Një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë evidentoi rritjen e kërkesave për ndihmë gjatë pandemisë, por edhe mungesën e studimeve apo problemet e shumta me të cilat përballet ky sektor i shëndetësisë.

Emri:  covid-19-4949163_1920.jpg

Shikime: 4549

Madhësia:  35.7 KB

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë mbajti të mërkurën një seancë dëgjimore për pasojat e shëndetit mendor gjatë periudhës së pandemisë dhe masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje.

Vjollca Braho, zv.ministre e Shëndetësisë theksoi se ka pasur një numër të madh personash që kanë kërkuar ndihmë gjatë kësaj periudhe, gjë që ka çuar në dyfishimin e numrit të qendrave komunitare që ofrojnë këtë shërbim.

“Në vitin 2019 është shtuar numri i qendrave komunitare të shërbimit të shëndetit mendor duke arritur në 10 të tilla. Përveç tyre janë dhe 14 shtëpi mbështetëse, ku janë shtruar 150 persona që marrin shërbim me qëllim rehabilitimin për një jetesë të pavarur,” tha ajo para komisionit.

Duke i referuar shifrave të vitit 2021, Braho raportoi se “nga këto qendra komunitare janë kryer 70 844 vizita, nga të cilat 18 për qind janë kryer në banesë”. Ndarja sipas grupmoshave që kanë kërkuar ndihmë sipas saj është “66 666 mijë persona të rritur dhe 4178 raste fëmijë dhe adoleshtë”. Ndërkohë, në sistemin online të këshillimit të hapur gjatë pandemisë janë bërë 25.392 thirrje nga qytetarët, shtoi përfaqësuesja e ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas saj, ndikimi i pandemisë në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve ka sjellë dhe rihapjen e ish-qendrës kombëtare të mirërritjes së fëmijëve. Lidhur me masat e marra, Braho tha se ministria ka ngritur një grup pune për hartimin e një plani për përballimin e situatës në të ardhmen, duke parashikuar që deri në 2024 të hapë edhe 10 qendra të tjera socio-shëndetësore.

Pasojat e pandemisë në shëndetin mendor kanë prekur edhe vetë personelin e shëndetësisë. Alban Ylliu nga Instituti i Shëndetit Publik solli para komisionit të dhënat e një studimi të kryer me 2200 profesionistë shëndetësorë, sipas të cilit “25 përqind kanë nivel të moderuar të stresit, 29% depresion të moderuar dhe të rëndë, 6% pagjumësi klinike dhe mbi 50% kishin shenja të pagjumësisë joklinike”.

“Për mendimin tim këto të dhëna do të dilnin dhe nëse matej situata në popullatë,” tha Ylli. Sipas tij, shoqëria shqiptare vijon të vuajë nga stigma ndaj sëmundjeve mendore dhe për këtë arsye nuk shfrytëzohet as check-up për këto sëmundje.

“Duhet të ndryshojmë mentalitetin e shoqërisë sepse kemi trashëguar në mënyrë krejt të gabuar nga komunizmi lidhjen mes problemeve të shëndetit mendor me karakterin,” tha ai duke shtuar se pa ndryshuar këtë mentalitet “do të kemi vuajtje në heshtje”.

Në komision ishte i pranishëm dhe shefi i shërbimit të psikiatrisë në QSUT, prof.dr. Ariel Çomo, i cili ngriti disa shqetësime për problemet që ka ky sektor i shëndetësisë, që nga mungesa e specializantëve të rinj të fushës, shtimi i shtretëve në shërbimin publik apo fondet e pamjaftueshme për rikonstruksionet e spitaleve ekzistuese.

Sipas Çomos, çështja e shëndetit mendor duhet të jetë prioritet për çdo qeveri pasi ka një presion të madh për këtë dhe nga organizmat ndërkombëtarë. “Kurthi ku është sistemi ynë i shëndetit mendor është ky; OBSH thotë reduktoni shtretërit në spitalet psikiatrikë, ndërsa Këshilli i Evropës kërkon standarde për këto spitale”.

Sipas tij, Shqipëria ka numrin më të vogël të shtretërve për 100 mijë banorë, por problemi është se ka shumë shtretër në spitalet e burgjeve.

“320 shtretër i kemi brenda sistemit të burgjeve, që përbën dhe spitalin më të madh psikatiatrik sot në Shqipëri,” tha Çomo, duke kërkuar që të gjendet një mënyrën për shtimin e shtretërve në spitalet publike. “Sepse më mirë të jenë me hyrje -dalje nëpër spitale se sa të jenë në spitalin e burgjeve, ku numri do të shkojë nga 300 në 600 dhe pastaj 900 nëse nuk lirohet ky sistem i sotëm, presioni mbi të cilin është ekstrem,” tha ai.

Gjithashtu burimet njerëzore janë një problem i madh me të cilin përballet shërbimi psikatrik. Sipas Çomos, nevoja është për 3 ose 4-fishim të psikologëve dhe po ashtu i specializantëve për psikatrinë. Në një krahasim me vitin 1990, Shqipëria ka vetëm 10 mjekë më shumë në këtë sektor, sipas Çomo.

Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, e cila ishte inciatore e kësaj seance dëgjimore, tha se shëndeti mendor nuk është vetëm çështje e pandemisë, por më e gjerë dhe kërkoi nga qeveria që ta kthejë në prioritet të shëndetit publik.

“T’i japim prioritet duke nisur nga shëndeti publik dhe shërbimi i spitalit të psikiatrisë dhe qendrat komunitare. Hallkat duhet të funksionojnë bashkë dhe të parandalojmë ato raste që na bëjnë të ndihemi keq,” tha ajo, duke vënë në dukje se institucionet nuk kanë studime për këtë problem.

BIRN kërkoi nga përfaqësuesit e ministrisë së Shëndetësisë dhe ISHP-së një analizë krahasuese me kohën para pandemisë për shifrat e raportuara të problemeve me shëndetin mendor, por nuk mori përgjigje prej tyre.

Deputetja Pampuri tha se përfaqësuesit e ministrisë kishin dorëzuar në komision disa studime të kryera nga organizata të shoqërisë civile mbi pasojat e pandemisë në shëndetin mendor. Ajo i tha BIRN-it se shtetit i mungonte analiza dhe studimet për këtë sektor.

“Nuk ka një databazë të qartë për të bërë analizë krahasuese nga viti në vit nga ministria për rastet e referuara të problemeve me shëndetin mendor,” tha Pampuri.

Deputetët e ndërprenë seancën dëgjimore për shkak të angazhimeve të tyre partiake, duke caktuar dhe një mbledhje tjetër për këtë çështje, ku do të raportojnë dhe përfaqësues të ministrisë së Arsimit për pasojat e pandemisë tek shëndeti mendor i fëmijëve dhe funksionimin e shërbimit të psikologjisë në shkolla.

BIRN