Përdorimi i armëve bërthamore taktike është më afër se kurrë – por sa ndryshe janë ato nga armët bërthamore që njohim dhe mbi të gjitha çfarë dëmi janë në gjendje të shkaktojnë?

Një luftë bërthamore taktike është më e mundur se kurrë dhe më shqetësuesja është se ajo po konsiderohet si një alternativë më pak e dëmshme dhe më pak shkatërruese – por sa e vërtetë është kjo?

Politikani rus dhe kreu i Republikës Çeçene, Ramazan Kadyrov, i kërkoi Putin ditën e djeshme, që ai të konsideronte përdorimin e armëve bërthamore taktike në Ukrainë, një ditë pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti i Lyman.

Në një postim të shpërndarë në Telegram, Kadyrov tha se ai beson se “duhen marrë masa më drastike, deri në shpalljen e ligjit ushtarak në zonat kufitare dhe përdorimin e armëve bërthamore me rendiment të ulët”.

Kadyrov është një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, i cili e emëroi atë për të qeverisur Çeçeninë gjatë trazirave të vitit 2007.

Komentet erdhën pasi Rusia humbi bastionin e saj Lyman në Ukrainën lindore pas një ofensive masive nga Ukraina.

Rusia ka arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë, duke përfshirë armët taktike bërthamore me rendiment të ulët të krijuara për t’u përdorur kundër ushtrive kundërshtare.

Aleatët e tjerë të lartë të Putinit, përfshirë ish-presidentin Dmitry Medvedev, kanë hedhur gjithashtu idenë se Rusia mund të ketë nevojë të përdorë armë bërthamore, por sugjerimi i Kadyrov ishte edhe më konkret.

Putin tha javën e kaluar se deklaratat e tij nuk ishin ‘një bllof’ kur ai u zotua të përdorte “të gjitha mjetet në dispozicion” për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë dhe 4 territoreve të reja ukrainase që u ankesuan prej tij së fundmi.

Nga ana e saj, SHBA-ja ka thënë se do t’i përgjigjet me vendosmëri çdo përdorimi të armëve bërthamore dhe ka kërcënuar “pasoja katastrofike” nëse Moska do të vendoste t’i përdorte ato.

Çfarë janë armët bërthamore ‘taktike’?
Armët taktike bërthamore u bënë sërish pjesë e diskursit ndërkombëtar, kur presidenti rus nisi të përballej me një luftë më të gjatë nga ç’mund ta kishte parashikuar në Ukrainën lindore dhe papritur nisi të bënte deklarata rreth mundësisë së përdorimit të këtyre armëve nëse ‘integriteti territorial i Rusisë kërcënohet’.

Putin tashmë e ka karakterizuar luftën në Ukrainë edhe si një betejë ekzistenciale kundër Perëndimit – duke shkuar aq larg sa e ka quajtur edhe ‘luftë të shenjtë’ konfliktin e tij kundër botës perëndimore, e cila sipas Putin ka për qëllim të dobësojë dhe shkatërrojë ekonomikisht dhe moralisht shtetin rus me të gjithë vlerat konservatore që ai pretendon se i disponon ndryshe nga perëndimi.

Por, armët taktike bërthamore nuk janë thjesht një lloj tjetër arme në një fushëbetejë.

Armët bërthamore taktike, që ndonjëherë quhen edhe armë bërthamore jo-strategjike apo me rendiment të ulët, janë krijuar për t’u përdorur në fushën e betejës – për shembull, për të kundërshtuar forcat dërrmuese konvencionale si formacionet e mëdha të këmbësorisë dhe armaturës.

Ato janë më të vogla se armët bërthamore strategjike, si kokat apo bombat bërthamore të njohura si warheads që barten brenda raketave balistike ndërkontinentale përpara lëshimit.

Ndërsa ekspertët nuk pajtohen në lidhje me përkufizimet e sakta të armëve bërthamore taktike, ato shpesh përshkruhen si armë me rendiment më të ulëta të eksplozivëve dhe me rreze më të shkurtër veprimi.

Armët bërthamore taktike ndryshojnë në rendiment nga fraksione prej 1 deri në rreth 50 kiloton, krahasuar me armët bërthamore strategjike, të cilat kanë rendiment që varion nga rreth 100 kiloton në mbi një megaton, megjithëse bomba edhe më të fuqishme janë zhvilluar gjatë Luftës së Ftohtë.

Për referencë, bomba atomike e hedhur në Hiroshima ishte 15 kiloton, kështu që disa armë bërthamore taktike janë të afta të shkaktojnë dëme të paparashikueshme.

Sistemet e shpërndarjes për armët taktike bërthamore gjithashtu priren të kenë rreze më të shkurtër, zakonisht nën 500 kilometra krahasuar me armët bërthamore strategjike, të cilat zakonisht janë të dizajnuara për të kapërcyer kontinente të tëra.

Cilat shtete zotërojnë armë bërthamore taktike?
Për shkak se forca shpërthyese e armëve bërthamore me rendiment të ulët nuk është shumë më e madhe se ajo e armëve konvencionale gjithnjë e më të fuqishme, ushtria amerikane ka reduktuar mbështetjen e saj tek to.

Pjesa më e madhe e stokut të saj të mbetur, rreth 150 bomba graviteti B61, është aktualisht e vendosur në Evropë.

Britania e Madhe dhe Franca kanë eliminuar plotësisht rezervat e tyre taktike.

Emri:  world-nuclear-forces-2022.jpg

Shikime: 89

Madhësia:  32.3 KB
Arsenalet bërthamore në vitin 2022 via Federation of American Scientists

Pakistani, Kina, India, Izraeli dhe Koreja e Veriut të gjithë kanë disa lloje të armëve bërthamore taktike.

Rusia ka ruajtur më shumë armë bërthamore taktike, që vlerësohet të jenë rreth 2,000 njësi, dhe është mbështetur më shumë tek to në strategjinë e saj bërthamore sesa SHBA-ja, kryesisht për shkak të armëve dhe aftësive më pak të avancuara konvencionale të Rusisë krahasuar me amerikanët.

Armët taktike bërthamore të Rusisë mund të vendosen në anije, avionë dhe forca tokësore. Shumica janë të vendosura në raketa ajrore dhe tokësore, raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, bomba graviteti dhe ngarkesa në thellësi të dorëzuara nga bombardues me rreze të mesme dhe taktike, ose silurët kundër anijeve dhe nëndetëse detare.

Këto raketa mbahen kryesisht në rezervë në depot qendrore në Rusi.

A janë ato thjesht një tjetër lloj arme që mund të përdoret në luftë?
Armët bërthamore taktike janë në thelb më shkatërruese se homologët e tyre konvencionalë edhe me të njëjtën energji shpërthyese.

Shpërthimet bërthamore janë 10 deri në 100 milionë herë më të fuqishme edhe sesa shpërthimet kimike dhe lënë pas pasoja vdekjeprurëse të rrezatimit që do të kontaminonin ajrin, tokën, ujin dhe furnizimet ushqimore, të ngjashme me shkrirjen katastrofike të reaktorit bërthamor të Çernobilit në vitin 1986.

Të bazuar në këto të dhëna, a mundet ndonjë armë bërthamore të quhet thjesht taktike?

Vështirë se po.

Pyetja thelbësore në fakt është nëse këto armë ‘taktike’ bërthamore po konsiderohen më të përshtatshme dhe më praktike për t’u përdorur – madje nëse ato po konsiderohen edhe si të lejueshme, vetëm sepse kanë disa karakteristika apo një rendiment sado pak me të ulët se sa armët bërthamore strategjike?

Përgjigja e kësaj pyetje është ajo që i shqetëson të gjithë në këto momente, dhe mundësia e përdorimit të tyre në Ukrainë nga Putin – gjë e cila mund të shkaktonte shpërthimin e një lufte të gjithanshme bërthamore që do ta çonte të gjithë botën drejt shkatërrimit.

Vetë ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, deklaroi në vitin 2018 se: “Unë nuk mendoj se ka ndonjë gjë të tillë si një armë bërthamore taktike. Çdo përdorim i armëve bërthamore në çdo kohë është një ndryshim strategjik i lojës.”

Euronews.al