Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Gërdeci: Dëshmia e Efraim Diveroli në gjykatën amerikane shfajëson Shkëlzen Berishën

    Efraim Diveroli: Pse trillova për Shkëlzen Berishën

    Emri:  auto_shkelzen_berisha_deviroli1625298550.jpg

Shikime: 416

Madhësia:  27.0 KB

    Kjo është dëshmia e Efraim Diverolit e bërë nën betim, ku tregon se si dhe përse ka mashtruar për përfshirjen e Shkëlzen Berishës në aferën e armëve.

    Në dëshminë e tij, pronari i kompanisë së AEY, tregon se këtë histori e kishte trilluar me qëllim që të ushtronte presion ndaj kontraktuesit të tij të armëve.

    Dëshmia e Efraim Diverolit në Gjykatën e Florida:

    Deklarata nga Efraim Diveroli në Gjykatën e Floridës, SHBA, më 7 maj 2018


    Unë, Efraim Diveroli, në përputhje me 28 U.S.C. 1746, deklaroj si më poshtë:

    Unë e bëj këtë deklaratë bazuar në njohuritë e mia personale.

    Nëse thirrem si dëshmitar, unë mund të dhe do të dëshmoja me kompetencë për çështjet e shtruara në këtë deklaratë.

    AEY u krijua në shtetin e Floridës me zyra qendrore në Miami Beach.

    Në 2006 dhe 2007, AEY është angazhuar në prokurimin e armëve dhe municioneve.

    Gjatë kësaj kohe, unë kam qënë Presidenti dhe pronari i AEY dhe kam menaxhuar dhe drejtuar veprimtarinë e AEY.

    David Packouz ishte një konsulent dhe i referohej vetes si drejtor dhe zv.President i AEY.

    Alexander Podrizki ka qënë një agjent i AEY me vendndodhje në Tiranë, Shqipëri.

    Më 26 janar 2007, Komanda e Mbarëvajtjes së Ushtrisë të Shteteve të Bashkuara, që është sektor i Departamentit të Mbrojtjes, zgjodhi AEY për të përmbushur kontratën me numër W52P1J-07-D0004 për gjetjen dhe dërgimin e municioneve të ndryshme në Republikën Islamike të Afganistanit, përfshirë këtu fishekë të kalibrit 7.62x54 mm dhe 7.62x39 mm.

    Kontrata kishte një vlerë prej 298,000,000 dollarësh.

    Midis të tjerave, kontrata përmbante një klauzolë që nuk e lejonte AEY të përmbushte kërkesat e kontratës me municion të blerë ‘direkt ose indirekt’ nga kompani ushtarake komuniste kineze.

    AEY nënkontraktoi një kompani të huaj, Evdin lrt., për prokurimin e fishekëve me kalibër 7.62x54mm dhe 7.62x39 mm.

    Nënkontraktori i AEY i mori këta fishekë nga Kompania për Import Eksportin Ushtarak në Shqipëri (‘MEIKO’).

    Fishekët e MEIKO-s ishin prodhuar nga fabrika në Republikën e Kinës, mes viteve 1958 dhe 1974.

    Fishekët do të dërgoheshin nga Shqipëria në Afganistan nëpërmjet fluturimeve të organizuara nga AEY.

    Në mënyrë që të kursenim kostot e transportit, përfaqësues të AEY vendosën të çmontonin arkat e drurit ku ishin depozituar kutitë e fishekëve.

    Në prill 2007, unë dërgova Podrizkin në Shqipëri si një agjent të AEY për të mbikëqyrur procesin e çmontimit të arkave të drurit dhe ngarkimin e fishekëve në avionët transportues.

    Gjatë këtij procesi, Podrizki zbuloi që fishekët e MEIKO-s ishin prodhuar në Kinë.

    Packouz, Podrizki dhe unë kuptuam që gjetja dhe dërgimi i fishekëve të prodhuar në Kinë ishte një shkelje e klauzolës kontraktuale, që ndalonte dërgesën e fishekëve të marrë në mënyrë indirekte nga kompani ushtarake komuniste kineze.

    Natyrisht, Packouz, Podrizki dhe unë diskutuam me njeri-tjetrin dhe njerëz të tjerë të AEY për mënyrën se si të evitonim këtë shkelje.

    Një nga alternativat e propozuara ishte për të parë nëse Departamenti i Shtetit do të lejonte AEY të dërgonte fishekët e prodhuar në Kinë.

    Unë pata korrespodencë me Departamentin e Shtetit në lidhje me këtë çështje nëpërmjet e-maileve që shkëmbyem mes 20 dhe 24 prillit 2007.

    Departamenti i Shtetit na informoi që AEY nuk lejohej të dërgonte fishekët e prodhuar në Kinë.

    Packouz, Podrizki, unë dhe të tjerë tek AEY vendosëm që të fshihnim origjinën e fishekëve, duke u hequr paketimin origjinal që kishte shenja kineze dhe letrat identifikuese në gjuhën kineze dhe duke i ripaketuar fishekët në kuti kartoni.

    AEY në fillim punësoi “Xhoi shpk”, një kompani shqiptare për të ripaketuar fishekët në kutitë e kartonit.

    Kontakti për AEY te “Xhoi” ishte presidenti i “Xhoit”, Kosta Trebicka.

    Pasi AEY punësoi Trebickën për të ripaketuar fishekët, Podrizki më informoi se trebicka kishte filluar të pyeste kontaktet e tij në qeverinë shqiptare në lidhje me kontratat e MEIKO-s me Evdin.

    Trebicka i tha Podrizkit dhe Podrizki më pas më tha mua, që Evdin po e blinte municionin me një kosto prej 0.02 dollarësh për çdo fishek.

    Gjatë kësaj kohe, AEY kishte rënë dakord me Evdin që të paguante 0.035 dollarë për fishek.

    Kur mësova çmimin që Evdin po paguante MEIKO-n për fishekët, vendosa që AEY duhet të rinegocionte marrëveshjen për shitblerjen e fishekëvë direkt me zyrtarët e MEIKO-s.

    Si rezultat, në maj 2007 vendosa të organizoj një takim personal me drejtorin e MEIKO-s, Ylli Pinarin.

    Në fund të majit 2007 unë shkova në Tiranë, Shqipëri.

    Gjatë kohës që qëndrova në Shqipëri, Podrizki dhe unë u takuam me përfaqësues të MEIKO-s për të negociuar një çmim të ri për fishekët.

    Pjesëmarrësit e atij takimi ishin unë, Podrizki, Pinari, Mihal Delijorgji dhe individë të tjerë, që nuk e identifikuan veten.

    Gjatë këtij takimi më informuan që AEY mund t’i blinte fishekët me një çmim më të lirë nëse AEY do të prishte marrëveshjen që kishte me Trebickën për ripaketimin e fishekëve.

    Trebicka më kishte informuar që, nëse AEY do të përpiqej ta prishte kontratën me Trebickën për ripaketimin e fishekëve, Trebicka do të raportonte për aktivitetin e AEY në agjenci dhe institucione të ndryshme të qeverisë amerikane, gjë që ai në fund e bëri.

    Unë e kuptova që Trebicka do të reagonte keq për prishjen e kontratës dhe mund të prishte punë për AEY në Shqipëri.

    U ndjeva i shantazhuar nga Trebicka dhe për t’i bërë presion që të mos fliste dhe për të marrë reduktimin e çmimit të fishekëve, unë, pa asnjë bazë faktike, vendosa t’i them Trebickës që kontrata e fishekëve ishte nën kontrollin e mafies shqiptare dhe që djali i Kryeministrit të Shqipërisë ishte i përfshirë.

    Të nesërmen e takimit e informova Trebickën që AEY do të prishte kontratën për ripaketimin e fishekëve nga “Xhoi”.

    Gjithashtu, pa asnjë bazë faktike, i thashë Trebickës që Shkëlzen Berisha, djali i Kryeministrit të Shqipërisë, ishte një nga pjesëmarrësit e takimit me MEIKO-n dhe që mafia shqiptare po kontrollonte kontratën e fishekëve.

    Berisha nuk ishte pjesëmarrës në takimin me MEIKO-n dhe nuk ka pasur asnjë lloj përfshirjeje me kontratën e fishekëve të AEY.

    Unë kam parë fotografi të Berishës dhe asnjëri nga pjesëmarrësit e takimit me MEIKO-n nuk i ngjante Berishës.

    Përshkrimi im për Berishën si një “tip skandinav, me tipare të zbehta” në librin tim “Kur tregtoja armë”, është qartazi i gabuar.

    Berisha nuk ka tipare “skandinave” apo “të zbehta”.

    Sidoqoftë, një nga pjesëmarrësit në atë takim kishte tipare të zbehta.

    Unë e trillova historinë për pjesëmarrjen e Berishës, në mënyrë që që të avancoja interesat e biznesit të AEY.

    Qëllimi kryesor ishte që Trebicka të mos fliste.

    Gjithashtu, unë isha në dijeni që një histori e tillë mund të ndihmonte AEY për të marrë mbështetje nga Departamenti i Shtetit në marrëdhënien mes AEY dhe MEIKO-s.

    Disa javë para takimit me MEIKO-n, Podrizki më tha që ai kishte komunikuar me zyrtarë të ambasadës amerikane në Shqipëri për të kërkuar mbështetjen e tyre dhe për t’u bërë presion zyrtarëve shqiptarë që t’u përgjigjeshin kërkesave të AEY.

    Podrizki, nëpërmjet e-mailit më informoi që një zyrtar i ambasadës amerikane në Shqipëri i tha që ambasada nuk i ndihmonte dot nëse ishte duke ndodhur diçka e jashtëligjshme.

    Unë mendova që trillimi i korrupsionit nga djali i Kryeministrit do të ndihmonte AEY të merrte mbështetje nga ambasada.

    Deklaroj nën rrezikun e dënimit për mashtrim që deklaratat e mësipërme janë të vërteta dhe të sakta.

    Firmosur më 7 maj, 2018.

    Emri:  auto_auto_c15529942261625298528.jpg

Shikime: 382

Madhësia:  49.2 KB

    Syri

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gërdeci: Dëshmia e Efraim Diveroli në gjykatën amerikane shfajëson Shkëlzen Berishën

    Reagon Shkëlzen Berisha: Lawson e përgënjeshtruan burimet e veta

    Nga Shkëlzen Berisha

    Të dashur miq,

    Në vitin 2017 unë ngrita një padi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Efraim Diverolit dhe dy punonjësve të tjerë të AEY, Alexandër Podrizki dhe David Packouz, për deklaratat e tyre të gënjeshtërta në lidhje me mua, të cilat kishin qellim të mbështetnin skemën e tyre kriminale për të mashtruar qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Si pjese e kësaj çështje gjyqësore, une gjithashtu padita Guy Lawson dhe botuesit e librit të Lawson ‘Qentë e Luftës’ (apo ‘Armët dhe Çunat’) për publikimin e papërgjegjshëm të gënjeshtrave të z. Diveroli dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në këtë libër z. Lawson nuk arriti të përmbushë as standardet me minimale të gazetarisë.

    Ai qëllimisht shmangu intervista me mua dhe njerëz të tjerë që kundërshtonin gënjeshtrat e Diverolit. Ai vendosi të bazohej në deklaratat e pabazuara të një grupi mashtruesish kronikë dhe kriminelëve të denuar, të cilët Lawson i pagoi për variantet e tyre të ngjarjes. Po ashtu për të formësuar shpifjet e tij z. Lawson përdori si burime te ‘besueshme’ Erion Veliaj, Andi Belliu dhe Gary Kokalarin (të cilin vetë Lawson e konsideronte të pabesueshëm pasi e shihte si ‘maniak të tërbuar me axhendë private’) të cilet ose nuk pranuan të dëshmojnë gjatë gjyqit ose deklaruan nën betim se nuk kishin asnjë dijeni për ndonjë përfshirje timen në këtë histori.

    Vendosa të ngre këtë padi për ti shkuar të vërtetës deri në fund dhe gjithashtu për të bërë përgjegjes para ligjit, persona dhe entitete që kishin përfituar miliona dollarë mbi shpifjet e ngritura ndaj meje.

    Përgjatë gjithë kësaj sage ligjore dolën dokumente që vërtetuan katërcipërisht se të gjitha pretendimet e shkruara nga z.Lawson për gjoja përfshirjen time në trafikun e armëve ishin shpifje. Para gjykatave amerikane, duke dëshmuar nën betim, z.Diveroli deklaroi jo vetëm se kishte trilluar për përfshirjen time, por sqaroi dhe arsyet e këtij mashtrimi. Ato u provuan si shpifje edhe nga raporti i hetuesve të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA, të cilët gjetën se Podrizki që pretendonte se kishte qenë në një takim me mua, nuk e njohu Shkelzën Berishën kur hetuesit i treguan foton e tij.

    Më tej akoma kur z.Belliu deklaroi nën betim për gjykaten se ai nuk më njihte fare dhe nuk kishte asnjë dijeni për përfshirjen time ose jo në historinë e Gërdecit apo AEY. Apo dhe me keq kur ‘burim i besueshëm’ Erion Veliaj refuzoi të vinte për të dëshmuar para gjykatës shpifjet e përcjella per z.Lawson.

    Ndonëse i kontaktuar nga unë si dhe me akses te plote në dhjetëra deklarata publike të miat dhe shumë të tjerëve që hidhnin poshtë gënjeshtrat e tij, z.Lawson nuk më kontaktoi kurrë për të dëgjuar të vërtetën që mund t’i prishte xhepit të tij fitimet e siguruara, përmes shpifjeve ndaj meje, nga kontrata me shtëpinë botuese.

    Në pamundësi për të mbështetur me fakte dhe argumente shpifjet e publikuara dhe për t’i bërë bisht një përballje para jurisë, z.Lawson vendosi të ‘fshihet’ pas përcaktimit tim si person publik duke zhvendosur debatin ligjor nga vërtetësia e pretendimeve, tek mungesa e keqdashjes në publikimin e shpifjeve në fjalë. Thënë shkurt ju përvodh thelbit të çështjes duke deklaruar se ai thjesht kishte besuar listën e shpifësve që në momentin e ballafaqimit ose nuk u paraqitën në gjyq ose pranuan nën betim se kishin mashtruar.

    Pra në asnjë nga tre shkallet e sistemit gjykatësit nuk vlerësuan vërtetësinë e shpifjeve të z.Lawson, por nëse ato ishin bërë ose jo me keqdashje.

    Është pikërisht kjo arsyeja përse dy gjykatës të Gjykatës së Lartë të SHBA në një vendim jo kaq të zakonshëm vendosën të publikonin mendim ndryshe nga shumica duke kërkuar shkëputjen nga standardi i vitit 1964 sipas të cilit debati për shpifjen ndaj personave publik duhet kufizuar vetëm me mungesën ose jo të vetëdijes për shipfjen dhe keqdashjes se atij që shpif, pasi në këtë mënyrë viktimave të këtyre shpifjeve, u hiqet çdo mundësi për t’i adresuar ato dhe për të kërkuar drejtësi për dëmin e krijuar.

    Ndonëse do të kisha dashur që ky të ishte vendimi i shumicës, mendimi i dy gjykatësve të nderuar tregon se beteja ime ligjore ka qenë e bazuar tek qëllimi për të kërkuar dhe nxjerrë të vërtetën.

    Por mbi te gjitha transparenca mbi dokumentet dhe dëshmitë e siguruara përgjate këtij procesi kanë provuar para publikut, se gjithë pretendimet për përfshirjen time në këtë aferë kanë qenë shpifje duke më hequr kësisoj barrën morale të gënjeshtrave që kanë synuar të më përbaltin përgjatë gjithë këtyre viteve dhe duke provuar përtej çdo dyshimi se nuk kam pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë.

    Syri

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gërdeci: Dëshmia e Efraim Diveroli në gjykatën amerikane shfajëson Shkëlzen Berishën

    Zëri i Amerikës: Gjykata e Lartë në SHBA nuk pranon të shqyrtojë apelin e Shkëlzen Berishës për akuzat ndaj tij

    Nga Zëri i Amerikës

    Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara nuk pranoi ta shqyrtonte një çështje që sfidonte mbrojtjen e gazetarëve dhe organizatave të medias nga akuzat për shpifje, por gjykatësit konservatorë Clarence Thomas dhe Neil Gorsuch nuk u pajtuan me këtë veprim dhe vunë në dyshim mbrojtje të tilla të parashikuara në një vendim historik të vitit 1964.

    Duke cituar një ambient mediatik që po ndryshon me shpejtësi dhe të mbushur gjithnjë e më shumë me disinformim, gjykatësit Thomas dhe Gorsuch u shprehën në opinione të veçanta se gjykata duhet t’i shohë me një sy të ri precedentët që e bëjnë më të vështirë për figurat publike që të padisin për shpifje.

    Gjykata nuk pranoi të merrte në shqyrtim një apel nga Shkelzën Berisha, i biri i ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, në lidhje me padinë e tij për shpifje mbi akuzat për korrupsion kundër tij të bëra në një libër të vitit 2015 nga autori Guy Lawson të quajtur “Arms and the Dudes”. Në bazë të librit, u bë filmi i vitit 2016 i Hollivudit “War Dogs” me aktorët Jonah Hill dhe Miles Teller.

    Një gjykatë më e ulët vendosi në favor të zotit Lawson, shtëpisë botuese të librit Simon & Schuster dhe disa të pandehurve të tjerë sepse arriti në përfundimin se Shkëlzen Berisha nuk ishte në gjendje të argumentonte se akuzat për përfshirjen e tij në një skandal të tregtisë së armëve ishin bërë me “keqdashje të qëllimshme”.Një standard i tillë, i cili siguron mbrojtje nga paditë për shpifje, përfshin deklarata që bëhen me vetëdijen se janë të rreme apo moskokëçarje për faktin nëse janë të vërteta apo të rreme.

    Ky precedent u krijuan me vendimin e rëndësishëm të gjykatës të vitit 1964 për një çështje të quajtur New York Times ndaj Sullivan.

    Anëtarët e Gjykatës së Lartë, Thomas dhe Gorsuch thanë se gjykata duhet ta kishte pranuar çështjen për shqyrtim. Ata thanë se në mjedisin e sotëm mediatik, standardi i “keqdashjes së qëllimshme” mund të mbrojë gënjeshtrën në vend të së vërtetës, me pasoja për botën reale. Duke përmendur si shembull teorinë e rreme të konspiracionit “Pizzagate” që pretendonte se një piceri në Uashington përdorej për të fshehur një rrjet pedofilie të udhëhequr nga ish-kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton, gjykatësi Thomas tha se si për “figura publike ashtu edhe private, gënjeshtrat shkaktojnë dëm të vërtetë.”

    Gjykatësi Thomas i kishte kërkuar gjykatës dy vite më parë që të rishikonte precedentët e saj për çështjet për shpifje, kur ajo nuk pranoi të merrte në konsideratë rihapjen e një procesi gjyqësor për shpifje kundër aktorit Bill Cosby nga një grua e quajtur Kathrine McKee e cila kishte thënë se ai e kishte quajtur atë gënjeshtare pasi ajo e akuzoi për përdhunim.

    Të premten zoti Thomas përmendi përsëri zonjën McKee, duke thënë se “pa diskutim kjo gjykatë nuk duhet t’i mohojë të drejtën një gruaje për të mbrojtur reputacionin e saj në gjykatë thjesht sepse ajo akuzon për përdhunim një figurë të njohur”.

    Zoti Cosby u lirua nga burgu të mërkurën pasi gjykata më e lartë e Pensilvanisë shfuqizoi dënimin e tij për sulm seksual në një rast tjetër.

    Gjykatësi Gorsuch tha se standardi aktual i “keqdashjes së qëllimshme” mund të jetë më pak i justikueshëm në një kohë kur ndryshimet teknologjike dhe mediat sociale nënkuptojnë që disinformimi mund të amplifikohet më me efektivitet dhe të jetë më fitimprurës sesa lajmet tradicionale me redaktorë dhe kontrolle të fakteve.

    ” Kjo doktrinë jo vetëm që është shndërruar në një mbrojtje për gënjeshtrat e botuara në një përmasë që askush nuk mund ta kishte parashikuar, por ka arritur të lërë shumë më tepër njerëz pa dëmshpërblim sesa mund të ishte parashikuar,” tha zoti Gorsuch.

    Shkëlzen Berisha paditi zotin Lawson dhe të pandehurit e tjerë në gjykatën federale në vitin 2017 për disa fragmente të shkurtra në librin e zotit Lawson, i cili përshkruan se si tre “djem drogaxhinj” nga Miami Beach siguruan një kontratë prej 300 milionë dollarësh nga Departamenti i Mbrojtjes në vitin 2006 për të furnizuar me municion ushtrinë afgane, dhe u përpoqën ta realizonin atë duke siguruar armë nga rezervat në Shqipëri.

    Libri flet për marrëdhënie mes tyre dhe një mafie të lidhur me qeverinë shqiptare. Sipas librit, Shkëlzen Berisha ishte i pranishëm në një nga takimet, dhe ai përshkruhet me “flokë të errët, një mjekër të rrumbullakët dhe sy si peshkaqen” si edhe akuzohet si pjesë e aferës të korruptuar të tregtisë së armëve.

    Të tre personat nga Miami u dënuan në Shtetet e Bashkuara me akuza federale për mashtrim.

    Në vitin 2020, Gjykata e Apelit e Qarkut të 11-të me bazë në Atlanta e hoshi poshtë padinë. Gjykata arriti në përfundimin se Berisha nuk mund të sfidonte lirinë e shprehjes për të pandehurit e akuzuar për shpifje nga zyrtarë publikë ose figura të njohura, të mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Kjo mbrojtje ishte garantuar nga një sërë precedentëve të Gjykatës së Lartë që datojnë që nga vendimi New York Times ndaj Sullivan i vitit 1964.

    Në apelin e tij në Gjykatën e Lartë, Shkëlzen Berisha kishte argumentuar se ato precedentë duhej të ndryshonin dhe duhej ta kufizonin standardin “për keqdashje të qëllimshme” vetëm për zyrtarët publikë.

    Koha Jone

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Gërdeci: Dëshmia e Efraim Diveroli në gjykatën amerikane shfajëson Shkëlzen Berishën

    A kish lidhje kjo padi gjyqesore qe Shkelzen Berisha kish ngritur ne sistemin e drejtesise ne Amerike, ne lidhje me vendimin e Departamentit te Shtetit per te shpallur non-grata dhe per ti ndaluar hyrjen ne Amerike Sali Berishes dhe gjithe familjes se tij, perfshi djalit te tij, i cili citohej me emer, edhe pse nuk eshte i angazhuar ne politiken shqiptare?

    Lind pyetja: Cilat persona e interesa amerikane/globale fshihen pas tregtise me armet ne Afganistan, ku Efraim Diveroli ishte vetem nje peshk i vogel?

    Shpresojme qe e verteta te dali ne shesh.

    Albo

Tema të Ngjashme

  1. Shkelzen Doli
    Nga Mjellma në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 39
    Postimi i Fundit: 06-12-2021, 11:35
  2. Shkelzen Doli
    Nga Hanny në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 10-03-2017, 19:53
  3. Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës për rajonin
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 09-09-2013, 00:21
  4. Vrasja e Triumf Riza, gjukata shfajëson Adelina Ismajlin
    Nga Nessus në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 112
    Postimi i Fundit: 11-06-2010, 18:02
  5. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 21-06-2008, 19:26

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •