Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Ushtar i larte Maska e Neteorm
    Anëtarësuar
    04-01-2011
    Vendndodhja
    127.0.0.1
    Postime
    2,327
    Postimet në Bllog
    7

    Turizëm i përgjakur!

    Emri:  Potam.jpg

Shikime: 168

Madhësia:  42.9 KB

    EDITORIAL MONITOR / A po shënon Shqipëria një vit të mbarë turistik?! Për fat të mirë, vendi vijon të mbetet i preferuar nga turistët e huaj për shkak të larmishmërisë dhe bukurive të shumta natyrore, çmimeve ende më të ulëta se fqinjët, por edhe e favorizuar, deri diku, nga problematikat e ndryshme të udhëtimit në rajone të tjera.

    Edhe modeli i zbatuar prej disa vitesh, pas investimeve në hotele të mëdha, me gjithçka të përfshirë, po funksionon, sidomos në zonën e bregdetit të Durrësit. Të dhënat zyrtare të INSTAT treguan se hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 16% për 6-mujorin, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s dhe 40% vetëm për qershorin.

    Turizmi i brendshëm është vështirë të vlerësohet për disa arsye. Së pari, vitin e kaluar, për shkak të kufijve ende të pahapur plotësisht, shumë pushues nuk udhëtuan dot jashtë. Tashmë ata janë të lirë të udhëtojnë ku të duan.

    Së dyti, emigracioni duket se po ndikon të gjitha aspektet e ekonomisë, përfshirë dhe turizmin.

    Së treti, çmimet e larta kanë stepur pushuesit, me operatorët që pranojnë se janë shkurtuar ditët e qëndrimit, apo reduktuar udhëtimet në fundjavë.

    Së katërti, konsumatori po bëhet më i zgjuar dhe po refuzon të paguajë çmime të larta aty ku percepton se nuk i përgjigjet shërbimit të ofruar, sidomos në zonat e Jugut.

    Pyetja tjetër është: sa e ka ndihmuar shteti zhvillimin e turizmit?

    Pak, ose aspak. Modeli kaotik i turizmit që nisi pas viteve 2000 po vijon ende, po tani “i kamufluar” përmes fshatrave turistikë, që sjellin pak vlerë të shtuar për ekonominë, por fitime të shpejta për ndërtuesit, vijimit të betonizimit (këtë herë të Jugut), infrastrukturës së dobët, ndërtimi i së cilës po zvarritet prej vitesh, mangësive në siguri fizike e qetësi, që kulmon me luftën e shezlongëve, apo infrastrukturës së dobët për sigurinë e jetës e të shëndetit.

    Aksidentet tragjike të ndodhura në territoret turistike, veçanërisht ato të shkaktuara nga mjetet e argëtimit në ujë, si rasti i një djali të ri, i cili vetëm pak javë më parë u dëmtua rëndë dhe ende është në spital, por që morën përmasë ulëritëse me aksidentin e disa ditëve më parë, kur një 7-vjeçare humbi jetën në bregun e detit, nxorën në dritë pikërisht atë çfarë prej kohësh kritikoheshin institucionet përkatëse në vend: mungesë vizioni për industrinë turistike, papërgjegjshmëri në administrimin e territorit në tokë dhe ujë, si tregues të qartë të korrupsionit.

    Mbi të gjitha, këto aksidente ritheksuan shembullin më të keq që po japin institucionet shtetërore me demonstrimin arrogant të mungesës së vullnetit, për të zbatuar ligjin.

    Nëse institucionet përkatëse do të bënin detyrat ligjore për ndarjen e plazheve private, konfliktet deri në dhunë nuk do të ekzistonin (kujtojmë që një vit më parë, katër persona humbën jetën pas debateve për ndarjen e hapësirave për vendosjen e shenzlongëve). Për të mos folur për plazhet publike, një e drejtë themelore e çdo qytetari, që pothuajse mungojnë.

    Shteti mund të të mos vrasë direkt! Por shteti të vret edhe më mizorisht, kur vrasja është indirekte, si pasojë e keqmenaxhimit, korrupsionit, drejtimit me arrogancë, mungesës së zbatueshmërisë së ligjit, që i jep kontrollin më të fortit, i cili nuk pyet fare për rregullat, as në plazh e as në rrugë, as në vendin e punës e as në vendin e pushimit.

    Një tregues i drejtpërdrejtë i “vrasjes së përditshme indirekte” është shkelja e rregullave të qarkullimit, një shkaktar kryesor për aksidente, jo rrallë edhe nga më të dhimbshmet. Për më tepër, kur shkaktarë janë zyrtarët e shtetit, kjo tregon kulturën e përgjithshme qeverisëse, mungesë respekti për ligjin, mungesë frike nga ndëshkimi.

    Ministrat, ashtu dhe kryeministri, nuk mund të fshihen pas papërgjegjshmërisë së një njeriu të vetëm dhe parullës së shpikur “përgjegjësia është individuale”. Jo! Përgjegjësia është institucionale.

    Sjellja e një individi thjesht reflekton papërgjegjshmërinë e një sistemi të tërë qeverisës, që i trajton qytetarët e vet me statusin e qytetarit të dorës së dytë dhe nuk arrin t’u ofrojë as garancinë minimale të zbatimit të ligjit, i cili do t’u mundësonte atyre të jetonin e të pushonin të qetë.

    Deti ka qenë i trazuar prej kohësh, por ngjarje të tilla po shtojnë dallgët e reagimit qytetar. Reagim, në fakt, që duhet të kishte ardhur më herët, për të parandaluar apo për të minimizuar probabilitetin e ngjarjeve tragjike.

    Vetëm presioni i lartë dhe i vazhdueshëm qytetar mund ta detyrojë qeverinë të reagojë e të marrë masa për zbatimin e ligjeve, që sot shumëkush nuk e ka problem t’í shqelmojë./Monitor.al

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    5,896

    Për: Turizëm i përgjakur!

    Kroçerat harrojnë Durrësin, asnjë s’e ka ‘prekur’ portin që nga maji

    Që nga maji asnjë kroçerë nuk ka ndaluar në brigjet shqiptare.

    Në portin e Durrësit, vizita e fundit e një anijeje të tillë është shënuar më 30 maj, kur mbërriti “La belle del’Adriatique”.

    Kjo dëshmon rënien e theksuar të këtij sektori.

    “Është edhe e vështirë, sepse porti i Durrësit është port i ndërtuar për mallra të përgjithshme dhe jo i përshtatur për anije turistike, thotë Arjan Çyrbja, aksioner i kompanisë “Intermed Shiping”. Ka dhe momente, kur në momentin e fundit jemi të detyruar që për arsye të ndryshme teknike mund të ketë edhe ndërrime të vendeve të kalatës”, shton ai.

    Gjithashtu, ka dhe probleme sigurie në lëvizjen e pasagjerëve nga terminali derisa të dalin në qytet.

    Çyrbja tregon se kemi të bëjmë me turistë elitarë dhe mjaft kërkues, kushtet e të cilëve Shqipëria nuk i plotëson.

    “Dihet që segmenti i turizmit të kroçerave është pak delikat, që ka kërkesa të larta dhe që përgjithësisht i shprehin pakënaqësitë e tyre. Përpara se kompanitë e anijeve turistike të vendosin të sjellin anijet e tyre në Shqipëri dërgojnë oficerët e tyre për të vlerësuar gjendjen e portit, rrugëve, qyteteve, gjithçka”, shprehet Çyrbja.

    Prandaj, deri më sot ky sektor po mbahet gjallë nga anijet e vjetra, tashmë të mësuara me gjendjen e Shqipërisë.

    “Përgjithësisht janë kompani të cilat kanë krijuar tashmë një traditë në portin e Durrësit. E rëndësishme është që ne po luftojmë tani të sjellim dhe kompani të tjera, veç atyre ekzistuese, sepse të qëndrosh vetëm me ato ekzistuese nuk është diçka e mirë”, thekson ai.

    Në rast se ekzekutivi nuk do të bashkëpunojë menjëherë me bashkitë bregdetare për ndërtimin e infrastrukturës turistike dhe krijimin e faciliteteve të nevojshme, ky sektor do të vijojë të regjistrojë rënie deri në rrënim të plotë.


    euronews.al

  3. #3
    not exist Maska e skender76
    Anëtarësuar
    10-06-2003
    Vendndodhja
    Sa me larg Shqiperise...
    Postime
    4,784

    Për: Turizëm i përgjakur!

    Ndoshta un jam qerru”…,
    por kam kriju iden se pjesen me te mire te strukturave turistike e kan marre kriminilet/hajdutet/trafikantet/t’korruptumit/politeqenrit.
    Ato qe e kan me djerse jane nje numer i paperfillshem (dhe per ket pjese me vjen keq ne shpirt).

    Lavatrice” o shoku, lavatrice”, nuk i inreresojne turistat/kroçerat….
    paqen, e sjell vetem drejtsia

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-06-2004
    Postime
    5,896

    Për: Turizëm i përgjakur!

    ‘Nuk jemi si në TV’: Vrojtuesit e plazhit të Durrësit, të paktë dhe të keqpajisur
    Në vijën bregdetare të Durrësit, 59 pushues kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në pesë vitet e fundit – ndërsa premtimet për rritjen e sigurisë në plazhe mbeten peng i shkeljes së rregulloreve, numrit të paktë të vrojtuesve dhe keqpajisjes së tyre.

    Mes vapës së gushtit në plazhin e madh të Durrësit, një vrojtues me megafon në dorë nuk është shëmbëlltyra tipike e personazheve të ngjashëm televizivë.

    Djaloshi qëndron pranë një çadre të veçuar nga të tjerat, shumë pranë bregut të detit, që nënkupton praninë e një vrojtuesi plazhi – pjesë e masave të shtuara në fillim të sezonit turistik për rritjen e sigurisë në vijën bregdetare të vendit.

    “Nuk jemi si ata vrojtuesit e plazheve me varka apo skafe shpëtimi që shohim në televizor,” thotë djali që refuzon të identifikohet. “Jeleku im është bërë copë- copë. Kam një komerdare të vogël shpëtimi, [po] kaq,” shtoi ai.

    Siguria është një problem themelor në plazhet e bashkisë së Durrësit, ku 59 pushues kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes apo e aksidenteve të tjera në det në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave që BIRN siguroi nga Drejtoria Vendore e Policisë.

    Por të dhënat e siguruara përmes vëzhgimeve në terren, intervistave me pushues dhe me vrojtues plazhi tregojnë se rregulloret e sigurisë zbatohen vetëm formalisht nga stacionet e plazhit, ndërkohë që vrojtuesit janë të paktë në numër dhe të keqpajisur.

    Në plazhin e madh të Durrësit, që shtrihet nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, operojnë 33 stacione plazhi private dhe publike dhe numërohen vetëm 4 kulla vrojtimi, që i plotësojnë parametrat për të qenë të tilla.

    Kjo është gjithashtu zona me përqendrimin më të madh të pushuesve dhe sipas autoriteteve, e bën të vështirë garantimin e sigurisë.

    “Aty ka një dyndje pushuesish gjatë gjithë verës dhe ka raste që një vrojtues plazhi shërben në dy stacione vrojtimi,” tha Oltsen Gripshi, kryetar i Task-Forcës për Turizmin pranë institucionit të Prefektit në Durrës.

    “Kjo e vë në vështirësi, sepse [vrojtuesi] s’mund të ndodhet në rast nevoje në të dy plazhe njëkohësisht,” shtoi ai.

    Siguria cenohet edhe nga fakti se shumë vrojtues plazhi ekzistojnë “në letër”, por nuk shfaqen në terren. Sipas pushuesve që BIRN intervistoi, në disa prej plazheve vrojtuesit nuk ishin parë asnjëherë, ndërsa në disa të tjera shfaqeshin pa pajisjet e nevojshme.

    Siguria e munguar

    Në vijën bregdetare të bashkisë së Durrësit numërohen 167 stacione plazhi, nga të cilat 33 ndodhen në plazhin e madh, 36 të tjerë nga Pleplat në vendin e quajtur Përroi i Agait, 4 plazhe në Currila dhe 68 plazhe në Gjirin e Lalëzit dhe kepin e Rodonit.

    Sipas Agjensia Kombëtare të Bregdetit, për garantimin e sigurisë së kësaj vije bregdetare janë përgjegjës 139 vrojtues plazhi.

    Prej vitit 2020, çdo subjekt që aplikonte për kontratën e shfrytëzimit të hapësirës së plazhit duhej gjithashtu të kishte vrojtues për çdo 80 metër vijë lineare. Kritere të qarta u përcaktuan edhe për ngritjen e pikave të vrojtimit në plazhe, por Agjencia e Bregdetit i tha BIRN se kjo terminologji nuk nënkupton patjetër “prezencën e një kulle”.

    “Pikë vrojtimi [nënkupton] ofrimin e një standarti në funksion të garantimit të sigurisë së jetës së pushuesve në plazhe,” tha Enxhi Dibra, koordinatore për të drejtën e informimit pranë kësaj Agjencie.

    Megjithatë, pushues të ndryshëm në plazhin e Durrësit thonë se siguria lë për të dëshiruar.

    Ahmet Sulejmani nga Lugina e Bujanocit u kthye në Durrës për herë të parë pas vitit 1997 dhe vëren ndryshime pozitive, me përjashtim të sigurisë në plazh.

    “Kam gati një javë këtu në plazh dhe veç atij djalit që na merr lekët e shezlongut, nuk kam parë ndonjë vrojtues plazhi këtu,” tha Sulejmani. “Ka pak kulla, ato çadrat e para janë gjithmonë bosh dhe s’kanë as pajisje,” shtoi ai.

    Edhe Zenel Kortejsha, pushues nga Klina e Kosovës i druhet mungesës së sigurisë, ndërsa u bën roje fëmijëve të tij që lahen në det.

    “Nuk kam parë ndonjë vëzhgues plazhi këtu,” tha Kortejsha.

    “Aty tek ajo çadra e parë në breg qëndron herë pas here një djalë i ri, por unë s’e kam parë as me ndonjë uniformë as me mjete ndonjëherë,” shtoi ai.

    Një tjetër pushues i tha BIRN se herë pas here kishte parë një “djalë të vogël” të qëndronte afër bregut, pa pasur sipas tij “asnjë mjet shpëtimi”.

    Problemet dhe mangësitë konfirmohen edhe kryetari i Task-Forcës për Turizmin, Oltsen Gripshi, por ai theksoi se nuk mund t’u përgjigjeshin atyre me masa ndëshkimore.

    Task-Forca që Gripshi drejton është një bashkim mes institucioneve vendore dhe inspektoriateve, të cilat po kryejnë inspektime të vazhdueshme në bregdet nga 1 qershori.

    “Gjatë gjithë sezonit vijojnë inspektimet për të gjithë vijën bregdetare. Janë gjetur parregullsi, por ne jemi në kuadër të ndërgjegjësimit, pasi ligji nuk na atribuon të drejta administrative,” tha Gripshi.

    Edhe vrojtuesit emigrojnë
    Një pikë vrojtimi pa vrojtues në plazhin e Durrësit. Foto: Eriola Azizolli.

    Vrojtuesit e plazheve certifikohen nga Federata Shqiptare "Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në ujë”, por ky profesion i ri nuk ka tërhequr shumë vëmendje. Sipas Federatës, pjesa më e madhe e kursantëve regjistrohen aty nga subjektet që operojnë plazhet private.

    Eliona Kalltani, instruktore e vrojtuesve të plazhit i tha BIRN se edhe ndërgjegjësimi i këtyre të fundit nuk ishte i menjëhershëm.

    “Ne i kemi nisur kurset në verën e vitit 2019, pasi në 2018-ën subjektet ose stacionet e plazhit nuk e morën shumë seriozisht pjesën e të paturit një vrojtues plazhi,”tha Kalltani.

    Terazin Rishiti, një nga vrojtuesit e parë të certifikuar, e ushtron profesionin prej 4 vitesh dhe është një figurë popullore në plazhin ku e ushtron detyrën.

    “Për fat të mirë, raste me mbytje nuk kemi pasur, por raste me probleme zemre ka çdo sezon, ndaj ndihma që unë jap është shumë e rëndësishme,” tha ai për BIRN.

    Fillimisht Rishiti e nisi shërbimin si detyrim për biznesin familjar, por tani thotë se e bën atë me pasion.

    “Sapo u certifikova më hyri në qejf dhe është mirë kur siguria nuk mungon në plazh dhe me këtë të identifikojnë,” shtoi ai.

    Mbajtja në tregun e punës të vrojtuesve të plazhit konsiderohet e vështirë, pasi profesioni është i panjohur, pagesat janë të ulëta dhe licensa duhet rinovuar çdo dy vjet. Sipas instruktores Kalltani, ata kanë licensuar rreth 200 vrojtues plazhi në Durrës që nga viti 2019, por një pjesë e tyre janë larguar jashtë vendit.

    “Ka djem që janë licensuar dhe janë larguar nga vendi, ndaj s’mund të flas për shifrën e saktë se sa prej tyre janë sot në shërbim,” tha ajo.

    Një plan të ngjashëm ka edhe Enea, studenti që po punon këtë vit si vrojtues plazhi në Durrës.

    “Unë fillova si vrojtues këtë vit se bëra kursin. Por vitin tjetër më mirë do iki jashtë gjatë verës, se me tre muaj punë nuk i mbuloj dot shpenzimet e shkollës,” përfundoi ai.

    reporter.al

Tema të Ngjashme

  1. Fshati Bellacerkë dhe lumi i përgjakur
    Nga fattlumi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 14-03-2010, 15:36
  2. Kur'ani I Pergjakur
    Nga Explorer në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-05-2009, 13:41
  3. Dasma e Pergjakur !
    Nga Kreksi në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 07-05-2009, 09:21
  4. Filmi: Toka e Pergjakur
    Nga Albo në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-02-2009, 21:46
  5. Mars i përgjakur, kujtesë e plagosur.
    Nga xixa1956 në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 30-03-2008, 21:14

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •