Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Vargje vdekjeprurëse: Si u ekzekutuan poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

    Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u ekzekutuan më 17 korrik 1977 mbi bazën e pretendimeve se poezitë e tyre përbënin një kërcënim për regjimin komunist të Shqipërisë, edhe pse ato nuk ishin botuar.

    Emri:  download-2.jpg

Shikime: 85

Madhësia:  62.8 KB
    Monument për Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën në qytetin e Librazhdit. Foto: Wikimedia Commons/Spyenson.

    Homazhet me lule bëhen çdo korrik pranë dy kokave të mëdha prej bronzi që ndodhen krah për krah në një pellg me ujë të kristaltë në një platformë betoni në qytetin qendror shqiptar të Librazhdit.

    Lulet përkujtojnë Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, të cilët u ekzekutuan nga regjimi i diktatorit komunist Enver Hoxha më shumë se katër dekada më parë për shkak të poezive që ata shkruanin, megjithëse ato nuk ishin botuar kur ata u nxorën në gjyq.

    Pas një gjyqi që zgjati vetëm shtatë ditë, Leka, atëherë 36 vjeç, dhe Blloshmi, 29 vjeç, u dënuan me vdekje dhe më pas u ekzekutuan natën e 17 korrikut 1977.

    Të lindur në të njëjtin fshat – Berzheshtë, në zonën e Librazhdit – dy poetët jetuan një jetë të shkurtër dhe të vështirë nën regjimin e Hoxhës, i cili e mbajti vendin të izoluar nga bota demokratike për më shumë se katër dekada.

    Ky izolim pasqyrohej në një nga poezitë e Blloshmit, “Saharaja”, e cila e solli atë para gjykatës.

    “Saharaja shkëmb rërë e gurë, që shok ka vetëm emrin e saja,” thuhet në poezi.

    “Agjitacion dhe propagandë”

    Emri:  vilson-blloshmi-2-1140x641.jpg

Shikime: 46

Madhësia:  33.7 KB
    Një ekspozitë fotografike në Tiranë në nder të poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Foto: BIRN.

    Në vitin 1966, Blloshmi mbaroi studimet në Shkollën Pedagogjike në qytetin e Elbasanit, por përpjekjet e tij për të gjetur një punë mësues nuk patën sukses.

    Familja e tij ishte etiketuar “kulakë”, një fjalë që e kishte origjinën në Bashkimin Sovjetik nën sundimin e Stalinit dhe përdorej për të përshkruar pronarët e tokës bujqësore në shkallë të vogël që konsideroheshin armiq të komunizmit.

    Genc Leka gjithashtu studioi në Shkollën Pedagogjike në Elbasan. Leka punoi disa vite si mësues, por pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, nuk u lejua të kthehej në mësimdhënie dhe përkundrazi u dërgua të punonte në bujqësi.

    Kjo përfundoi kur ai u arrestua në gusht 1976. Të dy u akuzuan për “sabotim të ekonomisë” dhe “agjitacion dhe propagandë” kundër regjimit komunist.

    Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, i frikshmi Sigurimi, kreu një hetim dhe zbuloi se poezitë që të dy po shkruanin – të cilat u botuan vetëm pas vdekjes së tyre – ishin shumë të trishtueshme dhe për këtë arsye nuk përfaqësonin “realitetin”.

    Ndër ato që janë bërë vargjet më të njohura të Lekës janë vargjet: “Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë, Mirë, pra, mí gjallë jam se çdo i vdekur”.

    Kërkesat për revokimin e dënimeve me vdekje të dy burrave u injoruan nga autoritetet dhe ata u ekzekutuan.

    “Një gjyq qesharak”

    Emri:  vilson-blloshmi-3-1140x641.jpg

Shikime: 44

Madhësia:  32.0 KB
    Vëllai i Vilson Blloshmit në ekspozitën fotografike. Foto: BIRN.

    Autoritetet komuniste e shikonin artin dhe kulturën si të lidhura fort me ideologjinë politike dhe çdo vepër ekzaminohej nga afër. Pasojat e shkeljes së rregullave ideologjike ishin burgimi, internimi në kampet e punës, persekutimi dhe në disa raste edhe vdekja.

    Kujto.al, një organizatë që mbledh materiale për krimet e kryera në kohën e komunizmit në Shqipëri, tha se dy poetët janë “akuzuar nga Sigurimi i Shtetit, me prova të fabrikuara, si pjesë e të ashtuquajturit grup sabotatorësh në bujqësi”.

    Akuzat bazoheshin në fletoret e dy poetëve, sepse vepra e tyre ishte e pabotuar. Për vëllain e Vilson Blloshmit, Bedriun, çështja ishte një farsë: “Ai ishte një gjyq qesharak”.

    Asnjërit prej tyre nuk iu dha mundësia të mbrohej gjatë procedurës, shpjegoi ai. “Unë dhe vëllai im nuk i kemi pranuar fare akuzat. Ishin përralla fare”, tha Bedri Blloshmi.

    Ai i ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës së tij që prej rënies së regjimit komunist në vitin 1991 edhjes dritë mbi rastin e vëllait të tij.

    I shënuar nga regjimi si i padëshiruar përkrah vëllait dhe pjesës tjetër të familjes, ai u arrestua dhe kaloi shumë vite burg.

    Ai tha se edhe pas rënies së regjimit komunist askush nuk është shprehur i penduar për atë që ka ndodhur. “Ata as që mendojnë të kërkojnë ndjesë”, tha ai.

    “Këtu në Shqipëri është bërë një gabim – që nga viti 1991, asnjë nga këta persona nuk është nxjerrë para drejtësisë”, shtoi ai.

    “Të helmuar nga injoranca”

    Emri:  vilson-blloshmi-4-1140x641.jpg

Shikime: 45

Madhësia:  36.7 KB
    Libri i Bedri Blloshmit në ekspozitë. Foto: BIRN.

    Vitin e kaluar, Bedri Blloshmi botoi një libër që përfshin dokumente të përdorura nga autoritetet shqiptare në gjyqin e vëllait të tij, me titullin “Dosja e formularëve, Kategoria 2, nr. 840” – emri i dosjes që Sigurimi mbante për poetin.

    Dokumentet zbulojnë se vëllai i tij ishte spiunuar nga njerëz që raportonin çdo lëvizje të tij tek autoritetet. Informatorët u udhëzuan të fillonin biseda politike me të për të mësuar pikëpamjet e tij për sistemin komunist dhe më pas të raportonin.

    Historiani Kastriot Dervishi, njohës i periudhës komuniste, tha se në bazë të dosjeve që ka parë, Vilson Blloshmi fillimisht ka arritur t’i rezistojë dhe ta mposht regjimin.

    “Sigurimi i Shtetit përpiqej gjithmonë të sigurohej se personi që ata po ndiqnin ose po përpiqeshin të rekrutonin nuk i dinte teknikat e tyre”, shkruan Dervishi në librin e Bedri Blloshmit.

    “Por Vilsoni mund ta kishte mësuar këtë nga persekutimi dhe burgimi i xhaxhait dhe babait të tij. Duke dëgjuar përvojën e të moshuarve, ai ia doli të mos binte në asnjë kurth të ngritur për të, derisa regjimit iu desh të sajonte akuza për ta arrestuar dhe dënuar me vdekje.”

    Gjithashtu në dosjen e Vilson Blloshmit kishte analiza të poezive dhe shënimeve të tij nga njerëz që Sigurimi i cilësonte si “kritikë”.

    Një shembull, i shkruar nga dikush i quajtur Myzafer Xhaxhiu, theksonte “pikëpamjen pesimiste të Blloshmit për jetën” dhe tha se veprat e tij “flasin qartë për një prirje nihiliste, pesimiste”.

    “Ato flasin për mërzi, për vdekje, mohojnë jetën dhe kuptimin e punës së dobishme”, shkroi Xhaxhiu.

    Një tjetër “ekspert” i quajtur Koci Petriti, doli në përfundimin se poema “Saharaja” është “e errët në përmbajtje dhe figuracion”.

    “Poezia ka edhe shumë vargje të pakuptimta, të errëta dhe kontradiktore që shprehin konfuzionin, pakënaqësinë me realitetin tonë dhe frikën për të mos dhënë një mendim drejtpërdrejt”, shkruan Petriti.

    Historiani Dervishi tha se këta “ekspertë” kanë bashkëpunuar me zyrtarët e Sigurimit për të vërtetuar se poezitë e Vilson Blloshmit kërkonin ndjekje penale.

    “Të gjithë ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të verbuar e të helmuar nga injoranca dhe dritëshkurtësia e tyre, gatuan një krim kundër një intelektuali, ndaj një poeti dhe shkrimtari në kulmin e tij”, shkruan Dervishi.

    “Ajo që ndodhi ishte groteske”

    Emri:  vilson-blloshmi-5-1140x641.jpg

Shikime: 47

Madhësia:  33.8 KB
    Sende personale të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës në ekspozitë. Foto: BIRN

    Pas përfundimit të periudhës komuniste, dy poetët u rehabilituan dhe në vitin 1994 presidenti shqiptar i nderoi si Dëshmorë të Demokracisë dhe disa vite më vonë si Mësues të Popullit. Në vitin 2010, të dyve iu dha titulli Nderi i Kombit, një dekoratë shtetërore e nivelit të lartë.

    Profesori i Universitetit të Tiranës, Bardhyl Musaj, ishte shok i Blloshmit dhe Lekës në rininë e tyre dhe tha se ishte tronditur kur ata u ekzekutuan.

    “Ata të dy kishin një jetë interesante dhe të dhimbshme. Të dy ishin njerëz që kishin botën e tyre dhe nuk kishin kryer asnjë krim”, shtoi ai.

    Musaj argumentoi se më shumë se 30 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Blloshmi dhe Leka ende nuk janë përkujtuar siç duhet nga shteti ose rëndësia e punës së tyre duhet të njihet siç duhet nga shoqëria.

    “Ajo që ndodhi ishte groteske”, tha ai. “Shoqëria duhet të rivendosë dinjitetin e tyre.”

    Musaj së fundmi ka nisur një studim akademik të poezive të Blloshmit dhe Lekës, që synon të përjetësojë kujtesën e tyre.

    “Ne synojmë që vepra e tyre të jetojë përgjithmonë, për hir të fjalës së lirë dhe shpirtit të tyre poetik”, tha ai.

    BIRN

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Vargje vdekjeprurëse: Si u ekzekutuan poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

    “Klithmat kundër regjimit në poezitë e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, duket sikur i ndeshim te ‘Tabir Saraji’ i Kadaresë”/ Jeta dhe vepra e dy poetëve të pushkatuar

    Emri:  download-26.jpg

Shikime: 30

Madhësia:  5.0 KB

    -NAZMI SEITAJ, RINGJALL SHOKËT E TIJ MARTIRË TË POEZISË –

    Qysh kurse jam njohur me fatin tragjik të tyre, nuk e di se me kë mund t`i krahasoja jetët dhe veprat e dy poetëve martirë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ndoshta me atë të Josif Brodskijt që ja nxiu jetën policia e fshehtë sovjetike (KGB-ja) dhe atë të Osip Mandelshtamit, poezinë e të cilit Ahmatova, e quante të një harmonie hyjnore. Sa herë më binte rruga andej nga Librazhdi, ndaloja tek ai grupi skulpturor me dy kokat e tyre që klithnin, dhe sepse më dilte para syve ajo pllaka e mermertë në varrin imagjinar të Starokuncit, ku fare thjeshtë dhe po aq madhërishëm shkruhej: “Kujtimit të ndritur të O. E. Mandelshtamit”.

    E dija se edhe dy poetët tanë të pushkatuar më të rinj se ata, nga stalinistët barbarë shqiptar, ishin mjaft të talentuar, disidentë dhe apostuj të lirisë dhe ndofta nuk kishin nevojë për fjalë të tjera. Por ja që isha gabuar. Rasti e solli që një njeri dhe shkrimtar i mrekullueshëm, Nazmi Seitaj, më solli disa libra të tijat dhe midis tyre: “Ngadhnjimi i shpirtit”, kushtuar dy miqve të tij të ngushtë, Gencit dhe Vilsonit. Ai thosh se aty kishte kujtime dhe tregime, por jo; u ndodha para një romani të jashtëzakonshëm, i cili zbulonte edhe një cilësi tjetër të tyre, qenien “fanar intelektual”, sikurse shprehej për Mandelshtamin, nobelisti Brodskij. I botuar në vitin 2007 nga “Globus R”, e Petraq Ristos, çuditem sesi është heshtur ndaj një vepre të tillë letraro – artistike dhe sidomos historike.


    -NAZMI SEITAJ, RINGJALL SHOKËT E TIJ MARTIRË TË POEZISË –

    Qysh kurse jam njohur me fatin tragjik të tyre, nuk e di se me kë mund t`i krahasoja jetët dhe veprat e dy poetëve martirë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ndoshta me atë të Josif Brodskijt që ja nxiu jetën policia e fshehtë sovjetike (KGB-ja) dhe atë të Osip Mandelshtamit, poezinë e të cilit Ahmatova, e quante të një harmonie hyjnore. Sa herë më binte rruga andej nga Librazhdi, ndaloja tek ai grupi skulpturor me dy kokat e tyre që klithnin, dhe sepse më dilte para syve ajo pllaka e mermertë në varrin imagjinar të Starokuncit, ku fare thjeshtë dhe po aq madhërishëm shkruhej: “Kujtimit të ndritur të O. E. Mandelshtamit”.

    E dija se edhe dy poetët tanë të pushkatuar më të rinj se ata, nga stalinistët barbarë shqiptar, ishin mjaft të talentuar, disidentë dhe apostuj të lirisë dhe ndofta nuk kishin nevojë për fjalë të tjera. Por ja që isha gabuar. Rasti e solli që një njeri dhe shkrimtar i mrekullueshëm, Nazmi Seitaj, më solli disa libra të tijat dhe midis tyre: “Ngadhnjimi i shpirtit”, kushtuar dy miqve të tij të ngushtë, Gencit dhe Vilsonit. Ai thosh se aty kishte kujtime dhe tregime, por jo; u ndodha para një romani të jashtëzakonshëm, i cili zbulonte edhe një cilësi tjetër të tyre, qenien “fanar intelektual”, sikurse shprehej për Mandelshtamin, nobelisti Brodskij. I botuar në vitin 2007 nga “Globus R”, e Petraq Ristos, çuditem sesi është heshtur ndaj një vepre të tillë letraro – artistike dhe sidomos historike.

    Një vepre me të vërteta që i lartësojnë ato dy figura derisa të vendosen pa drojë në mes atyre me të cilët letërsia jonë duhet të mburret. Me “njolla” në biografi, pra njëri me babanë e arratisur dhe tjetri i cilësuar si familje kulaku, pasi paskëshin strehuar diversantë, duke qenë djem fshati, të larguar nga detyra e arsimtarit, që ruanin bagëtinë e punonin me kazmë, që largonin arinjtë në pyll me ura zjarri, që kryenin shërbimin ushtarak në reparte pune me të deklasuarit e tjerë, me të drejtat më elementare të mohuara, me shkollim të cunguar, të ndjekur në çdo hap nga spiunët dhe përherë nën kërcënimin e intrigave të sigurimit, ata kishin një vullnet titanik për dije e kulturë.

    Lexonin pa u lodhur, duke kërkuar ngado për libra të autorëve më të shquar, shpesh dhe të ndaluar, ata gjenin forma dhe mënyra të pabesueshme për të mësuar gjuhë të huaja, përkthenin dhe shkruanin vetë poezi nga më të bukurat edhe pse e dinin se nuk do t`u botoheshin. E gjenin kënaqësinë te muzika, tek ajo superiorja që kishte dalë nga mendja, shpirti dhe dora e Bet`hovenit, Moxartit, Shubertit e Verdit me shokë. Njihnin me imtësi trashëgiminë e mjeshtërve të muzikës së pavdekshme, deri krijimtarinë e tyre operistike. Ja si shprehej Genci: “Duhet ta dinë të gjithë se ne nuk jemi fatkeq, se ne nuk jemi të mjerë. Shpirti ynë ngazëllen, sepse është i pushtuar nga tingujt madhështorë të Beet`hovenit”. Kurse Vilsoni: “Fati ynë është i bardhë. Atë e ka shenjtëruar “Titani i dhimbjes njerëzore”. Ne jemi të lumtur, sepse e kemi gjetur dritën e jetës te “Simfonia e Fatit”. Mjerë ai që nuk ka mundur ta ndiejë shkulmin e simfonive të Beet`hovenit”.

    Por ata dinin gjithashtu përmendësh edhe Pushkinin, Lermontovin, Paustovskin, Poen, Nolin, Lasgushin etj., etj., dhe kërkonin dikë për të diskutuar rreth tyre. Se masa e gjerë atje në kooperativë a ndërmarrje, jo vetëm që nuk ua kishte ngenë, por edhe ishte larg këtyre gjërave, ndërsa me ata më të mençurit, ishte me rrezik, se nuk dije se kujt t`i besoje. Por njeriu sesi është ndërtuar: ai shpesh orientohet nga ajo që e quajmë intuitë. Dhe intuita i çoi ata te Nazmiu, i cili jo vetëm nuk i zhgënjeu, por dhe u qëndroi deri në fund besnik, Ata kishin gjetur të barabartin, burrin e zgjuar, me zemrën sa bota, dhe me karakter të fortë. Dhe mbi të gjitha, me një memorie të habitshme që edhe pas shumë vitesh nga vrasja e tyre, i sjell me saktësinë më të madhe kujtimet për ta. Natyrisht që këtu autori i librit ka vënë plot gjëra nga vetja, nga kultura e tij. Por kemi të bëjmë me biseda letrarësh, madje mjaft të kualifikuar dhe ato, qoftë dhe afërsisht, aty janë vërtitur.

    S`duhet harruar se Genci që babai i kishte vënë emrin e Mbretit të ditur Ilir që luftoi me legjionet e konsullit romak Anici, merrej me gjuhësinë dhe Vilsoni, që e kishte atë emër nga presidenti amerikan, mik i shquar i yni që bëri aq shumë për Shqipërinë, merrej me përkthime. Në disa pika, jeta e tyre, vetëformimi dhe atdhedashuria e tyre i ngjan asaj të birit të paharruar të Çamërisë. Bilal Xhaferrit. Të dy ata edhe pse të paepur në urrejtjen ndaj sistemit diktatorial komunist, kishin ndjenja të holla dhe një shpirt delikat dhe ashtu sikurse na i përshkruan Nazmiu, shpesh e gjenin frymëzimin, ngushëllimin, por edhe lumturinë te natyra. Edhe vetë ky autor, si të qe nxënës i filozofit Seneka, sa herë shkonte tek ata në Bërzeshtë, natyrën na e jep të idealizuar. E pikturon atë me ngjyrat e nuancat më të bukura e optimiste, Edhe krahasimet atje i gjen. Kur flet për krijimtarinë e Gencit thotë: “Poezitë i shpërthenin nga shpirti e nga nga zemra, siç shpërthente në pranverë lëndina plot me lule të reja”.

    Ka një lidhje proverbiale intelektuale mes atyre tre poetëve; ata sikur të kishin pasur për mësues vetë Epikurin që thosh se “Nga të gjitha gjërat që dija siguron për të pasur një jetë të lumtur, e mira më e madhe është miqësia”. Nazmiu jetonte nga viti 1951 në Elbasan, ku nuk i mungonin shokët, miqtë e të njohurit, por ai atje e kishte mendjen, tek ata të dy. Në ditë të nxehta me diell, në rrebeshe shiu, në baltë e në të ftohtë, do shkonte t`i takonte dhe të bënte “orë letrare” me ta. Vështirë të gjesh një shembull të ngjashëm. Ndofta vetëm te “Tre shokët” e Remarkut, ku mbizotëron miqësia midis O. Kaslerit, G. Lencit me Robert Lokampin, treguar aq bindshëm nga ky i fundit. Se dhe fundin e patën pak a shumë si i tyre; më shumë se shekspirian. Se te gjeniu anglez, janë vrarë, por për pushtet e shumë, shumë për dashurinë, por jo për poezitë e shkruara prej tyre. Se ato qenkëshin disi pesimiste.

    Po si mund të ishin poezitë e sinqerta në realitetin e trishtuar e mjeran shqiptar të atyre viteve? Dhe pikërisht te kjo anë e asaj dukurie nga më të shëmtuarat, përqendrohet autori i këtij libri. Ai nuk ndalet te tmerret e torturat e hetuesisë, as te dëshmitarët e poshtër e pa dinjitet, madje as te pushkatimi i tyre, groposja shkel e shko e rivarrimi. Atij i ka mjaftuar të na njohë deri në imtësi me vlerat e larta njerëzore, kulturore, artistike, shpirtërore, me dëshirën përvëluese për liri. Ai e ka parë më të arsyeshme që duke na i portretizuar, ashtu siç ishin, me njerzillëkun, dashurinë për jetën, për vajzën që Vilsoni njohu në tren, të cilës i çon më pas një tufë me lule (pra si Robi me Patin), ngazëllimin kur u vinte miku në shtëpi, çuarjen e një shporte me mana ushtarëve të rraskapitur nga puna e lodhshme, kujdesin për të mos u hapur telashe të tjerëve me “biografinë” e tyre të mallkuar, mirënjohjen për këdo që i kishin ndihmuar dikur, qoftë edhe për të gjetur librin e Mysesë “Mimi Penson” etj.

    Dhe shihni sa pak kërkonin ata; Vilsoni: “Do të ulemi pranë ndonjë burimi, nën hijen e ndonjë ahu dhe do të lexojmë Viktor Hygonë”, në ndonjë ditë pushimi andej nga maja e Sopotit. Por edhe kjo nuk u realizua, sikurse nuk u realizua as përfundimi i “Nëntëdhjetë ditët e vjeshtës” nga ana e Gencit, pasi obskurantistët, armiq të kulturës dhe shpirtrave të lirë, u vunë prangat dhe i mbyllën në qeli. Nazmi Seitaj, e di mirë se brenda tij Vilsoni shprehej se: “Unë nuk do t`i shoh kurrë Francën dhe Parisin dhe do të vdes i helmuar. Parisi, arti dhe dashuria. O Perëndi, përse linda në këtë botë!” Kurse Genci nga ana e tij, ishte i ndërgjegjshëm se: ”Unë jam si Ezopi, më ngroh vetëm liria e vërtetë…! Kur të ndryshojë sistemi nga rrënjët, vetëm atëherë do të më ngrohë dielli… edhe sikur të mos jem gjallë, do ta ndiej ngrohjen e eshtrave të mia…”! Me të drejtë autori Nazmi Seitaj, e ka krahasuar atë me Sharl Lonsevillin e Kostandin Paustovskit, pra francezin liridashës dhe ëndërrues të lumturisë.

    Por të dy ata ishin shumë më tepër se kaq; Alan Poe, poet i madh por krejt i kotë i Amerikës. Edhe ata, lirikë aq të ëmbël e mjaft të talentuar, nuk i duheshin gjë asaj Shqipërie. Përkundrazi, përbënin rrezik për diktaturën. Edhe atje, në atë humbëtirë ku jetonin. Se idetë, si edhe poezitë nuk njihnin barrikada; ato fare lehtë mund të kapërcenin çdo pengesë dhe të mbërrinin kudo, edhe në Kryeqytet. Dhe kjo ishte mëse e vërtetë, po të lexoje poezitë e Gencit; “O hënë, pse dole moj aq trishtuar, / Mos vallë për mua po mban zi? / Ç`më shikon ashtu me sy të lotuar, / Mos m`u sos jeta dhe unë s`e di? / Po edhe në vdeksha, jeta s`ka mbaruar, / Dhe pse shkruaj të fundmen poezi”! Ose “Saharaja”, e Vilsonit, që fliste fare haptazi kundër, duke akuzuar se ajo nuk dinte të ëndërronte, veç bluante gurë, s`ka as këngë, as lot të qajë, as miq, as shokë, dhe as bijë e as bir. Kaq guxim, ndofta vetëm te Tabir Saraj i Kadaresë, e kemi parë aso kohe.

    Libri i Nazmi Seitajt, ka plot ngjarje e plot personazhe që në rrugëtimin e jetës së tyre, pleksen me fatet e heronjve tanë. Por ka aty edhe njerëz të liq e shtrembanikë. Qoftë se i kanë rrëfyer vetë poetët, qoftë kur ata i ka skalitur pena mjeshtërore e Nazmiut, ata të mbesin në kujtesë dhe nuk të hiqen lehtë nga mendja. I tillë është spiuni ‘Deko’ apo ‘Xhemaliu’ i fantaksur e nostalgjik që shpirtzi siç qe dhe matrapaz, qëndronte tërë kohës i futur në ‘Kadillak”-un e ndryshkur e gjithë pluhur, me goma të rëna, të djegura e të plasaritura. Dhe ky tipi zotëronte Enciklopedinë Franceze prej 40 volumesh. Seiti jo pa qëllim na i paraqet këta mostra; ai do të thotë: “Shihni sa larg tyre qëndrojnë Genci me Vilsonin. Sa të vlefshëm e të virtytshëm janë ata. Dhe shihni edhe sa poshtë kishte rënë ai sistem i degjeneruar i cili, pikërisht tek ata e gjente të mundshëm kërcënimin e tij”.

    Por ata edhe atje ku ndodhen, në atë sheshin e Librazhdit, mbi një pellg uji, me ato kokat e tyre që duket se këlthasin, të kujtojnë kokën e prerë të Orfeut, i cili këndon përjetësisht atje në lumin Ebro. Veç Genci me Vilsonin, të bëhet jo vetëm se janë të gjallë, por edhe sikur deklamojnë vargjet e akmeiztit Mandelshtam i cili, prej satirës kundër Stalinit, vdiq i internuar në Siberi, duke thënë: “Pasi ma morët detin, vrapin, fluturimin / Dhe tokën me gjëmë ma mbytët vaj e lot / Ku dolët, ç`fituat? I qartë përfundimi: / Mërmërimën e buzëve s`ma hiqni dot.” Pra ata, metaforikisht janë përsëri në jetë mes nesh. Dhe një meritë të veçantë për këtë, ka edhe shoku i tyre i shtrenjtë, njeriu dhe shkrimtari i mrekullueshëm Nazmi Seitaj. Ama, një gjë është mëse e sigurt: Dielli i lirisë të paktën po u’a ngroh eshtrat.

    Memorie.al
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Vargje vdekjeprurëse: Si u ekzekutuan poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

    Zbardhen kurthet e ‘Bletës’, ‘Shkumbinit’ dhe ‘Studentit’, si tentonte Sigurimi të fuste në grackë Vilson Blloshmin. Provokimet që përdornin agjentët

    Emri:  Vilson-Blloshmi-Genc-Leka-agjentet.jpg

Shikime: 31

Madhësia:  195.4 KB

    Poeti Vilson Blloshmi ishte në listat e “kontingjenteve armike” të regjimit komunist. I cilësuar si bir një familjeje kulake me baba e xhaxha të burgosur, ai nuk kish si t’i shpëtonte goditjes së luftës së klasave. I lindur në një familje arsimdashëse, me një inteligjencie natyrale për t’u admiruar, adhurues i madh i librit dhe poet që do ta kishte luks çdo vend, Vilsoni ishte preja e një regjimi ziliqarësh e kriminelësh. Me mbarimin e shkollës së mesme pedagogjike, atij nuk iu dha e drejta të punonte në arsim.

    Raporti i parë për të u soll në vitin 1970 kur ishte në moshën 22-vjeçare. Ishin përgjithësisht shprehje për çështjen e punësimit të tij. Më vitin 1974 informatori “Bleta” sillte bisedën me Vilsonin rreth përkthimit të Lamartinit, një diskutim për jetën i ndarë në dy faza, nga rinia te pleqëria me kthimin në fund te besimi për Zotin. Këtë kohë Vilsoni punonte në minierën e Përrenjasit. Diskutimi ishte filozofik dhe jo politik, por raportimi analizohej se Vilsoni ka “përbërje shumë të keqe politike”. “Bleta” në Përrenjas shkonte sërish më 12.10.1974 në dhomën e Vilsonit gjoja për të mësuar frëngjisht. Atje gjeti një person tjetër, Genc Lekën, të cilin Vilsoni ia prezantoi si shokë dhe të afërm. Vilsoni diskutoi me Gencin për letërsinë dhe artin. “Bleta” vërente se “Genc Leka ishte njeri me kulturë dhe e njihte mirë letërsinë, gjithashtu ai vuri re se të dy kishin shumë libra, nga të cilët dhe të autorëve të papërkthyer në shqip si Dideroi, Shatobriani, Lamartini etj.. Vilsoni i kishte thënë se atij i pëlqenin shumë idealistët në teori, për mënyrën se si ata i kundërvihen materialistëve.

    Më 15.2.1975 është marrë vendimi për vënien e tij në përpunim paraprak (PP). Më 19.4.1975 informatori “Shkumbini” raportonte se i kish rënë në sy se “Vilson Blloshmi, lexonte shumë literaturë të huaj në gjuhën frënge”, ndërsa Genc Leka i thoshte se Vilsoni frëngjishten e kishte gjuhën e vet. Në vijim jepen dy informacione të përgjithshme që nuk janë rënduese ndaj Vilsonit.

    Më 11.8.1975 Vilson Blloshmi, i cilësuar “shtresë e pasur kulak”, u ngrit në kontroll operativ 2B. Jepeshin si arsye bisedat me bashkëpunëtorët “Studenti” dhe “Bleta” “për arsye se ka komentuar me bashkëpunëtorin pakënaqësi të theksuar ndaj partisë dhe qeverisë, nuk është dakord që arti ynë të përshkruhet nga një partishmëri e thellë”. Por siç i bënte Sigurimit punët, niveli i informacionit ishte jo cilësor. Madje vëllai i Vilsonit, Bedriu, shkruhet në listën e lidhjeve familjare si “kushëri” i tij.

    Më 5.11.1975 operativi Vesel Gjorga shkruan disa detyra në drejtim të përpunimit të Vilson Blloshmit, ku peshën më të madhe e mbajnë “Studenti” dhe “Shkumbini”. Vija e sjelljes ndaj tyre është ajo provokuese. Do pyetej se ishte me shkollë të mesme dhe nuk i jepnin të drejtën e dhënies mësim. Edhe shakatë që bënte Vilsoni e që mbështeteshin në ngjarje të njohura, operativët i shkruajnë me nëntekste armiqësore e të qëllimta.

    Për të ndezur pak situatën, organizohet djegia e muzeut të Bërzheshtës. Për këtë qëllim, informatori “Dardha”, me porosi të Vesel Gjorgës provokon Vilsonin, të cilin e takon më 20.3.1976 në Qukës. Vilsoni i thotë se djegien mund ta ketë bërë Sigurimi për të marrë njerëz në qafë, por ishte i sigurt se asnjë prej tyre (të deklasuarve) nuk e kish bërë këtë gjë. Madje ishte shkruar edhe një letër për gjoja kryengritje, etj.. Më 17.4.1976 operativi Xhevat Karriqi kërkon të ngrihet Vilsoni në përpunim aktiv 2A “si armik klase dhe të ecet drejt goditjes së tij”. Pas kontrollit që i është bërë në shtëpi, ai kërkon të gjendet lista e librave të ndaluar. Kërkon kontrollin edhe të gruas së Vilsonit dhe të kihej kujdes se mund të arratiseshin të dy.

    Më 10.5.1976 vendoset ngritja në përpunim aktiv 2A e Vilson Blloshmit. Si arsye jepen origjina si kulak, zhvillimi i agjitacionit e propagandës kundër pushtetit (në dosje janë opinione, por jo të atilla që plotësonin elementin penal), si dhe kallëzimi i datës 9.5.1976 (në fakt, në dosje është kallëzimi i datës 15.5.1976) i qytetarit Ferit Çota se Vilsoni mund të arratisej. Feriti kishte qenë shok ushtrie me Vilsonin. Nga shqyrtimi i dokumentacionit nuk rezulton me personalitet të qëndrueshëm.

    Kallëzimi i Çotës (në të cilin ishte futur edhe një element që mund të lidhej me “terrorin”, marrja e dy minave) i bëhet i njohur sekretarit të parë të PPSH-së në rreth, Sotir Koçollarit si dhe Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në MPB.

    DPB Librazhd miraton edhe planin e masave agjenturiale operative për parandalimin e arratisjeve të Vilsonit, Genc Lekës, etj. Më 14.5.1976 Ferit Çota instruktohet si ta provokojë Vilsonin, përfshi edhe një incizim të fshehtë në vendin e caktuar, që u realizua po atë ditë. Ndaj Vilsonit vendoset survejimi. Një vijësjelljeje tjetër për denoncuesin harton edhe operativi Xhevat Karriqi. Çota e realizon incizimin, por në të nuk ka asgjë thelbësore, nuk arrin ta fusë në kurth Vilsonin. Duket që edhe kallëzimi i tij ishte i rremë. Ai e provokon vazhdimisht Vilsonin se do të arratisej. “S’jemi takuar hiç ne të dy”-i thotë Vilsoni.

    Kur ishte zhvilluar goxha bisedë, Vilsoni e fton të bisedojnë jashtë godinës, por Çota refuzon. “Për çfarë më ndjek mua prapa ti”- i thotë Vilsoni që duket e ka kuptuar lojën e tij. Në këtë mënyrë dështoi gjithë plani i përgatitur nga DPB Librazhd për të futur në kurth Vilson Blloshmin. Dështimi i gjithë shtetit dukej qartë edhe në shënimin e fundit sepse “objekti” (Vilsoni) nuk kishte besim te denoncuesi. Për këtë arsye, Ferit Çota më 15.5.1976 nënshkruan para hetuesit Lulo Ymeri dhe operativit Spiro Lera një kallëzim (të rremë) penal ndaj Vilson Blloshmit, duke kaluar kështu drejt veprimeve legale hetimore-gjyqësore.

    Sipas kallëzimit, më 9 maj, kur ishin duke gjuajtur peshk, Vilsoni gjoja i kish thënë se do arratisej në Jugosllavi. Por as këtu Vilsoni nuk kapet në kurth. Ai shkon në DPB Librazhd dhe kallëzon Ferit Çotën për kallëzim të rremë. Zgjuarsia e Vilsonit arrin në një pikë vërtet të pabesueshme. Ai akuzon Feritin se i kishte para borxh si dhe ndërton kundërakuzën e tij bazuar në provokimet e tij (Feritit), duke nxjerrë se ishte provokuesi ai që i kish thënë të arratiseshin.

    Dështimi i F.Çotës, detyron operativ V.Gjorgën të dërgojë informatorin “Dardha”. Gjorga shkruan se Blloshmi ndiqej për tentativë arratisje dhe si kulak. Operativi tjetër Xhevat Karriqi, porosit “Studentin” të provokojë Vilsonin se kush e kish djegur muzeun e fshatit. Karriqi çon “Nogolin” dhe ndryshe nga Vesel Gjorga shkruan se Vilsoni ndiqej për agjitacion e propagandë, e jo për tentativë arratisje. Të dy operativët, ngatërrohen me njëri-tjetrin. Nuk ishin kurrkund me planin e tyre.

    Më 20.6.1976, DPB Librazhd miraton një plan masash kundër Vilsonit, të hartuar operativi Xh.Karriqi dhe miratuar nga zëvendëskryetari Spiro Lera. Plani synonte aktivizimin më të madh të bashkëpunëtorëve “Dardha” e “Studenti”, si dhe identifikimin e përkthimeve e librave të ndaluar që mbante Vilsoni. Akuza qartësohej për agjitacion e propagandë. Shënimi i fundit për Vilsonin është në lidhje me shkrimet dhe librat që i kishin marrë.

    Pasi të gjithë dështojnë, Vilsoni arrestohet më 5.8.1976.

    Dita e fundit e dy poetëve të dënuarve me vdekje – 17 korrik 1977

    Policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk e prekja ushqimin. Më pas e mora vesh pse-në. Menjëherë më zuri një gjumë i thellë e, i rëndë. Të nesërmen, siç bëja çdo ditë në mëngjes, të parën gjë, hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre; ashtu i rënduar siç isha, patjetër nga droga në ushqimin e djeshëm. Me dëshpërim vura re se polici, që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit dhe vuajtjeve, në pritje të zbatimit të vendimit, kishte marrë fund ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve, prej 35 ditësh, që tringëllonte nëpër korridorin e errët nuk dëgjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës, saherë hynin e dilnin. I kishin marrë përgjithmonë, tinëz meje. M’u nxi zemra dhe më ra të fikët. Tani, për ne, mbetej ta varrosnim dhimbjen në zemër, përgjithnjë….

    Nga Bedri Blloshmi

    Të dielën e 17 korrikut familja erdhi për takim por unë s’doja të dilja. E çfarë t’u thoja? 35 ditët pas vendimit i kisha kaluar në një dëshpërim që s’thuhet. S`më ndihmonte asnjë shpresë. Thonë se njeriut i dhimbset mbi të gjitha koka e vet, por kjo, në atë rast, për mua s’vlente. Kisha një dhimbshuri kaq të madhe për Vilin, pasi qysh në vegjëli e kisha pasur idhull. Dhe marazi më i madh, po e përsëris, ishte që do t`i pritej në mes pasioni për të shkruar e për të lexuar, të cilit i sakrifikonte edhe gjumin. Nga ana tjetër, sapo kishte krijuar familje, madje një muaj pas arrestimit ishte bërë me vajzë. Çfarë t`i dëshiroja po të shpëtonte, veç burgut 25 vjeçar që më priste mua, nën shkopinjt e gomës e duke shtyrë vagona në galeri? Isha tërësisht i asgjësuar nga kjo mynxyrë që na kishte rënë kaq papritur. Dhe çudi, ndjeja mall për jetën e mjeruar që posa kishim lënë pas. Për ato biseda mes tij e xhaxhait, për fjalën e tyre të pjekur, së cilës i bashkohesha duke iu gëzuar që ishim bashkë në mbrëmje. Ah, si mundën e ma morën këtë vëlla? Si ia punuan Gencit të gjorë atje në zyrë? Me çfarë e droguan apo mashtruan, të pabesët? A me të dyja bashkë? Përplasja kokën ndër duar, dhe vetëm shokët e hallit të përbashkët që kisha pranë, me fjalë të ngrohta, më jepnin një arsye për t`i rezistuar vuajtjes së madhe.

    Gjyqi ishte me dyer të mbylluara. Familjarëve tanë u ishte mohuar prania. Dera për ta ishte e mbyllur. Në sallë ishin të pranishëm vetëm sigurimsat dhe antarë partie. Të gjithë me ftesa në dorë. Mendoja se, edhe takimi do të ishte një poshtërim tjetër për mua, me ata që do vëzhgonin dhe mund të ndërhynin, prandaj refuzova të dilja në takim. Por, shokët e dhomës me detyruan që t’i takoja; diçka t’iu shpjegoja ose të paktën t’i shikoja edhe një herë. Në dhomë ishin tre burra, të cilët kishin qenë edhe më përpara brenda me babain dhe xhaxhain tim, e tani po riburgoseshin si të ridënuar. Më thonin që familja ka nevojë për kurajo, prandaj dil takoi, mos i lër në dëshpërim. Kështu dola, në dhomën e ndriçuar dobët dhe u pamë, por me hekurat që na ndanin. Pashë fytyrën e mamasë dhe të motrës, dhe mbrapa tyre ishte kryetari i degës Merdar Hasa, shefi i hetuesisë Selim Caka, hetuesit Lulo Ymeri dhe Nevruz Hamiti si dhe disa civilë-rrozga të tjerë. Nga ana ime, prapa krahëve, kisha nja tre a katër policë. Mamaja dhe motra vetëm qanin. Në hapësirën mes hekurave, më merrnin duart, m’i fërkonin, m’i afronin në faqe e, i puthnin. Më në fund, mamaja e mbytur në lot, foli: “Ç’është kjo hata që na gjeti o bir? Erdhëm në gjyq dhe na përzunë. Mbas ca ditësh dëgjuam në fshat, se ishit dënuar të tre me vdekje, pushkatim. U kërkova këtyre të takoj përpara Vilsonin, që t’i jepja sihariqin që është bërë me vajzë”. Më pushtonte kokën mbas vetes por ç`e do, fytyra ime haste në hekura e jo në gjoksin e mamasë time. Aty ja ktheva: “Mos u mërzisni dhe ti mos shpreso se do ta takosh Vilsonin, sepse ai është mbas kurrizit tim, i lidhur kokë e këmbë, dhe këta, sa të ikni ju, shumë shpejt do ta shuajnë”. Gjatë takimit, isha më shumë i egërsuar se sa i dhembshur, prej prezencës së atyre mbrapa, duke vazhduar pa mëshirë: “Dhe ti mjaft lotove para këtyre, se këta atë duan, të të shohin duke qarë e të kënaqen se ja arritën qëllimit. Ikni shikoni hallet tuaja, mbani veten e qëndroni të fortë, tani do të jetoni me fatin tonë!”. Mamaja psherëtiu mes lotëve dhe më tha: “Mos fol ashtu Bedri. Ai s’ka bërë asgjë të keqe, vetëm libra e libra lexonte, ah, mos kanë faj ato librat e shkretë? Se asgjë të keqe s`ka bërë…” I thashë për të fundit herë: “Mama, mbase prandaj është këtu ku është, se s’ka bërë asgjë”. Në çast kryetari i degës ndërpreu takimin, dhe unë iu ktheva kurrizin menjëherë…

    Në mbrëmje, në dhomën ku isha unë, kur po dilnim për në banjo, erdhi Selim Caka (shefi i hetuesisë). Të gjithë lëvizën vendit, kurse unë vazhdova të rrija ulur siç isha, pa luajtur asnjë gisht. Ai m’u drejtua: “Ti kulak, çke që s’ngrihesh në këmbë?” Unë vazhdoja të qëndroja ulur. Ai ulëriti dhe, unë, përsëri ashtu ulur, i kthehem: “Në këmbë çohem kur të kem frikë … ose respekt. Për ty, as njërën as tjetrin nuk e kam.”

    “Mirë, – më tha, – erdhi përgjigja nga Gjykata e Lartë, ti e ke dënimin aq sa ta dhamë ne, 25 vjet njëher për njëherë. Në atë moment, e vetmja gjë që nuk më interesonte ishte vetja ime, ndaj e pyeta për vendimin e Gencit dhe Vilsonit.

    “Jo, – më tha, – për ata, asnjë ndryshim.” Më pas, mori një të dënuar dhe ia çoi Gencit në birucë. Mesa kuptova ia çuan për t`i treguar bisedën time me shefin e hetuesisë. U dëgjua një zhurmë dhe, disa çaste më vonë, dëgjova policin që i tha në telefon dikujt: “Thërrisni urgjentisht mjekun”, si duket Gencit i kish’ rënë të fikët nga lënia në fuqi e vendimit me vdekje. Ndërkohë në dhomë, policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk e prekja ushqimin. Më pas e mora vesh pse-në. Menjëherë më zuri një gjumë i thellë e, i rëndë. Të nesërmen, siç bëja çdo ditë në mëngjes, të parën gjë, hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre; ashtu i rënduar siç isha, patjetër nga droga në ushqimin e djeshëm. Me dëshpërim vura re se polici, që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit dhe vuajtjeve, në pritje të zbatimit të vendimit, kishte marrë fund ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve, prej 35 ditësh, që tringëllonte nëpër korridorin e errët nuk dëgjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës, saherë hynin e dilnin. I kishin marrë përgjithmonë, tinëz meje. M’u nxi zemra dhe më ra të fikët. Tani, për ne, mbetej ta varrosnim dhimbjen në zemër, përgjithnjë./Kujto.al

    Skeda e përndjekjes së Vilson Blloshmit

    -15.2.1975 në përpunim paraprak PP

    -11.8.1975 në kontroll operativ 2B
    -10.5.1976 në përpunim aktiv 2A

    -5.8.1976 arrestohet

    -17.7.1977 ekzekutohet

    Skeda e jetës së Vilson Blloshmit

    18.3.1948 u lind në Bërzeshtë

    1962-1966 nxënës në Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan

    1966-1968 punëtor në ndërmarrjen e drurit në Stravaj

    1968-1970 ushtar në Tale të Lezhës

    1970-1973 në kooperativë bujqësore

    1973-1975 minator në minierën e Përrenjasit

    1975-1976 në kooperativë bujqësore

    Panorama

Tema të Ngjashme

  1. Genc Leka
    Nga Askusho në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-09-2012, 08:24
  2. Poetet E Vjeter Dhe Poetet E Rinj
    Nga Askusho në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 01-09-2012, 11:04
  3. Vilson Blloshmi
    Nga INDRITI në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 26-09-2010, 17:29
  4. Arrestimi dhe pushkatimi i Genci Lekës dhe Vilson Blloshmi-t
    Nga RaPSouL në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 28-03-2008, 10:06
  5. Vilson Ahmeti tregon..
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-11-2006, 03:06

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •