi kishte burrin në Australi dhe i dërgonte të holla .
Kurse Samiu dhe Naimi ishin pa babë me babë gjallë…”
LOTË TË NANËS
Meraku për binjakët tani ishte forca kryesore që rridhte tok me
gjakun në damarët e Naxhijes kur ajo punonte tërë ditën e ditës, ca si
pastruese në hotel dhe ca në kafene e në byrektore. Gjatë bisedës
telefonike me znj. Naxhije në Ulqin ndjeva të fliste jo një nënë, por
zemra e saj. “Çdo sakrificë,-tha ajo,- e bëja vetëm e vetëm që fëmijët
të rriteshin me të gjitha kujdesjet, me të gjitha kërkesat e nevojshme.
Nuk do ta harroj kurrë,- foli ajo me drithërimë,- muajin e randë, nëntorin
e çdo viti kur mblidhja ullinj që prej orës 7 të mëngjesit kur agonte deri
në orën 4, kur fillonte nata. Duhej të mblidhja 100 kilogram ullinj çdo
ditë, një punë kapitëse duke ndenjur përmbys, megjunjëzaj, duke shpuar
e gjakosur gishtërinjtë nëpër gjëmbat e ferrat, për të nxjerrë një kokërr
ulliri, “duke hequr të zitë e ullirit!”
Binjakët pyesnin “Pse nuk vjen babi?” dhe në lutjet e paragjumit
mërmërisnin “Don Zoti e kthehet babi vitin e ardhshëm!” Nëna Naxhije
kurdiste ndonjë gënjeshtër të besueshme se “babai ishte afarist, kishte
shumë shtëpija e shumë punë!…” ose “pret të fitojë shumë pare e do të
vijë të na marrë…” “Ne të dy, çdo herë që shihnim avionët në qiell,
prisnim babin se do të na vinte e ai s’vinte dot.- thotë Naimi,- Motoja
e nanës ishte që neve të mos na mungonte asgjë, sikur të ishim me
babë, edhe pse jetimë me babën gjallë. Na dukej qesharake që, në
tërë qytetin fallxhoret gabele, kur vizitonin shtëpinë tonë, dilnin gjithmonë
të kënaqura nga dhuratat e nanës, se hallin, mjerimin dhe vuajtjen e
Naxhijes me burrin në kyrbet e dinin dhe bilbilat në pemë, jo vetëm
fallxhoret e aftësuara në gënjeshtrat e tyre.”
Naimi dhe Samiu, si çdo fëmijë, e kujtojnë ditën e parë të shkollës.
Fëmijët e Ulqinit shkonin në klasën e parë në moshën 7 vjeç. Naxhija
këmbënguli t’i çonte në shkollë edhe binjakët e saj, të cilët ishin vetëm
pesë vjeç e gjysmë, por më të rritur në trup se moshatarët. “Ditën e
parë të shkollës u veçuam nga të tjerët jo vetëm si dy “furdulluqa” (të
shëndoshë, me tule), -thotë Naimi,- por edhe nga çantat tona shkollore
që nuk ishin njëlloj si të të tjerëve. Ato veçoheshin në vitet ’70, sepse
ishin në formë katërkëndëshe, si valixhe, që i kishim sjellë nga Australia.
Ato i përdornin nxënësit në Australi, kurse në Ulqinin e vogël dukeshin
qesharake mes fëmijëve të tjerë me çanta më të vogla, që futeshin
lehtësisht nën banka.. E gjithë shkolla atë ditë qeshte me ne. Të skuqur
e të turpëruar, e detyruam nanën të na blinte çanta “normale”.
Mundimtarja jonë edhe këtë e bëri.”
Veç punëve lodhëse, Naxhija ishte e detyruar të zbatonte e të
respektonte edhe zakonet, traditat e ritet e jetesës me bashkëqytetarët
ku jetonte. “Kështu, -thotë Naimi,- nana vendosi të na bënte “synet”
sipas zakonit, por gjyshja jonë donte të priste Flamurin. Po ta prisnim
babën, do të ishim bërë 20- vjeçarë… U zgjodh berberi i lagjes, axha
Rexhep, me brisk në dorë. Binjakun e madh, Samiun, e preu të parin.
Unë hyra i dyti. Me frike e droje, sigurisht… Bërtita, thirra…Motrat e
babit dhe gratë e tjera bënin zhurmë shurdhuese që ta zhduknin ulërimën,
vajin tim… Dhe unë, çuditërisht, vetëm 7 vjeç, nuk kërkova për ndihmë
si gjithë të tjerët, “Nanën”, por thirra “Baba!”. Me të dëgjuar lemerinë
time për babën, hallat e mia u bënë keq! Ndërsa dajallarët, që m’i
shtrëngonin duart, shpërthyen në vaj dhe më vonë e kuptova se ata nuk
qanin për dhëmbjen time, por për vëllanë e tyre, Flamurin, babën në
kyrbetin e qyqeve të mallkueme me lot.”
“Nana, e cila gjatë ditës kryente 2-3 lloj punësh të ndryshme robtuëse,
kthehej ndajnatëherë e lodhur dhe ne e shihnim kur binte në shtrat dhe
flisnim pak me të para se ta zinte gjumi i thellë çlodhës, – kujton Naimi.-
Nana nuk na përkëdhelte kurrë dhe, sa i mbushëm të 20-tat, ajo kurrë
s’na puthte. Ndonjëherë, kur e tepronim, merrnim edhe ndonjë shuplakë
fytyrës dhe unë ndieja se si eshtrat e dorës së saj përflaknin lëkurën e
butë të faqeve tona. Fjalët “të keqën nana” nuk i dëgjuam kurrë prej saj.
Si dukej, nuk donte të përsëriste gabimet që kishin bërë prindërit e Flamurit
me ritin e tyre të përkëdheljeve. Kjo mënyrë e re edukimi na rriti e na
poqi para kohë. Megjithëse më të vegjlit në moshë, ishim më të gjatët nga
trupi në klasë dhe kjo na jepte epërsi dhe autoritet kundrejt shokëve;
jetonim me përfytyrimet e heronjve të filmave dhe shpesh kridheshim
në një botë të çudirave magjepsëse. Dajallarët i kishim në fshat dhe i
vizitonim shpesh. Gjyshja nga nana, nanadaja e ndjerë, Feride thoshte
për babin “Prej të gjallit ka uzdaj (shpresë)”, dhe ne kënaqeshim sepse
vetëm aty gjenim një rehati shpirtërore.”
Gjyshja tjetër Zyhra, nënëmadhja, gjithashtu ishte e vetmja
mbështetje e binjakëve, e cila vuante gjithnjë nga malli i zjarrtë për
Flamurin. Shpesh, Zyhrane e lëshonte zemra dhe pëshpëriste e hidhëruar
se ndoshta i biri kishte vdekur. Atëherë, e reja, Naxhija, ftonte shoqet
e mëhallës për kafe dhe, kinse kujtohej, u tregonte se Flamuri i saj po
ia bënte gati “letrat” për të shkuar në Australi. Kur mbeteshin të dyja
vetëm, plaka e pyeste e habitur: “Vërtet, Naxhije?” “Po, hanko, (kështu
i thërresin vjehrrës në Ulqin), po i pres letrat…”
Mbetur pa baba dhe pa gjyshin Xhemal, detyra e “edukatorit” i
mbeti tashmë vëllait të Xhemalit, të dytit në radhë, Shabanit. “Ne u
afruam shpejt me xhaxha Shabanin,-thotë Naimi,- dhe e konsideronim
jo si kujdestarin, por si babën tonë… S’linim rast pa e sulmuar me
pyetje. Ai nuk përtonte të na përgjigjej me dashamirësi dhe na jepte
përgjigje edhe për pyetjet më të vështira… Si çdo fëmijë, edhe ne
ishim kureshtarë për çdo gjë. Plaku i mençëm na u bë mentori kujdestar
dhe udhërrëfyesi i jetës duke na treguar peripecitë e jetës së tij.”
Përvoja e gjyshit të vogël Shaban ishte rrëqethëse. Xhaxhai i tyre
ose Shabë Rama Peraj prej katundit të Millës, së Anës së Malit, në
zonën e Ulqinit, ishte një patriot dhe luftëtar i dëgjuar. Në vitin 1940
bashkë me luftëtarët Hasan Isufi, Nogë Tusha e Cafo Beg Ulqini luftuan
për çlirimin e Ulqinit dhe ngritën flamurin kuqezi duke e shpallur të lirë
nga zgjedha sllave. Gjyshi Xhemali dhe xhaxha Shabani ishin truprojat
e kryetarit Cafo. Duke u përpjekur të arratisej, Shabani u kap në Berat
më 1945 nga komunistet shqiptarë, të cilët ua dorëzuan malazezve.
Shabanin e dënuan me 12 vjet burgim, që i kaloi në burgun e Cetinjës.
Pas Luftës së Dytë Botërore familja e Xhemalit dhe e Shabanit ishin
nën një mbikëqyrje të fortë politike. Në një rast kur “shoku Tito” do të
vinte të vizitonte Ulqinin, Xhemalin e mbyllën në birucë gjatë gjithë kohës
që Titoja do të qëndronte në qytet.
Për çdo vuajtje që kishte hequr gjatë jetës, Shabani e kishte lënë
amanet që, mbi gurin e varrit, t’i shkruhej: “Ka dek disa herë”. Naimi e
Samiu kujtojnë me nostalgji librat që ishin fshehur në ullishtat e xhaxhait,
librat ë Fishtës, Konicës, Nikajt, Zavalanit, Koliqit etj. Binjakët i lexonin
çdo natë fshehurazi, i përpinin e i studionin duke mësuar nga dituria e
atdhetarëve shqiptarë, duke mësuar faqet e ndritura të historisë së
popullit shqiptar e duke u edukuar nga trimëritë stërgjyshërore.
Një katastrofë natyrore ndodhi papritmas: Ulqinin e goditi dhe e
tronditi një tërmet i fuqishëm, i cili pothuajse e shkatërroi krejtësisht
qytetin me themel. Atë ditë mëngjesi pranveror, më 15 prill 1979, në
orën 7:17 Naxhija rrëmbeu binjakët dhe zbriti si furtunë nga kati i dytë.
Vetëm nga mëshira e të madhit Zot ata shpëtuan nga gurët e mureve të
shtëpisë së vjetër që u rrëzuan vetëm një minutë pasi ata ishin larguar.
Ishte një lebetitje e llahtar që pllakosi gjithë qytetin. Ulqini i përrallave
dhe i legjendave u mbulua me tym; u shkatërrua një civilizim mijëravjeçar;
humbën si valët e detit e u tretën në rërë lundrat e drunjta e varkat me
vela… krojet, puset, rozetat, shtëpitë e mëdha e avllitë, rrugicat me
kalldrëm… humbi identiteti i qytetit të vjetër.
Telefonatat vinin nga gjithë bota për të pyetur për shëndetin e të
afërmve. Çdokush u interesua për të vetët. Vetëm Flamuri nuk u ndje.
Kjo e helmoi më shumë zemrën e bashkëshortes. Lotët e Naxhijes
derdheshin si kokrrat e ujshme të shegës aguridhe mbi mollëzat e ngritura
të fytyrës së saj prej malësoreje…” Kishim mbetur pa plang e pa shtëpi,kujton
Naimi.- Një vit jetuam nëpër kampe me shtëpi druri, deri sa me
ndihmën e xhaxha Shabanit filluam të ndërtonim një shtëpi të vogël me
dy dhoma. Bekimin për këtë na e dha gjyshja jonë, nanamadhja Zyhra,
e cila nuk i pranoi kundërshtimet e disa pjesëtarëve të familjes. Zemra
e gjyshës Zyhra gjykoi drejt dhe vendin e shtëpisë së vjetër në qendër
të qytetit na e bëri dhuratë neve, nipave të saj.” “Shtëpia jonë e re ishte
si një ëndërr,- thotë Samiu,- ditën e Vitit te Ri 1980 hymë brenda.
Donim të ndiqnim programin e Vitit të Ri në TV, por qëlloi një natë pa
drita. Megjithatë, ndjeheshim të lumtur, se atë natë feste e kaluam me
dy gjyshet tona dhe, nën dritën e qiririt, fytyrat e tyre, që rrezatonin
mirësi, u ngjanin ëngjëjve tanë mbrojtës… Shtëpia jonë e re,-vazhdon
Samiu,- u bë edhe një mjet të ardhurash për të siguruar kafshatën e
gojës. Edhe pse me dy dhoma, nana nuk rrinte duarkryq; me sakrifica,
gjatë muajve të verës mbanim familje turistësh nga Kosova, kurse vetë
flinim në bodrum.”
Për moshën e adoleshencës, kaluar në Ulqin, Samiu e Naimi ruajnë
kujtime e përshtypje të paharruara. Mësuar me leximin e librave me
përmbajtje patriotike, ata u dashuruan pas librave të historisë. Ata
kujtojnë si e kalonin kohën e lirë, duke luajtur me shokët e mëhallës,
lojna si ajo me shkop e kiterr, futboll me topa lecke, me gjueti zogjsh
apo vjedhje kumbullash e qershish, kacavjerrje nëpër pemë të larta etj.
“Bashkë me Naimin, -thotë Samiu,- admironim çeljen e luleve të
ndritshme të shegës që kishim në oborrin e shtëpisë, dhe ndiqnim me
kureshtje trupëzimin e frutave të para, ato kokrrat e vogla që, ca nga
ca rriteshin e merrnin formë e ngjyrë. E krahasonim rritjen e frutave me
rritjen e shtatit tonë dhe vendosëm që këtë kohë rinie që po kalonim në
Ulqin, ta emëronim “koha e shegës.”
Por jeta e binjakëve nuk ishte aq romantike sa dukej. Dy vëllezërit,
si gjithë moshatarët, nuk ishin të qetë. Më shumë se komplekset e
moshës i mundonte e panjohura e së ardhmes. Kur u bënë 15 vjeç, u
ranë hallet e familjes mbi kokë. Veç shkollës binjakët filluan të punonin
në hotele e në vende të ndryshme punësimi për të rinjtë deri sa mbaruan
gjimnazin. Kështu, ca nga ca, ata fituan tiparet e edukatës perëndimore,
mësuan gjermanishten dhe italishten, të gatshëm për të udhëtuar dikur,
diku, në të ardhmen… ku t’i çonte fati.
NË KËRKIM TË BABAIT SYRGJYNAR
Një dervish plak nga “Rana e vockël” e Ulqinit, kur mori vesh se
nipat e kujt ishin Samiu e Naimi, u përmallua dhe u tha: “Po a e dini se
stërgjyshi juaj, Ram Milla, ishte gjithashtu në kyrbet për 20 vjet dhe
solli me vete një “karadake”, pushkë me grykë të gjatë? Ju e keni në
gjak kyrbetin.”
Rrethi vicioz i kurbetit… a do të mbaronte ndonjëherë? Fjalët e
dervishit plak u bënë një ngacmues i çastit dhe më 1988 binjaku Sami,
me shtytjen edhe të familjes, u nis për në Australi për të gjetur babën e
sdikugjetshëm. Kjo ishte ndarja e parë nga njëri- tjetri për binjakët.
Kur mbërriti në Sidnei, tek dajë Shabani, një punëtor i thjeshtë e i
ndershëm, Samiu vërejti se si “funksiononte” familja e emigrantit. Të
gjithë pjesëtarët e familjes takoheshin vetëm në darkë, kur ktheheshin
të lodhur nga puna e uleshin në tavolinë për të ngrënë. Fëmijët bisedonin
rrallë me prindërit, gjë që i bëri përshtypje djaloshit ulqinak.
Filloi rruga e vështirë në kërkim të babait. Muaj të tërë u përpoq i
biri të gjente babanë legjendar. “Oh, ç’jetë! Sa i keq ky mërgimi!”ofshante
i biri. Por mendja i rrinte tek një njeri, të cilin e quanin “babë”…
Ai nuk vinte…, kinse për arsye shëndetësore… Ishin vetëm gënjeshtra
të Flamurit. Mbasi u këshillua me miqtë e vjetër të t’et (njerëzit që ia
mësuan bixhozin nëpër klubet e tymosura të mërgimtarëve fatzinj), ata
i thanë Samiut: “Sa për Flamurin… hiqe nga mendja se do ta bëjë ai
hapin e parë! Ti më mirë shko e kërkoje vetë.”
Kështu, djaloshi 17-vjeçar vendosi ta gjente vetë babanë. Samiu u
nis për një rrugë prej 7,000 kilometrash, dy ditë e dy net, në veri të
kontinentit australian. Takimi at e bir u bë në një stacion të vogël autobusi,
ku nuk priste asnjë njeri përveç një plaku mjeran, me duhan të ndezur
dhe që dukej disi i bezdisur. Kishin kaluar vite dhe, përveç fotografisë ku
dukej si aktori Cary Grant dhe një audio kasete me zërin e tij, asgjë tjetër
nuk dinin binjakët për këtë baba misterioz. Por Flamuri 50-vjeçar, i rrënuar,
i venitur, i syrgjynosur dhe i rraskapitur, i ngjante më tepër një plaku të
mjerë, të cilit i kishte mbetur vetëm hija e njeriut. Jeta e
parregullt e kishte
bërë të vetën, e kishte plakur e rrënuar para kohe. Një surprizë kjo për
djalin ambicioz dhe plot energji, i cili s’po e merrte akoma veten kur
takoi një baba që për 30 vjet mërgimi nuk kishte as shtëpi e as para. Ai
gjeti një plak australian me emrin “Fredi”, në veri të Australisë. Samiu
sapo zbriste nga shkallët e autobusit plot pluhur, të një mëngjesi të nxehtë
të verës tropike, dëgjoi fjalët e para të thëna nga babai profetik : “Pshtyj
nalt, t’bjen n’ball, pshtyj poshtë t’bjen n’bark, s’ke ku m’çon, s’kam ku
t’çoj”. Ishte një lebeti, një rrokopujë, një gjëmë e vërtetë makthi e ankthi…
Më në fund u bashkua djali i madh me baba Flamurin. Samiut i flluskonin
përnjimend mijëra pyetje për t’ia bërë t’et, por shihte se nuk do të merrte
përgjigje: “Si?”… “Pse?”… “Ah!…” “Si na…!” “Si na vajti
jeta…!” “Jetimë
me babën gjallë” etj.etj. Por çdo orvatje ishte e kotë. Samiu kishte para
vetes një person të huaj që vetëm me emër ishte babai i tij…
Djali qëndroi dy javë me babanë e humbur dhe pothuajse të mbetur
prapa me kohën… Në fund të fundit, Samiut iu dhimbs babai kur mbeti
ashtu, si gjynahqar i gjorë, vetëm duke i bërë me dorë lamtumirën e
pikëlluar. Mos vallë, kjo që i ndodhi Samiut, ishte një ëndërr e keqe, nga
e cila do të zgjohej shpejt? Fatkeqësisht ishte një realitet i dhëmbshëm,
dhëmbje që u shtua katërfish kur me kthimin e tij në Sidnei mori lajmin e
hidhur se nanamadhja (gjyshja) kishte vdekur, pa arritur të bashkohej me
të birin! Sa me mall e durim e priste ajo ditën e kthimit të të birit! Por
zemra e thyer e nënës nga peripecitë e jetës, nga lëngata e sëmundjeve
dhe dhëmbja për të birin e humbur atje larg, nuk i duroi dot e u dorëzua.
Samiu, i dëshpëruar nga humbja e gjyshes dhe nga gjendja e mjeruar e të
atit, vendosi pas 9 muajsh qëndrimi në Sidnei të kthehej në Ulqin.
“Ky kthim i tij i papritur befasoi familjen dhe te njohurit.- thotë
Naimi,- Binjaku im që, më mirë se unë nuk e njihte njeri, ishte plakur
para kohe. Unë isha një karakter i zakonshëm shqiptari, kurse Samiu
kishte një këndvështrim më të gjerë për jetën. Edhe pse binjakë, kishim
mendime dhe opinione të ndryshme për botën…”
Për të mos humbur kohën, Samiu dhe Naimi vendosen të vazhdonin
studimet e larta në Prishtinë, në degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë.
Në këto vite studimi binjakët ndien njëfarë zhgënjimi nga faqet e librave
e të leksioneve rreth historisë e kulturës shqiptare, të cilat ishin përpunuar
e shtrembëruar. Por, sidoqoftë, nuk ishin vite të humbura. Dy vëllezërit,
të ndodhur në shoqëri me studentët dhe intelektualët e tjerë shqiptarë,
u burrëruan e u ndërgjegjësuan më tej për virtytet fisnike të shqiptarit,
siç është kodi i nderit, i besës dhe i krenarisë. Si studentë të vitit 1989,
edhe binjakët nuk u ndanë nga shokët e tyre, por morën pjesë në
demonstratat e shkurtit të punëtorëve të Trepçës.
MIRËMBEÇ, ULQIN!
Kur Samiu e Naimi u kthyen nga Prishtina në Ulqin, tashmë të
njohur si “aktivistë”, morën përnjëherë thirrjen për ushtri nga armata
serbo-sllave. Ky ishte një tmerr, sepse atëherë dihej mirë se si kufomat
e të rinjve shqiptarë ktheheshin në arkivole! Nënë Naxhija, e lemerisur,
vendosi që binjakët të iknin brenda natës, duke u thënë: “Ju kam rrit
me zor dhe nuk dua t’i shkoni serbit dhuratë në gojë!” “U nisëm,-thotë
Naimi.- Jeta do të thotë të mundësh rrezikun! Ne u larguam nga Ulqini
të larë nga lotët çurgëzues të nanës, e cila na dha bekimin hyjnor të
shpëtimit dhe të shpresës së mirë. Më 15 maj 1989 arritëm në Sidnei,
në vendin e lindjes sonë, ku pamja e parë e qytetit olimpik nuk ishte ura
e famshme në gjirin e Sidneit, por lagjja e rëndomtë e zezakëve vendës,
“Aborigjinezëve”. Aty, zezakë të helmuar me alkool nxirrnin shkumë
nga goja dhe droga kundërmonte tek të rinjtë me prejardhje irlandeze,
të sjellë në këtë kontinent si “konvikta”, të burgosur nga anglezët. Duke
parë kulturën e pasardhësve të zezakëve, të shfarosur nga dora e
kolonizatorit, e ndieja veten jo të qetë e paksa të bezdisur…, -vijon më
tej Naimi,- Këtë qellim kishtë Samiu, që, në mënyrë pragmatike te më
tregonte realitetin që s’e njihja. Ai më thoshte se realiteti i Australisë
nuk është i bukur si ato kartolinat që unë i merrja nga ai me padurim,
por me rrugët e ndyra dhe me të pastrehët që lypin një dollar për të
blerë drogë!…”
Te dajë Shabani, i cili qëndronte akoma gojëhapur nga habia se si
djemtë erdhën kaq papritur, dy vëllezërit qëndruan vetëm pesë ditë
dhe menjëherë u nisën të kërkonin atë njeri me të cilin Samiu ishte
ndarë me dhëmbje, kohë më parë. Ata udhëtuan dy ditë e dy net deri
sa mbërritën në Townsville, qytet në veri të Australisë. Por Flamuri nuk
ishte aty, sikur ta kishte përpirë djalli. “Mbijetuam gati tre muaj,-thotë
Naimi,- pa ditur a do ta takonim përsëri atë njeri që Samiu pati rastin ta
shikonte drejt në sy. Po mua, vallë, a do të më ndodhte e njëjta gjë? I
humbëm shpresat. Por ja, një natë ai erdhi. Unë, Naimi, s’e kisha
menduar kurrë se si do të reagoja në prani të babës tim. Ç’ka të bëja?
Ta godisja një herë për të gjitha ato premtime të humbura? Apo të
kacafytesha me të, apo… Vendosa të heshtja… Ishte një situatë që nuk
i ndodh çdo njeriu në jetë. Unë heshta… 17 vjet pa pasur babë dhe
tani, para meje, një njeri që “lipsej të ndihmohej”, një njeri që qëndronte
në mes të dhomës si statujë, duke i ngulur sytë në ekranin televiziv ku
po luhej një dramë. Një dramë e dytë po luhej në dhomën gjysmë të
ndriçuar të një moteli ku ne binjakët banonim përkohësisht.
Në këtë vend të largët, pa pasur asnjë shqiptar, binjakët filluan të
jetonin me njeriun e quajtur “babë”. Po kush ishte ky njeri që akoma
kishte mbetur në Ulqinin e viteve ‘60? Një enigmë e pazgjidhur për dy
bijtë e tij, dy vëllezërit e heshtur… Heshtja, e cila mbështillte mjedisin e
motelit dhe hijet e tre burrave, ishte për situatën, e vetmja mënyrë e
përshtatshme e komunikimit. “E shoqëronim në çdo hap,-thotë Samiu,sepse
e dinim mirë që, po të na ikte nga mbikëqyrja, vate, mbaroi. Por
një natë e lamë vetëm, na tha se do të shkonte të blinte duhan. Tmerri që
do të vijonte, ishte vërtet një film horror. Ai ua mbathi këmbëve dhe u deh
përsëri, piu aq sa shkuma i delte nga goja. Alkooli e ktheu në një mister
Xhekil të djallëzuar; u kacafyt me zezakët në lokal, të cilët ia thyen
fulqinjtë
e fytyrës dhe brinjët… Mëkat! Flamuri, që po e kthenim pak nga pak në
jetë, u shndërrua menjëherë në atë tipin e vjetër, në llojin e tij të
preferuar:
40 birra në ditë (me borxhe të pafundme), deri sa i dilte shkuma… I ndyrë
nga goja e agresiv, duke u bërë zemërgjerë me qerasje…, i vetgënjyer
deri në fund në atë naivitetin e tij se kinse ishte dikush… O Zot! ç’ishte ky
dënim, a mallkim?… Mos vallë, ikja nga trualli i të parëve?… Pse të na
ndodhte neve kjo? Pse nuk shkuam më mirë në armatën jugosllave? Jeta
me babën ishte një skëterrë e vërtetë! Ai nuk na shikonte e as na pranonte
si djemtë e tij, por si kundërshtarë. Tani e kuptuam Flamurin e vërtetë të
shpellës dhe jo romantikun e nanës. Pra, ky ishte ai burri që jetoi me
nanën, por që ajo kurrë nuk na tregoi fytyrën e përbindëshit “baba”, i cili
tani ishte kthyer në një bishë të tërbuar…”
ÇASTI I SHPRESËS SË MIRË
Samiu e Naimi, pasi qëndruan me këmbëngulje dhe e duruan të
ashtuquajturin “baba” për tetë muaj, e kishin humbur besimin. Ata
vendosën të iknin pa dijeninë e tij, brenda natës, tani jo nga frika e sërbit,
por nga tmerri i “Fredit”. U kthyen në qytetin Brizbane, qytet, që e kishte
marrë emrin nga mbretëresha e shtetit Queensland. Aty ata u ambientuan
shpejt dhe filluan jetën përsëmbari. Falë gjuhëve të huaja që përvetësonin,
binjakët u punësuan në hotelin “Sheraton”, Naimi në barin e hotelit dhe
Samiu në recepsion. Kaloi gati viti dhe nënë Naxhija erdhi, falë Zotit, nga
Ulqini. Shpresonte e shkreta grua se do të behej bashkë me burrin e saj
të humbur, por binjakët nuk ia ushqyen këtë dëshirë.
“Flamuri, kur mori vesh ardhjen e nanës, erdhi të na kërkojë, por
nuk arriti të na gjente,- thotë Naimi.- Të dy me Samiun ishim të mendjes
që nuk ia vlente të takohej nana jonë me babanë, deri sa ai ishte në një
gjendje të tillë. Baba erdhi prapë, herën e dytë. E morëm vesh nga një
mik i përbashkët, i cili na alarmoi se ai ishte gati para humnerës jetësore.
Nga ana tjetër, nana këmbëngulte se donte ta takonte “burrin e saj”,
Flamurin. Së fundi, i dërguam atij adresën dhe numrin e telefonit… U
takuam tek stacioni i trenit të tre burrat, nana priste në shtëpi. Ai ishte i
ënjtur nga pija e, për çudi, kishte lënë mustaqe që i zgjateshin vesh më
vesh. Pas përshëndetjes së shkurtër, ne binjakët i parashtruam kushtet
tona, që ishin të thjeshta: “Harro të shkuarën, shiko të ardhmen… nana
nuk e meriton Flamurin e vjetër!”
Flamuri na vështroi gjatë dhe pastaj tha: “Djema, më keni shpëtuar,
se, edhe një muaj e do të vdisja në ndonjë kanal… Tani e di çka duhet
bërë!…” Kështu u vendos që ai të takohej me nanën, pas 19 vjetëve.
Nana nuk e njohu… Takimi ishte i qetë, jo “holivudian”, me vaj e me
lot… Ishte një takim i mbështjellë pothuajse nga misteret e jetës.”,
përfundoi
Naimi.
Kur e pyeta znj. Naxhije për përshtypjet e çasteve, kur u takua me
bashkëshortin e saj, ajo më tha:
“Më kishin thënë djemtë se ishte i zorshëm takimi me të. Por unë
doja që Flamuri të kthehej në shtëpi … Para meje qëndronte një plak,
një njeri i ftohtë, i dobët. Atë çast e provova se unë isha më e fortë se
ai, qoftë nga trupi, qoftë nga mendja. Pra, duhej t’i beja ballë vetëm
unë këtij takimi të akullt, nga i cili varej e ardhmja e familjes sonë.
“Si je?”, e pyeta. Ai m’u përgjigj: “Ti ke rrit fëmijë të mirë!” “Janë
fëmijët tanë, s’janë vetëm të mijtë!”, -ia ktheva. Djemtë më patën thënë
se Flamuri kishte vetëm 10 dollarë në xhëp. “Do të jetojmë bashkë!”,pëshpërita
me një zë të ngrohtë për t’ia hequr të ftomën që po i jepte
dridhje trupit të tij të rraskapitur. “Në qoftë se pranon,- i fola ngadalë e
duke iu afruar,- unë nuk të pyes kurrë se ku ke qenë e ç’ke bërë gjithë
këto vite. Edhe ti, s’është nevoja të pyesësh për vuajtjet e mia deri sa
t’i bëra foshnjat burra… Qoftë kismeti ta fillojmë mbarë… Ku të jesh ti,
do të jem edhe unë, si gruaja jote…”
Flamuri vërtet ktheu rrugë, por tani ai vuante nga simptomat e
mospirjes së alkoolit dhe gjithë atë ankth e shfrynte mbi djemtë. Naxhija
fjalëbutë mundohej të ndihmonte si gjithnjë. Flamuri vuante nga diabeti
dhe nga mëlçia, që i ishte shkatërruar nga alkooli. Vitet e moskujdesit
për veten po e bënin punën e tyre për t’ia shkurtuar jetën. Shpeshherë
ai rrëfehej se nuk i dhimbej që e humbi rininë, por se punoi me të
vërtetë rëndë në xhunglat e Australisë, që të siguronte jetën e familjes,
gjë që nuk e arriti.
Pas 20 vjetësh Flamuri u takua për herë të parë me shqiptarët. Por
nuk rrinte shumë me ta, vetëm pesë minuta e kthehej në shtëpi. I pëlqente
jeta në vetmi. Atëherë binjakët u këshilluan me nënë Naxhijen e
vendosën të hapnin një biznes. Ishte i vetmi mjet të mbijetoje në një

tokë të huaj. Dy vëllezërit së bashku me nënën e babën bëheshin katër
krahë pune. Ata patën fatin të hapnin një lokal pica-restorant, ku punuan
së bashku pesë vjet. “Që të katër ishim të magjepsur pas punës dhe
vetëmohimit, punonim si skllevër shtatë ditët e javës.- kujton Naimi,-
Nana luftonte si dragoi për ta mbajtur familjen së bashku dhe ia arriti të
krijonte tamam një vatër shqiptare.
Filluan dashuritë e para. Naimi mendonte se një australiane që ia
kishte rrëmbyer zemrën, ishte më e vlershme se gjiri i ngrohtë familjar.
Samiu vuante nga kjo zgjedhje e të vëllait. “Për se, vallë, erdhëm në
fund të botës, që të ndahemi për së dyti?,- ankohej ai.- Nana apo
“Skënderbeu” ynë siç e quanim me dashuri, qysh në moshën 16-vjeçare
na pëshpëriste se “ka ardh koha e martesës, të më lehtësohet krahu!”
Dhe dëshira e nënë Naxhijes u plotësua. Samiu u martua me një
vajzë shqiptare të lindur në Australi, kurse Naimi, u martua një vit më
vonë me motrën e nuses së vëllait. “Gabim trashanik, -u thoshte halla,nuk
merren dy motra në një konak, se sherr do të keni!”
Por dasmat u bënë dhe dy vëllezërit e dy motrat u trashëguan për
jetë e mot!
KTHIMI NË VATRËN PRINDËRORE
“Pasi martuam e rregulluam çunat në familjet e tyre të reja, unë e
Flamuri vendosëm të ktheheshim në Ulqin, të ringrinim edhe ne çerdhen
e vjetër të shkatërruar e të harruar,-thotë znj. Naxhije.- Zemra ime e di
se si u shkëputa nga binjakët e mi, por… jeta ecën përpara, gjithsekush
ka riskun e vet… Me ndihmën e binjakëve,-vazhdon ajo,- rindërtuam
shtëpinë në Ulqin dhe kjo na gëzoi pa masë. Ishte amaneti i nanadajës,
siç e quanin çunat nanën time, që më në fund mos ta linim të shkretin
truall, për të cilin shumë peripeci kishin ndodhur…”
Flamuri, i cili nuk kishte vënë pikë alkooli në gojë qysh ditën që
Naxhijes i shkeli këmba në Australi, vazhdoi po atë rregull e qëndresë
edhe në Ulqin. U takua e u çmall me shokët që nuk i kishte parë prej
25 vjetësh. Naxhija vazhdon: “Gjashtë sahati në mëngjes dilte nga
shtëpia, takohej me miq e shokë, luante me letra për qejf, jo për para.
“Prite Zot!”, nuk luajti ma me bixhoz. Kurrë s’kemi qenë idhnueshëm”…
Kohën tjetër e kalonte me vizita te doktorët e me ilaçet, sepse ishte
shumë i sëmurë. Por, më tepër se sëmundjet, zemrën ia shtrëngonin dy
merake të mëdha. I pari, malli për fëmijët që i kishte larg e nuk i gëzoi
kurrë. I dyti, e hante përbrenda turpi dhe mjerimi i babës, që nuk mundi
kurrë t’u jepte përvojën e jetës së tij fëmijëve, ashtu siç bëjnë gjithë
baballarët e botës…” Ti u ktheve në rrugë të mbarë, – i thoshte Naxhija,
-dhe kjo është mjaft ç’të mësojnë djemtë nga ti!”
Sot në Ulqinin e bukur çdo fëmijë e kujton xhaxhi Flamurin nga
përkëdheljet dhe përgëzimet që ai u jepte të vegjëlve, sepse ai nuk pati
fatin të kënaqej me mbesat e nipin e vet që ndodheshin në Australi. Me
kësulën e bardhë, plisin, në kokë, ish – “Fredi” i dikurshëm i Sidneit, i
kalonte ditët e fundit të jetës mes njerëzve jashtë e brenda kafeneve. Ai
rrinte në lokalet e tymosura dhe shikonte të tjerët duke pirë alkool e
duke luajtur me letra dhe, me një lloj nervozizmi i këshillonte: “Mos
pini, ju piftë dreqi n’bark!”
Sëmundja po përparonte dhe Flamuri e humbi luftën e tij ndaj
tumorit, kësaj “ligcine”. Ai po shuhej ditë pas dite, ndërsa bashkëshortja
i qëndronte te koka e i shërbente me dhëmbshuri. Ditën e fundit, kur ai
po jepte shpirt, Naxhijes iu kujtua e vjehrra, e cila, ditën që u nis Flamuri
për në Australi, i thërriste me një zë te këputur: “Mos ik, ore djali im…!”
Flamurit, dikur i panjohur për sa breza, këtij njeriu misterioz, në
ditën e varrimit, banorët e Ulqinit i bënë homazh e i dhanë lamtumirën
në çastin e përcjelljes në varreza. Arkivolin e të ndjerit e mbuluan me
flamurin kuqezi; ishte hera e parë që përdorej flamuri kombëtar në këtë
vend të vogël dhe të frikësuar nga robëria.
Një mrekulli ndodhi ditën e varrimit. Flamuri, që në gjallje e kishte
lënë amanet që “ta shtijnë në dhè fëmijët e vet”. “Posa morëm vesh
lajmin e humbjes së babait tonë,- thonë Samiu e Naimi,- edhe pse
22.000 kilometra larg Ulqinit, udhëtuam urgjentisht dhe erdhëm në kohë,
e nderuam babën, falë Perëndisë!”
FLUTURIM TEK ÇERDHJA E NANËS
Thonë se në Ulqin natën duken shumë bukur yjet. Thua të jetë kjo
arsyeja që Naimi e Samiu vijnë shpesh e vizitojnë qytetin e tyre të
fëmijërisë, apo janë lulet e shegës në oborr që i ndjellin binjakët të vijnë
e të shkërmoqin kujtimet e fëmijërisë?, apo është çerdhja e nanës që i
pret çdo sahat e minutë, larë e njomur me lot malli? Ndoshta kjo e
fundit është magjia.
“Ne binjakët gjithmonë erdhëm te nana e sërish do të vijmë,- thotë
Samiu zemërprekur, – gjithmonë dhashtë Zoti, do të vijmë e ta vizitojmë.
Ndërsa nanë Naxhija rënkon me lot shpirti: “Pse, vallë, e meritova këtë
fat, qe ju perlat, drita e syve të mi, e jetës sime, të më lini vetëm “quk”
në shtëpitë e reja që i ndërtuam apo… mos t’i kërkojmë më shumë
jetës se është koprace në mirësinë e vet…”
Ajo mjaftohet me tre muajt e verës kur binjakët vijnë e i kalojnë
pushimet në Ulqinin e tyre të shtrenjtë mes familjarëve e miqve. Në
faqet e saj të malësores rrjedhin lotët e kënaqësisë kur përqafon
mishërimin e veprës së saj, djemtë e vet…, zemra e të cilëve nuk mund
t’i durojë dot fjalët e drejta e të vërteta të nanës…
Pasi çmallen me nanën binjakët qëndrojnë të heshtur disa çaste nën
hijen e shegës së tyre të oborrit, me të cilën i lidhin shumë kujtime. Ja, tek
dëgjojnë në eter zëra të largët femërorë që këndojnë këngën ulqinake:
“/ Shegë e ambël, shegë e butë,/më shkoi vera pa t’këputë/…
Binjakëve, kur ishin të vegjël, u bënin përshtypje kokrrat e shegës
si gurë të çmuar që vezullojnë në ngjyrë gjaku, si dhe lëvorja e bardhë,
e hollë mbrojtëse, e cila e mbështjell frutin me aq kujdes. Ndoshta ata
të dy e kishin zili atë kujdes e siguri që natyra u kishte dhënë kokrrave
të shegës, por ndërkaq, atyre të dyve nuk ua kishte dhënë jeta.
Gjatë pushimeve verore Naimi e Samiu një pjesë të kohës e kalojnë
në mjediset e kalasë së Ulqinit e ndalen në logun e kështjellës, nën
gurët e bedenave të lashtë, përbri detit të kaltër. Çdo vit aty
festohetdita e “Dyluftimit të deshëve”. Është një festë e ethshme, një
traditë, një
ritual magjik që vazhdon që nga lashtësia. Qysh në mëngjes fillon “dita
e sherrit” kur banorët e Ulqinit, çdo lagje me dashin e vet me brirët e
mprehur e të zbukuruar me lule, derdhen nëpër rrugicat e ngushta me
kalldrëm e arrijnë në sheshin e dyluftimit. Sheshi quhet “Vendi i ujqërve”,
nga i cili rrjedh edhe emri i Ulqinit, “Ulk-in”.
Samiu tregon se i pëlqen të vizitojë kalanë nga brenda. Akoma
janë edhe sot qelitë e të burgosurve ku ka ndenjur për pesë vjet rob
shkrimtari i famshëm spanjoll Servantes, të cilin ulqinakët e pagëzuan
me emrin “Servet”. Nga prapa bedenave ende shihet qartë kodra ku
thuhet se kanë qenë mullinjtë e erës. Pikërisht vendi ku ka ardhur edhe
frymëzimi i Servantesit për të shkruar Don Kishotin, kryeveprën e tij.
Samiu përfytyron Dulqinën, vajzën ulqinake me emrin Bukurie, pas së
cilës u dashurua Servantesi. “Me emrin “Dulqinjë” Servantesi përjetësoi
emrin e Ulqinit, i cili në atë kohë quhej Dulqini”, përfundon ai.
Samiu, sa herë bredh rrugëve të gurta të kalasë ulqinake, ndalet para
një mbishkrimi latin në majë të portës ku lexohet: “Nema propheta in
patria sua” (Të dërguarit nuk pranohen në vendin e vet). Më tej, ndërsa
zbret nga kalaja drejt plazhit, e ndjekin nga pas vargjet e Abdullah Thaçit:
“Plazhit nën kala seç gjëmon një zë
Më re sysh, Ulqin, s’të vij kurrë më…”
“Mjaft me ndjellje të zeza!” psherëtin Samiu…
Duke shkruar këta rreshta, një fllad qiparisash më sjell e më kujton
poezinë “Ulciniumi”, të cilën poeti Ali Podrimja e ka shkruar në Ulqin
në qershor 2005.
Ulciniumi
Syth mes Ujit të Madh dhe Endrrës,
Nuk ke ç’t’i marrësh as t’i lesh.
Ullishtës ilire ikën ora e një populli,
Nën këmbë lëviz e vdekura,
Në dorë të Zotit.
Në Barbane bie Shqipja,
sytë i lan nga bloza e kohërave
dhe me njërin krah mbulon
trupin e përgjakur të Gjergjelezalisë.
Buçimës ia ka frikën dhe shkëmbi.
DYYJE NGA QIELLI I ULQINIT
“Dy yje nga qielli i Ulqinit”, nuk i cilësoj unë binjakët Flamuri por,
si nënë që jam, përfytyroj se, kur nënë Naxhija mallohet për djemtë e
saj, në netët e vetmisë, ngre kryet drejt qiellit… dhe pikërisht kështu i
thërret ajo Samiun e Naimin, me një buzëqeshje mirësie në buzë.
Pas martesës së tyre Naimi e Samiu e shitën biznesin, mbasi nuset
e tyre vazhdonin shkollën. Me largimin e prindërve në Ulqin, familjet e
binjakëve u vendosën në Melburn më 1996, ku vazhdojnë të jenë edhe
sot. Naimi e Samiu ndoqën universitetin dhe u diplomuan në degën e
psikologjise, një ndër disiplinat, të cilën e pëlqejnë mjaft të dy binjakët.
Martuar me dy motra, të cilat nuk janë binjake, por janë shqiptare të
lindura në Australi, Samiu ka dy vajza: Valonën dhe Arditën, kurse
binjaku numër dy, Naimi ka një djalë me dy emra, Shpëtim – Shqiptar.
Ai ka dy emra sepse Naimi beson se në botën perëndimore, kur lindin
brezat e rinj, ata ndoshta e humbin gjuhën por, së paku emri mbetet
dhe një ditë, emërmbajtësi ia bën vetes një pyetje: “Po kjo, Shqiptar,
ç’ka do të thotë?”
Sot Naimi e Samiu janë të punësuar në administratën e qeverisë
australiane si zyrtarë të Imigracionit Australian dhe në vitin 1999 ata
mundësuan që gati 4000 shqiptarëve nga Kosova t’u jepej një
vendstrehim në Australi. Kjo ishte një punë tejet e vështirë, por binjakët
e kryen me kënaqësi duke dhënë ndihmën e kontributin e tyre në
momente aq vendimtare për kombin tonë.
Naimi e Samiu kanë botuar librin “E përjetshme është Shqipëria”
në vitin 2000, si libri i parë i shekullit i botuar në “Atmëmëdhe” siç e
quajnë ata tokën shqiptare. Binjakët Flamuri gjithashtu kane mundësuar
botimin e librit rreth pemës gjenealogjike të familjes së Kastriotëve, të
autorit Carlo Padgilione, libër të cilin ata e gjetën në Itali dhe e bënë
përkthimin në Shqipëri.
“Pema gjenealogjike e Kastriotëve, pasardhësve të Skënderbeut”,
një portret i panjohur i Skënderbeut (autor i të cilit është një fisnik
hungarez), si dhe tri emblema që ka përdorur Skënderbeu, të publikuara
për herën e parë (origjinalet e të cilave ruhen në Arkivin Sekret të
Vatikanit); këto janë risitë e librit “Skënderbeu dhe pasardhësit e tij”,
libër i shkruar një shekull e ca më parë nga një gjenealogjist italian. Ky
libër doli në dritë në kryeqytetin shqiptar, falë punës e kujdesit të dy
vëllezërve Naim e Sami Flamuri.
Zonja Vitore Stefa Leka, veprimtare humanitare e diasporës, ka
shkruar: “ Binjakët Naim dhe Sami Flamuri i njoha kur isha në Kongresin
e Parë të LSHB (Lidhja e Shqiptarëve në Botë), në Prizren. Gjithë ato
ditë që ndëjta aty, si dhe në Prishtinë, kohën e lirë pothuaj e kaloja me
ta. Më tërhiqte shumë jo vetëm thjeshtësia dhe mënyra e komunikimit
me grupin që i rrethonte, por dashuria e pakufishme që kishin për
Shqipërinë. Më thoshin se, për hir të çështjes së madhe kombëtare, ne
duhet të jemi e të mbesim të njësuar e të bashkuar, ashtu siç i ka hije një
populli të qytetëruar… Duhen mbrojtur në mënyrë më fanatike reliket
kombëtare, historike dhe etnografike, të cilat janë dëshmi e autoktonisë
dhe pranisë sonë të përhershme në Ballkan, si dhe dëshmi e një populli
të vjetër.”
Samiu dhe Naimi janë koordinatorë të LSHB-së me komunitetin
shqiptar në Australi, si dhe udhëheqës të këtij komuniteti. Në vitin 2000
binjakët Flamuri hapën për herën e parë në Australi TV e parë privat
dhe radion në gjuhën shqipe. Me përkushtimin dhe me punën e tyre të
palodhur si atdhetarë të vërtetë, kanë mbledhur e dërguar 2 milionë
dollarë për luftën çlirimtare të Kosovës.
Si udhëheqës të komunitetit shqiptar në Australi, vëllezërit Flamuri
organizuan të gjitha demonstratat e këtij komuniteti, dhe kjo e zgjoi
diplomacinë australiane. Në vitin 1999, mbas pamjeve trishtuese,
nëpërmjet ekraneve të TV, të gjendjes së shqiptarëve kosovarë në
kampet famëkeqe të “Bllacës” në Maqedoni, Samiu dhe Naimi dhanë
alarmin në qeverinë australiane, e cila deri atëherë, përveç premtimeve
verbale, asgjë konkrete nuk kishte marrë. Pasi vëllezërit Flamuri takuan
disa ministra të shtetit, si dhe senatoren australiane me origjinë kroate
Natasha Stot Despoja, u arrit që, në emër të qeverisë australiane, të
shkonte menjëherë një ekip në kampin e Bllacës për të mundësuar
evakuimin e 4000 refugjatëve kosovarë me “vizë speciale”, një “bill”
që u miratua për herë të parë në parlamentin australian. Të dy vëllezërit
Flamuri u bënë koordinatorët kryesorë për vendstrehimet e
kosovarëve, por ata u bënë edhe këmbëngulës që, të gjithë të
ktheheshin në Kosovën e lirë pas luftës, për të mos i lënë bosh vatrat
amtare.
Binjakët Flamuri kanë qenë edhe në Shqipëri, prapë si koordinatorë
të shpërndarjes së ndihmave për shqiptarët e përndjekur nga Kosova.
Njëkohësisht ata të dy u angazhuan edhe për të përndjekurit nga Peja,
duke i sistemuar në Ulqin.
“Ardhja jonë në Shqipëri, në nëntor të vitit 1999,-thotë Samiu,ishte
një ëndërr… një dëshirë që fillimin e mileniumit të ri ta prisnim në
“Atmëmëdhe”. Ishte i paharruar takimi me shumë intelektualë,
personalitete, historianë, deri edhe me presidentin e Republikës, zotin
Mejdani. Në takimin me prof. Moikom Zeqo, i cili në atë kohë ishte
drejtor i Muzeut Kombëtar, i dhuruam muzeut dy flamurë arkaikë, njëri,
flamuri i Skënderbeut dhe tjetri, flamuri i malësorit patriot Ded Gjo Luli
(i cili është ngritur më 1911 në Deçiq, një vit më parë se flamuri i Ismail
Qemalit). “Në Tiranë e gjetëm veten midis miqsh,- shton Naimi,- takuam
Fatos Arapin, Dhimitër Shuteriqin, Xhevahir Spahiun, prof. Ferid
Hudhrin, Arian Leken e të tjerë, si dhe Donika Bardhen, me të cilën
organizuam edhe festën e Vitit të Ri 2000, ku, bashkë me miqtë tanë
kaluam një natë të lumtur e mbresëlënëse në restorantin “Piazza” në
Tiranë.
Vëllezërve Flamuri, gjithashtu, u la kujtime të mira takimi me
presidentin Mejdani. Megjithëse koha e takimit ishte e caktuar për 15
minuta, Naimi e Samiu qëndruan në shoqëri të tij për gati dy orë. “Ai
dëgjoi me vëmendje e u interesua për aktivitetin tonë, -thotë Samiu,- i
treguam për librin që kishim në shtyp e ai na premtoi se do të merrte
pjesë në promovimin e tij… Presidenti gjithashtu na ftoi si “mysafirë
nderi” të merrnim pjesë në ceremoninë e fundit të festave të Nëntorit
për shekullin XX, në Pallatin e Brigadave”.
SHQIPËRIA – TEMPULLI KU HYHET
DUKE ULUR KOKËN
Më 7 janar 2000 bota letrare shqiptare e nisi me një ogur të mbarë
fillimshekullin e ri, duke hapur siparin e tij me librin “E përjetshme është
Shqipëria”, me autorë vëllezërit binjakë Sami e Naim Flamuri. Ky libër
prej 332 faqesh, me redaktor prof. Moikom Zeqon, ribotohej për herën
e tretë, më i plotësuar. Libri u prezantua në mjediset e Muzeut Historik
Kombëtar në Tiranë, ku ishin të pranishëm presidenti i Republikës
Rexhep Mejdani, si dhe historianë, shkrimtarë e figura të shquara të
artit e të kulturës. Tashmë ishte bërë e njohur për median e vendit se
binjakët Flamuri me banim në Australi, të cilët prekën për herë të parë
tokën Arbënore në moshën 30 -vjeçare, e sollën këtë libër në emër të
të gjithë mërgimtarëve shqiptarë në botë. Për këtë vepër, e shkruar në
stilin e bisedave eseistike, e cila i referohet kombit më të vjetër të
Evropës, autorët janë mbështetur në të dhëna burimore të plota, në një
bibliografi prej 100 titujsh, kryesisht të albanologëve anglezë.
Në parathënien e librit z. Bahri Brisku thekson se kjo vepër që i
ngjan një antologjie të çështjeve kombëtare, reflekton të dhëna
kronologjike lidhur me zhvillimin e kombit tonë, me të gjitha atributet
civilizuese duke e lartësuar këtë popull deri në altarin e kombeve më
fisnike.
Nga diskutantët, gjatë promovimit, u theksua se dalja e këtij libri
është një nismë që vlen jo vetëm për diasporën, por edhe për qarqet e
sistemeve të huaja informative, të cilët do të luajnë një rol për
sensibilizimin e problemit shqiptar në hapësirën ballkanike.
Gjate promovimit, botuesi i librit, z. Arian Leka , ndër të tjera tha:
“”E përjetshme është Shqipëria” nuk është thjesht një libër. Atë mund
ta quash edhe enciklopedi përmbledhëse të të gjitha tezave në dobi të
çështjes së kombit shqiptar, si një nga popujt më të lashtë të Evropës,
i cili gjithmonë dha, por kurrë nuk u shpërblye… Librin mund ta quash
edhe një bashkëbisedim të nivelit të ngritur-eseistik, për lartësimin e
ndërgjegjes kombëtare… Mund ta quash sprovë historie, mund ta quash
antologji të mendimit shqiptar, mund ta quash “kujtesë historike të
gjykuar emocionalisht” dhe “të shpjeguar me vargje poetësh”, mund ta
quash madje dhe indeks bibliografik… Ky libër është një ëndërr, madje
vazhdimi i një ëndrre të nisur herët, të ëndërruar nga shumë e shumë
shqiptarë… Kryefjala është Shqipëria e munguar dhe, kur ka qënë e
largët për tejqyren e mërgimtarit, e copëtuar, kurrë një, për zemrën e
copëtuar të shqiptarit…”
Së fundi, në diskutimin e saj znj. Engjëllushe Allo e vlerësoi librin si
një promemorie për gjithë inteligjencien shqiptare, si një shpresë e diell
për rininë shqiptare që nuk di nga ka ardhur e ku të shkojë… Ky libër
për ta është një abetare e nacionalizmës së nëpërkëmbur…, pasi, si
thotë edhe Naim Frasheri: “atë vlerë që i ep vehtesë një komb, atë i
njohin edhe të tjerët!”
Duke përfunduar, znj. Alla tha: “Si intelektuale, artiste dhe nënë
njëkohësisht, kam të drejtë të krenohem me ju bij nënë shqiptare, se
tek shkrimi juaj gjej zellin, vrullin, rininë, frymëzimin, trimërinë, guximin,
fisnikërinë dhe atmëmëdhedashurinë që e ka çdo shqiptar… Naim dhe
Sami…, puna juaj qëllon më fort se qindra pushkë…!”
Si autore dhe, si nënë, po ashtu, krenohem edhe unë me ju,
Naim dhe Sami!
* * *
Kjo është deri tash një pjesë e historisë së dy vëllezërve Sami e
Naim Flamuri, ëmnakëve frashërllinj, të cilët, të “ngarkuar” me
gjeografinë e “Atmëmëdheut”, udhëtojnë virtualisht e fizikisht nëpër botë
për të dhënë kontributin e tyre atdhetar, pa harruar të ndalen te foleza e
dashur e nanë Naxhijes dhe te varri meditues i babë Flamurit.
Në këtë botë të madhe ku jetojmë, ka kohë për lindje, ka kohë
për vdekje, ka kohe për plagosje dhe kohë për shërim.

Nga ROZI THEOHARI
Boston, tetor 2006