Kolë Berisha është politikan kosovar dhe kryetari i dytë i Parlamentit të Kosovës. U lind më 26 tetor 1947 - 2021 në fshatin Dobërdol të Komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Ujmirë. Pas kryerjes së shkollës normale në Gjakovë, dy vjet punoi mësues në Ujmirë dhe Gllarevë të Klinës, kurse nga tetë marsi i vitit 1973 punoi si sekretar i gjimnazit "Luigj Gurakuqi" në Klinë. Ka të kryer edhe Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Më 28 mars të vitit 1989, arrestohet dhe dërgohet në burgjet serbe në Leskovc, Beograd dhe në Pejë. Pas tre muajve lirohet, por përjashtohet nga puna. Me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berisha u anëtarësua në të dhe për dy mandate me radhë ishte anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Klinë dhe kryetar i Komisionit për Pajtimin e Familjeve të Hasmëruara.
Nga 15 marsi i vitit 1998 është nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas luftës shërbeu edhe si anëtar i Këshillit Transitor të Kosovës dhe anëtar i Forumit Politik të Kosovës të formuar nga PSSP Søren Jessen-Petersen. Tani është anëtar i Grupit Politik Strategjik për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ky është mandati i tij i dytë si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Kolë Berisha shkruan edhe prozë e poezi. Në vitin 1983, në konkursin letrar të revistës letrare "Koha" të Podgoricës, iu nda shpërblimi i dytë për tregimin "Rrëfimi i thjeshtë". Herë pas herë paraqitet me shkrime edhe nga aktualiteti politik. Ka të botuar dy libra: "Ditari i një izolanti" dhe "Kosova plagë që pikon". Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Jeton në Prishtinë.
NGA: HARRY BAJRAKTARI MË: 29 GUSHT 2021
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta e ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i cili jetën e tij ia kushtoi Kosovës. Kola ishte një veprimtar i devotshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, bashkëpuntor i ngushtë i presidentit Rugova dhe aktivist i hershëm i Lidhjes Demokratike, ku kishte mbajtur edhe pozitën e nënkryetarit.
Kam pasur rast ta njoh për së afërmi në disa takime me të në SHBA dhe në Kosovë. Kolë Berisha ishte një njeri i veçantë, i urtë dhe i dashur me një kulturë të gjerë shqiptare. Ka qenë kombëtar e njerëzor që dha një kontribut të rëndësishëm për liri dhe pavarësi të Kosovës. Me vdekjen e tij, familja humbi njeriun e tyre të dashur, ndërsa Kosova, veprimtarin e saj shumë të çmuar.
Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që e njohen dhe punuan me të.
Shpirti i tij u prehtë në paqe të përhershme!
Harry Bajraktari, New York 2021
Krijoni Kontakt