Simbioza e mafias italo-shqiptare / Analiza e ekspertit italian: Një bashkëpunim pa humbës

Emri:  -640-0-c163283d7314ce0b94d3b65b904ed792.jpg

Shikime: 5105

Madhësia:  19.4 KB

Vincenzo Musacchio, profesor i së drejtës penale dhe ekspert i luftës kundër krimit të organizuar thotë se mafia shqiptare është fuqizuar aq shumë në Itali sa renditet e para përsa i takon aktiviteteve të gjera ku vepron, ndërsa përhapja në territor e bën jo vartëse të mafias italiane, por partnere.

Musacchio analizon simbiozën e mafias shqiptare me atë italiane përmes një analize të publikuar në “Huffington Post Italia”.

“Niveli i aktivitetit kriminal të mafias shqiptare në Itali i vendos ata në vendin e parë mes grupeve kriminale të huaja, të ndjekura nga ato nigeriane, kineze dhe më pas të Europës Lindore, ruse, rumune, apo bullgare”, thotë ai.

Profesori i së drejtës penale zbulon edhe pikën e fortë të mafias shqiptare, që është trafiku i drogës.

“Në frontin e trafikut të drogës, shqiptarët janë tani një garanci, si për rolin si furnizues të lëndëve të para, ashtu për rolin si transportues dhe shpërndarës të saj, pasi janë të vendosur në vende të ndryshme europiane dhe kanë krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me trafikantët e drogës në çdo pjesë të globit”, thotë ai.

Ndikim, sipas Musacchio-s ka edhe pozicionimi strategjik gjeografik i Shqipërisë, që shërben për lidhje të drejtpërdrejta me Italinë dhe kjo, sipas tij, është arsyeja se përse edhe mafias italiane i intereson bashkëpunimi me atë shqiptare dhe kjo simbiozë shtrihet në një aktivitet të zgjeruar.

“Rruga e Adriatikut nuk karakterizohet vetëm nga trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali, por bashkëpunimi varion me trafikun e armëve, të qënieve njerëzore e deri te trafikimi i organeve”, thuhet në analizë.

Sipas ekspertit italian, një tjetër burim të ardhurash për mafian shqiptare janë edhe drogërat e forta, si heroina me origjinë nga Afganistani dhe Turqia, që kalojnë përmes Shqipërisë për t’u hedhur në BE.

Musacchio thotë se ky pozicionim i grupeve shqiptare i ka bërë ata sot bashkëpunëtorë me të gjitha grupet mafioze italiane, pa asnjë dallim. Eksperti italian thotë se edhe grupet mafioze italiane po përfitojnë duke “kolonizuar” Shqipërinë.

“Kolonizimi nuk synon transferimin e grupeve kriminale në zonë, por bashkëpunimin midis mafiave që ndajnë interesa të ngjashëm, veçanërisht pas zhvillimeve ekonomike e politike që priten për Shqipëri. Hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian, për shembull, do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme investimi për të dyja mafiat”, thotë ai.

Musacchio ka marrë shtysë në këtë analizë nga operacioni i fundit italo-shqiptar i koduar “Shpirti”. Ai këshillon Shqipërinë se çfarë duhet të bëjë për të luftuar krimin e organizuar.

“Qeveria shqiptare do të duhet të fillojë të luftojë seriozisht mafien e saj dhe pastaj të fillojë të mendojë për ata që vijnë përtej kufirit. Modeli për t’u frymëzuar është padyshim ai i luftës kundër mafies italiane. Prandaj do të jetë e nevojshme të forcohet siguria e burgjeve; luftoni krimin e organizuar dhe lidhjet me politikën dhe botën ekonomiko-financiare; luftoni korrupsionin në mënyrë efektive; izoloni të gjithë të burgosurit e rrezikshëm për të parandaluar komunikimin e tyre me organizatat kriminale jashtë”, thotë ai.

Gazeta Shqip