Për herë të parë në më shumë se një dekadë, rriten interesit

Banka e Shqipërisë vendosi të mërkurën të rrisë normën bazë të interesit të lekut, ndryshimi i parë në dy vjet dhe rritja e parë që nga viti 2011.

Emri:  Sejko-768x512.jpg

Shikime: 86

Madhësia:  28.4 KB

Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normën referuese të interesit në ekonominë shqiptare, REPO, me 0.5%, ndryshimi i parë i këtij çmimi që nga pandemia e koronavirusit të ri në vitin 2020 si dhe ndryshimi i parë në rritje që nga viti 2011.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi se rritja e normës së interesit bëhet me synimin e mbajtjes së kufizuar të inflacionit, i cili, sipas parashikimit të BSH-së, do të arrijë në Shqipëri në 5-6% deri në fund të këtij viti.

“goditjet e ofertës dhe qëndrueshmëria e kërkesës së brendshme pritet të pasqyrohen në norma më të larta inflacioni. Sipas skenarit bazë të parashikimeve, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022. Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij,” deklaroi Sejko.

Norma bazë e interesit është interesi me të cilin banka qendrore jep hua dhe pranon depozita me bankat e nivelit të dytë. Duke qenë se banka qendrore ka një rol të konsiderueshëm në tregun e parasë, ndryshimi i interesit bazë prej saj zakonisht pasohet nga ndryshimi i interesit të kredive, depozitave apo të titujve të borxhit publik apo privat në lekë.

Bankat qendrore i ulin interesat bazë në rastet kur ekonomia është e ngadaltë ose në recesion, me shpresë se interesat e ulëta do të nxisin bizneset dhe individët të konsumojnë, duke nxitur ekonominë dhe duke shmangur rënien e çmimeve. Kur ekonomia është në rritje të tepërt, banka qendrore i rrit interesat me qëllim që të “ftohë” çmimet duke diskurajuar huamarrjen e tepërt.

Normalisht, rritja e interesave në vendimin e së mërkurës duhej të kishte sugjeruar daljen nga kriza e gjatë që nisi me tërmetin e vitit 2019 dhe vijoi me pandeminë e viteve 2020 dhe 2021 por rritja ekonomike pritet të goditet fort nga kriza ndërkombëtare e çmimeve. Sipas Sejkos, “ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja të qarta rimëkëmbjeje,” por “Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike”.

“Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror,” deklaroi Sejko

Rritja e çmimeve të energjisë gjatë vitit të kaluar sollën rritje dramatike të çmimeve të mallrave të tjerë të varura nga energjia, përfshirë lëndët e para në industrinë e ndërtimit (çelik apo çimento) apo imputet bujqësore. Rritja e kostos së energjisë dhe e mallrave me intensitet të lartë energjetik si çeliku, çimentot apo tullat, pritet të paralizojnë së paku përkohësisht një pjesë të tregut të ndërtimit ndërsa rritja e kostos së naftës dhe të fertilizuesve mund të shtyjë një pjesë të sektorit bujqësor të mos mbjellë këtë vit ose të mos plehrojë, gjë që në çdo rast do të sjellë prodhim më të paktë.

Banka e Shqipërisë përdori për herë të parë REPO-n si mekanizëm të politikës monetare në vitin 2003. Gjatë dekadës së parë pas rënies së komunizmit Banka Qendrore urdhëronte bankat e nivelit të dytë të pranonin depozita me një normë interesi minimale. Interesi bazë u ul nga viti 2003 deri në vitin 2005, pastaj u rrit deri në vitin 2009 dhe më pas, u ul sërish pas krizës financiare botërore të fundit kësaj kohe. Norma e interesit ka qenë në ulje që nga viti 2011 pasi programet e njëpasnjëshme qeveritare për rritje ekonomike dështuan të japin rezultatet e pritshme dhe ekonomia përjetoi një rritje të ngadaltë deri sa u godit nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia e vitit 2020.

BIRN