PUBLIKUAR NË : 09:21 - 23/06/21


Kur themi që kujdesi ndaj pacientit të shtruar në Spitalet Publike është jashtë standardit do të thotë që përveç eufemizmit të përdorur për të qenë brenda etikës, spitalet publike mbeten jashtë kontrollit rigoroz profesional dhe administrativ, për sa i përket mundësive të shumta që ka Sistemi Shëndetësor shqiptar për ta përmirësuar atë dhe për ta vënë në shinat e ligjshmërisë, të profesionalizmit, dhe meritokracisë në Shëndetësi.
Problemet e bartura dhe të pa rregulluara, si dhe ato të tanishmet, janë thelluar dhe pengojnë një kujdes të mirë e cilësor shëndetësor ndaj pacientit në këto tre drejtime:
në drejtim të: tipit ligjor, etiko-administrativ dhe profesional.
Mund ti shpjegojmë më hollësisht: Le të marrim anën ligjore të drejtimit dhe të administrimit të spitaleve publike shqiptare sidomos ato terciare që gjenden në Tiranë në të cilat fluksi i shtrimeve në spital vjen nga e gjithë Shqipëria.

Ligjshmëria

Spitalet Publike pavarësisht VKM Nr. 308 të dt.21.05.2014 `Për miratimin e paketave të shërbimeve shëndetësore që do të financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në shërbimin spitalori ndryshuar`, nëpërmjet p.sh., `Kontratës për Financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore për vitin 2020`. Në këtë kontratë prej 104 faqesh , është harruar një element thelbësor i cili ka shkaktuar prej 30 vitesh një mit marrje masive të përditshme, të përmuajshme, çdo vit ndodh e njëjta gjë; për shërbimin spitalor publik kërkohen para nga personeli shëndetësor ndaj çdo pacienti të shtruar në një spital publik terciar, dytësor, dhe maternitet.
Përse ndodh kjo mit marrje dhe rrufshet masiv çdo ditë çdo orë, nga personeli shëndetësor që paguhet me para e taksapaguesve shqiptarë, që punon në ndërtesa publike hospitaliere, që punon me pajisjet dhe materialet mjekësore të shtetit, që është specializuar me paratë e taksapagueseve shqiptarë në Fakultetin e Mjekësisë?

Dihet pagesë nën dorë për një shërbim që duhet të ishte pa pagese. Përse pa pagesë? Sepse Pacienti i shtruar paguan Sigurimet Shëndetësore çdo muaj çdo vit dhe kur vjen sidomos mosha e tretë që ka nevojë për shërbim mjekësor atëherë familja duhet të paguajë nën dorë për shërbimin në vend që ta merrte atë pa pagesë. Kjo për shkak se Ligji, VKM dhe Kontrata nuk flet për detyrimin që ka Personeli Shëndetësor ndaj Pacientit i cili duhet dhënë me profesionalizëm dhe pa pagesë nën dorë ( ryshfet apo mitmarrje). Atëherë duhet bërë një VKM e re e cila ta bëjë aktive KARTËN E SHËNDETIT me të cilën duhet pajisur pacienti , i cili kur të shtrohet të tregojë kartën e Shëndetit dhe të mos paguajë për shërbimin. Në ligje dhe VKM-të e M.SH., nuk përmenden problemet e Hotelerisë, Ushqimit, kush kontrollon, kush paguan, por këto duhet të përfshihen në KARTËN E SHËNDETIT e cila duhet të ketë një sasi paraje sipas Klasës së Sëmundjes që ka pacienti, këto para duhet të jenë pjesë e Sigurimeve Shëndetësore që paguan pacienti ndër vite. Kjo do të eliminojë ryshfetin.

Problemet etiko- administrative

Vërehen shkelje të rënda të etikës profesionale dhe të Kodit të Hipokratit ndaj të cilit janë betuar Mjekët në momentin kur marrin Diplomën. Këto shkelje të rënda të etikës deh ato administrative rrjedhin nga;
– Komisionet e marrjes në punë janë jo cilësore. Marrja në punë duke anash kaluar kriteret e vëna si nota, titulli, praktikat, vjetërsia, dhe intervista.
– Mungesa e disiplinës në punë e cila është detyre themelore e Drejtorisë e cila kontrollon nëpërmjet një sistemi burokratik por të domosdoshëm
– Higjiena në pavijone, shumë e ulët për të mos thënë e tmerrshme sidomos ËC, Sanitaret kërkojnë lekë për shërbim, infermierët kërkojnë lektë për vendosjen e solucioneve dhe injeksioneve
– Mungesa e distingtivave dallonjës (badge) se kush është infermier, kush është mjek, kush është sanitar, kush është roje. Kjo shkakton amulli, anarki, favorizim i infeksioneve hospitaliere, komplikacione mjekësore, etj
– Kryeinfermieret janë të vendosura pa kriteret e nevojshme dhe pa vjetërsie dhe profesionalizmin e nevojshëm
– Mungojnë provimet vjetore për mjekët dhe infermierët brenda pavijoneve (ish ngritja tekniko-profesionale por me të drejtë të humbjes së vendit të punës)
– Mungon kontrollori për çdo pavion
– Mungon Bordi i drejtimit të Spitalit Terciar (QSU), por drejtohet vetëm nga 1 person.
Këto defekte kanë shkaktuar uljen e cilësisë së mjekimit dhe të kujdesit ndaj pacientit i cili në më të shumtën e rasteve është i pakënaqur pavarësisht profesionalizmit të mjekut
Problemet Teknike e dhe Profesionale Mjekësore
Këto probleme në më të shumtën e rasteve janë mbuluar nga puna e shkëlqyer e disa mjekëve por gjendja mbetet e rëndë në Spitalet publike sepse:
– Mjekët specialistë të punësuar në Spitalet Terciare (Q.S.U.) nuk janë punësuar sipas meritës, sipas eksperiencës, ispa notave, sipas titullit, sipas vjetërsisë
– Po ashtu dhe infermierët
– Ndërhyn politika në emërimin e Drejtuesve, Shefave të Shërbimit, mjekëve dhe infermierëve
– Mungojnë medikamente, dhe konsumables, të cilat i detyrojnë pacientët që të blejnë medikamente spitalore në Farmacitë përreth spitaleve
– Analizat mjekësore, pacientët e shtruar detyrohen ti bëjnë tek private duke shtuar humbjet financiare të familjeve që kanë të shtruar, me gjithë PPP e analizave. Kontrollohen këto shërbime dhe nga kush?
– Mjekët janë të dy apo tre punësuar kështu që nuk qëndrojnë në Spital, duke shkaktuar rënien e vigjilencës mjekësore dhe rënien cilësore të kujdesit mjekësor për pacientin e shtruar
– Urdhri i Mjekut apo infermierit nuk funksionon për të proceduar për shkeljet disiplinore dhe profesionale të personelit Shëndetësor
– Tenderët për QSU-të duhet të realizohen në M.SH., dhe jo për çdo spital
– Duhen riparë dhe ri-kontrolluar PPP për mjekësinë sepse harxhohen shumë fonde për pak punë, si p.sh, checkup-i i cili bëhet me mjekun e familjes, infermierët e familjes, personelin e Q.SH., por paratë i merr koncesionari dhe personeli shëndetësor nuk merr asgjë për punën shtesë të kryer.
– Të premteve, të shtunave, të dielave, urgjencat e rretheve vijnë në Tiranë. Mjekët e rretheve për arsye që duhet ti shohë M.SH. dhe Urdhri i Mjekut, nuk punojnë siç duhet por e gjejnë të lehtë të transferojnë pacientin duke krijuar probleme për QSU-të e Tiranës në urgjenca dhe në shtrime.
– Shefat e Shërbimeve i kanë kthyer Shërbimet në private dhe me pagesë. Kjo është e pa-pranueshme për një Spital Publik. Prandaj duhen Bordet që drejtojnë Spitalet, – për të rivendosur rregull dhe profesionalizëm.

Çdo vit, çdo familje shqiptare harxhon rreth 45.000 lekë për shërbime mjekësore, vizita. Këtu nuk janë përfshirë shtrimet në Spitalet private.
Këto probleme të Spitaleve Publike Terciare (QSU) dhe rajonale duhet të zgjidhen nga M.SH. e cila duhet të mbajë këshilltarë me eksperiencë për të drejtuar dhe menaxhuar sistemin publik shëndetësor dhe të mos justifikohet me vaksinimet e suksesshme apo me problemet që pati pandemia.
Ka një mori të madhe e të pafundme ankesash nga qytetarët për shërbim jo të mirë profesional, për mungesat në mjekime për të shtruarit, për mit marrjen skandaloze që ka mbytur shërbimin shëndetësor dhe kujdesin ndaj Pacientit të shtruar, për mungesën e disiplinës dhe të etikës mjekësore nga shumë mjekë dhe infermierë.

Rënia e kujdesit spitalor për pacientin e shtruar mesa duket për shkak të mjekëve të dy punësuar bëhet edhe për të rritur numrin e shtrimeve në spitalet private sepse pacienti për shëndetin nuk kursehet, dhe kjo është bërë motiv i veçantë për të diskretituar shërbimin spitalor publik ndaj atij privat, pra ka rrënjë të thella të cilat duhen rregulluar bazuar në ligj.
Së fundmi, Qeveria ka hapur një spital ne Fier, dhe urojmë sinqerisht që ky spital të jetë fillimi i një sistemi të kujdesit mjekësor spitalor publik të rregullt dhe i përfshirë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, por Qeveria duhet medoemos të rregullojë problemet e sipër shkruara:
– të kërkojë asistencë
-të shmangë dypunësimet e mjekëve specialist
– të rrisë pagat 100% të mjekëve
– të rrisë pagat 100% të infermierëve por, pasi të ketë kategorizuar infermierët me një vendim të veçantë.