Na bijt e Flamurit

Vështrim kritik pas leximit të librit Koha e Shegës

-- nga ERMIR HOXHA, Shqip, 28.01.2008

Një njeri që ka emrin Flamur dhe mbiemrin Rama, nuk të thotë asgjë, nëse gërmon në histori. Dy djemtë e tij, Naimi dhe Samiu, nuk kanë pasur si synim të fusin babën në analet e historisë. Jo. Ata thjesht nga një talent i lindur për të shkruar, rrëfyer, nga një çiltërsi dhe sinqeritet i rrallë që i ka shoqëruar në jetë dhe ç’është më kryesorja, nga vetë rrjedha e pazakontë e jetës së tyre, kanë vendosur që atë ta ndajnë me të gjithë ata që do të lexojnë librin e tyre “Koha e Shegës”. Aty ngërthehen disa histori, që nisin nga një njeri, temperamenti dhe personaliteti i të cilit ka arritur të prodhojë një odise familjare të rrallë. Ai quhet Flamur Rama, një ulqinak, i cili, vetëm në vitet e fundit te jetës arriti të shijonte pak nga mirësia e kësaj bote, të gjetur te gruaja dhe fëmijët.
Në libër ata nuk kanë ngurruar ta quajnë babën e tyre një përbindësh, një përçues të ndjesive të tmerreve të ferrit të Dantes, por që tek e fundit ishte babai i tyre, për të cilin shpresuan gjer në fund se do të mund të kthehej në rrugë të mbarë, siç edhe ndodhi. Librin e tyre, Naim e Sami Flamuri (kanë preferuar të kenë si mbiemër emrin e babës), e kanë pasur të vështirë ta përkufizojnë dhe e kanë quajtur me disa emra si: Një ëndërr e shkruar, rrëfim, kronikë, epistolar, intermexo, por në fund, e kanë përmbledhur si një përrua të ndërgjegjes, siç mund ta klasifikonin psikanalistët.
Naimi dhe Samiu me të ëmën Naxhien
Por çfarë përmbledh në vetvete libri “Koha e shegës”?
Aty nga vitet ‘50-të, në Ulqin, jetonte një djalë me emrin Flamur Rama. Tip paksa i përkëdhelur, karakteri i tij nisi të formohej në atë që quhej jetë rrugësh e lokalesh. I dhënë pas alkoolit e bixhozit, ai bënte një jetë të parehatshme dhe aventurore. Por nuk mund të thuhej se ishte njeri i lig. Më saktë, shkonte kah tipologjisë së “të keqit të vetvetes”, sipas përshkrimit që i bëjnë fëmijët, Naimi dhe Samiu. Për shembull, ves i tij ishte qerasja e të gjithë lokalit, sa herë që kishte xhepat e mbushur me lekë. Ky ves e skllavëroi gjithë jetën, bashkangjitur të tjerave.
Në raste të tilla, familja mendon se Flamurin mund ta shtrojë ushtria, por kjo nuk ndodhi. Flamuri ishte besnik i vetvetes si para dhe pas ushtrisë, i atij që ishte gatuar me ndjenjën e të jetuarit, “ku rafsha mos u vrafsha”. Atëherë, hidhet hapi tjetër nga familja: Flamuri duhej martuar. Dhe kështu ndodhi. Ai martohet me Naxhijen dhe sipas përshkrimeve të të bijve në libër, Naxhija ishte një aso vajze plot virtyte, saqë ngase kishte atribute aq të larta njerëzore, duhej medoemos të kalonte një jetë aq të përvuajtshme, për t’i dalë në pah të gjitha ato virtyte.
Flamuri dhe Naxhija martohen, por familja në kuptimin e plotë të fjalës nuk dukej gjëkundi. Flamuri vijonte jetën e tij, si zog nate. Por një ditë, atij i fiksohet të largohet nga Ulqini e të shkojë në Australi së bashku me të shoqen. Dhe kështu bëjnë. Transferojnë jetën në atë vend të largët, ku në fakt, do të përvijohej një tjetër akt i dramës që sapo kishte nisur: Flamuri, jo vetëm që nuk do të mund të shtrohej as në emigracion, por do të avanconte dhe më tepër në vese, duke e hapërdarë jetën rrugëve, lokaleve e vatrave të bixhozit. Ndërsa e shoqja, Naxhija, vijonte të ish një zonjë shtëpie, e koduar me traditë për të mbetur aty, pa dalë prej pragu. Një ditë, ajo do të bëhej dhe nënë, duke lindur dy binjakë, por ideja se Flamuri në mos një bashkëshort shembullor, së paku do të bëhej një baba i mirë, ndonëse me pahir, mbeti thjesht një iluzion.
Naim dhe Sami Flamuri, fëmijë
Një histori jete, aventure dhe virtyti
Edhe pse ai i premtonte së shoqes se do shtrohej, fuqia e veseve e mbante gjithnjë përfund. Ja, natën e parë si baba, në vend që ta kalonte në shtëpi me dy bebet e në krah të gruas lehonë, ai shkon në një lokal nate, duke qerasur gjithë klientelën për gëz- imin e lindjes së dy binjakëve, por aty, nga dozat e tepërta të alkoolit, rrihet me ca boshnjakë dhe i godet ata me thikë. Siç e thonë dhe djemtë në libër, ata bekohen me gjakun e ca të huajve që hanë në trup thikat e babait të tyre.
Sakaq, vjen çasti i përzgjedhjes së emrave dhe ç’ndodh? Binjakët nën ethet patriotike të të atit, quhen njëri Naim e tjetri Sami. Por ky i fundit, pëson një “aksident”, që do ta vuante për shumë vite. Kur i ati do t’i shkruante emrin në gjendjen civile australiane, harron emrin Sami (ndoshta paksa i dehur) dhe e quan Sanije. Në regjistër dhe në pasaportë Samiu quhet Sanije dhe ai kështu do të thirrej edhe nga shokët e tij vitet e fëmijërisë, deri sa shkon në Australi në vitet e rinisë dhe bën “operacionin” e emrit në gjendjen civile. Familja e Flamurit e bërë e bukur nga ardhja në jetë e dy bebeve, nis e zymtësohet nga vështirësitë financiare. Naxhija e bërë nënë, kalon pragun e shtëpisë e futet në punë. Aty aksidentohet dhe i paguhet një dëmshpërblim.
Paratë merren nga Flamuri, i cili e trajton këtë rast si një dhuratë të Perëndisë, për ta bërë atë me lekë në xhep, sigurisht për t’i çuar në destinacionin e njohur: bixhoz/alkool. Dhe një ditë, ai vendos kthimin në atdhe. Kthimin në Ulqin. “Ti grua merr fëmijët dhe shko përpara, unë vij pas 6 muajsh”. Por Flamur Rama, jo vetëm që nuk do të kthehej, por do të zhdukej për 20 vjet, deri sa të bijtë rriten dhe vendosin ta gjejnë. Për Naxhijen me dy fëmijët nis një jetë tjetër, ajo e rritjes dhe edukimit të tyre; e ve me burrin gjallë, por pa e thënë kurrë një fjalë të keqe për të, ose të nxjerrë ndonjë flamë ndaj tij. Dhe një ditë, fëmijët rriten e kërkojnë nga e ëma të dinë për babain e tyre. Kur e kuptojnë se ç’udhë kishte marrë gjer atëherë fati i tyre, vendosin ta gjejnë babën. E gjejnë. Ai ishte po ai që kishte qenë dhe për dhjetëra vjet, kishte bërë një jetë pijaneci, bixhozxhiu dhe endacaku, duke provuar dhe burgun.
Kur fëmijët e njohin në vërtetësinë e tij tragjike, gati pendohen që e kishin takuar. Por fati i ndihmoi. Bëhen zot të vetvetes dhe arrijnë të rikrijojnë një familje. Marrin nënën në Australi, e ribashkojnë më burrin që e kishte braktisur aq pabesisht. Në zgrip të jetës, Flamuri vendos të mos pijë më e t’i afrohet të qenurit një prindi e bashkëshorti normal. Fëmijët e kthejnë edhe në Ulqinin e tij, që e kish lënë në vitet ‘50-të dhe atje ndërron jetë, duke qenë i pari shqiptar që çohet drejt varrit i mbështjellë me flamurin kombëtar.
Kjo histori njerëzore është boshti i librit “Koha e shegës”, por rreth tij, si copëza mozaiku, enden shumë histori, me shumë rrëfenja, deri dhe te zbërthimet akademike. Binjakët Naim e Sami Flamuri, kanë përfshirë në libër, jo thjesht jetën e prindërve të tyre, por edhe jetën vetë në shumë forma, përjetime, kthesa fatesh e histori absurde. Tek rrëfenja e pazakontë e tyre, gjendet Ulqini, fëmijëria në kalldrëmet e tij, forca tërheqëse e Kalasë, misteret e panumërta të saj. Libri herë merr trajta autobiografike, herë monografike, herë historikë, e herë akademike, herë shndërrohet në roman e herë në novelë, herë haset reportazhi e herë ditari. Por ajo që është befasuese, mbi të gjitha, është sinqeriteti. Binjakët Naim e Sami, nuk kanë rënë pre e asnjë truku e asnjë “etike” që do të bëhej pengesë për të thënë të troçtën edhe për gjëra në dukje të pahijshme.
Ata nuk janë kursyer sa me të atin për ta quajtur përbindësh, e jo më me disa njerëz të fisit, si për ndonjë nuse daje apo xhaje, të cilave ua kanë bërë portretin e negativitetit në karakterin e tyre. Janë shpërhapur gjatë librit në rrëfenja që nuk kanë pasur të bënin aspak me fatin e tyre, por që ishin e janë pjesë e identitetit të tyre, siç është fjala vjen, emri i Titos, një lideri që udhëhoqi shtetin e sajuar të Jugosllavisë, shtetas të cilit ishin. Ja si shprehen autorët në parathënie: “Nuk mendojmë aspak se kemi bërë të pabërën dhe të pabëshmen. Përkundrazi, kemi shkruar e rrëfyer vetëm hisen tonë, atë që Hyu e kishte ruajtur për ne, që pastaj ne ta shkruanim dhe ta zbulonim për ju. Ishte fati ynë gjithë ç’ka do të lexoni në këtë libër. Dhe historitë që fillojnë me fatin tonë, fatin e një familjeje, ndërthuren e lidhen me histori të tjera, më të mëdha, mbipersonale, që nga gjetja e varrit të humbur ku prehet shtati i motrës së Skanderbegut, që prej të dhënave mbi Otellon-Arapin e Venedikut që shkroi Shekspiri dhe që lidhej me vendin tonë, apo Servantesin e Don Kishotit -Servetin e Ulqinit.
Do të gjeni të pleksur me fatin tonë dhe fakte mbi Sabatai Zevin-Mesinë e pritëm apo të rremë, mbi tatalocin tonë mbrojtës - Gjon Bdek Buzukun (Buz-Ujkun) dhe lidhjen e tij me ne, sigurisht përmes Ulqinit (Ujk-Ulkinit), histori nga kishat e Shasit dhe liqene të fshehura nga syri i botës si dhe shumë e shumë ndodhi pak të njohura, të njohura dhe e të panjohura krejt, që këto vise të bekuara ruajnë, duke u hapur që prej kështjellës e deri në det, që nga AnaMali, krahu i Krajës së Shkodrës, e gjer në Grykëderdhje të Bunës, nga Qielli në Tokë”. Kështu shkruajnë autorët binjakë të librit “Koha e shegës”, metaforën e së cilës e zbërthejnë: “Të gjitha këto histori janë si kokrrat e një tjetër shege dhe rijnë ndryrë, në pritje të lexuesit, brenda kapakëve të librit, si brenda një shege të amël e të butë”.