Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,347
    Postimet në Bllog
    17

    Skandali: Burime amerikane tregojnë se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë PD-në e Lulzim Bashës

    Emri:  dollare-933x445-1.jpg

Shikime: 170

Madhësia:  51.8 KB

    Nga “Zëri i Amerikës”-

    Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

    Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.

    Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.

    “Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.

    Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.

    Firma lobuese amerikane kishte dekaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo kishte marrë gjithsej tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

    Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera, sipas deklararimit janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

    Në një artikull të gjatë hulumtues rreth këtyre pagesave për Muzin Capitol, revista amerikane Mother Jones ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci, për aktivitete lobimi në favor të PD-së para zgjedhjeve të vitit 2016 në Shqipëri, qëndronin biznesmenë rusë.

    Në deklarimet e firmës Muzin për Departamentin e Drejtësisë thuhet se pagesa ishte bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.

    Autoritet shqiptare hapën hetime lidhur me këto pagesa, duke thënë se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke iu shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”.

    Më pas prokuroria u tërhoq nga akuza për pastrim parash dhe Gjykata pushoi çështjen e ngritur për falsifikim dokumentash ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishajt lidhur me pagesat për firmën Muzin.

    Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë shpjegime të ndryshme për pagesën 500 mijë dollarëshe, duke u shprehur në fillim se ajo u dha nga shqiptaro-amerikanët, por më pas është shprehur se “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

    Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnja dhe Mali i Zi, respektivisht për financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorak Dodik për zgjedhjet e vitit 2018 dhe fonde për partinë pro-ruse Fronti Demokratik.

    Zyrtari amerikak tha për median se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me aleatë dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për rrezikun e financimit rus për partitë politike.

    “Ajo që është më tronditëse për këtë studim është se shohim praninë e financimit të fshehtë rus në mbarë botën… Po i paralajmërojmë këto parti të huaja dhe kandidatë se nëse pranojnë fshehurazi paratë e Rusisë. Ne kemi mundësinë t’i ekspozojmë, dhe do t’i ekspozojmë”, shtoi ai.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,347
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Skandali: Burime amerikane tregojnë se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë PD-në e Lulzim Ba

    VOA/Financimi i PD nga Rusia, Basha e mohon. Berisha: Të rihapet hetimi

    Emri:  Capture-94.jpg

Shikime: 73

Madhësia:  27.5 KB

    Nga Zëri i Amerikës

    Në Shqipëri, ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili udhëhoqi këtë forcë politike nga viti 2005 deri në mars të 2022, kur dha dorëheqjen, mohoi sot informacionet e bazuara në një raport amerikan të zbulimit, të bëra të ditura mbrëmë, nga një burim i qeverisë amerikane, se “në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”.

    Në një postim në Twitter, zoti Basha shkroi se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”. Viti 2017, përkon me deklarimet e firmës lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’, se në atë vit, ajo kishte marrë tre pagesa, me një vlerë totale prej 675 mijë dollarësh për të punuar në favor të Partisë Demokratike. Kjo e fundit ka pranuar pagesën e vetëm 25 mijë dollarëve, ndërkohë që kompania Muzin, ka deklaruar se 150 mijë dollarë janë paguar përmes shoqërisë ‘Biniatta Trade LP”, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Investigime të ndryshme mediatike në atë kohë, ngritën dyshime për fije të shumta lidhjesh të kompanisë Biniatta, të cilat çonin drejt Rusisë.

    Akoma më i paqartë mbeti burimi i 500 mijë dollarëve të tjerë që sipas ‘Muzin Capitol Partners’ ishte paguar direkt nga PD. Në dokumentin që firma Muzin ka paraqitur në Departamentin e Drejtësisë figuron shifra 500 mijë dollarë dhe thuhet se ajo është bërë nga Partia Demokratike. Megjithatë shifra prej 500 mijë dollarësh figuron në kontratën me Biniattën dhe jo me PD-në, sipas Mother Jones.

    Për to zoti Basha dha dy shpjegime të ndryshme. Në nëntor të vitit 2017 ai e kishte shpjeguar pagesën me fonde të mbledhura nga një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, pa kaluar përmes PD-së. Ndërsa në mars të vitit 2018 deklaroi se “çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”.

    Në reagimin e sotëm, zoti Basha vë në dukje se dhe hetimet për këtë çështje në Shqipëri, nuk kishin zbuluar asnjë financim rus. “Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja”, shkroi ai në postimin e tij në Twitter.

    Zoti Basha u mor i pandehur nga Prokuroria e Tiranës në qershor të vitit 2019, dhe në një replikë ndaj deklarimeve të tij, Prokuroria u shpreh se përmes një komunikate zyrtare se “PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin”, theksohej në deklaratën e prokurorisë. Në Janar të vitit 2020 Gjykata e Tiranës, pushoi çështjen, ndërkohë që vetë prokuroria u paraqit me dy qëndrime të ndryshme.

    Por sot, Partia Demokratike, e cila drejtohet tanimë nga ish kryeministri Sali Berisha, duke komentuar informacionet e fundit nga Shtetet e Bashkuara për këtë çështje foli për “akte personale të Lulzim Bashës”, të denoncuara dhe më parë. “Gjithë përgjegjësitë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve”, u shpreh PD-ja përmes një deklarate të zëdhënëses së saj Floriana Garo.

    Partia Demokratike tha se “kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë”, ndërsa njoftoi se “do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm. Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet”, u shpreh zonja Garo.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,347
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Skandali: Burime amerikane tregojnë se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë PD-në e Lulzim Ba

    Basha, para nga Kremlini/ Si qëndron e vërteta

    Emri:  financimet-ruse-basha.jpg

Shikime: 72

Madhësia:  30.2 KB

    Një kronikë e Zërit të Amerikës, se PD ka marë fonde nga Rusia ka rihapur një debat që del në sipërfaqe dhe zhduket në mënyrë periodike që prej vitit 2018. Këtë herë media amerikane në gjuhën shqipe i referohej një raporti të zbulimit amerikan, i cili analizonte financimet e Moskës “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”. Sipas një zyrtari të Qeverisë amerikane në kushtet e anonimatit: “Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”.

    Kaq është dashur që ky lajm të rindezi luftën e brendshme politike. Nëse katër vite më parë ishin socialistët që e sulmonin ashpër Lulzim Bashën se donte të zhvendoste aksin pro përendimor të Shqipërisë, tani janë vëllezërit e tij armiq të foltores që po bëjnë me zell të njëjtën gjë. “Partia Demokratike është forca e parë euro- atlantike në Shqipëri, propozuesja e parë ndër vendet ish- komuniste e planit për anëtarësim në NATO dhe Komunitetin Europian. Si e tillë, Partia Demokratike deklaron se, pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës.

    Gjithashtu, Partia Demokratike ka denoncuar përdorimin e kësaj afere per marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike”, thuhej në deklaratën e selisë blu.

    Nga ana e tij Basha bëri një përgënjeshtrim formal duke thënë se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus” dhe duke pretenduar se ajo ka bashkëpunuar me drejtësinë duke zbardhur këtë aferë.

    Por deklaratat e të gjitha palëve duhen marrë me rezervë. Së pari sepse mbështetësit e Berishës që e akuzojnë Bashën sot, në 2018 kur plasi ky denoncim e mbronin atë në të gjitha format duke pretenduar se kjo ishte një lojë e mediave të financuara nga Soros. Pra ata janë pak të besueshëm se përdorin standarte të dyfishta. Nga ana tjetër, ish kreu i PD e ka humbur koherencën sepse ka dhënë versione të ndryshme për këtë ngjarje.

    Basha është shprehur në fillim se ajo u dha nga shqiptaro- amerikanët, por më pas bëri në piruetë duke ia lënë topin në derë kompanisë lobuese: “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, ka qenë qëndrimi i tij.

    Po atëherë cilit version i duhet besuar? Lapsi.al ka bërë një ballafaqim të fakteve dhe të mundësisë që ka pasur PD për të marrë financime nga Moska. E vetmja indicie që ekziston për këtë është një artikull që revista “Mother Jones” e publikoi në mars 2018.

    Në atë investigim tregohej mënyra se si PD kishte paguar për të lobuar në SHBA, duke siguruar një foto të Bashës me presidentin Trump para fushatës zgjedhore 2017, disa artikuj në shtypin amerikan si dhe kontakte me kongresmenë dhe senatorë. Gjithsej bëhej fjalë për 675 mijë USD. Pra mendimi i parë që të shkon në mendje është se bëhet fjalë për të njëjtën pistë që investigoi “Mother Jones”, që e rimori më pas edhe New York Times. Sepse shifra është e përafërt me gjysëm milionshin për të cilin foli zyrtari anonim në Zërin e Amerikës në Shqip.

    Por ama këtu ka një problem. Po t’i rikthehesh investigimit të revistës amerikane nga ai del se vetëm një shifër fare e vogël e kësaj shumë mund të ketë një përkim me rusët. Artikulli i “Mother Jones” ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me bazë në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. “Biniatta Trade LP” ishte një nga pagueset e shumës 675 mijë euroshe që i ishin derdhur për llogari të PD-së, firmës lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’.

    Sipas deklarimeve të vetë firmës lobuese, ajo i ka marrë pagesat në tre këste gjatë vitit 2017. Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

    Pra sikurse shikohet nga këto të dhëna, më problematikja për aferën ruse del pagesa e parë e kryer nga ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale.

    Sipas investigimit të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev (edhe skema e pagesave sipas “Mother Jones”/poshtë).

    Emri:  albania-chart-both-630-11.jpg

Shikime: 68

Madhësia:  43.2 KB

    Pra sikurse shihet, edhe nëse do kishte ndonjë dyshim, ai nuk është për gjysëm milioni USD, por vetëm për 150 mijët e paguara në 24 mars 2017 nga firma ‘Biniatta Trade LP”, që ishte një kompani guackë e dy kompanive të tjera me pronarë me origjinë ruse. Po vetëm për këtë shifër të jetë ndërtuar kjo skemë dhe vetëm me kaq para do destabilizone Moska vendin tonë?

    Pretendimi duket qesharak. Më i mundshëm në këtë histori plot dritë hije është versioni tjetër. Që PD të ketë përfituar nga para oligarkësh shqiptarë, të cilat për t’i dërguar në SHBA tek lobuesi Nik Muzin, duhet t’i pastronte në një zinxhir guackash. Dhe njëra nga hallkat e zinxhirit mund të ketë qëlluar me pronarë rusë, që mund të hedhë hije dyshimi por që nuk është aspak një provë se PD-ja e Bashës është financuar politikisht nga Moska.

    Lapsi

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,347
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Skandali: Burime amerikane tregojnë se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë PD-në e Lulzim Ba

    Berisha pyetet për financimet ruse të PD-së. Ish-kryeministri rrëfen bisedën me Bashën

    Në daljen e sotme për mediat, kreu i PD-së është pyetur nga gazetarët lidhur me financimet ruse të Partisë Demokratike.

    “Lidhur me aferën Basha në vitin 2018, Donald Lu më solli në zyrë një dosje me artikull të portalit Mother Jones që ai të lobojë për PD dhe Bashën, në dosje veç artikullit të Mother Jones dhe të një flete që tregonte se Nick Muzin nuk kishte asnjë dokument lidhur me këtë aferë. Basha i pyetur nga unë se si qëndron çështja, ai më deklaroi se paratë e paguara për Nick Muzin janë të mbledhura me diasporën në SHBA dhe se artikulli nuk ka asnjë gjë të vërtetë. Janë para në përputhje me ligje dhe rregullat midis artikullit dhe Bashës. Unë kam besuar variantin e këtij të fundit. Unë jam vënë në dijeni se Basha mbahej peng me dosjen Muzin dhe çështja u mbyll me ndërhyrje të Agaçit në kundërshtim me ligjin. Unë e kam denoncuar këtë akt nga foltorja në foltore, Basha kishte mashtruar dhe nuk kishte mbledhur fonde në diasporë. Pas këtyre informacioneve burimi mund të ishte rus”, tha Berisha.

    Koha Jone

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,347
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Skandali: Burime amerikane tregojnë se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë PD-në e Lulzim Ba

    PD do hetojë Bashën për financimet ruse, ngrihet një grup pune

    Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar ngritjen e një grupi auditi për financimet ruse në PD. Do të merret nën hetim ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha për veprimet e tij në raport me donacionet në zgjedhjet e vitit 2017. Grupin e auditit do ta drejtojë Ledina Mandia.

    Florian Mima, Edmond Spaho dhe Eno Bozdo janë anëtarët. Para disa ditësh, SHBA-ja publikoi një raport ku bëri me dije se në 2017, Partia Demokratike ka marrë 500 mijë dollarë nga Rusia.

    Kjo bëri edhe që ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim të bashkojë përfaqësuesit e partive politike, dhe të vërë theksin se financimi rus është rrezik për demokracinë.

    Koha Jone

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,347
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Skandali: Burime amerikane tregojnë se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë PD-në e Lulzim Ba

    Financimet ruse/ Berisha: Në arkën e PD-së nuk ka hyrë asnjë para! Është akt personal i Bashës, sot vendosëm që…

    Ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar kategorikisht se PD ka përfituar nga financimet ruse. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit KOmbëtar të PD-së, Berisha tha se në arkën e demokratëve nuk është futur asnjë para ruse.

    Berisha akuzon ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën duke e konsideruar financimin rus si një akti personal të tij.

    Berisha: Fronti për mbrojtjen e Shqipërisë do zgjerohet me sindikatat, forca të tjera politike, do bashkëpunojmë ngushtësisht me Partinë e Lirisë dhe me çdo parti që do të angazhohet në një lëvizje në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë. Nuk ka mision më motivues sesa ky. Unë kam besim të madh se nga kjo mbledhje ne do arrijmë të shpërndahemi në mbarë vendin, në një situatë të elektrizuar nga pakënaqësia e madhe ndaj kësaj qeverie.

    Së fundi, si forumi kryesor pas Kuvendit të PD-së, dua t’ju informoj se ish-kryetari ka pranuar sipas raporteve serioze financimet ruse. Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Për PD-në si parti e interesit kombëtar, ky është shkelmim i njërit prej parimeve më themelore të qëndrimeve të saj.

    E para, deri më sot, nuk ka asnjë individ në PD, që të ketë pasur dijeni për financime ruse. Në arkën e PD-së nuk ka hyrë dhe nuk ka dalë, sipas dëshmive të zotit Ristani dhe ishkasierit të PD-së, Ilir Dervishi, asnjë para. Është akt personal i Lulzim Bashës.

    Së dyti, në 2018-ën kur ambasadori amerikan më ka sjellë një dosje në zyrë, dosja nuk ka pasur asgjë tjetër përveçse artikullit të Mother Jones. Kaq kishte. Në prill pas zgjedhjeve në 6 bashkitë, disa bashkëatdhetarë tanë, më kanë informuar se ata kanë firmosur, por nuk kanë dhënë asnjë qindarkë për atë siç mashtronte Lulzim Basha për të financuar lobistin e tij. Pasi u bënë disa burime, unë akuzova Ramën se mbylli dosjen e Lulzim Bashës. Sot kryesia ka vendosur të ngrejë një komision auditi për këtë aferë. Ai po dëshmon një mungesë totale përgjegjshmërie sepse është i detuyruar sëpaku të thotë ku i mori paratë.

    Panorama

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 12-03-2022, 16:21
  2. 14 gafat epike të Lulzim Bashës,
    Nga Neteorm në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-03-2021, 11:16
  3. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 01-04-2016, 11:01
  4. Ketu ejani dhe ngrehim dolli per fitoren e Lulzim Bashes
    Nga G-2 në forumin Përshëndetje dhe urime
    Përgjigje: 95
    Postimi i Fundit: 26-05-2011, 13:07
  5. Kokalari kryeministrit: "Heto pasurinë e Lulzim Bashës"
    Nga Shijaksi-London në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 15-11-2005, 04:21

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •