Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    09-07-2020
    Postime
    225

    A u duhet çmimi “Lumo Skëndo” letrarëve shqiptarë dhe kush na ishte Mit`hat Frashëri

    Pak ditë më parë mesa duket në përvjetorin e vdekjes së Mit`hat Frashërit më 3 tetor, nga Qëndra Kombëtare e Librit dhe e Leximit u promovua çmimi “Lumo Skëndo”, i dhënë në vite nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, më saktë është përdorur që nga viti 2006 me ndërprerje. Sipas Drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, “rikthimi i këtij çmimi synon të kthehet në një institucion gjykimi për veprën më të mirë publicistike, eseistike apo historike të një viti. Ne duam të rikthejmë institucionet e gjykimit, që janë shumë të rëndësishme për ecurinë cilësore të librit shqip”.Sidoqoftë del një pyetje e rëndësishme: Përse ky çmim? Dhe përse ky çmim të bëhet për nder të një individi paradoksal shqiptar, i cili ka luajtur disa role kontradiktore e negative në historinë e Shqipërisë: Mit`hat Bej Frashëri (Lumo Skëndo- si shkrimtar) ka lindur në Janinë më 25 mars 1880 dhe ka vdekur nga një atak në zemër Lexington Hotel on Lexington Avenue in Neë York më 3 tetor 1949, pasi ishte edhe kryetari i Komitetit reaksionar “Shqipëria e Lirë”, pas lufte. Po kush ishte Mit`hat Frashëri që të meritojë të kujtohet nëpërmjet veprës së tij antishqiptare për të vlerësuar me çmimin Lumo Skëndo, letrarët në Shqipëri?
    - Mos vallë nuk njihet mirë ky personazh i dënuar me vdekje për tradhti kombëtare nga gjykata e pasluftës së dytë botërore si kolaboracionist?
    -Apo sepse Mit`hat Frashëri ishte djali i Abdyl Frashërit dhe meqë ishte djali i një patrioti të madh duhet nderuar domosdo?
    -Apo sepse ishte Kryetar i Ballit Kombëtar që bashkëpunoi me nazi-fashistët? Apo sepse Mit`hat Frashëri i emëruar si zv.drejtues i Kongresit të Manastirit në 1908 insistoi që shqiptarët të shkruanin me gërma osmanishte dhe vetëm ndërhyrja e Parashqevi Qiriazit e bindi të përkrahte variantin e gërmave latine dhe për këtë shkak, por dhe për shkaqe të tjera, bëri veprën satirike Çajupi “Klubi i Selanikut”?
    -Apo bëhet për të injoruar rilindasit shqiptarë që luftuan për pavarësinë e Shqipërisë?
    Dihet që qeveria socialiste i rivarrosi eshtrat e Mit`hat Frashërit në Nëntor 2018 në varrezat e dëshmorëve në Tiranë.
    Me sa duket, çmimi “Lumo Skëndo” i dhënë vite më parë nga Biblioteka Kombëtare do t’u rikthyeka si çmim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, por mendoj se do ëe jetë një çmim i denjë për spiunët, tradhtarët, qelepirët e kombit, se sa për të vlerësuar shkrimtarët, poetët dhe letrarët. Një nga përgjigjet me brilante kundër Lumo Skëndos alias Mit`hat bej Frashëri, ia ka dhënë Çajupi me kohë në satirën “Klubi i Selanikut” si një tradhtar e turkofil:
    “T'u thaftë goja, more beu ynë! Të plastë koka
    more beu ynë! Të paskan lënë mëntë, more beu ynë!
    Qenke veshgjatë, more beu ynë!
    Qënke turk, more beu ynë!
    Qenke xhonturk, more beu ynë!
    Ndë Klub të
    Shqiptarëvet na the si duhet të sillet Turqia që të shpëtojë
    nga rreziku i sotmë dhe të rrojë përjetë.
    Pse s'fole një fjalë dhe për Shqipërinë?
    Pse? Apo s'keshe se ç’të thoshe?
    Apo t'erth frikë nga xhonturqit, që të dërguan
    ***-e-sarif ndë Seres, që të shaç kaurët? Pse s'tu th
    gjuha ndë gojë?...
    Mos na thuani tjet?r herë se ini shqipëtarë, mos
    na çani kryet me gënjeshtra, se u kemi kupëtuar se
    ç'ini ndë zemër tuaj! Ju punoni për Turqinë e jo për
    Shqipërinë. Fanatizma u ka verbuar”



    Faktet se ka bashkëpunuar si kolaboracionist me nazi-fashistët janë të vërtetuara në dokumentin e dt. 15 mars 1943, që u quajt dhe “protokoll nderi” i nënshkruar nga Ali bej Këlcyra, Nuredin Vlora si përfaqësues të Ballit Kombëtar dhe Renco Dalmaco, Komandant i ushtrisë italiane, ku shkruhet:

    1-Ne sigurojmë, duke marrë çdo përgjegjësi, shkëlqesinë Dalmaco, komandant epror i fuqive të armatosura të Shqipërisë se asnjë lëvizje kryengritëse me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë Jugore.

    2-Ne japim fjalën tonë të nderit se do të përdorim gjithë ndikimin tonë për të ndaluar... sulmet dhe pas sabotimit që mund të kryheshin eventualisht nga elementët armiq.

    3-Ne e ndjejmë veten të detyruar të zhvillojmë propagandën e duhur për të ndaluar dezertimet e reja të ushtarakëve, për të inkurajuar rekrutime të reja në ushtri dhe për të siguruar që dezertorët të kthehen sa më shpejt në repartet operative.

    (AQSH, "Protokoll nderi" Dalmaco Këlcyra, Fondi 1056, dosja 3, fleta 20, 15 mars 1943). Mit`hat Frashëri ka qenë dënuar me vdekje nga gjykata e pasluftes si kolaboracionist (https://sot.com.al/.../qemal-cicollari-nxjerr-faktet...).
    Mendoj se ky veprim mbetet një sakrilegj, një nga sakrilegjet e qeverive ndër vite të Shqipërisë, për të nderuar dhe për të patur në një vend dhe institucione, dëshmorë dhe tradhtarë, heronj dhe spiunë, engjëj dhe demonë, së bashku të nderuar me çmime njëlloj, të varrosur dhe të kujtuar nga engjëjt dhe demonët e gjallë të kohës së sotme në tokën martire të Shqipërisë…
    Prandaj Nëna Shqipëri nuk gjen qetësi dhe nuk ecën dot me hap të sigurtë njëlloj si vendet e tjera, në momentin që duhet të nderojë heronjtë që dhanë jetën për të, do ti duhet të ulë sytë që të mos shohë tradhtarët dhe spiunët që u nderuakan idem në Shqipëri.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,415
    Postimet në Bllog
    17

    Për: A u duhet çmimi “Lumo Skëndo” letrarëve shqiptarë dhe kush na ishte Mit`hat Frashëri

    Kështu të ka mësuar Partia e shoku Enver Pirro, ti sulmosh "Armiqte e Popullit" edhe kur nuk jane më gjallë?

    Në vend që të mësosh më shumë mbi jetën e kokave të këtij populli, dhe ta vësh jetën e tyre në perspektivën e duhur të kohës në të cilën jetuan, dhe të vlerësosh të gjitha vendimet e jetës së tyre, si ato që na pëlqejnë, edhe ato që nuk na pëlqejne, si një mënyrë për të mësuar prej tyre, ti bën atë bajaten, tregon injorancën tënde historike e kulturore.

    - Mith'at Frashëri është një prej nismëtarëve të Kushtetutës së Turqve të Rinj, (xhonturqve) në Turqi dhe lider i lëvizjes politike liberale kundër pushtetit të Sulltan Abdyl Hamidit.
    - Mith'at Frashëri është kryetari i Kongresit të Manastirit në 1908, që të dha ty gjuhën e shkruar shqipe që përdor edhe sot e kësaj dite.
    - Mith'at Frashëri është firmëtar i deklaratës së pavarësisë në Vlorë, në 28 nëntor 1912.
    - Mith'at Frashëri është publicisti më i mirë i gjithë brezit të tij shqiptar.

    Mith'ati nuk besonte tek Shqipëria e pavarur. Dhe ai nuk ishte i vetëm. Si ai mendonin shumica e gjithe shqiptareve te kohes se tij. Ata nuk besonin se nje Shqipëri e pavarur mund te mbijetonte dot pa mbrojtjen e Portës së Lartë. Mith'ati gjithashtu besonte se zgjidhja me e mire e ceshtjes shqiptare ishte "shqiptaret te bashkuar e autonome nen Porten e Larte". Kjo ishte edhe nje prej arsyet qe ai perqafoi levizjen xhonturke, ishte nje nga kokat e kesaj levizje ne gjithe perandorine, ku pinjollet e familjeve te medha te bejlereve, i kunderviheshin sistemit te kalbur feudal te baballareve te tyre. Kjo ishte ideologjia e kohes se tij, qe u kthye edhe nje nga zhgenjimet e medha te jetes se tij. Ai besonte se nje reformim i perandorise otomane, do te shpetonte jo vetem perandorine nga fundi qe e priste, por do te sillte edhe "shpetimin e shqiptareve nga kercenimi i fqinjeve ballkanike" qe e kishin fituar pavaresine e tyre nga porta e larte.

    - Mith'at Frasheri eshte edhe babai i nacionalizmit shqiptar.

    Nje nacionalizm i ngritur jo mbi nje vetedije te trasheguar kombetare, por si nje perpjekje per te mbijetuar. Duke u perballuar me realitetin se shqiptaret si popull nuk kishin asnje gje te perbashket, as besimin, as traditen, as gjuhen e kulturen, ai perdori "kercenimin e copetimit nga fqinjet" si thirrjen e fundit per mbijetese. Po, ishte dhe mbetet nje nacionalizem anadollak, por e beri efektin e tij per kohen. I beri shqiptaret qe te harronin ndasite e tyre qofte edhe per nje moment, e te luftonin e ngrinin zerin se bashku per mbijetese.

    Askush nuk mund te mohoje dot dashurine dhe kontributin e Mith'at Frasherit per Shqiperine e shqiptaret. Vetem njerezit injorante e bejne nje gje te tille. Duke ditur te gjitha ato qe une ti zura ne goje me lart se cfare mendime e ideologji politike ai perfaqesonte, testi i madh per te ishte 28 nentori 1912 ne Vlore. Kur Ismail Bej Vlora u kerkoi te gjithe delegateve e te pranishmeve qe te hidhnin firmen ne ate cope letre, Mith'ati nuk nguroi, por e firmosi dokumentin e pavaresise. Ne të njëjtën kohë që Mitha't Frashëri firmoste dokumentin e pavarësisë në Vlorë, një tjetër bir beu nga Konica, merrte rrugën e largët e të vështirë nga Amerika për të shkuar në Durrës, e për t'iu kundërvënë Ismail Bej Vlorës dhe Qeversisë së Vlorës, së bashku me Esat Pashë Toptanin. Ai i biri tjetër i beut, e kish emrin Faik Konica. Pirro dhe shokët e tij i thurrin lavde sot Faik Konicës, edhe pse ai luftoi që të vriste foshnjën Shqipëri që në djep. Nuk duhet ti gjykojmë këta burra, duhet vetëm të mësojmë nga veprat e mira të tyre, e në mënyrë të veçantë nga gabimet e tyre.

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 12-10-2021 më 00:07

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,511

    Për: A u duhet çmimi “Lumo Skëndo” letrarëve shqiptarë dhe kush na ishte Mit`hat Frashëri

    Duket me shume si ftetrrufe o Pirro se sa nje kritike mbi veprimtarine e M.Frasherit.
    Patriotizmi i Mith'at Frasherit nuk mundet dhe nuk duhet te vihet ne diskutim. Sa i perket edhe çmimit per letersi edhe aty eshte budallik te diskutosh rolin dhe kontributin e Mith'at Frasherit,nejse eshte teme koti ku nuk ja vlen te diskutosh...

    LEKA 1939
    Emri:  93.jpg

Shikime: 93

Madhësia:  71.6 KBEmri:  94.jpg

Shikime: 115

Madhësia:  19.0 KB

  4. #4
    Ushtar i larte Maska e Neteorm
    Anëtarësuar
    04-01-2011
    Vendndodhja
    127.0.0.1
    Postime
    2,327
    Postimet në Bllog
    7

    N’projtje të Shën Librit, të Njeriut – Mit’hat Frashëri

    Emri:  Frasheri-780x439-1-746x420.jpg

Shikime: 84

Madhësia:  33.9 KB

    Nga Virion Graçi
    Në muajt e fatkeqësisë planetare që është ende në fillimin e saj, iu kthyem më shtruar librave e shkrimeve si mënyra më e mirë për t’i qëndruar larg epidemisë, molepsjes me të keqen shëndetësore dhe pasojave psikologjike, mendore e shpirtërore të izolimit kolektiv e individual. Pa lajmërime fluturake në rjete sociale, iu ktheva dhe unë një dishepulli të shquar të Shën Librit, Mit’hat Frashërit, shkrimeve e të tij, nënvizimeve të mia në kohë të ndryshme mbi ato shkrime; po I sistemoj shënimet e mia si më poshtë; pashmangshëmërisht, mbresat e mia janë të shoqëruara me fakte të mirënjohura nga publiku i gjerë..

    Mid’hat Frashëri është figurë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë: kryetari i Kongresit të Manastirit, firmëtar i pavarësisë; tre herë ministër në tre qeveritë e para të shtetit shqiptar; shkrimtar, publicist dhe bibliofil si rrallë kush në botën shqiptare; Mid’hat Frashëri i njohur ndryshe me emrin e tij të shkrimeve si Lumo Skëndo ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme: kërkime e studime albanologjike, eseistikë, prozë të shkurtër artistike, portrete letrare, udhëpërshkrime e ditarë në frëngjisht, në turqisht dhe në shqip, proza të shkurtëra filozofike, proza poetike, libra shkollorë. Në arenën ndërkombëtare, Mid’hat Frashëri tejkalon mbase ambasadorin e përjetshëm F. Konica si bashkëpunëtor, artikullshkrues në shtypin prestigjoz e huaj, në Francë, Angli, Belgjikë, Zvicër, etj, duke shkuar rregullisht në më tepër se pesëmbëdhjetë gazeta, gjithçka për të afirmuar përkatësinë autoktone të shqiptarëve, identitetin historik dhe integritetin teritorial. Ka qenë botues, drejtues dhe përgatitës i “Kalendari kombiar” që nisi të botohej në Sofje në 1897 dhe për më tepër se tridhjetë vjet u bë një “enciklopedi e vogël kulturore-letrare”; në vitet 1908-1909 do të botojë dendur në gazetën e përjavshme politiko-letrare “Liria”, gazetë-tribunë nëpërmjet të cilës iu kryen shërbime të mëdha kulturës shqiptare; roli e ndikimi i gazetës “Lirija” dha fryte në punën përgatitore për Kongresin e Manastirit. Veprimtaria iluministe-atdhetare e Lumo Skëndos do të vijojë me botimin për njëzet vite me radhë (1909-1929) e gazetës “Dituria”, ku ai vetë mbante barrën e rëndë të kryeredaktorit si dhe autor i shumicës së shkrimeve; në Zvicër boton revistën dymujore në gjuhën frënge “L’Indipedence albanaise”.

    Mid’hat Frashëri i përket brezit të fundit të Rilindjes, por i lidhur organikisht me të duke i çuar gjer nga mezi i shek. XX më përpara idealet, frymën dhe ambiciet e saj, bashkë me të tjerë personalitete si Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta etj.

    Për marrëdhëniet e Dishepullit me Shën Librin po përmendim disa fakte. Në testamentin vetjak të 29 prillit 1929 depozituar në 4 mars 1929 në gjykatën e Tiranës Mid’hat Frashëri shkruan:

    “1.Ç’kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka, etj, ..i lë për krijmin e një INSTITUTI ALBANOLOGJIE që të jetë një qendër e studimeve shqiptare….(shkurt v.g)


    Emri:  kopertina-version3-FINAL.jpg

Shikime: 68

Madhësia:  41.7 KB

    2.Gjithë sa më ka mbetur nga im atë dhe ungjërit dhe që sot formojnë muzenë time familjare dëshironj që të ruhenë prapë në formë të një muzeje të vogëlë brënda në INSTITUT…(shkurt-v.g)

    4. Në paça të holla në shtëpi, në ndonjë bankë, ose hua për të mbledhurë, duke u bashkuar me shumën që do të mirret nga shitja e Librarisë dua të përdoren të gjitha së bashku: a) për të bërë spenzimet e para të një godine e cila të shërbejë si INSTITUT ALBAOLOGJIE..”[1] (shkurt v.g)

    Bibliotekën personale me 40 mijë volume, në testamentin e marsit 1929 e lë trashëgimi për një institut albaologjik; 18.ooo vëllime nga biblioteka e tij janë në Bibliotekën Kombëtare, kurse në bibliotekën e Kuvendit Popullor 31 volumet nga “Le grande encyclopedie” (Librarie Larouss) janë me emrin e tij. Lumo Skëndo organizon dy ekspozitat e para të librit të vjetër shqip: në të parën botimet e gjetura të Kristoforidhit, e dyta me monumentet më të vjetër të gjuhës e të literaturës shqipe, për mbledhjen dhe gjetjen e të cilave harxhoi gjysmën e jetës: veprat e Bogdanit, Bardhit, Budit, Buzukut (si broshurë), Matrangës, Theodhor Kavaliotit, De Radës, Vincens Dorsës, Kristoforidhit (para 1879), Kamardës, etj, etj. Në cilindo bukinist europian të ndodhej një libër a dorëshkrim që lidhej me historinë, me kulturën dhe lashtësinë e Shqipërisë, Lumo Skëndo do të sakrifikonte nga vetja e tij për ta blerë më çdo çmim dhe për ta sjellë në Tiranë.

    Lumo Skëndo shquhet jo vetëm si libër dashës, por edhe si krijues, hulumtues shkencor, prodhimtar origjinal sikurse përmendëm më herët.

    Në fushën e letërkëmbimit është një fond i pasur letërkëmbimi që ka pasur në vite me tërë figurat e shquara të botës shqiptare: Ibrahim Temo, Faik Konica, Anselmo Lorekio, Gaetano Petrotta, Mihal Grameno, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, F.S. Noli, Sheh Sabri Preveza, Dom Idomen Kosturi, Mehmet Vokshi, Kadri Prishtia, Aqif Pashë Elbasani, Basri Dibra, At Pashkë Bardhi, Sulejman Delvina, Ahmet Zogu, Iliaz Vrioni, Hysen Vrioni, Avni Rustemi, Gjergj Pekmezi, Mirash Ivanaj, Sulejman Delvina, Sotir Kolea, Mehmet Konica, Kristo Luharasi, Aleksandër Xhuvani, Ilo Mitkë Qafëzezi, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Justin Rota, Grogor Cilka, Aleksandre Drenova, Xhevat Kallajxhi, Eshref Frashëri, Abaz Kupi, Et’hem Haxhiademi, Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Dr. Trutulli, Dhimitër Fallo, Kolë Tromara, Kostë Cerkezi, Samin Visoka, Branko Merxhani, Ernest Koliqi, Kolë Kamsi, etj,..

    Paraqitja e plotë e letërkëmbimit të Mid’hat Frashërit nuk do të ishte tjetër veçse një histori e re, e plotë e Shqipërisë para e pas shpalljes së pavarësisë, me tërë dinamikën e ngjarjeve të vrullshme dhe problemet e mrehta që shtroheshin për zgjidhje.

    Rilindas në një etapë të re të popullit shqiptar, në etpën e shtetformimit dhe të mëkëmbjes së Shqipërisë, Lumo Skëndo, i kthehet realizmit iluminist kur lëvron tema të ditës për të kultivuar më tej vetëdijen etniko-qytetare të bashkëkombasve – bashkëkohës të tij. Këto lloj analizash në prozë, të pasura me digresione historike, me gjuhë të zhdërvjellët rrëfimtare, ia japin autorit meritën si thyes i ligjërimit tradicional folklorizant-glorifikues që kish përmbytur, për arsye objektive, pjesën më të madhe të trashëgimisë letrare-publicistike. Kur shtjellon ngjarjet madhore të krijimit të vetëdijes kombëtare, kurorëzimit të lëvizjeve çlirimtare-pavarësuese, ndonëse i lidhur fort emocionalisht me to, për shkaqe edhe familjare: babai i tij…Abdyl Frashëri, xhaxhallarët e tij…Naim, Sami.., ai vetë në shoqërinë e Stambollit pas vdekjes së Samiut, ai vetë në krye të kongresit të Manastirit, e megjithatë i lë vend vetëm argumentit racional, historiko-krahasues dhe jo patetikës hiperbolizuese, autolavdëruese.

    Shkruan për brezin e parë të Rilindjes shqiptare: – Koha në të cilën rrojtën burrat tanë qe një kohë e kombësive, periudha e njerëzisë, kur jo vetëm ndjenja e kombësive ishte lartësuar dhe zgjuar, por edhe kur politika dhe interesi material i popujve dhe njerëzve bazohej mbi kombësinë, mbi shtyllkat dhe interest e bashkuara me idealin e ri. Shekulli i nëntëmbëdhjetë, me tronditjen e revolucionit të Francës, pa zgjimin dhe rritjen e idesë së solidaritetit ndërmjet individëve të një race, të një gjuhe dhe të një kombi.

    Kur merret me personazhet-apostuj të shqiptarisë e karakterizon e njëjta vetëpërmbajtje shembullore: – Këto fytyra të ndershme janë për ne: Kristoforidhi, Hoxha Tahsini, Pashko Vasa, Efthim Mitko, Koto Hoxhi, Naim Frashëri me të dy vëllezërit, Abdylin dhe Saminë, tetë persona që formuan një trup të vetëm për idenë, për frymën, për fuqin. Që të tetë ishin apostujt e një qëllimi, punëtorët e një godine gjigande, e një vepre kolosale, punë fare e re në zemër të Arbërshit.

    Ligjërimin litotik-atdhetar të Lumo Skëndos e gjejmë dhe më tej, në shkrime të shumta problemore në përpjekje për t’i dhënë fytyrë moderne shtetit të ri dhe shqiptarit tradicional: Kombet, si dhe njeriu, nuk duhet të jenë indiferentë për opinionin që kanë të huajt për ta…Kjo nevojë është më e madhe akoma për ne shqiptarët, një komb lindur i ri në jetën politike, një popull i njohur liksht dhe mbi të cilin është bërë një propagandë e ligë. Të njohurit e opinionit publik të botës për Shqipërinë, s’është pra për ne një kuriozitet, një merak literar, po, dhe më tepër, një detyrë politke dhe patriotike.

    Duke nxitur iluminimin kulturor-qytetar të bashkëkohësve, ai paralajmëron pseudozhvillimet intelektuale me një tablo sinoptike që nuk e ka humbur aktualitetin: Të mos inkurajojmë injorancën që po e mbulon Shqipërinë dhe shenjën më të çuditshme e më të pamoralshme të saj po na e japin shumica e gazetave, dua të them e atyre fletushkave të liga-shtypur me mellan të keq dhe fëlliqur nga një gjuhë më e shëmtuar akoma. Nukë flas për idetë se nuk kanë asnjë! Këto fletushka po celenë çdo ditë si kërpudhat mbi togun e plehësë.

    Lumo Skëndo, në të njëjtën hulli me Faik Konicën e Gjergj Fishtën dhe të tjerë rilindës të kohëve moderne, iu vu punës për bërjen e shqiptarit si punë më e gjatë e më e vështirë se ajo e bërjes së shtetit shqiptar; dhe kjo bërje e shqiptarit modern niste me njohjen e vetes, me pranimin e realiteteve mbizotëruese: Gjeografi e vendit e ka bërë të ketë një kotësi qesharake, një egoizëm të ngurtë, të vërë veten e tij, unin, përpara çdo sendi. Gurët dhe shkëmbinjtë e kanë bërë lakmiqar, grabitës, të vrasë një njeri për një hudhër, për një grusht bar, për një pëllëmbë arë.

    Shpjegimin e kësaj gjendjeje të shqiptarit e kërkon në shkaqe historike: Me anadollakun si jeniçer apo bashibozuk kemi vajtur të grabitim gjer në Hungari, jemi vrarë në Bgadat dhe në Jemen; jemi shkruar zaptie për një me mexhitkë në muaj..(shkurt..vg) kjo jetë bashibozuke dhe kondotiere, një rrojtje ku shisnim jetën tonë për një kacidhe dhe i merrnim shpirtin tjatrit për më pak akoma na mësoi të mos e duam ligjin, të mos e njohim, të mos i bindemi. Na stërviti edhe një herë që të rrojmë me rrëmbim e jo me djersën e ballit.

    Duke zhveshur shqiptarin nga petkat e vjetëruara të miteve romantike, Lumo Skëndo shkruan: Në malësi të Shqipëris’ së veriut gjithë ëndërrimi i një burri është që të ketë një jelek të qëndisurë me ar, nja dy piqolla të lara, një çibuk të ergjëntë; edhe të rrijë, të pijë cigar dhe kafe tërë ditën. Kam parë në Shkodër gra malësore që bënin hamallëk në qytet dhe ngarkoheshin me arka të mëdha të pajës, që të marrin nja dy grosh, kur i shoqi i tyre, me ombrellë nën sqetull, tundësh si levend.

    Sigurisht kur bën këto rrëfime sarkastike-volteriane ai është duke i përfytyruar dhe përgatitur bashkëvendasit e tij në perspektivën dinamike të qytetërimit europian, përkundër mendësisë tradicionale orientale.

    Në fushën e polemikës Lumo Skëndo ka lënë një model ende të pakapërcyer nga gazetaria shqiptare; është fjala për përgjigjen e kthyer Andon Zako Çajupit, për të ashtuquajturin pamflet: Klubi i Selanikut, paraqitur me zell si tekst model në literaturën komuniste dhe tekstet shkollore përkatëse, filluar nga v.1945…

    Lumo Skëndo informon saktësisht, për të rrëzuar elementin bazë të kundërshtarit: keqkuptimi ose keqinterpretimi i qëllimshëm i Çajupit i veprimtarisë në të cilën e ftuan të vinte meqë u ndodh në Selanik mes bashkëatdhetarësh: Sa për konferencën ajo konferencë ish për turqit dhe islamizmin; ishte konferencë historike, sociologjike dhe filozofike. Zoti Çajup më duket se ka kënduar dhe duhesh të dijë që çdo konferencë ka sozhetin e tij, pra s’mund të qërtohet konferencari pse nuk foli edhe prej akëç e prej akë cilës gjëje.

    Lumo Skëndo sintetizon shkrimin shpifës/fyes të Çajupit, stigmatizon dukurinë, por po aty afirmon personalitetin e kundërshtarit të tij, Çajupit: Me një gjuhë të pamatur, me fjalë të turpshme, artikulli është më tepër një përflim i trashë; të mos kishim parë nënshkrimin Çajup, do të thoshnim se është fonografisur më një kafene të ligë. Por emri i një shkronjësi, ky emër i vjershëtorit të Baba Tomorrit, autorit të hollë të “Fshati im”, “Bariu”, na bën që të mendohemi: kur një njeri si zoti Çajup unjet kaq poshtë, ç’të themi pastaj për të tjerët?

    Lumo Skëndo përcjell një model të shëndetshëm të moralit intelektual: – Ishte një gjë që trembeshim shumë, nga e cila dridheshim: kjo ish një sëmundje e ligë, një sëmundje më e keqe se kolera dhe se murtaja: grindja. – Përshtypja që më bëri këndimi i artikullit qe një të ardhur keq, të ardhur keq jo vetëm për shkronjësin, të cilin e kam dashur dhe respektuar gjithnjë, po për kombin tonë: se, sikundër thotë një fjalë, miza e vogël është po turbullon zemrën; ashtu dhe të tilla fjalë janë pa ndonjë rëndësi, po turbullojnë zëmërat.

    Nga proza didaktike-filozofike një model i shkëlqyer nga Lumo Skëndo gjendet te revista mujore “Shqiptarja”, Tiranë, 1929. Princesha e dlirë, në ditën që do të zgjidhte princin e saj të zemrës, u vendos nga perëndia në një sprovë karakteri dhe mençurie: përballë iu shfaqën dy djelmosha indentikë me të ëndërruarin e saj; njëri ishte i vërteti, njeriu, tjetri ishte perëndia vetë që kish marrë krejt formën e djalit të ëndërruar prej vajzës: Qysh ta njohë? Shikonte dhe zemra e saj u mbështoll si një zok i vogël në krahëror. Atëhere, vuri re një send: njëri prej djelmoshavet kish ballët të dërsitur, trupi i tij linte hije mbi tokë, këmbët e tij ishin mbuluar me pluhur. Perëndia s’kish as hije, as djersë. E njohu të dashurin e saj që ishte njeri, kishte ardhur së largu, ishte lodhur në udhët e këqija të këtij dheu.

    Sa u përket portreteve letrarë po ashtu Lumo Skëndo ka lënë modele të papërsëritshëm kushtuar personave historikë si: Franklin, Abdyl, Naim, Sami Frashëri, Ali pashë Tepelena, Kristo Luarasi, Halit Bërzheta, Mehemet Xhiku, Murat Toptani, Hasan Jella, Safet Butka, Galileo galilei, Xhorxh Uashingtoni, Linkolni, Garibaldi, Bonaparti, Zhan D’Arka, Dora D’Istria, Edit Durhami, etj.. Së pari portretet e tij letrarë dallojnë nga saktësia objektive. Për shembull, në portretin që ka bërë për Esad Toptanin (Cili ka qenë Esadi? Botuar së pari në frëngjisht, në Paris, në 1920), edhe sot pas zbulimeve nga historianët të fakteve të reja në labirintet e jetës së Esad pashës , asgjë e re, e panjohur nuk mund t’i shtohet e t’i hiqet portretit të pagabueshëm që ka shkruar për të Lumo Skëndo.

    Portretet kushtuar Naimit dhe Samiut, do t’i veçonim si më të arrirat në krejt letërsinë shqipe. Për Naimin, duke kujtuar ditën e vdekjes së tij, pa numëruar epitetet e shkëlqyeshëm që kish merituar Naimi për së gjalli: apostull i shqiptarizmës, prijës shpirtëror, ndërgjegje kombëtare, idhull i etnisë shiptare, poet kombëtar, etj, etj, Lumo Skëndo mjaftohet me këtë gjetje: trupi i pajetë i poetit, buzët e tij të kyçura nga vdekja fizike, sikur i premtojnë nipit, Mid’hat Frashërit: “prapë, ashtu jam.” – Ja ku është ky njeri i dashur! Ja ku rri shtrirë! Më vjen ta pyes si je…Shiko, po më përgjigjet…po më thotë, pas zakonit që kish, me zë t’unjët e t’ëmbëlë “prapë ashtu jam.”

    Për të skalitur përjetësisht dijetarin dhe atdhetarin Sami Frashëri, Mid’hat Frashëri, lë mënjanjanë faktografitë monotone, patetike, zgjedh dy element njerëzorë, poetikë dhe ekzistencialë: Sami ulur pranë llampës ndriçuese, qarkuar me libra, harta, fjalorë, mjete shkrimi dhe kujton për lexuesit dy poezi që Samiu nuk i ndan prej buze, ia përsërit vetes pareshtur. Njëra nga poezitë është frëngjisht prej Viktor Hygosë: Përse para syve më vinë gjithmonë, o kujtime të viteve të rinisë e të gëzimit; poezia tjetër të cilën Samiu ia përsërit vetes është persisht dhe thotë dëshirën e një mërgimtari në prag të vdekjes që të vendoset në një majë kodre a mali, që era, apo ajri t’i sjellë a t’i çojë diçka vendlindjes prej shpirtit dhe trupit të tij.

    Lumo Skëndo është ndër të parët edhe në lëvrimin e tregimit artistik; ka botuar “Hi dhe shpuzë” në 1915 por këto proza ishin shkruar më parë kur autori ishte rreth 26 vjeç; për nga kronologjia prozat artistike të Lumo Skëndos vijnë para Koliqit e Migjenit, ai është krahas Konicës në kohë dhe në cilësitë estetiko-letrare, me narrativë të theksuar liriko-filozofike. Radha e tij në kohë e në vlera krahas F.Konicës dhe përpara Ernest Koliqit e Migjenit, pra vendi i tij në letërsinë shqipe, si fakt kulturologjik i patjetërsueshëm, vazhdon të heshtet në paraqitjet e përgjithshme të letërsisë shqipe nga hartuesit e teksteve shkollore e në botime të tjera antologjike.

    Duke përfunduar, teksa kujtojmë për të tashmen tonë një figurë madhore të traditës si Mid’hat Frashëri, nuk gjejmë mbyllje më të përshtatshme se fjalët që ai vetë ka lënë në një shkrim të vitit 1924: I padituri, i paqytetëruari, është lidhur vetëm me një lithkë te toka e tij: frika e rrojtjes. Kurse të qytetëruarin dhe të zhvilluarin e lidhin te trualli gjithë zërat e atyre që kanë vdekur përpara tij, që i kanë dhënë një shkëlqim dhe një famë atij vendi. Juve, juve shkrimtarëve dhe poetëve, ju bie barra që të inspironi adhurim dhe nder për këtë truall të Arbërisë, bekim të pakufishmë për çdo pëllëmbë të kësaj balte, t’i jepni të përpjetën e përparimit.

    [1] Cituar nga “Kthimi i Mid’hat Frashërit”, botimet Phenix, 1997, f.426

    Categories: Kritikë
    Tags: Lumo Skëndo, Virion Graçi

Tema të Ngjashme

  1. Kush ishte Zeusi?
    Nga fegi II në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 17-09-2017, 09:54
  2. Lumo Skendo
    Nga Xhuxhumaku në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 09-09-2009, 19:54
  3. Kush do ishte perfekti per ty dhe pse????
    Nga sulioti në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-04-2009, 12:55
  4. Naim Frashëri, çfarë nuk ishte
    Nga Agim Metbala në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 13-06-2008, 13:21
  5. Kush ishte Petrit Ame?
    Nga StterollA në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 10-10-2003, 17:18

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •