Ushtria amerikane niset drejt Pakistanit/Do ta ndihmojë përballë përmbytjeve katastrofike
Sep 3, 2022


Top Channel Albania

Ushtria amerikane tha se po përgatitet që t’i të bashkohet përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar Pakistanin që po përballet me përmbytje katastrofike. Numri i viktimave nga përmbytjet në Pakistan ka arritur në 1.208 dhe ky numër pritet të rritet, tha Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive.
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së tha se komanda qendrore “po dërgon një ekip vlerësimi në Islamabad për të përcaktuar se çfarë mbështetjeje potenciale mund të ofrojë ai si pjesë e ndihmës së Shteteve të Bashkuara për krizën e përmbytjeve në Pakistan”. Zëdhënësi Joe Buçino tha se vendimi pasoi një telefonatë mes shefit të Komandës Qendrore dhe shefit të shtabit të ushtrisë pakistaneze.
Pentagoni ka lidhje të gjata me ushtrinë pakistaneze, por marrëdhëniet mes vendeve shpesh kanë qenë të tensionuara për një sërë çështjesh të dikskutueshme, duke përfshirë pretendimet e SHBA-së për strehimin e militantëve që veprojnë në Afganistan nga Islamabadi.
Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar ndërkohë për mundësinë e shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse dhe sëmundjeve të tjera në zonat e prekura nga përmbytjet në pakistan. Qeveria pakistaneze tha se mbi 33 milionë persona – apo 15 për qind e popullsisë prej 220 milionë banorësh – janë prekur nga përmbytjet që kanë shkatërruar shtëpi, biznese, infrastrukturë, rrugë dhe të mbjella. Sipas disa vlerësimeve një e treta e vendit aktualisht është nën ujë.