Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,205

    Profesionet / Zanatet e dekadës së ardhshme

    Epoka digjitale/ Teknologjia kryeson zanatet e dekadës së ardhshme

    Njerëzimi ka hyrë në epokën digjitale.

    Kriza e shkaktuar nga Covid-19 ka përshpejtuar akoma më shumë ndryshimet teknologjike.

    Sipas një studimi të Institutit për të Ardhmen, 85% e profesioneve që do të ekzistojnë në vitin 2030 nuk janë krijuar ende.

    Revolucioni industrial 4.0 ka nisur të transformojë rrënjësisht tregun e punës, ku pjesa më e madhe e profesioneve të reja do t’i përkasin fushës së teknologjisë së informacionit. Kështu, çdo risi krijon nevojën për një specialist të asaj teknologjie dhe mundësitë janë të pafundme dhe shtohen dita ditës.

    Kjo fushë shihet me interes edhe nga shumë të rinj shqiptarë, që e konsiderojnë një treg me mundësi të mëdha, ku krahas sigurisë dhe pagave të larta, vlerësojnë mundësinë për t’u punësuar nga kompani të huaja, duke jetuar në Shqipëri.

    Por e ardhmja premton shumë zanate të reja që lidhen edhe me bujqësinë, si fermerët agroekologjikë, mbrojtjen dhe rigjenerimin e mjedisit, menaxherin dhe këshilluesin financiar të risive siç janë sot kriptovalutat, si edhe profesione që lidhen me ndërveprimin social si këshilltar për jetën dhe imazhin personal, etj.


    /b.h / Java News

    https://javanews.al/epoka-digjitale-...s-se-ardhshme/
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 30-01-2022 më 08:50

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,205

    Për: Profesionet / Zanatet e dekadës së ardhshme

    Nga këshillues pushimesh tek somelierë dhe influencer/ Cilat janë profesionet e reja që po nxit turizmi në vend

    Rritja e turizmit po nxit profesione të reja në sektor dhe në industritë mbështetëse të tij. Operatorët e një sërë segmenteve shprehen se tendenca vjen si rezultat i standardit dhe cilësisë, të cilat po ndryshojnë gradualisht në përshtatje të kërkesave nga tregje të reja që po vijnë në Shqipëri.

    Vite më parë, profesione si menaxher SPA-je, këshillues pushimesh, somelierë, kapitenë apo bloger/influencer në turizëm nuk ekzistonin, ose ishin të pakët, kurse sot, numrat po vijnë në rritje. Paralelisht me profesionet e reja po konsolidohen edhe ato kyçe të turizmit, në drejtim të menaxhimit dhe marketingut, duke ndarë punën në departamente të veçantë.
    Bizneset shprehen të shqetësuar se rritja e turizmit që po gjeneron vende të shumta pune, po haset me vështirësinë e gjetjes së burimeve njerëzore dhe sidomos atyre të kualifikuar, gjë që vë edhe një herë theksin tek orientimi i politikave të arsimit profesional

    Numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjithmonë në rritje dhe hyrja e tregjeve të reja, po detyron sipërmarrjet e sektorit, të shohin seriozisht cilësinë e shërbimit dhe standardin që ofrojnë. Bëhet fjalë për ato struktura të mëdha me 4/5 yje apo zinxhirë hotelesh, që bazë të operimit të tyre kanë turizmin e organizuar, të vendosura kryesisht në Golem, Vlorë dhe Sarandë.

    Korrigjimi ka nisur së pari nga brenda strukturave akomoduese, të cilat janë bërthama e ku përgjegjësitë janë ndarë qartësisht. Tashmë menaxheri nuk angazhohet në gjithçka që më herët, për shkak të volumit të punës, shërbimi në disa hallka të çalonte. Nga ana tjetër vihet re ndryshimi i mentalitetit të sipërmarrësve mbi personin e ngarkuar me menaxhimin, ku eksperienca dhe shkollimi mban peshën kryesore, duke eliminuar aplikimin e formulës së zakonshme të përfshirjes së të afërmve në biznes.

    “Ka ndryshuar mentaliteti që menaxher në një hotel duhet të jetë një i afërm pra nipi, mbesa, djali apo vajza. Kjo është testuar mjaftueshëm dhe nuk ka rezultuar e suksesshme, për këtë arsye, sipërmarrësit gjithmonë e më shumë po tentojnë të angazhojnë staf të dedikuar, të trajnuar dhe me përvojë në këtë sektor.

    Menaxher tashmë mund të jetë edhe dikush që nuk ka asnjë lidhje me sipërmarrësin, por ka përvojën dhe arsimin e nevojshëm. Sidomos ata që kanë eksperiencë jashtë shtetit janë më të avantazhuar” – pohon Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”.

    Ai nënvizon se nga viti 2004, kur është angazhuar në menaxhim hotelesh, ndryshimet kanë qenë graduale dhe të ngadalta. Ndërkohë që katër vitet e fundit po bëjnë diferencën në mënyrën sesi po organizohet industria e turizmit.

    Riorganizohet kuzhina, somelierët po kërkohen gjithmonë e më shumë

    Kuzhina e restoranteve në hotelet e mëdha është tërësisht e ndryshme nga ajo e një hoteli të vogël për nga mënyra e organizimit dhe ndarjes së përgjegjësive.

    “Nëse flasim për kuzhinën në hotelet e mëdha, ato kanë sektorë të ndarë. Është shefi kryesor për gjithë sektorët dhe më pas ndahen për ‘a la carte’, “i restorantit”, për pastiçerinë, bartender (personi përgjegjës për barin). Tre vitet e fundit, “bartender” ka marrë një pjesë të veçantë në sektor dhe ndahet më vete, pasi është pjesë e rëndësishme e show-t” – pohon Norja.

    Por, a është e thjeshtë të gjesh sot staf të kualifikuar për kuzhinën. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, tha se ndryshe nga profesionistët e tjerë që është e vështirë t’i gjesh, për kuzhinën është disi më e thjeshtë dhe rol në këtë aspekt kanë luajtur institutet profesionale të dedikuar.

    “Për kuzhinën, situata është më ndryshe. Nuk është aq e vështirë të gjesh një shef kuzhine apo një pastiçier. Sigurisht kërkojnë paga të larta, por falë shkollave profesionale mund t’i gjesh më lehtë” – tha Kasa.

    Një tjetër profesion që ndoshta për kantinat e verës është i zakonshëm, por në restorante dhe hotele është i rrallë, është ai i somelierit. Sipas operatorëve të tregut ka një tendencë që të angazhojnë edhe somelierë, apo të trajnojnë staf të dedikuar, që t’u shpjegojë klientëve verën që po konsumojnë, ose t’i ndihmojnë ata me sugjerime.

    “Lind” profesioni i menaxherit të SPA-ve, hotelet po investojnë në këtë drejtim

    Në strukturat akomoduese po rritet tendenca për të përfshirë në shërbimet e tyre edhe SPA-të. Turistët e huaj që po i drejtohen vit pas viti Shqipërisë, e shohin përfshirjen e një ambienti të tillë si avantazh dhe duket se kjo ka rritur edhe interesin për të bërë investime në kësaj natyre në hotelet ekzistuese.

    Operatorët në zonën e Durrësit konfirmojnë se hotelet që nuk e kanë po shtojnë këtë hapësirë, ndërsa ata që e kanë, po e modernizojnë ambientin SPA. Por çfarë është në fakt një ambient i tillë?

    Ambientet e SPA dhe Wellness (mirëqenie) janë ato ku njerëzit shkojnë për të ushtruar dhe kanë trajtime të veçanta për të përmirësuar shëndetin e tyre. Spa dhe Wellness përfshijnë sauna dhe dhoma të ndryshme trajtimi.

    Me rritjen e numrit të SPA-ve nëpër hotele duket se ka lindur edhe një profesion i ri, siç është menaxheri i SPA-së. Edhe pse është pjesë e hotelit, përgjegjësia është e ndarë për të siguruar shërbim sa më të mirë.

    Industria e jahteve dhe anijeve, në krizë për staf të trajnuar

    Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, pohoi se një sërë pozicionesh pune në sektorin e turizmit janë në krizë për staf të kualifikuar. Ai sjell si shembull përfshirjen e tureve detare në zonën e Durrësit dy vite më parë, ku për të siguruar ekipin e anijes u deshën përpjekje të shumta.

    “I gjithë sektori i turizmit është në vështirësi për punonjës. Ka shumë dobësi në këtë aspekt. Edhe emigracioni ka ndikuar, ku largimet gjatë pandemisë ishin më të larta pasi një pjesë e punonjësve mbetën pa punë. Specialistët, apo ata që ishin të mirëtrajnuar, gjetën hapësira dhe u larguan. Për shembull për turet me anije është problem shumë serioz dhe nuk mund të gjesh staf të kualifikuar, pasi nuk ka shkolla të mirëfillta. Kemi negociuar mik pas miku me ndërhyrje dhe duke ofruar paga shumë të mira, por kjo formë rekrutimi sërish nuk është e qëndrueshme” – pohon Kasa.

    Sipas tij vërehen mangësi gjithashtu për specialistë në agjencitë turistike. Tek hotelet ka nisur tendenca e gjetjes së menaxherëve me shumë përvojë dhe kualifikime por nuk ka shumë të tillë në dispozicion.

    Problemin e mungesës së stafit e has edhe Smerald Bozaxhiu, administrator i “Albania Yacht Charter”. Ai thotë se është shumë e vështirë, sidomos të krijosh ekuipazhin në një jaht pasi pozicionet e hostess shihen me paragjykim, edhe pse janë të mirëpaguara.

    “Është shumë e vështirë të sigurosh staf, i cili i përmbush të gjithë kriteret për të shërbyer si crew (ekuipazh), sidomos kur bëhet fjalë për charter (praktikë e dhënies me qira të jahtit për të udhëtuar në disa destinacione turistike bregdetare). Kjo mungesë vjen si pasojë e moskonsiderimit të një profesioni të tillë si një mundësi shumë e mirë punësimi dhe me të ardhura të kënaqshme. Po kështu, edhe nga mungesa e informacionit rreth këtij profesioni.

    Një problem tjetër që vërehet në këtë treg punësimi është se ekuipazhet e jahteve shihen dhe konceptohen kryesisht si punë mashkullore dhe është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur, për të gjetur ekuipazh të seksit femër.

    Standardi kërkon që hostess, zakonisht të jenë vajza, madje edhe në imbarkime të vogla, të cilat kanë 2 crew (ekuipazh profesional), deckhand (pozicion fillestar në një jaht) është një vajzë e cila luan edhe rolin e hostess” – thotë ai.

    Në vijim të hapësirave që po krijon tregu për profesionet e reja, Bozaxhi nënvizon se në Shqipëri mund të funksionojë shumë mirë edhe këshilluesi i pushimeve, që është një person i cili rekomandon itinerare dhe alternativa për të kaluar kohën e lirë. Shqipëria nuk njihet ende shumë mirë dhe për të huajt, një profil i tillë profesionisti do të ishte i përshtatshëm.

    “Në gjykimin tim, një profesion i ri, i cili duhet të zhvillohet është Vaccation Adviser. Ne në kompani kemi persona specifikë, të cilët e bëjnë këtë punë, të cilët ndërtojnë itinerare, evente, aktivitete, lojëra ujore, sugjerojnë destinacione të ndryshme duke bërë edhe një përmbledhje se si mund ta kalojnë kohën e lirë klientët.

    Kjo kërkon një person, i cili ka aftësi shumë të mira komunikimi, si dhe një intuitë se çfarë kërkon një klient (zakonisht një turist i huaj nuk e di as vetë se çfarë kërkon ose se çfarë mund të kërkojë) realisht nga pushimet e tij” – pohon ai.

    Influencer angazhohen në turizëm

    Ardhja e Dua Lipa verën e kaluar në Shqipëri krijoi jo pak bujë në mediat ndërkombëtare, kur këngëtarja postonte nga brigjet e kaltra. Sigurisht profili i një këngëtareje të mirënjohur në skenën ndërkombëtare, me mbi 77 milionë ndjekës, e bën atë një shembull tipik të influencer që mund të ndikojë planet e një pakice potenciale që ta shohin vendin tonë si një destinacion për eksplorim.

    Në një dimension më të vogël sesa ai i Dua Lipa, tendenca e blogerave dhe influencer në turizëm ka ardhur në rritje të vazhdueshme, sidomos në pjesën lokale. Vetë strukturat akomoduese, agjencitë turistike apo kompanitë që operojnë në një nga industritë e lidhura me turizmin kanë përfshirë këtë grup “profesionistësh” në bashkëpunimet e tyre, por gjykohet se ka vend për përmirësim.

    “Unë jam ‘pro’ profesioneve të tilla si bloger dhe si influencer sepse në kohët kur po jetojmë, mediat sociale janë bërë pjesë integrale e jetës sonë. Telefoni është si një shtojcë e trupit të njeriut, dhe kur janë pa telefon, shumica e njerëzve ndihen sikur diçka i mungon. Por nga përvoja ime me influence, mendoj se duhet bërë ende shumë punë për ta kuptuar këtë si profesion.

    Shumë të rrallë janë influencer në Shqipëri të cilët janë të fokusuar në një shërbim, produkt ose stil jetese specifike. Pjesa më e madhe reklamojnë produkte ose shërbime që nuk kane lidhje me njëra-tjetrën (rasti më i mirë) ose bien edhe në kundërshtim produktet me njëri- tjetrin (rasti më i keq)” – shprehet Bozaxhi.

    Efektet e përfshirjes së blogerave në industri shihen pozitive, por afatshkurtra. “Në hotelin tonë kemi pasur bashkëpunime me persona që janë bloger apo persona VIP që mund të kenë shumë ndjekës e mund të na shërbente që hoteli të jetë më vizibël. Vazhdojmë ta bëjmë këtë prej disa kohësh. Sigurisht, përzgjedhja e personit do kujdes, duke e përshtatur profilin e tij me profilin e strukturës, që do të thotë se ne nisemi nga kategoria e klientëve familjarë dhe normalisht zgjedhim dikë të përshtatshëm për këtë.

    Marketimin tonë nuk mund ta bëjë, për shembull, një rreper. Kjo është diçka që funksionon por efekti është afatshkurtër” shprehet Blerim Norja nga “Royal G”.


    / Monitor / Java News

    https://javanews.al/nga-keshillues-p...rizmi-ne-vend/
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 30-01-2022 më 09:14

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,205

    Për: Profesionet / Zanatet e dekadës së ardhshme

    10 punët më të kërkuara për vitin 2022

    Nëse dëshironi të gjeni punë në vitin 2022, është e rëndësishme të dini se cilat do të jenë punët më të kërkuara.

    Pavarësisht nëse po hyni për herë të parë në tregun e punës apo nëse doni të bëni një ndryshim në karrierë, është mirë të dini se cilat industri po punësojnë më shumë, pasi kjo mund t’ju ndihmojë të kurseni shumë kohë dhe mund.

    Gjithashtu, ju mund ta përdorni këtë informacionin për të riorganizuar karrierën ose studimet tuaja duke iu përshtatur sa më shumë pozicioneve që do të hapen në të ardhmen.


    Më poshtë janë 10 pozicionet e punës që do të kenë rritjen më të madhe të kërkesës në vitin 2022.

    Specialist i inteligjencës artificiale

    Siç zbuloi Raporti Emerging Jobs i LinkedIn, në SHBA, rritja e punësimit për specialistë të inteligjencës artificiale është rritur me 74% gjatë katër viteve.

    Ky rol po kërkohet më shumë në të gjitha llojet e industrive dhe duket se kështu do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2022.

    Specialistët e inteligjencës artificiale punojnë në një sërë industrish, por aftësitë e tyre janë të fokusuara në programimin e kompjuterave dhe IT.

    Puna konsiston në zhvillimin e produkteve të reja të bazuara në inteligjencën artificiale, si dhe në përmirësimin e produkteve ekzistuese.

    Shkencëtar i të dhënave

    Një pjesë e madhe e kompanive varen në mënyrë të konsiderueshme nga menaxhimi i bazave të mëdha të të dhënave. Kjo do të bëhet akoma më e rëndësishme në vitet në vazhdim.

    Disa sektorë që kanë më shumë nevojë për shkencëtarë të të dhënave janë telekomunikacioni, sektori bankar dhe ai i kërkimeve.

    Shkencëtarët e të dhënave janë ekspertë në menaxhimin e bazave të të dhënave dhe në nxjerrjen e informacioneve kryesore nga ato të dhëna.

    Inxhinier i robotikës

    Në të ardhmen, kompanitë në të gjithë sektorët do të përdorin robotë për të përmirësuar disa procese të caktuara pune.

    Siç raportoi Bloomberg, kompania robotike UiPath arriti një vlerë tregu prej rreth 36 miliardë dollarë në ofertën fillestare publike në SHBA vitin e kaluar, gjë që tregon shpejtësinë me të cilën po rritet industria.

    Specialistët e robotikës janë përgjegjës për dizejnimin e harduerit dhe softuerit për zgjidhjet robotike.

    Inxhinier Full Stack

    Raporti i Linkedin vuri në dukje se ky është viti i dytë radhazi që pozicioni i inxhinierit full-stack shfaqet në këtë listë. Rritja e kërkesave për specialistë të këtij lloji është rritur me 35% që nga viti 2015.

    Inxhinier i sistemeve Cloud

    Pothuajse të gjitha kompanitë tani ruajnë informacion në cloud, kështu që ky pozicion po bëhet një rol gjithnjë e më i rëndësishëm në të gjitha industritë.

    Sektorë të tillë si shërbimet financiare, telekomunikacioni dhe IT kanë shumë nevoja për këta profesionistë.

    Përfaqësues i zhvillimit të shitjeve

    Kërkesat për këtë rol kanë qenë në rritje të pandërprerë falë zgjerimit të sektorit të teknologjisë. Nevoja e vazhdueshme për klientë ka bërë të mundur që punësimi për këta specialistë të mos ngadalësohet.

    Qëllimi i përfaqësuesit të zhvillimit të shitjeve është zhvillimi i modeleve të reja të biznesit që rrisin shitjet dhe përmirësojnë eksperiencën e klientit.

    Specialist i sigurisë kibernetike

    Çdo kompani ka nevojë për ekspertë të sigurisë kibernetike për të mbrojtur të dhënat e saj dhe të klientëve të saj.

    Fortune raportoi se numri i ndërhyrjeve të paligjshme te këto të dhëna në vitin 2021 e tejkaloi që në muajin tetor numrin e ndërhyrjeve në vitin 2020, duke theksuar rëndësinë e specialistëve të kësaj fushe.

    Teknik i shëndetit të sjelljes

    Ky rol në pjesën më të madhe përfshin punën me njerëz që kanë çrregullime të sjelljes. Nuk ka nevojë për një diplomë specifike për këtë pozicion, prandaj ai mund të jetë ideal për ata që dëshirojnë të bëjnë një ndryshim karriere më vonë në jetën e tyre.

    Raporti i Linkedin tregoi se nevoja për akses në më shumë trajtime të shëndetit mendor është faktori kryesor që ka rritur kërkesat për këtë pozicion.

    Specialist për suksesin e klientit

    Ky rol kërkon njohuri të mira të produktit dhe aftësi për shërbimin ndaj klientit. Është një tjetër pozicion që ka vazhduar të rritet falë sektorit të teknologjisë dhe duket se kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

    Raporti i Linkedin tregoi se 72% e profesionistëve në këtë fushë janë të punësuar në industrinë e IT.

    Zhvillues JavaScript

    Raporti i Linkedin tha se Javascript është një nga pesë aftësitë më të kërkuara në fushën e softuerëve dhe kjo i bën zhvilluesit e JavaScript të jenë ndër më të kërkuarit në treg.


    / Inside / Lexo.al

    https://newslexo.al/2022/01/10-punet...er-vitin-2022/

Tema të Ngjashme

  1. Zgjedhjet 2013: Rezultatet paraprake, e majta kryeson
    Nga bili99 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-06-2013, 09:56
  2. Eksperti Xhorxh Fridman parashikon ngjarjet kryesore të dekadës së ardhshme
    Nga DYDRINAS në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 03-02-2011, 16:16
  3. Lamtumirë dekadës së mallkuar, më në fund!
    Nga muskulozi në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-12-2009, 06:31
  4. Tirana e dekadës se kaluar
    Nga BvizioN në forumin Albumi fotografik
    Përgjigje: 1000
    Postimi i Fundit: 03-06-2009, 05:17
  5. Reuters: Obama kryeson në pesë nga tetë shtete kryesore
    Nga Coca-Cola në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 04-11-2008, 14:38

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •