“Ligjet i bëj unë”: Kryebashkiaku Pjerin Ndreu akuzohet për pengim të policisë

Emri:  20190601_202300_010619_3_027-2_z1XVPWT.jpg

Shikime: 458

Madhësia:  51.1 KB

Tre punonjës policie në Shëngjin pretendojnë se u penguan nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu që të zbatonin masat anti-COVID dhe për këtë arsye, u penalizuan me procedim disiplinor edhe nga eprorët e tyre. Ndreu i sulmoi policët si “barkderra” dhe i akuzoi për sjellje të dhunshme.

Tre efektivë të Policisë së Shëngjinit kallëzuan penalisht të premten për “pengim të ushtrimit të detyrës”, kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe pronarin e një lokali ku kryebashkiaku po festonte në orët e vona të 24 qershorit me muzikë të lartë.

Sipas deklarimeve të punonjësve të policisë në Prokurorinë e Lezhës, pronari i lokalit “Frojdi”, Vladimir Gjekaj i është përgjigjur me ofendime kërkesës së tyre për të fikur muzikën, ndërsa kryebashkiaku Ndreu i ka penguar me forcë që të shoqëronin Gjekajn në polici.

Përpjekjet e efektivëve për të kryer detyrën në zbatim të aktit normativ të qeverisë mbi masat kundër COVID-19, jo vetëm që nuk u morën në mbrojtje nga eprorët e tyre, por u shoqëruan me një hetim disiplinor me arsyetimin se ata nuk kishin zbatuar urdhrin për t’u larguar nga lokali ku ndodhej Ndreu.

Sipas dokumenteve hetimore që BIRN disponon, dy efektivët e postës së Shëngjinit, të mbështetur edhe nga një koleg i pranishëm në vendngjarje kanë deklaruar në Prokurori se mbrëmjen e 24 qershorit, rreth orës 23:14 kanë qenë duke patrulluar me mjetin e policisë në shëtitoren e re në zonën turistike të Shëngjinit, kur kanë konstatuar se tek lokali “Fjordi” dëgjohej muzikë përtej orarit të lejuar nga akti normativ.

Policët kanë tentuar që të komunikojnë me pronarin e lokalit, Vladimir Gjekaj, por shprehen në kallëzim se ai i ka ofenduar, edhe pse i kanë bërë me dije se po kryenin detyrën dhe se nuk lejohej muzika pas orës 23:00.

“Pronari i lokalit u ka thënë se në festë gjendeshin ambasadorë dhe kryetari i bashkisë dhe më pas është larguar, duke refuzuar të ndërpresë muzikën,” thuhet në kallëzim. Ata kanë sqaruar në Prokurori se në këto kushte, kanë kërkuar përforcime nga forcat “Shqiponja”.

Sipas kallëzimit, kur forcat “Shqiponja” kanë tentuar të shoqërojnë në komisariat pronarin e lokalit, në atë moment ka dalë në skenë kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu dhe pjesëtarët e stafit të lokalit që i kanë penguar me forcë të kryejnë shoqërimin.

“Kur ne po përpiqeshim të shoqëronim në komisariat Vladimir Gjekën, ata na kanë mbajtur për krahu dhe na kanë shtyrë duke na penguar që t’i shoqëronim në komisariat,” thonë punonjësit e policisë në kallëzim.

“Meqënëse përballë nesh u fut kryetari i bashkisë, i cili na tha se ligjet i bëj unë dhe i vendos unë, për të mos krijuar një situatë më të rëndë, ne jemi tërhequr, duke njoftuar me radio sallën operative dhe eprorët tanë,” shtohet në kallëzim.

Dokumentet hetimore tregojnë se drejtuesit e policisë së Lezhës, jo vetëm që nuk kanë reaguar ndaj kundërshtimit me forcë të vartësve, por u kanë kërkuar këtyre të fundit që të largohen nga vendi i incidentit.

“Ata nuk ndërmorën asnjë veprim dhe na thanë në telefon: lëjeni mos u merrni më, largohuni prej aty,” kanë deklaruar policët në Prokurori.

I kontaktuar nga BIRN, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit refuzoi të komentonte mbi ngjarjen dhe kallëzimin e punonjësve të policisë. Pëmes një statusi në Facebook të martën, Ndreu i sulmoi policët si “barkderra” dhe i akuzoi ata se kishin tejkaluar kompetencat.

Ndreu pretendoi se kishte qenë në një darkë zyrtare “me 15 kryetarë të komunave të Kosovës”, ndërsa shtoi se gjoba do të kishte qenë korrekte, por jo ato që ai i quajti veprime të dhunshme të policisë. Pronari i lokalit, Vladimir Gjekaj nuk ishte i arritshëm për koment.

Megjithëse dy efektivët e postës së Shëngjinit pretendojnë në kallëzim se kanë kërkuar zbatimin e aktit normativ dhe përmbushjen e detyrës, ata janë përballur me një procedim disiplinor për “shkelje të rëndë të atributeve/ kompetencave të policisë”.

Në njoftimin e hetimit disiplinor, sqarohet se dy inspektorët e policisë kanë njoftuar eprorin e drejtëpërdrejtë se në lokalin ku gjenerohej muzikë jashtë orarit të lejuar, gjendeshin edhe kryetari i Bashkisë Lezhë dhe disa ambasadorë.

Aty shtohet fakti se, pas njoftimit të situatës, duke qenë se në atë ambjent zhvillonte aktivitet kryetari i Bashkisë së Lezhës, eprori i drejtëpërdrejtë iu ka kërkuar inspektorëve që të hartonin procesverbalin mbi kundravajtjen administrative sipas ligjit dhe të lëviznin prej aty.

“Ju jo vetëm që keni kundërshtuar urdhërin e dhënë në telefon nga eprori i drejtëpërdrejtë, por keni vazhduar të qëndroni në ambjentet e lokalit, duke insistuar që të ndërpritej aktiviteti që po zhvillohej nga kryetari i Bashkisë Lezhë, duke komunikuar jashtë etike qytetare e policore,” thuhet në njoftimin e procedimit disiplinor.

Të pyetur nga BIRN, Policia e Shtetit, drejtori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Muhamet Rrumbullaku, drejtori i Standardeve të Brendshme, Lorenc Panganika dhe kreu i Policisë së Lezhës, Zef Laska mohuan të ishin në dijeni të procedimit disiplinor të nisur ndaj punonjësve të policisë së Shëngjinit.

Ndërsa shefi i Komisariatit të Lezhës, Nikë Nikollaj i tha BIRN përmes telefonit se “i kishin raportuar personelit gjithë situatën”, duke përfshirë veprimet e ligjshme të efektivëve dhe ato që ai i quajti shkelje.

“Vendosin ata. Kaq mund të them,” përfundoi Nikollaj.

Edmond Hoxhaj,
Elvis Hila
BIRN