Mali i Zi tha të mërkurën se ishte afër përfundimit të një marrëveshjeje me konstruktorin amerikan Bechtel për të përfunduar autostradën Adriatik-Jon në Shqipëri – pavarësisht reputacionit jo të mirë të kompanisë në rajon.

Emri:  51764779238_dbca26a008_o-scaled-e1640204318783-768x432.jpg

Shikime: 48

Madhësia:  35.4 KB
Ministri malazez Milojko Spajiç (në mes) dhe përfaqësuesi i Bechtel, Andrew Patterson (djathtas) në Podgoricë. Foto: Qeveria e Malit të Zi.

Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale e Malit të Zi njoftoi të mërkurën se autostrada Adriatik-Jon ka të ngjarë të ndërtohet nga Bechtel, një kompani amerikane e lidhur më parë me disa projekte të diskutueshme në rajon. Pas takimit me përfaqësuesin e Bechtel, Andrew Patterson, ministri Milojko Spajiç tha se një memorandum bashkëpunimi mund të nënshkruhet në javët e ardhshme.

“Studimi dhe ndërtimi i autostradës Adriatik-Jon është projekti i parë, shembulli i parë i infrastrukturës së ndërtuar sipas të gjitha standardeve të BE-së dhe NATO-s. Në javët e ardhshme, kryeministri Zdravko Krivokapiç dhe drejtori ekzekutiv i Bechtel do të nënshkruajnë një Memorandum Mirëkuptimi për të filluar zyrtarizimin e të gjitha marrëveshjeve dhe specifikimin e investimeve të planifikuara”, tha Spajiç.

Në nëntor 2015, Mali i Zi dhe Shqipëria nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi me China Pacific Construction Group, CPCG, për të ndërtuar një autostradë ekspres prej 1.4 miliardë eurosh midis Malit të Zi dhe Shqipërisë – autostradën Adriatik-Jon.

Pavarësisht njoftimeve se ndërtimi i pjesës prej 110 kilometrash do të përfundonte në vitin 2018, projekti ngeci. Më 28 qershor, Ministria për Investime Kapitale njoftoi se kostoja mesatare e parashikuar e autostradës për kilometër përgjatë bregdetit malazez ishte rreth 13.2 milionë euro.

Më 11 nëntor, kryeministri Krivokapiç tha se autostrada do të ndërtohej nga një kompani amerikane, ndërsa Spajiç më 16 dhjetor tha se një marrëveshje me Bechtel do të arrihet deri në fund të vitit.

Në shkurt 2014, konsorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka iu përgjigj një thirrjeje publike për ndërtimin e fazës së parë të autostradës Bar-Boljare në Mal të Zi, por qeveria më vonë bëri një marrëveshje me China Road and Bridge Corporation, CRBC. Ministria e Transportit preferoi ofertën e CRBC prej 809.6 milionë eurosh ndaj kërkesës së Bechtel-Enka për 1.2 miliardë euro.

Më 15 korrik, Maqedonia e Veriut miratoi një ligj të posaçëm që i lejon qeverisë së saj të negociojë me Bechtel-Enka për ndërtimin e tre pjesëve të rëndësishme të autostradës, pasi tashmë ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në prill, i cili ende nuk është publikuar.

Në vitet e mëparshme kompania amerikane është lidhur me marrëveshje të diskutueshme në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2013, Rumania anuloi një kontratë me Bechtel për të ndërtuar një autostradë në Transilvani, pas dhjetë vitesh punë të parregullta dhe me vetëm 52 km rrugë të përfunduara nga 415 km të parashikuara. Bechtel e filloi punën në autostradën e Transilvanisë në 2004 me një kontratë 2.2 miliardë eurosh.

Në vitin 2006, Bechtel Enka fitoi kontratën shqiptare për ndërtimin e 60 km të të ashtuquajturës “Rruga e Kombit” nga Shqipëria në Kosovë për 418 milionë euro. Kontrata për ndërtimin e pjesës së Kosovës iu dha në prill 2010 të njëjtit partneritet.

Megjithatë, kjo u pasua nga lobimi i ambasadorit të atëhershëm amerikan në Kosovë, Christopher Dell. Dell që atëherë është punësuar nga Bechtel si drejtor në Afrikë, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me ndershmërinë e marrëveshjes.

Në Serbi, Bechtel dhe Enka e Turqisë, po ndërtojnë autostradën “Korridori i Moravës”, pasi është përzgjedhur si ofertuesi i vetëm pasi qeveria miratoi një ligj të posaçëm që lejonte pezullimin e procedurave normale të prokurimit publik, me arsyetimin se Serbia “nuk ka kohë për të humbur.”

Samir Kajosevic
BIRN