Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,327
    Postimet në Bllog
    17

    Apeli për shoqërinë shqiptare: 48-vjeçari vetëvritet, shkak varfëria e harresa

    U vetëvra i uritur, ku është shteti?

    Emri:  298641328_3216441281933036_4624236979635558332_n-e1660122115624.jpg

Shikime: 138

Madhësia:  47.6 KB

    Nga: Redjon Shtylla

    70% e popullsisë në Shqipëri është e rrezikuar nga varfëria, thuhet në një raport të fundit nga Eurostat. Në 20 vitet e fundit Shqipëria shënon mesatarisht 20% të popullsisë të saj që jeton në nivele të varfërisë absolute.

    Kur shifrat ”zbresin” në terren, situata është tragjike. Mjerim, skamje, pa mbështetje dhe në siklet për faturat e llampës së dritës, 48-vjeçari Fatos Çollaku i dha fund jetës, duke u varur te pema në oborrin e banesës së rrënuar nga varfëria dhe skamja.

    Bashkëfshatarët në fshatin Rrajcë të Përrenjasit, rrëfejnë se Fatosi shikonte gjithmonë punën e tij dhe nuk bezdiste njeri, por që varfëria ekstreme e çoi atë deri në këtë pikë. Trupi i pajetë u gjet mëngjesin e sotëm, dhe sipas fqinjëve, mbrëmë shtëpia e rrënuar nuk kishte drita, edhe pse veç një llampë drite kishin në banesë.

    “E vuri përpara varfëria dhe arriti në një pikë që ndodhi kjo që ndodhi. Fatosi nuk kishte probleme të shëndetit mendor. Jemi rritur me të edhe e dimë se si ishte. Fatosi punonte në fshat, jo përditë por fshati e donte shumë. Sa i përket ndërprerjes së energjisë elektrike, nuk ka qenë stabël, herë i pritej e herë i lidhej. Ata kishin vetëm një dritë në banesë, asnjë elektroshtëpiake tjetër. Mbrëmë në darkë në shtëpi nuk kishte drita. Para 10 ditësh i hoqën ujin sepse nuk e kishte paguar. Kjo i shtoi stresin. Pavarësisht se uji u rilidh Fatosi u stresua shumë”.

    Edhe deputeti i qarkut të Elbasanit për PD, Luçiano Boçi hedh akuza të forta ndaj qeverisë për këtë ngjarje. “Nuk i dhanë asgjë prej gjëje, as dritë, as shpresë, as bukë. Madje e shpallën “armik”. Vërtet e vranë. Në litar Fatosin nuk e çuan këmbët e veta. Aspak. Njerëz mos e besoni. E çoi braktisja e shtetit. E çoi dënimi me skamje që i kishte shpallur pushteti”.

    Qeveria ”Rama 3” punon, por varfëria në vend është ulur këmbëkryq dhe kërkohet zgjidhje që të mos ketë jetë të prera në mes si pasojë e mos gjetjes së kafshatës së bukës, që të mos ketë më fëmijë që vuajnë urie, që të mos ketë më banesa të rrënuara e ku jetohet mjerisht.

    Kemi njerëz të pushtetshëm që notojnë mes luksit. Kjo kategori pasurohet çdo ditë e më shumë. Ndërsa ata, të varfërit po u boshatisen xhepat çdo ditë e më shumë. Çfarë ka ndodhur këto 30 vite me zhvillimin ekonomik? Pse pjesa më e madhe e shqiptarëve vijojnë të jetojnë në varfëri? Përse nuk zbatohet minimum jetik? Cilat janë kategoritë më në nevojë? Përgjigjet duhet ti japë qeveria. Shqipëria që aspiron Bashkimin Europian është kthyer në një Afrikë që sytë tanë të përditshëm në metropol nuk e shohin.

    Koha Jone

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,327
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Apeli për shoqërinë shqiptare: 48-vjeçari vetëvritet, shkak varfëria e harresa

    Historia e Fatos Çollakut, një jetë e ndërprerë nga shteti

    Emri:  296921659_2053825058136072_5346819519536927970_n-1-e1660072324461.jpg

Shikime: 79

Madhësia:  31.1 KB

    Vetëvarja e Fatos Çollakut në pemën e shtëpisë së tij në Prrenjas është një nga ato histori, që njeriu tenton ta heqë sa më parë nga kujtesa, me shpresën se i përket një bote tjetër. Ajo botë ku varfëria e detyron njeriun të jetë çdo ditë në kërkim të bukës për të mundur urinë.

    Të tillë mund të ketë shumë në Shqipëri, por rasti i Fatos Çollakut ndryshon. Sepse atij goditjen finale ia dha shteti.

    Nga dëshmitë që mori gazetari Osman Stafa i Neës 24 në fshatin Rrajcë, kuptohet se Fatos Çollaku nuk vuante nga probleme mendore. As nga ndonjë sëmundje e rëndë që ta penalizonte për të punuar. As nuk ishte goditur nga ndonjë fatkeqësi e rëndë shëndetësore kohët e fundit.
    E vetmja gjë që e mundonte ishte varfëria.

    Emri:  fghhgfg.png

Shikime: 39

Madhësia:  474.4 KB

    Brenda shtëpisë së Fatos Çollakut kishte vetëm një llampë. Një llampë. As frigorifer, as televizor, as lavatriçe dhe asnjë pajisje tjetër. Pavarësisht kësaj, thanë banorët e zonës, energjinë elektrike ia shkëpusnin rregullisht kur nuk e paguante dot.

    “Ishte djalë punëtor, pa probleme, që shihte hesapet e tij. Kush e merrte në punë, nuk ishte kurrë i zhgënjyer” tregon një prej miqve të tij.

    “Ne me të jemi rritur. E dimë ca njeriu ishte. Nuk merrej as me një pisllik. Kush i thoshte për punë, ai shkonte” tregon kryeplaku i fshatit që mohon kategorikisht hamendësimet për ndonjë sëmundje mendore.

    48-vjeçari jetonte bashkë me motrën. Është e vërtetë se merrnin çdo muaj 30 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike. Por shteti këto para, ia kërkonte mbrapsht, me faturën e dritave dhe të ujit.

    Emri:  cxdsdf.png

Shikime: 63

Madhësia:  653.5 KB

    “Energjia edhe i pritej, edhe i vihej. Nuk ka qenë stabël. Nuk ia presim kësaj familje se vetëm një dritë kishte. As lavatriçe, as televizor. Vetëm një dritë kishte. Si qiri” thotë kryeplaku.

    Supozohet që kur një qytetar jeton në kushte ekstreme varfërie, shteti ta ndihmojë në një mënyrë apo tjetër. Por jo. Në rastin e Çollakut, jo vetëm që nuk iu dha ndihmë, por shteti nuk e la të qetë.

    Fillimisht duke i kërkuar paratë e energjisë elektrike që harxhonte llampa e tij. Pastaj duke i ndërprerë edhe ujin.

    Një prej banoreve të fshatit tregoi se natën para vetëvrasjes, në shtëpinë e Fatos Çollakut nuk kishte drita. Ndërsa ditët e fundit, rrëfeu ajo, Çollakut i prenë edhe ujin.

    Emri:  pa-drita.jpg

Shikime: 39

Madhësia:  43.9 KB

    “Mbrëmë nuk kishte drita. Erdhëm ne këtu. Erdhi burri im, ishim ulur këtu, pa drita. I thashë, ngrihu, të shkojmë të lajmërojmë atë të dritave që kemi këtu, elektriçistin. Të vijë t’i rregullojë. Erdhi ai i lidhi atë RL dhe erdhën dritat. Por dritat i ka pas me shkëputje, edhe i lidhnin edhe ia prisnin, plus që ai ka pas një problem tjetër. Para 10 ditësh i prenë ujin. I hoqën sahatin se thanë që nuk e ka paguar. Aty u mërzit dhe hyri në stres. Erdhi te ne tha “Kush ma ka bërë?”. “Shko të ai i ujit”, i thashë “nuk e ke paguar”. Pavarësisht ai erdhi prap dhe ia lidhi. Por u mërzit nga kjo e ujit” tregoi gruaja që jetonte pranë Fatos Çollakut.

    Emri:  gffghh.png

Shikime: 39

Madhësia:  410.9 KB

    Pamjet e banesës ku jetonte i ndjeri sikur vijnë nga mesjeta. Mure të zinj, që mezi mbahen. Çatia e shembur. Ndërsa në tavan, llampa e munguar.

    Një jetë në mjerim, pas së cilës erdhi heqja e dritave dhe ndërprerja e ujit. Dy goditje dhe Fatos Çollaku humb çdo shpresë për të jetuar si njeri. Humb edhe arsyen për të jetuar. Lidh një litar në pemë dhe ashtu të varur e gjejnë në mëngjes.

    Lapsi.al
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 10-08-2022 më 13:28

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,327
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Apeli për shoqërinë shqiptare: 48-vjeçari vetëvritet, shkak varfëria e harresa

    Nje lajm i dhimbshem...

    Qe Shqiperia ka nje qeveri hajdutesh e te korruptuarish, kete te gjithe e dime. Nuk mendoj se eshte vetem pergjegjesia e shtetit per kete vdekje. Pergjegjesia bie mbi gjithe shoqerine shqiptare. Mbi te gjithe qytetaret e atij vendi. Mbi te gjitha institucionet fetare, bamirese, organizatat jo-fitimprurese, dhe gjithe ne shqiptareve ne diaspore. Nuk ka qene, nuk eshte edhe nuk duhet te jete ne traditen e shqiptarit qe kur shikon dike ne nevoje, te rrish duarkryq. Duhet te ndihmojme njeri-tjetrin me aq sa te mundim.

    Dy gjera asnje shtet i botes nuk i ben dot: inovacionin dhe dhembshurine. Keto te dyja i bejne vetem qytetaret e lire. Prandaj, le te mos shfajesohemi kaq lehte duke ia faturuar pergjegjesine e fajin shtetit per cdo gje. Shteti shqiptar eshte vetem 111 vjec. Tradita shqiptare eshte te pakten 3000 vjecare.

    Le te sherbeje kjo vdekje tragjike si apel i ndergjegjes se cdo shqiptari, si atyre ne Shqiperi, si atyre jashte Shqiperise. Eshte turp per te gjithe ne si popull qe te leme te vdesin vellezerit tane ne kete menyre kur jemi duke jetuar ne epoken ku shqiptaret sot jane me te pasur se kurre ndonjehere me pare ne historine e tyre. Vdekje te tilla nuk kane ndodhur as kur vendi vuante per buken e gojes gjate lufterave boterore e ballkanike. Shqiptaret gjithmone e kane ndihmuar njeri-tjetrin.

    Zoti ia ndjefte mekatet te ndjerit dhe e prehfte ne paqe!
    Zoti te na e fali edhe ne shqiptareve qe la pas kete mekat!
    Te varferit Zoti i ka sjelle ne kete bote per te testuar zemren e atyre qe i ka bekuar me shume!

    Albo

Tema të Ngjashme

  1. 'Halloween' në shoqërinë shqiptare
    Nga hope31 në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 12-11-2007, 11:06
  2. Vetëvritet në sy të prindërve 22-vjeçari i papunë nga Linza
    Nga EDUARDI në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 24-04-2005, 10:38
  3. Femra ne shoqerine shqiptare!
    Nga Redi në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 63
    Postimi i Fundit: 22-10-2004, 10:12
  4. Femra në shoqërinë Shqiptare.
    Nga kolombi në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 11-09-2004, 19:39
  5. Varferia Shqiptare
    Nga SUPERSTAR_N1 në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 30-08-2003, 15:26

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •