Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Radikalizmi në internet: Jeta e hidraulikut që akuzohet për "propagandë xhihadiste"

    Si u transformua hidrauliku 30-vjeçar nga një familjar i qetë dhe praktikant i fesë Islame në të dyshuar për shpërndarje të propagandës radikale përmes rrjeteve sociale.

    Nga Geri Emiri

    Emri:  radikalizimi-info-grafik--2048x1448.jpg

Shikime: 130

Madhësia:  50.8 KB
    Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN.

    Më 2 gusht në muzg, Bledar Zeneli dhe babai i tij ishin duke kryer faljen e namazit të akshamit, kur një grup policësh trokitën në shtëpinë e tyre në zonën e ish-kënetës në Durrës.

    Oficerët e policisë qëndruan në korridor derisa burrat mbaruan faljen. Më pas, ata i komunikuan urdhrin e ndalimit 30-vjeçarit Zeneli dhe i shtrënguan prangat nën akuzën e “nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

    Babai i tij, Osmani, kujton se mbeti i shtangur.

    “Kishte shumë policë, civilë dhe me uniformë,” tha Osman Zeneli nga shtëpia e tij në periferi të Durrësit. “E kontrolluan të gjithë banesën dhe morën një lap-top, telefonin dhe ca libra fetarë, se çfarë do gjenin tjetër?” shton ai ende i habitur.

    Arrestimi i Bledar Zenelit u firmos nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas një hetimi 2-vjeçar të agjentëve të Antiterrorit. Ai akuzohet se përdorte llogaritë e tij në Facebook, Twitter dhe Telegram për të shpërndarë materiale propagandistike radikale në mbështetje të Shtetit Islamik dhe kundër koalicionit global antiterrorizëm. Zeneli i mohoi akuzat në gjykatë dhe pretendoi se “shpërndante ajete kuranore”.

    Pas rënies së Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, radikalizmi në internet konsiderohet një prej rreziqeve kryesore të ekstremizmit të dhunshëm. Kodi Penal e adreson këtë rrezik dhe prokuroria shqiptare ka ndjekur disa raste të izoluara përgjatë viteve të fundit, por pak prej tyre kanë pasur sukses në gjykatë.

    Në zonën e ish-kënetës në Durrës, Bledar Zeneli njihet si djalë i qetë, besimtar praktikant dhe baba i dy fëmijëve, që e shpenzonte kohën duke punuar si hidraulik në projekte ndërtimore. Të habitur nga akuzat, familjarët, fqinjët dhe klerikët në zonë mohojnë që ai të kishte prirje ekstremiste.

    Resul Çela, imami i xhamisë Nur që frekuentohej më parë nga Zeneli, shpreh shqetësimin se materialet që qarkullojnë në internet po i infektojnë besimtarët. Por Çela nuk sheh dallim mes Zenelit dhe besimtarëve të tjerë, ndërsa i krahason komentet e tyre në rrjetet sociale me qëndrimet kontroverse ndaj koronavirusit gjatë periudhës së pandemisë.

    “Informacionet në internet po i keqinformojnë besimtarët, të cilët shpesh nga euforia dhe mungesa e informacionit mund të bien pre e rishpërndarjes së informacioneve me qëllime dashakeqe,” tha imami Çela për BIRN.

    “Ky [Zeneli] është njëlloj si të gjithë individët e tjerë, të cilët janë të infektuar momentalisht me të pasurit e një njohurie, por pa u thelluar,” shtoi ai.

    “Në Facebook postohet çdo lloj gjëje”

    Emri:  Lagjja-ne-te-cilen-banonte-Bledar-Zeneli.-Foto-Geri-Emiri-1140x760.jpg

Shikime: 87

Madhësia:  39.0 KB
    Lagjia ku banon Bledar Zeneli në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Foto: Geri Emiri.

    Familja Zeneli e ka origjinën nga fshati Dardhë i Librazhdit dhe është zhvendosur në zonën e ish-Kënetës në Durrës në fillim të viteve 2000. Kryefamiljari Osman Zeneli e siguroi jetesën duke shitur kallinj misrash të pjekur për pushuesit në plazhin e Durrësit, ndërsa i biri punon si hidraulik që prej kohës kur përfundoi shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela”.

    Osman Zeneli i tha BIRN se familja e tij kishte qenë tradicionalisht e lidhur me besimin dhe se nëna e tij agjëronte fshehurazi edhe gjatë regjimit komunist, kur besimi ishte i ndaluar. I biri nisi të shfaqte më shumë interes për fenë në moshën 20-vjeçare, kur nisi leximin e Kuranit, mësimin e faljes dhe mbajtjen e agjërimit përgjatë muajit të Ramazanit.

    Osmani e përshkruan besimin e tyre si diçka personale; ku babë e bir shkonin në xhami, nuk kishin interes për konfliktet globale dhe bënin muhabet e pinin kafe edhe me ata “që nuk janë myslimanë”.

    Ai thotë gjithashtu se përveç besimit, Bledari ishte gjithashtu i lidhur me punën.

    “Me rroba llaçi ikte në mëngjes, e me rroba llaçi vinte pasdite, kjo është jeta e Bledarit. Kjo është jeta jonë, jeta e punëtorit, që bën një njeri normal,” tha ai.

    Fqinjë të familjes Zeneli tregojnë se Bledari ishte thelluar në besim gjatë viteve të fundit; ai nuk nxirrte më raki për miqtë dhe fliste shpesh për fenë. Por ata e përshkruan 30-vjeçarin si njeri të qetë dhe korrekt dhe e quajtën ‘budallallëk” akuzën e Prokurorisë.

    Haxhi Pici, fqinj i afërt i familjes Zeneli, i tha BIRN se kishte mbetur i habitur natën që policia e arrestoi Bledarin.

    “Nuk e imagjinoja, ky u bë 20 vjet që jeton këtu dhe nuk di të jetë kamikaz, të merret me drogë apo prostitucion,” mbledh supet Pici.

    Mosbesimi i Picit u rrit kur mësoi se fqinji i tij u arrestua dhe po qëndron në qeli për postimet në rrjetet sociale.

    “Në Facebook postohet çdo lloj gjëje,” tha Pici i habitur, ndërsa shtoi: “shqiptarët s’kanë lekë të hanë bukë, këtu sot [në lagje] nuk kanë drita e ujë”.

    Imami i xhamisë Nur, që ndodhet pranë shtëpisë përdhese të Zenelit, i tha BIRN se Bledar Zeneli ishte larguar nga xhamia e tij prej dy vitesh, por ai shtoi se nuk e mban mend si besimtar “me sjellje jashtë kuadrit të islamit”.

    “Si të gjithë besimtarët e tjerë që merrte informacione, vinte dhe pastaj ka shkuar në xhami të tjera,” kujton Çela.

    Megjithatë, kleriku apelon që besimtarëve si Zeneli nuk duhet t’u vihet veshi dhe as të ndiqen në rrjetet sociale.

    “Nëse nuk njeh kontekstin e fjalisë, del jashtë saj, sidomos me videot e shkurtra. Qoftë edhe gjatë ligjërimit, nëse t’i i merr vetëm një fjalë imamit, atëherë devijon,” shpjegoi ai.

    Akuza ndaj Zenelit


    Emri:  Xhamia-Nur-prane-baneses-se-Bledar-Zenelit.-Foto-Geri-Emiri-1140x760.jpg

Shikime: 89

Madhësia:  44.7 KB
    Xhamia Nur e frekuentuar deri dy vjet me parë nga Zeneli. Foto: Geri Emiri.

    Shqipëria u ekspozua ndaj ekstremizmit të dhunshëm në fillim të viteve 2010, ku dhjetra besimtarë shqiptarë iu bashkuan grupeve terroriste në Siri dhe Irak, fillimisht si luftëtarë të Al Nusra-s dhe më pas të ISIS.

    Pas përfundimit të luftës, vendi po përballet me sfidën e adresimit të pasojave që ajo ka shkaktuar tek një grup i besimtarëve të komunitetit mysliman.

    Gjatë viteve të fundit, agjencitë ligjzbatuese kanë hetuar disa raste për veprën penale “nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, e cila parashikon dënime nga katër deri në dhjetë vjet burg.

    Por ekspertët e sigurisë i konsiderojnë këto si raste të izoluara dhe nuk vërejnë trende shqetësuese për vendin.

    “Nuk e shoh si një trend, mund të ketë raste sporadike por janë më tepër si shkak i injorancës apo i interpretimit tepër të ngushtë që individë të caktuar bëjnë, por nuk mund të themi se kemi një ekspansion të thirrjeve për dhunë, vrasje dhe të tjerave me radhë,” tha Fabian Zhilla, ekspert me Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

    Zhilla shtoi gjithashtu se autoritetet duhet të ndajnë radikalizmin nga ekstremizmi i dhunshëm, i cili shfaqet përmes mospranimit të besimit të tjetrit dhe ndërmerr veprime të dhunshme.

    “Rastet duhen vlerësuar me kujdes nga autoritetet për nivelin e rrezikshmërisë dhe proporcionalitetit të ndërhyrjes,” shtoi ai.

    Pas arrestimit në shtëpinë e tij në zonën e ish-Kënetës, Bledar Zeneli u la në qeli nga Gjykata e Posaçme dhe ajo e Apelit, ndërsa çështja e tij është transferuar në Durrës. Akuza ndaj tij bazohet te monitorimi i llogarive të tij në rrjetet sociale si dhe te hetimi i kryer nga Antiterrori përmes metodave speciale.

    Në Facebook, rrjetin social më popullor në Shqipëri, i akuzuari njihet me emrin Bledar O Zeneli dhe shpërndan përgjithësisht predikime të klerikëve dhe video propagandistike të gatshme nga interneti.

    Në një postim të 28 shtatorit 2020, Zeneli shprehej i çuditur me paragjykimet për besimtarët myslimanë.

    “Çuditem me disa njerëz. I shqetëson mjekra e Muslimanit, apo mbulesa e Muslimanes, ndërkohë nuk shqetësohet për shtëpinë e vet në të cilën me kohë i ka rënë “zjarri” dhe që shumë larg i duket tymi,” shkruante ai.

    Ndërsa në shkurt të vitit 2021, ai shpërndau një video me logon e “Yeta Media” dhe me përshkrimin: “Vërtet, mallkimi kundër teje qoftë deri në ditën e gjykimit”.

    Babai i të akuzuarit, Osman Zeneli thotë se i biri nuk kishte asnjë qëllim të keq dhe se kishte në fokus vetëm rishpërndarjen e informacioneve me karakter fetar. “Ajetet Kuranore nuk janë të ndaluara mër burr, nuk besoj të jenë ndaluar,” tha Osmani për BIRN. “Ato ajetet nuk i ka nxjerrë djali im, ajetet kuranore kanë sot e 1000 e ca vite që kanë dalë. Ato janë në libra, kështu i bie që të largosh Kuranin,” shtoi ai.

    Ai shprehet gjithashtu i habitur sesi SPAK dhe Gjykata e Posaçme ju dedikuan hetimit dhe gjykimit të rastit të të birit.

    “Thjesht ne nuk rrijmë me ligjet, ne nuk merremi me ligjet, ne i përkushtohemi jetës së përditshme o burazer,” përfundoi ai.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Radikalizmi në internet: Jeta e hidraulikut që akuzohet për "propagandë xhihadiste"

    SPAK dërgon në gjyq Bledar Zenelin për ‘propagandë xhihadiste’

    Prokuroria e Posaçme e akuzon Bledar Zenelin se në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar bënte postime publike nëpërmjet rrjeteve sociale ku shprehte simpati të hapur për sulmet terroriste.

    Nga Edmond Hoxhaj

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 2 maj përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të të pandehurit Bledar Zeneli, i akuzuar për ‘propagandë xhihadiste’.

    Sipas SPAK, Zeneli në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, bënte postime publike nëpërmjet rrjeteve sociale duke shprehur simpati të hapur për sulmet terroriste të ndodhura në vitin 2020 në Nicë të Francës dhe në Vjenë të Austrisë. Këto postime i ka kryer në profilin Elezi Ibrahimi në Facebook.

    SPAK e akuzon Zenelin për veprat penale të “Nxitjes, thirrjes dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Falsifikimi i letërnjoftimit, pasaportave ose i vizave” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.

    Pas rënies së Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, radikalizmi në internet konsiderohet një prej rreziqeve kryesore të ekstremizmit të dhunshëm. Kodi Penal e adreson këtë rrezik dhe prokuroria shqiptare ka ndjekur disa raste të izoluara përgjatë viteve të fundit, por pak prej tyre kanë pasur sukses në gjykatë.

    BIRN

Tema të Ngjashme

  1. Pse akuzohet "Vetëvendosje" tash nga kjo qeveri?
    Nga beni33 në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 78
    Postimi i Fundit: 05-06-2011, 18:14
  2. Qarkullojnë në Internet njoftime të "Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare"
    Nga RaPSouL në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 05-05-2010, 08:05
  3. Ndahet nga jeta Vebi Velija, presidenti i televizionit "Alsat"
    Nga Alienated në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 16-05-2009, 14:42
  4. Propaganda xhihadiste shqiptare në Internet
    Nga GL_Branch në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 110
    Postimi i Fundit: 07-03-2008, 15:21
  5. Zbulohet drogë në "Internet-Kafe"
    Nga biligoa në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 02-12-2007, 19:20

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •