MUAJI KUR ÇDO GJË ISHTE NDRYSHE…

MUAJI KUR ÇDO GJË ISHTE NDRYSHE MUAJI KUR ÇDO GJË ISHTE NDRYSHE...NGA LIBRI KOHA E SHEGESAjo kohë para tërmetit që lëkundi dheun – terr-mbetit-zerzeles katastofale mbase do mbetet në rrëfimin tonë. Ajo kohë shkoi në harresë, por kujtesa ka rregulla të tjera. Mahallat në RAMAZAN ishin përplot fëmijë. Kalamajtë po si kalamaj. Ne loznim futboll me top prej leckash. Gjunjët i kishim të zes nga lëndimet. Çastet më rrëqethëse ishin kur vinte koha e fillimit të ngrënies pas agjërimit nga mëngjesi gjer në ngrysje. Atëherë ne fëmijët bërtitnim. “Shprishni, shprishni! Erdhi koha e shprishjes së nininmit!” Ne shpërndaheshim në të katër anët që të lajmëronim se mund të fillonin të hanin IFTARIN e shumëpritur. Mbajmë mend se rrugicat e Ulqinit kundërmonin nga aromat e mira të ushqimit të përgatitur për iftar. Gjithë ditën gratë-amviset ulqinake zienin, gatuanin, përgatisin kimë vosh, petlla me kas, patëllxhanë, bamje, bukë kallamboqi, valë, hashaf, petë me gjel, peshkun kapama me erza… Oh, sa për shije disa emra gjellësh i shkruam në ulqinakshe ashtu thjesht sa për shije, se ka ushqimi, po edhe gjuha ka shije – shije, po shije ama, deliciozo, siç thonë italianët. Ah, lëngu, me na dal prej goje si dikur fëmijë! Kur vinte vera, ne shkonim para qebaptoreve, që bënin mishin e bluar mbi qymyr.., erë thithëse, ndjellëse. Para se ta çonim bukën në shtëpi, ne ia hanim tulin dhe e bënim bukën vrimë, duke nuhatur “erën e qevapafe” të skarës.
Por ajo që ne prisnim më me dëshirë ishte iftari. Por kjo fjalë për ne fëmijët nuk kishte atë perceptim nga ai që ishin të rriturit për iftarin dhe krejt tjetër nga ata që e kanë mësuar këtë fjalë nga fjalori. Pikërisht për këtë përfytyrim na duhet të sistemojmë dhe të paraqesim paksa nga ky përfytyrim. Iftari pra, për ne ishte emër që do thoshte jo vetëm shpalljen se nata është më të ngrysur, nuk tregonte vetëm muzgun e vagulluar të diellit, faljen e mbrëmjes së nisur. Por ishte koha e lejim-kalimit, ishte liria, ishte koha kur i shihnim të afërmit tanë më me dëshirë e plot energji. Sigurisht ata kishin shumë arsye, por ne fëmijët kishim vetëm një: ishte vakti i fillimit të ngrënies pas agjërimit. Në vetvete kjo përmbante edhe rifillimin të jetës për ata dhe të festës apo fiestës, si i thoshim, për ne. Festa ku mblidheshim të tërë: farefisi me gjithë kushërinj, vizita të ndërsjella e shumë here. Për ne, kalamajtë ky ishte festivali i jetës, ishte panairi i ushqimeve dhe i pijeve, ishte parada-fashion e modës, vendi i lojërave dhe të grishurave. Të mëdhenjtë, burra dhe gra, hanin, nginjeshin dhe bënin humor dhe plane për të nesërmen, ndërsa ne fëmijët nuk kishim shumë plane për të bërë. Luteshim që moti të ishte i mirë që të luanim dhe që të kishte përsëri gjer nesër iftar. Ne nuk dinim se si e qysh ishte agjërimi, por më vonë morëm vesh dhe kuptuam se për shumë prej “agjëruesve” agjërimi nuk ishte një pastrimin shpirtëror. Nuk duam të lëndojmë kërkend, se e dimë se besimi është një devocion i madh dhe ndër ata që njohim ka shumë të devotshëm e të përkushtuar, por ne mësuar se ato ditë ndalimi e kufizimesh për disa qenë shndërruar thjesht në një digë që shtonte mezipritjen, padurimin e plotësimit të veseve të pangopjes, grykësisë dhe dyfytyrësimit. Ne kuptuam se jo pak prej tyre luteshin jo për agjërim të lehtë, por mbërritje të shpejtë të ditës së Bajramit. Eeee! Hehe! Kjo për faktin se atë ditë, “trimoshat” e dheut agjërimtar, i lëshoheshin “hallallit” të rakisë që, me thanë të drejtën, ishte tepër e rrallë në “kohë të proletariatit,” në vitet 70. Rakia u mungonte burrave me plëndësa të varur si vezirë që këndonin nëpër dhëmbë melodinë e zvargur të… “kur t’vij dita e Beromit, bashkë me lalën do pim’ rakij-e e pastaj do shkojm’ n’xhami-e” . Hipokrizi e gjallë.
Të kundërtën e iftarit e sillte syfyri që vinte me sy të rënduar, para se gdhinte dita dhe ishte koha përfundimtare kur mund të kesh takim me delikatesat që i ofrohen gojës plot tundim. Na kujtohet dhe e kemi ende në vesh ritmin paksa nervoz të tupanit që binte për të hapur dhe për të mbyllur syfyrin, thua se ky qe shpella e bollëkut dhe e pasurive – Suzami. Ishte Tahir magjypi ai që i binte lodrës. Ai na zgjonte për ngrënien e fundit para agimit të matjes, mëngjesit. Ishte sahat e shkuar sahatit dhe kushedi sa bekime e lëvdata merrte bonus për këtë shërbim. I shihnim se si ndizeshim një e nga një dritat e lagjes sonë dhe merrnim me mend se njerëzia qe mbledhur sërish rreth tryezës, edhe një herë bashkë para një dite të re. Kjo ishte një mrekulli që sot ka humbur a është rrudhur sa të zë malli të shohësh njerëz që rrinë bashkë. Në dhjetë ditët e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit bie përherë edhe “nata e madhe” apo nata e mirë apo e Kadrit, natë që në Ulqin shënohej e dëshmohej me ndezjen e të gjitha dritave “synave-kandilve” dhe llambave elektrike që i ka shtëpia. Kështu i tërë qyteti kremton natën e madhnueshme me pamje shpërthyese duke dhënë urime, duku u lutur të plotësohen lutjet, duke u lutur t’u pranohet sakrifica e agjërimit, gjithmonë me paqen në zemër e në emër të Zotit Një.

Pas kësaj vinte dita më e lumtur për fëmijët e qytetit, dita kur “kena m’u mush me pare”: dita e Bajramit, që simbolizonte për ne bakshishin, ëmbëlsirat, luleshegët, bakllavatë, tespiet, sarajëlit, kamkuqet si mos më mirë. Me qese për brezi, grupoheshim nga katër dhe ajo ditë ishte marrja e haraçit, që zakoni bënte të përgëzonim çdo shtëpi në Ulqin me shprehjen “me shnet Bajrami!”. “Po të kujt jeni?” – na pyetni amvisat, zonjat e shtëpive. Ne u tregonim, por askush s’kishte dëgjuar për Flamurin e kurbetit. Na jepnin bonbone, por ne donim para, se kështu ishte adeti. Çunat e tjerë mblidhnin më tepër se ne, se ne djemtë e Flamurit i kishim qeset e mbushura me bonbone dhe hekura të holla, që ndonjë përdëllimtare kujtohej të na jepte. Tri ditë rresht lodheshim duke bredhur nëpër tërë cepat e qytetit, më në fund, të lodhur pa masë, ato pak para që mblidhnim ia çonim nanës që t’i ruante. Po nga nanëmadhja e kishim porosi që nga droja ndaj Zotit disa nikla të holla t’i çonim në tyrben e shenjtorëve në ranë, që quhej “Tyrbja e Fanëve”, dy vëllezër të varrosur aty buzë plazhit të vogël. Aty gjithnjë ndizen qirinj dhe ndërrohen havljijat-peshqirët e temista-pastërta dhe kjo pamje neve na ngjallte një respekt të jashtëzakontë. U munduan njerëzit e çartur të qytetit ta zhduknin tyrben e Fanëve, por ata zhdukën veten. Të gjitha festat respektoheshin në Ulqinin tonë, sidomos ajo e Shin Gjergjit (Shën Gjergjit). Rasti për t’u thënë patjetër, o Zot! Tani ne fëmijët e mëhallës e dinim se ardhja e ngrohtësisë së stinës prandvera, sjell Shinjergjin e na befasonte me hithrat dhe lulet e vëna nga gjyshja në nënkresë të shtratit tonë. Njehnim-ngriheshim brof me këmbë të djegura. “Erdhi lum Shin Gjergji!” Por ne më shumë shendeshim se dinim që do përcillnim nga pas për të përjetuar ritin përvjetor nga axha Cuf Brahushi, që tërë rrugët, nga e reja, Meraja, Totoshi, Rana, Meterizi, Kroni Ballos (në Ulqin çdo çezmë e shtëpisë quhet kru dhe çdo nam e hankove të Ulqinit, kur bënin shamata u nëmnin e faronin me fjalën “blefsh ojë (ujin) qi pifsh”); sot njëmend po blejmë ujin që pimë, po shyqyr që ka), Prroni, Gjerana, Kalaja, shkonte me një kallam të gjatë në dorë me ‘aman, zaman, aman, zaman’, në këtë kallam mbante rubën në maje të saj, pra një fasoletë-mandilë të ngulur mbi kallam dhe trokiste trapazaneve-penxhereve të shtëpive ulqinake, ku ushtonte duke virrë me këngën, thirrjen, URATËN qindravjeçare:

Llaxare, Llaxare,
a ke pare, Cuf a’te?
Ej, Zat, si na re!
Kush ma dhashtë
nji kokërr ve,
i dhashtë Zoti nji pend qe.
Kush ma dhashtë
nji kokërr arrë,
i dhashtë Zoti nji djalë.
Kush ma dhashtë
nji kokërr fik,
I dhashtë Zoti një kaik (varkë me rrema)

Duke vazhduar rrugën, u fliste zonjave të shtëpive me fjalë të vjetra:
– BABROOUUU (Qite) vonë e Bajrakut! PALINAAA e Litit, PALINAA e Xhemalit, PALINA e Junuzit…” e tjera. Aman, zaman, e mbushte kaçilen me vezë, shportën me peshqeshe të llojllojshme, që i ndante me ne fëmijët, që shkonim pas tij. Shën Gjergji edhe tani festohet në Ulqin, po ku ta marrim ne axhë Cuf Brahushin? Kurrë s’do ta harrojmë! Tani e bëjmë edhe një kthesë ashtu sa për kujtesë ashtu mes thonjëzash e me kursiv: Është interesante të theksojmë se “Llaxare” lidhet ngushtë me rastin biblik të ringjalljes së Lazarit nga gjumi vdekjes, duke e këndell në jetë i biri i shën Mrisë, Jezusi, a.s – paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi emrin e tij! – edhe vezët e mbledhura për këtë rast simbolizojnë ringjalljen. Kjo këngë është kënduar në mbarë arbrit e motmotit.
Ecim sërish nëpër jetën tonë. Shtëpitë e atëhershme të Ulqinit ishin si kullat e gurta që gjenden sot në Berat e Gjirokastër, të katandisura si mos më keq. Ulqini i kishte gjithë kulmet e shtëpive me çati, ku trarët e trashë mbanin pullazet 100-vjeçare. Kur fillonte të binte shi, ne fëmijët e mëhallës rendim te shtëpia e Gjylit dhe ndërsa rrinim nën strehë, zgjatnim kokën e hapnim gojën se kush do të priste më shumë pika shiu në gojë. Kjo na argëtonte mjaft. Fitues kishte shumë, herë njëri e herë tjetri. Në kohën e arrave ne stivonim arrat alapingo-grumbull dhe me arra “koç” i gjuanim. Afrimi qëllonte si predhë dhe fitonte arrat e goditura mjeshtërisht. Dhe “vot’ e kuqe” për Pashkë ishin gjithashtu në shënjestër, që ne i gjuanim me qindarka të hekurta, nikla. Ulqinit i kanë mbetur ende dhe sot berberhanet–rrojtoret në rrugën e vetme kryesore të qytetit. Atëherë ato ishte vendi kryesor i zbavitjes, ku lexoheshin gazetat, bëhej “llafja”, politika e “shehrit”, përgojohej “shushe e marushe”…
Gjitoni ynë, axhë Nadil Kalabrezi, një burrë i moshuar që i shkëlqente çela jashtëzakonisht, kishte një radio të ardhur nga Shqipëria emrin “Iliria” (deri vonë na dukej se gjithë ilirët ishin aty në radien e Nadilit), që krenohej dhe na thoshte se “fashizmi asht’ zgjedhja ma e mirë për njerëzimin”. Na qethte tepër shkurt, ne u mpinim nga droja e gërshanve dhe, si zakonisht, në fund usta Nadili përdëllente dhe nuk na merrte para. Sot më duket sikur kjo ka ndodhur 1000 vjet më parë. Ku shkuan ato kohë? Na kujtohet se në ato ditë pazari të rrëmujshme, të mbushura kafshë e karroca me kuaj, ne fëmijët e lagjes së pluhurit të thatë zgjidhnim gajdhurët-gomarët e fshatarëve nëpër qytet. Të mjerët katundarë, kur ktheheshin, nuk kishin ku t’i gjenin. Eh, sa larg duken ato kohë! Sot në shekullin XXI katundarët nuk vijnë Pazar me kuaj, mushka e gomarë, ata vijnë me kamionë e “Volksvagen”. Rroftë argëtimi dhe zbavitja e shekullit të kaluar! Kur një herë na ra në dorë një top futbolli i vjetruar prej lëkure, që në ujë peshonte tre kilogramë, ne u mahnitëm dhe sytë na shkëlqenin. Luftonim kush t’i binte i pari, i thyenim dhe këmbët, po nejse, e donim atë top… Po tufat e qenve, që mbushnin dimrit rrugët e qytetit? Po micat, siç u themi ne në Ulqin maceve, që amvisat i ushqejnë me copa peshku (me ferra, kuptohet)?… Megjithatë kishte gjëra të mira në atë kohë, si për shembull edukata familjare dhe respekti për më të moshuarit. Besojmë se çdo brez vuan nga sindroma “kohërat e mira”. Mbase për ne, si fëmijë ishin kohë “frapante”, për tjerë mbase i kanë përjetuar si vite të vështira. Nejse, gjithkush të vetën. Jahu! Por pa mërzi le të bëjmë ca histori. (Hopa, edhe një bejte, po jo aq e kripur sa të Shkodrës!) Jo mërzitshëm, si në leksion, por ashtu, si bisedat dhe vetëm për ata që nuk kanë pasur rast t’i dinë. Ata që besojnë që i dinë, le të kthejnë fletën e të shkojnë drejt e në kapitullin tjetër. Ne duk duam të mësojmë e aq më pak të mërzisim askënd, por duam që si djelmosha të mëhallës të tregojmë atë që kemi parë nga dritarja jonë nëpër rrugicat e lagjes dhe qytetit tonë të dashur, Ulqinit. Kështu pra, Ulqini i shekullit të kaluar përveç rrëzave të malit ku vërtiteshin përposht’ ujët e kulluar të krojeve të shumtë, kishte mu brenda qytet, aty buzë Ranës së Vogël edhe fontanën, në plazhin e shehrit të bregdetit Adriatik. Kënaqeshim jo vetëm ne, por edhe zogjtë e qiellit. Ulqini vlonte nëpër stinët, gjithmonë njëlloj, i njëjtë, me po atë gjelbërim pashpjegushme për nga ngjyrat e kthjellëta dhe bojnat e ernave aromatike të oborreve. Këto oborre, përveç tandat (pjergullat) me çilek rrushi, kishin edhe hijeza të tjera. Lulet kundërmonin. Ishin lule vendi dhe lule të sjella ndër shekuj nga detarët dhe që hijeshonin dhe zbukuronin Ulqinin… Kjo ishte mirë e bukur, por e keqja e punës ishte se në Ulqin, bashkë me bukurinë është sindromi breshkës.!? Pyesni ju, çfarë pune ka breshka këtu!? Çfarë është kjo metaforë e breshkës? Doni të dini!? Duke e parë kalin tuj mbathë patkonjtë, mendoi ene ajo e bardhlumja, “me çu kâmbën” që të mund ti mbathte ato. E nuk mundet, medet! Ngriti këmbë edhe ajo. Kështu ngjet edhe në Ulqinin tonë. Ekziston pakëz breshkë edhe në popullsinë vendase, që duke mosvlerësuar drejt njerëzit dhe mundësit e veta, mbërrijnë deri te zhvlerësimi dhe humbja e virtyteve duke lakmuar dhe mburrur të huajt krejt vend e pa vend e duke ua dhënë po ashtu të gjitha, herë me pare e herë krejt badihava. Hajt breshkë, hajt. Të ka ardhur koha edhe ty! Dikur gabuam dhe nuk zumë mend dhe ja si paraqitet realiteti sot. Betoni është i pari, numër 1. Pastaj vjen babëzia, nakari, zilia, kojshia që janë ende në gjyqe të stërzgjatura me vite për dy metra katror. Gjithë ato hapësira tani u çimentuan në beton, u shtruan dhe mbyllën rrugët dhe rrugicat e panumërta për t’u bërë kate të shtëpive që në Ulqin. Dihet, pas çdo sezoni veror ulqinakët ia shtojnë dhe nga një odë apo dhe kat në dobi të vetes e në dëm të qytetit. I gjithë qyteti rënkon, ankon nga dhimbjet e sëmundjeve të panumërta që ky qytet kaq i pastër po ndotet në shpirt. Dhe tani vijmë nga sëmundja në “deken” e sigurt. Parulla e ditës është “ku rafsha mos u vrafsha”. Kur shohim e dëgjojmë këto nga fyti na del një ofshamë latine:

O URBEM VENALEM ET MATURE(BREVI) PERITURAM, SI SOLUM EMPTORUM INVENERIT(Lat.)
O I PRISHUN QYTET, QË SË SHPEJTI DO FUNDOSESH, VETËM NËSE I GJINDET BLERSI.

MUAJI KUR ÇDO GJË ISHTE NDRYSHE...NGA LIBRI KOHA E SHEGES