Një ligj kontrovers i miratuar nga maxhoranca socialiste e kryeministrit Edi Rama, i cili autorizonte policinë të kryente përgjime pa mbikëqyrje gjyqësore, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese të hënën, pas kërkesës së Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Emri:  Rama-Balla.jpg

Shikime: 446

Madhësia:  53.2 KB

Debati i nisur gjatë kohës së pandemisë në vitin 2020 nga kryeministri Edi Rama me të ashtuquajturën paketë anti-KÇK duket se u rrëzua të hënën më 5 korrik 2021 pasi Gjykata Kushtetuese shpalli si antikushtetues një nga ndryshimet më kontroverse të paketës, atë që i jepte të drejtë Policisë së Shtetit të bënte përgjime të qytetarëve pa mbikëqyrje dhe pa autorizim nga sistemi gjyqësor.

Ligji Për Policinë e Shtetit u amendua mes debateve të shumta në tetor të vitit 2020 dhe mes kundërshtimeve nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat i deklaruan ndryshimet si dhunuese për liritë themelore kushtetuese.

Në variantin e vet fillestar, qeveria i jepte policisë autorizim për të përgjuar ambjente publike apo për të regjistruar komunikimet elektronike të shtetasve pa një miratim paraprak nga gjykata dhe pa urdhër prokurori, por mbështetur në një udhëzim të përgjithshëm të ministrit të brendshëm dhe prokurorit të përgjithshëm.

Pas protestave të shoqërisë civile, në Kuvendin e Shqipërisë socialistët bënë disa ndryshime në draftin fillestar duke hequr mundësinë që policia të bënte përgjime të bisedave telefonike dhe duke detyruar policinë të merrte urdhër nga një prokuror për përgjime ambientale. Ndryshimet e propozuara nga Taulant Balla dhe deputetë të tjerë, nuk bindën as shoqërinë civile dhe as gjykatën.

Gjykata vendosi rrëzimin e nenit 131 të ligjit duke e konsideruar atë të “papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.” Rrjedhimisht përgjimet mund të bëhen vetëm në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

Gjergj Erebara
BIRN