Ndërroi jetë Shkëlqesia e tij Mitropolit Ilia i Filomilit
Me trishtim të thellë ju njoftojmë se në datën 6 Tetor, 2022, ndërroi jetë Hierarku ynë i dashur, Shkëlqesia e tij Mitropolit Ilia (Katre) i Filomilit, i Dioqezës Orthodhokse Shqiptare në Amerikë. Ai ishte 85 vjeç.
Zemrat tona janë mbushur me dhimbje ndërsa vajtojmë humbjen e papritur të Hierarkut tonë të dashur, por njëkohësisht jemi të mbushur me shpresën e Ngjalljes në Zotin dhe Shpëtimtarin tonë Jisu Krisht.
Mitropolit Ilia ishte një bashkëshort i respektuar, një baba dhe gjysh i dashur, një Episkop dhe bari shumë i nderuar dhe i dashur nga komuniteti ynë i kishës së Shën Nikollës por edhe më gjerë nga komuniteti Orthodhoks Shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Mbi të gjitha, ai ishte një i krishterë shembullor, i cili nëpërmjet shërbimit të tij të palodhur, fjalëve dhe predikimeve të tij mësimdhënëse, dhe dashurisë e dhembshurisë së tij të pakushtëzuar për të gjithë njerëzit, jetët e të cilëve ai preku, dha një shembull frymëzues për tu ndjekur nga të gjithë ne.
Kryepeshkopi Elpidophoros i Kishës Orthodhokse Greke në Amerikë, pasi mësoi lajmin e fjetjes në Zotin të Mitropolit Ilias, u shpreh me respekt të thellë si më poshtë:
“Jam thellësisht i trishtuar nga humbja e papritur e vëllait tim të dashur në Krishtin, Mitropolit Ilia i Filomilit. Ai ishte një hierark shembullor dhe njeri me besim të thellë, i cili kurrë nuk reshti së shërbyeri në Kishë. Ai ishte një mbështetës i zjarrtë i Seminarit Teologjik Grek Kryqi i Shenjtë, ku kalonte mjaft kohë duke celebruar shërbesat e shenjta dhe duke mësuar klerikët e ardhshëm të Kishës sonë. Kjo është një humbje e thellë për Orthodhoksinë në Amerikë. I paharruar qoftë kujtimi i tij!”
Shkëlqesia e tij Mitropolit Ilia u lind në 14 Korrik, 1937, në një familje emigrantësh Shqiptarë të cilët erdhën në Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullit të 20. Familja e tij besimtare, veçanërisht i jati, dhe pjesëmarrja aktive në jetën e kishës, ndikuan vendimin e tij për të ndjekur rrugën e priftërisë.
Pasi u diplomua me rezultate të larta nga shkolla e mesme, Ilia shkoi në Boston për të vazhduar studimet në Seminarin Teologjik Kryqi i Shenjtë. U diplomua pas gjashtë vjet studimesh dhe u martua me Helen në vitin 1962. Ata patën dy fëmijë së bashku. Po në vitin 1962 u hirotonis Dhjak në kishën Shqiptare të Shën Kollit në Çikago dhe me pas Prift në kishën e Shën Trinisë në Boston, ku edhe u caktua të shërbente si prift. Në 1983 ai mori një Master në Seminarin Teologjik Kryqi i Shenjtë dhe më pas u caktua Dekan i Kolegjit Helen. Në 1988 ai pranoi të shërbente si prift në kishën e Shën Gjon Pagëzorit në Las Vegas, Nevada, ku shërbeu deri në vitin 2002.
Me mbërritjen në Shqipëri të Kryepeshkop Anastasit si Ekzark i Patriarkanës Ekumenike, ai i shërbeu Kishës Orthodhokse atje gjatë viteve 1991-1992, duke kontribuar jashtëzakonisht në ripërtëritjen e jetës fetare dhe rregullit kishtar në Shqipëri, veçanërisht si Drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës, ku ai mësonte dhe drejtonte klerikët e ardhshëm.
Në vitin 2002, At. Ilia, tashmë i ve, u zgjodh unanimisht Episkop titullar i Filomilit nga Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike dhe u caktua të udhëhiqte Dioqezën Orthodhokse Shqiptare në Amerikë. Si vlerësim për kontributin ndaj Dioqezës Orthodhokse Shqiptare në Amerikë dhe për Orthodhoksinë më gjerë, Patriarkana Ekumenike e ngriti në rangun e Mitropolitit në vitin 2019.
Gjatë 60 viteve të shërbimit të tij ndaj besimtarëve dhe kishës, Mitropoliti ynë i dashur Ilia u tregua një bari me të vërtetë i përkushtuar ndaj tufës së tij dhe një shembull i ndritshëm besimi dhe mençurie. Ai do të përkujtohet gjithmonë për ngrohtësinë e tij dhe si një at i dashur në Krishtin për të gjithë ne.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!
Kisha e Shën Kollit,
Chicago, SHBA
Me keqardhje të thellë dhe me shpresë në Ngjallje, Eminenca e Tij, +ELPIDOFOROS, Kryepeshkopi i Amerikës, njofton se peshkopi i Peskopates Orthodhokse Shqiptare të Amerikes, Mitropolit +ILIA (Katre) i Filomilit ndërroi jetë papritur më 6 tetor 2022.
Kur dëgjoi lajmin, Kryepeshkopi tha:
"Jam shumë i hidhëruar për humbjen e papritur të vëllait tonë më Krishtin, Mitropolitin +ILIA i Filomilit. Ai ishte një hierark i pashembullt dhe një njeri me besim të thellë i cili nuk reshti asnjëherë t’i përgjigjej thirrjes për t’i shërbyer Kishës. Mitropoliti +ILIA ishte një përkrahës i zjarrtë i Hellenic College-Holy Cross Greek Orthodox School of Theology ku kaloi shumë kohë duke shërbyer dhe udhëhequr priftërinjtë e ardhshëm të Kishës sonë. Vdekja e tij është një humbje shumë e madhe për Orthodhoksinë e Amerikës. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!"
Mitropolit +ILIA, i përjetshëm qoftë kujtimi, do të sillet në Kishën Shën Trinia ditën e hënë, më datë 10 tetor. Besimtarët që duan t’i japin lamtumirën e fundit janë të ftuar të marrin pjesë në kishë nga ora 16:00 deri në oren 20:00. Në orën 19:00 do të kryhet trisai nga Hirësia e Tij, Peshkopi Athenagoras dhe seminaristët e shkollës Kryqi i Shenjtë.
Trupi i të ndjerit do të dërgohet në Las Vegas, Nevada ku do të kryhet shërbimi i funeralit. Homazhet do të bëhen të mërkurën, më 12 tetor, nga ora 16:00 deri në orën 20:00 në kishën St. John the Baptist Greek Orthodox Church (5300 El Camino Road). Të nesërmen, më 13 tetor, do të kryehet shërbesa e mëngjezores dhe Liturgjia Hyjnore duke filluar nga ora 8:30.
Mitropolit +ILIA do të prehet në Sault Saint Marie, Michigan.
Kisha e Holy Trinity,
Boston, SHBA
Ruaj Lidhjet